Surja El-Fatiha Përfshin shërimin e zemrës dhe trupit

Surja El-Fatiha
Përfshin shërimin e zemrës dhe trupit1

Allahu teala thotë: “ 1. Me emrin e Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëplotit! 2. Çdo lavdërim dhe falënderim i përket Allahut, Zotit të botëve, 3. Të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëplotit, 4. Sunduesit të Ditës së Gjykimit, 5. Vetëm Ty të adhurojmë dhe vetëm prej Teje ndihmë kërkojmë. 6. Udhëzona në rrugën e drejtë! 7. Në rrugën e atyre që u ke dhuruar mirësi e jo në në të atyre që kanë shkaktuar zemërimin Tënd, as në të atyre që janë të humbur!” (El-Fatiha: 1-7).

Allahu e krijoi njeriun të dobët, me të vetmen arsye që të forcohet lidhja e tij me Të Fortin, Të Fuqishmin, duke e kërkuar Atë në momentet e dobësisë, duke kërkuar prej Tij ndihmë në çastet e pafuqisë, duke kërkuar nga Ai qartësimin e rrugës së drejtë kur është i humbur. Bile, siç e kujton dhe përmend Atë gjatë vështirësive dhe kur është në nevojë, e kujton dhe përmend gjatë rehatisë së tij.

Duke qenë se prej kësaj dobësie të njeriut është edhe shqetësimi, trazimi dhe trishtimi i zemrës së tij, Allahu bëri që në kujtimin dhe përmendjen e Tij, ajo të qetësohet dhe pushoj, ndërsa shpirti të gjejë prehje. Allahu thotë: “Ata që besojnë dhe zemrat e të cilëve, kur përmendet Allahu, qetësohen. Vërtet, zemrat qetësohen me përmendjen e Allahut” (Er-Rra’d: 28). Kurse Kurani është prej dhikrit (përmendjes) së Allahut, Allahu (azze ue xhel-le) thotë: “Ndërsa ky (Kuran) është Dhikr (Mesazh Përkujtues) i bekuar, të cilin Ne e kemi zbritur, prandaj, si mund ta mohoni ju atë?!” (El-Enbija: 50). Dhe jo vetëm që është prej dhikrit, por ai është origjina e tij, për këtë arsye Allahu në ajetin e nëntë të sures El-Hixhr, e përmendi në formën e shquar, duke përdorur nyjën shquese (EL), Allahu thotë: “Sigurisht, Ne e kemi zbritur El-dhikr (Kuranin), dhe sigurisht, Ne do ta ruajmë atë”.

Dhe duke qenë se dhikri (përmendja dhe kujtimi) i Allahut është shërim për zemrat, dhe duke qenë se Kurani është dhikri më me vlerë dhe vet origjina e tij, Allahu e bëri këtë Kuran, të gjithin shërim për besimtarët, Allahu thotë: “Ne zbresim nga Kurani atë që është shërim dhe mëshirë për besimtarët e që mohuesve keqbërës u shton vetëm humbje” (El-Isra: 82).

Ibën El Xheuzij, në librin e tij: “Muntehab kurreti el-ujuninneuadhir filvuxhuhi ue ennedhair” sqaron se parafjala “nga” e përdorur në këtë ajet, tregon llojin, d.m.th. që Kurani i gjithi është shërim, jo vetëm një pjesë të tij.

Ibën El Kajjimi në librin e tij ”Zadulmead” (4/177) thotë: “Është e njohur që disa pjesë të të folurit tanë kanë veçori dhe dobi të provuara, atëherë çfarë mendon për të Folurit e Zotit të botëve, vlera dhe dallimi i të Folurit të Tij në krahasim me çdo të folme tjetër është si vlera dhe dallimi i vet Allahut ndaj krijesave të Tij? Fjalët e Allahut janë shërim i plotë, mbrojtje e dobishme, dritë udhëzuese dhe mëshirë gjithëpërfshirëse, të cilat po të zbriteshin mbi ndonjë mal, mali to të copëtohej nga madhështia dhe dinjiteti i Fjalëve të Tij. Allahu teala thotë: “Ne zbresim nga Kurani atë që është shërim dhe mëshirë për besimtarët e që mohuesve keqbërës u shton vetëm humbje” (El-Isra: 82).

Nga dy mendimet kontradiktore të dijetarëve, më i sakti është se parafjala “nga” është përdorur si sqarim i llojit, që do të thotë se Kurani i gjithi është shërim, jo vetëm një pjesë e tij. Argument që Kurani i gjithi është shërim, është fjala e Allahut (azze ue xhel-le): “…Thuaj: Ai (Kurani) është udhërrëfyes dhe shërim për besimtarët…” (Fusilet: 44). Gjithashtu fjala e Allahut: “O ju njerëz, ju ka ardhur këshillë (Kurani) nga Zoti juaj, shërim për zemrat tuaja, udhëzim dhe mëshirë për besimtarët” (Junus: 57).

Llojet e sëmundjeve

Ibën El-Kajjimi në librin e tij “Zadulmead” (4/5-7) thotë: “Sëmundja është dy llojesh, dhe që të dyja janë cekur në Kuran: sëmundja e zemrës dhe ajo e trupit.

Pastaj, sëmundja e zemrës gjithashtu është dy lloj: sëmundje e dyshimeve dhe mëdyshjeve dhe e pasioneve dhe epsheve. Dhe të dyja këto sëmundje janë përmendur në Kuran, Allahu teala thotë për sëmundjen e dyshimeve: “Në zemrat e tyre ka një sëmundje të cilën Allahu ua shton…” (El-Bekare: 10), dhe thotë: “…dhe që të thonë ata që kanë sëmundjen e dyshimit në zemër dhe mosbesimtarët: Ç’ka dashur të thotë Allahu me këtë shembull?…” (El-Muddeththir: 31). Gjithashtu në lidhje me ata të cilët kur thirren të gjykohen tek Kurani dhe Sunneti, refuzojnë dhe ua kthejnë shpinën, Allahu thotë: “Dhe, kur thirren tek Allahu (Libri i Tij) dhe i Dërguari i Tij (Sunneti i tij), që ai të gjykoj midis tyre, një grup nga ata kthejnë kurrizin. Por, nëse e drejta është në anën e tyre, ata vijnë përulshëm. A mos kanë sëmundje në zemra e tyre apo dyshojnë? Apo kanë frikë se mos Allahu dhe i Dërguari i Tij do t’u bëjnë padrejtësi?! Jo, por pikërisht ata janë të padrejtët” (Ennur: 48-50). Pra, këto ajete flasin për sëmundjen e dyshimeve dhe mëdyshjeve.

Ndërsa sa i përket sëmundjes së epsheve, Allahu lartësuar thotë: “O gratë e të Dërguarit! Ju nuk jeni si gratë e tjera. Nëse i frikësoheni Allahut, mos flisni me përkëdheli, që të mos ju dëshirojë ai që në zemrën e tij ka sëmundje (zemër epshore)…” (El-Ahzab: 32).

Sa i përket kurimit të zemrave, kjo u besohet të Dërguarve të Allahut (saleuatullllahi ue selamuhu alejhim). Nuk ka rrugë përmes së cilës arrijmë t’i kurojmë zemrat tona, përveç rrugës së tyre dhe dorëzimi në duart e tyre. Kjo, sepse përmirësimi i zemrave në të vërtetë, arrihet atëherë kur ato e njohin Zotin dhe Krijuesin e tyre, kur i njohin emrat, cilësit, veprimet dhe ligjet e përsosura të Tij. Kur në këto zemra kënaqësia dhe dashuria e Tij zënë vend para çdo gjëje tjetër dhe njëherësh largohet nga ndalesat dhe hidhërimi i Tij.

Zemra kurrë nuk ka mundësi të gëzojë shëndet dhe të mbetet e gjallë veçse përmes këtyre njohurive dhe nuk ka rrugë tjetër që ia mundëson arritjen e tyre veç mësimeve të të Dërguarve (saleuatull-llahi ue selamuhu alejhim). Ai i cili mendon se shëndeti i zemrës së tij mund të arrihet duke mos i pasuar të Dërguarit e Allahut (saleuatull-llahi ue selamuhu alejhim), ka gabuar rëndë. Në pasimin e çdo rruge tjetër, mund të arrihet vetëm jeta, shëndeti dhe fuqia e anës shtazarake-epshore e shpirtit të tij, ndërsa jeta, shëndeti dhe fuqia e zemrës janë shumë larg tij. Prandaj ai i cili nuk bënë dallim mes të këtyre dy rrugëve, le të qajë për jetën e zemrës, sepse ai është prej të vdekurve, dhe le të qajë për dritën, sepse ai është zhytur thellë në detet e errësirave të shumta”.

Suretu El-Fatiha, shëruese e zemrave

Pasi na u bë e njohur që Allahu (azze ue xhel-le) të gjithë Librin e Tij Fisnik e bëri shërim, atëherë duhet ditur që Allahu veçoi disa nga suret dhe ajetet e Librit të Tij, të cilave ua ka shtuar edhe më shumë veçorinë e shërimit dhe ndikimit. Prej tyre është surja El Fatiha, ku Allahu përmend ata të cilëve u ka dhuruar mirësinë e pasimit të rrugës së drejtë dhe ata të cilët e njohën të vërtetën dhe punuan sipas saj. Pastaj, karshi tyre duke i krahasuar, përmendi dy popuj të cilët devijuan nga kjo rrugë e drejtë: çifutët të cilët e njohën të vërtetën, mirëpo nuk punuan sipas saj, shkaku i sëmundjes së epsheve në veçanti, edhe pse nuk shpëtuan as nga ndikimi i dyshimeve, dhe të krishterët të cilët devijuan në kuptimin e së vërtetës shkaku i dyshimeve në veçanti, edhe pse nuk shpëtuan as nga ndikimi i epsheve.

Ibën El-Kajjimi (rahimehullah) në librin e tij “Medarixhussalikin” (1/52-55), thotë: “Sa i përket sures El-Fatiha, ajo përfshin në vetvete shërimin e zemrave në formën më të përsosur. Në të vërtetë dobësimi dhe sëmundja e zemrave rrokulliset rreth dy shkaqeve kryesore: pajisja me dituri të gabuar dhe qëllimi i keq. Mbi këto shkaqe ndërtohen dy sëmundje vrasëse: devijimi dhe hidhërimi (i Allahut). Devijimi vjen si pasojë e pajisjes me dije të gabuar, kurse hidhërimi si rezultat i qëllimit të keq. Këto dy sëmundje janë origjina e të gjitha sëmundjeve të tjera të zemrës, ndërsa udhëzimi në rrugën e drejtë përmban shërimin nga devijimi. Për këtë arsye, dhe shkaku i domosdoshmërisë dhe nevojës së madhe për udhëzimin e shumëdëshiruar, kërkimi i udhëzimit (nga Allahu) ka qenë lutja më obligative dhe më e detyruar për çdo rob besimtar, çdo ditë, çdo natë dhe në çdo namaz. Asgjë nuk e zë vendin e kësaj lutjeje…”

Kurse në librin e tij “Zadulmead” (4/178), thotë: “Në përgjithësi atë që përmban surja El Fatiha, siç është sinqeriteti i të qenit rob i Allahut, lavdërimet ndaj Tij, që të gjitha çështjet t’ia besosh Atij, kërkimin e ndihmës nga Ai, mbështetja tek Ai, kërkimin e mirësisë e cila përmbledh në vete të gjitha mirësitë tjera, e që është udhëzimi, i cili sjell çdo të mirë dhe largon çdo të keqe-, të gjitha këto janë prej ilaçeve shëruese dhe që mjaftojnë (si shërim). Thuhet se vendndodhja e shërimit në suren El Fatiha është te fjalët “Vetëm Ty të adhurojmë dhe vetëm prej Teje ndihmë kërkojmë”. S’ka dyshim se këto dy fjali janë prej pjesëve më të fuqishme të këtij ilaçi, sepse me to i besohen të gjitha çështjet Allahut, kërkohet mbështetje dhe strehim tek Ai, kërkohet ndihmë nga Ai, shprehet nevoja për Të dhe lutjen e Tij’’.

Më tej, të gjithë këtë e përmblodhi në një fjali të gjithanshme dhe shumë të dobishme, duke sqaruar se ky ajet përfshinë: “Bashkimin mes synimit më të lartë, që është adhurimi i Allahut, të Vetmit, dhe mjetit më të ndershëm, që është kërkimi i ndihmës nga Ai në këtë adhurim…”.

Kurse në librin e lartpërmendur (Medarixhussalikin), në po të njëjtin vend, ai e shtjellon këtë hollësishit: “Nuk ka shërim nga kjo sëmundje veçse përmes një ilaçi, (ai është): “Vetëm Ty të adhurojmë dhe vetëm prej Teje ndihmë kërkojmë”. Duke qenë se këtë ilaç e ka kombinuar Mjeku (Allahu), i Kujdesshmi/i Buti (El-Letif) për robërit e Tij, i Dijshmi për sëmundjen, atëherë nëse i sëmuri e përdor, arrihet shërimi i plotë. Sa herë që shërimi është i mangët, kjo ndodh shkaku i mungesës së një pjese, dy apo më shumë pjesëve të këtij ilaçi.

Pastaj, zemrës vazhdimisht i ekspozohen dy sëmundje të mëdha, kështu që robi nëse nuk i parandalon, ato patjetër që do ta hedhin në shkatërrim. Këto sëmundje janë: syfaqësia dhe mendjemadhësia. Shërimi i syfaqësisë arrihet përmes: “Vetëm Ty të adhurojmë”, ndërsa shërimi i mendjemadhësisë përmes: “Vetëm prej Teje ndihmë kërkojmë”. Shumë herë e dëgjoja Shejhul Islam Ibën Tejmijen (Allahu ia shenjtëroft shpirtin) duke thënë: “Vetëm Ty të adhurojmë”, e largon syfaqësinë, kurse “Vetëm prej Teje ndihmë kërkojmë”, e largon mendjemadhësinë, prandaj nëse shpëton prej sëmundjes së syfaqësisë me “Vetëm Ty të adhurojmë”, prej sëmundjes së mendjemadhësisë dhe vetëkënaqësisë me “Vetëm prej Teje ndihmë kërkojmë”, dhe prej sëmundjes së devijimit dhe injorancës me “Udhëzona në rrugën e drejtë!”, atëherë ka shpëtuar nga të gjitha sëmundjet dhe shqetësimet e tij, ka veshur me krekosje rrobat e gjallërisë së shpirtit të tij, dhe mirësia e Allahut është plotësuar ndaj tij. Pra, ky është prej atyre që u është dhuruar mirësia, dhe jo prej atyre që kanë shkaktuar zemërimin e Allahut, pasuesit e qëllimeve të këqija, të cilët e njohën të vërtetën dhe u larguan nga ajo, dhe as prej atyre që janë të humbur, pasuesit e dijes së gabuar, të cilët lajthitën në njohjen e së vërtetës dhe vepruan sipas injorancës së tyre.

Një sure, e cila përfshin këto dy shërime, e meriton që përmes saj të kërkohet shërimi nga çdo sëmundje. Për këtë shkak, pasi që ajo përfshin këtë shërim, i cili është shërimi më i madh nga dy shërimet, atëherë gjithsesi përmes saj do të arrihet edhe shërimi më i ulët, siç do ta sqarojmë më vonë. Nuk ka gjë më shëruese për ato zemra të cilat e njohën Allahun dhe të Folurit e Tij (Kuranin), dhe e kuptuan atë (Kuranin) me një kuptim që Ai i veçoi ndaj të tjerëve, se domethënia e kësaj sureje”.

Suretu El-Fatiha, shëruese e trupit

Është bërë gjë e zakonshme tek shumica e atyre të cilët janë ndikuar nga “civilizimi bashkëkohor” dhe të cilët kanë lexuar shumë pak nga librat e selefit (gjeneratave të para), mohimi i shërimit të trupit përmes Kuranit dhe dhikreve (thënieve të caktuara)që janë transmetuar në Sunnet, duke hamendësuar se ato janë lloj i besëtytnive, dhe në to fshehurazi inkurajohet mbështetja tek fallxhorët dhe të tjerët të ngjashëm me ta prej magjistarëve të ndryshëm. Mirëpo, nisur nga kujdesi i pakët i tyre për Sunnet, dhe guximi që përmes përdorimit të mendjes në çdo çështje, të kundërshtohet Sheriati (Feja), menduan që sëmundjet fizike nuk mund të shërohen veçse me ilaçe fizike.

Ibën El-Kajjimi në librin e tij “Medarixhussalikin” (1/55), fol rreth kërkimit të shërimit fizik përmes sures El Fatiha, duke cekur vendimin Islam për këtë çështje, me argumente që nuk mund të refuzohen. Ai thotë: “Ndërsa sa i përket faktit që ajo (surja El-Fatiha) përmban shërim për trupin e njeriut, do përmendim atë çfarë është transmetuar në Sunnet rreth kësaj çështjeje, parimet e mjekësisë që dëshmojnë për të, dhe përvojën që argumenton atë. Sa i përket argumentimit me Sunnet, do përmendim hadithim që transmetohet në dy Sahihat2, ku Ebu el Mutevekkil En-Naxhij transmeton nga Ebu Seid el Hudriji, i cili thotë: “Disa nga sahabet (shokët) e të Dërguarit (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem) kaluan pranë një fisi të arabëve, kurse ata as nuk i nderuan dhe as nuk iu bënë konak. Ndërkohë një akrep helmoi të parin e fisit, kështu që ata erdhën tek sahabet dhe thanë: A keni ndonjë rukje (kurë), apo (thanë) a është ndokush nga ju mjek (që kuron)? Sahabet u përgjigjen: Po, mirëpo ju nuk na nderuat, kështu që s’do bëjmë asgjë deri sa të na caktoni ndonjë shpërblim. Atëherë ata caktuan si shpërblim për këtë disa copë dele. Njëri nga ne filloi të lexojë mbi të sëmurin Suren El-Fatiha, dha ai u ngrit në këmbë sikur të mos kishte lënguar më parë. Ne thamë: Të mos ngutemi (të mos bëjmë gjë) deri sa të shkojmë tek i Dërguari (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem). Kur shkuam te ai dhe e njoftuam çfarë ndodhi, ai tha: “Nga e mësuat që ajo (El-Fatiha) është rukje (mjekim)?! Hani (prej mishit të deleve) dhe më ndani edhe mua një pjesë”.

Ky hadith përmban arritjen e shërimin për këtë person të helmuar (nga akrepi) përmes leximit të sures El-Fatiha mbi të, e cila i mjaftoj ndaj çdo ilaçi (fizik). Bile, ndonjëherë përmes saj arrihet prej shërimit, çfarë s’mundet përmes ilaçeve (fizike). Nëse në këtë rast shërimi u arrit edhe pse vendi nuk i përgjigjej (kurimit), shkaku që ata (pjesëtarët e fisit) ose ishin jobesimtarë, ose koprracë dhe dorështrënguar, atëherë si do të ishte sikur vendi t’i përgjigjej (kurimit)[3]?!”.

Pra, këtu është shprehur qartë shërimi me Kuran nga një sëmundje plotësisht fizike, e që është kafshimi i akrepit, dhe përvoja të shumta dëshmojnë për vërtetësinë e tij. Ibën El-Kajjimi në librin e lartpërmendur (1/57-58), gjithashtu thotë: “Sa i përket përvojave që dëshmojnë për këtë, ato janë aq shumë sa nuk mund të numërohen, dhe këtë e gjejmë në çdo kohë. Unë personalisht e kam provuar këtë tek vetja ime dhe tek të tjerët, dhe kam gjetur rezultate mahnitëse. Sidomos gjatë qëndrimit tim në Mekke, ku më shfaqeshin dhimbje aq të mëdha, gjatë Tavafit dhe adhurimeve tjera, sa që gati më pamundësohej lëvizja. Atëherë menjëherë lexoja suren El Fatiha, pastaj me të (El Fatiha) fërkoja vendin e dhimbjes [4] dhe ajo largohej si guraleci kur rrokulliset! E kam provuar këtë shumë herë”.

Përktheu: Lulzim Perçuku

____________________________________________

[1] Kjo temë është shkëputur nga libri “Min kul-li suretin faide” (Nga çdo sure përfitojmë së paku një dobi), i autorit Shejh AbdulMalik bin Ahmed Ramadani.

[2] Transmeton Buhariu (hadithi me numër: 2276), dhe Muslimi (hadithi me numër: 2201).

[3] Të ishin besimtarë të devotshëm. (sh.p.)

[4] Nga ky përshkrim kuptohet që Shejhu e lexonte suren El Fatiha në shuplakën e dorës, pastaj me të (shuplakë) fërkonte vendin e dhimbjes dhe ajo largohej menjëherë. Allahu a’lem. (sh.p.)

Shpërndaje artikullin
Madhësia e tekstit