Surja Fatiha dhe lumturia e njeriut

Ibën Kajim el Xheuzije

Njeriu ka dy mundësi: njërën që ka të bëjë me dijen teorike dhe tjetrën që është praktikimi i vullnetshëm. Lumturia e njeriut qëndron pikërisht në plotësimin dhe përsosmërinë e këtyre dy mundësive, dijen dhe praktikën.

Mundësia e dijes përsoset duke njohur Krijuesin, Zotin e gjithësisë, emrat dhe cilësitë e Tij, rrugën që të çon për tek Ai, shkarjet që të largojnë prej Tij. Po ashtu, njeriu duhet të njohë vetveten me dobësitë dhe gabimet që ka. Me anë të këtyre pesë njohurive arrihet përsosmëria e mundësisë së dijes dhe, njerëzit më të ditur janë ata që më së miri i njohin këto gjëra dhe i kuptojnë ato.

Mundësia e praktikës dhe e vullnetit, nuk mund të përsoset vetëm se duke vënë në jetë detyrimet që njeriu ka ndaj Zotit, me vërtetësi, sinqeritet, përkushtim, ndrojtje dhe duke pranuar se nuk ia ka dhënë Krijuesit të tij hakun që i takon dhe e meriton. Njeriu duhet ta pranojë se nuk mundet t’i përsosë këto dy mundësi përveçse me ndihmën e Allahut, ai ka nevojë së tepërmi që të udhëzohet në udhën e drejtë, në udhën që ecën eulijatë dhe njerëzit e Zotit. Njeriu ka nevojë për ndihmën e Allahut, që të mos shkasë nga udha e drejtë me shkatërrimin e mundësisë së dijes dhe për rrjedhim, rënien në humbje; apo me shka-tërrimin e mundësisë praktike dhe për rrjedhim, rënien në zemërimin e Allahut. Përsosmëria e njeriut dhe lumturia e tij, plotësohet vetëm duke mbledhur të gjitha këto aspekte, të cilat mjaft bukur janë përshkruar në suren Fatiha: Fjala e Allahut: “Gjithë lavdërimet dhe falënderimet janë për Allahun, Zotin e të gjitha botëve. I Gjithëmëshirshmi, Mëshirëploti. I Vetmi Mbisundues i Ditës së Shpërblimit (Ditës së Ringjalljes)” (Fatiha, 1-3) përmban elementin e parë që është njohja e Zotit, emrave, cilësive dhe veprimeve të Tij. Emrat e Allahut të përmendur në këtë sure, përbëjnë bazën e emrave të bukur të Allahut, e ata janë: Allah, Zot dhe i Gjithëmëshirshëm.

Emri Allah, tregon cilësitë hyjnore të Zotit dhe adhurimin që krijesat duhet t’i kushtojnë Atij.

Emri Zot, tregon cilësitë që kanë të bëjnë me Plot-fuqishmërinë dhe zotërimin Absolut të Tij.

Emri i Gjithëmëshirshëm, tregon cilësitë e Mirësisë dhe Bujarisë së Zotit.

Kuptimet e të gjithë emrave të Allahut, përsillen rreth këtyre tre emrave. Fjala e Allahut: “Vetëm Ty të adhurojmë dhe vetëm Ty të mbështetemi e të kërkojmë ndihmë” (Fatiha, 4), tregon njohjen e rrugës që të shpie për tek Allahu, e cila nuk është gjë tjetër veçse adhurimi i vetëm i Tij, ashtu siç Ai dëshiron dhe është i kënaqur dhe kjo arrihet me ndihmën dhe përkrahjen e Tij.

Fjala e Allahut: “Përforcona (drejtona) në Rrugën e Drejtë.” (Fatiha, 5), tregon se njeriu nuk mund ta arrijë lumturinë, vetëm se duke iu përmbajtur rrugës së drejtë dhe nuk mund t’i përmbahet kësaj gjëje vetëm se me anë të udhëzimit që i jep Zoti i tij, ashtu siç nuk e kryen dot adhurimin vetëm se me ndihmën e Tij, andaj gjithçka varet nga udhëzimi i Allahut.

Fjala e Allahut: “Jo në (rrugë) të atyre që e merituan Zemërimin Tënd mbi vete dhe as në (rrugë) të atyre, të cilët e humbën veten.” (Fatiha, 7), tregon dy llojet e shmangieve nga rruga e drejtë. Njëra shmangie shpie në humbje dhe vjen si rezultat i padijes dhe besimit të gabuar, ndërsa shmangia tjetër shpie në zemërimin e Allahut dhe vjen si pasojë e qëllimit të keq dhe punës së padobishme.

Fillimi i sures Fatiha trajton Mëshirën e Allahut, mesi i saj Udhëzimin, dhe fundi Mirësinë e Tij.

Njeriu do të përfitojë nga kjo mirësi për aq sa ai është i udhëzuar, dhe ai është i udhëzuar për aq sa është më-shiruar nga Allahu. Pra, e gjithë çështja përsillet rreth Mirësisë dhe Mëshirës së Allahut. Mëshira dhe Mirësia janë atribute që vijnë si rrjedhojë e Plotfuqishmërisë dhe Zotërimit Absolut të Allahut. Ai nuk mund të jetë vetëm se i Mëshirshëm dhe Mirëbërës, cilësi këto që rrjedhin nga Hyjnia e Tij; Ai është i Adhuruari i Vërtetë, edhe nëse nuk e pranojnë Atë ateistët, apo i bëjnë ortak politeistët.

Kushdo që kupton dhe vë në jetë përmbajtjen dhe kuptimet e sures Fatiha, do të arrijë përsosmërinë më të madhe dhe adhurimi i tij ndaj Allahut do të arrijë gradën e njerëzve të veçantë, të cilët qëndrojnë shumë më lart se sa adhuruesit e thjeshtë. Allahu na ardhtë në ndihmë![1]

—————————————————————————
[1] Kjo temë është marrë nga libri ‘El Feuaid’, i autorit Iben Kajim el Xheuzije. Libri është botuar dhe shitet.

Shpërndaje artikullin
Madhësia e tekstit