Të drejtat e të moshuarve në Islam

Autor: Dr. Abdurrezak el Bedr

Lavdëroj dhe falënderoj Allahun Fisnik, i Cili është meritor për çdo lavdërim dhe falënderim. Atë e falënderoj me falënderim dhe lavdërim të plotë, të bukur dhe të bekuar, ashtu siç dëshiron dhe është i kënaqur Zoti ynë. E falënderoj dhe lavdëroj për të gjitha dhuntitë dhe begatitë e Tij, e falënderoj dhe lavdëroj për udhëzimin që na dhuroi drejt fesë madhështore dhe drejt pasimit të sunetit të Pejgamberit të Tij fisnik. E falënderoj dhe lavdëroj për çdo begati që na ka begatuar, qoftë në të kaluarën apo tash, qoftë fshehurazi apo haptazi, qoftë ajo begati për të gjitha krijesat apo vetëm për disa prej tyre, qoftë për të vdekurin apo për të gjallin, për atë që është i pranishëm apo që nuk është i pranishëm. Atë e falënderoj dhe lavdëroj derisa të jetë i kënaqur, dhe kur Ai bëhet i kënaqur prapë i takon falënderimi dhe lavdërimi.

Dëshmoj se Muhamedi (salallahu alejhi ve selem) është robi dhe i dërguari i Tij, i zgjedhuri dhe i dashuri i Tij, besniku dhe komunikuesi i shpalljes së Tij, i cili la ummetin e tij në një rrugë të qartë, nga e cila humbë vetëm ai që është i shkatërruar. Ai solli argumentet dhe sqaroi rrugën, saqë nuk la asnjë të mirë pa treguar për të, dhe nuk la asnjë të keqe pa tërhequr vërejtjen nga ajo. Luftoi në rrugën e Allahut me një luftë të vërtetë dersa i erdhi vdekja, salavatet dhe selamet e Allahut, të melaikeve, të pejgamberëve dhe robërve të Tij qofshin mbi të.

Pa dyshim që njerëzit kanë nevojë të madhe t’u përkujtohen obligimet dhe detyrat ndaj Allahut, ndaj Pejgamberit, ndaj prindërve, ndaj të afërmve dhe fqinjëve, ndaj të moshuarve… si dhe shumë obligime dhe detyra tjera.

Përkujtimi për këto obligime është një derë e madhe që shpie në të mira të shumta, një rrugë që shpie në gjëra të dobishme dhe në shpëtim. Ndërsa nëse muslimanit ia përkujton të mirën ai ia vë veshin, dhe nëse i tregon udhëzimin shkon kah ai, me ç’rast Allahu thotë: “Por këshillo, se vërtet këshilla u bën dobi besimtarëve” (Edh Dharijat, 55).

Me këtë përkujtim muslimani arrin ta kuptojë bukurinë e këtij sheriati të bekuar islam, arrin ta kuptojë se kjo është fe e drejtësisë, fe që çdo njërit ia jap të drejtën e vet, siç edhe thotë Allahu: “Në të vërtetë, Allahu urdhëron drejtësinë, mirësinë dhe ndihmën për të afërmit, si dhe ndalon imoralitetin, veprat e shëmtuara dhe dhunën. Ai ju këshillon, në mënyrë që ju t’ia vini veshin”.

Po ashtu, me këtë përkujtim muslimanit i lehtësohet t’i veprojë këto gjëra, sepse siç thuhet: “ai që nuk posedon gjë nuk mund të të jap”; prandaj ai që nuk i di obligimet dhe detyrat ndaj Allahut, ndaj Pejgamberit, ndaj prindërve, ndaj komshinjve, ndaj të moshuarve dhe të tjerëve, atëherë si mund t’i kryejë ato obligime?! Si mund të jetë njeri i drejtë?

Për këtë arsye, prej gjërave dhe detyrave më primare është kujdesi për njohjen e të drejtave dhe obligimeve. Kujdesi i muslimanit për njohjen e këtyre të drejtave të jetë me qëllim të veprimit të tyre në mënyrë sa më të plotë, dhe patjetër që këto duhet t’i bëjë si ibadet dhe afrim tek Allahu, e nuk duhet që njohja e këtyre obligimeve dhe të drejtave të jetë vetëm sa për të pasur më tepër njohuri; sepse ky nuk është qëllimi i diturisë, por qëllimi i diturisë është vepra; ku lidhur me këtë Aliu (radij Allahu anhu) thotë: “Dituria thirret me vepër, nëse i përgjigjet vije, përndryshe ikën.” (Transmeton El Hatib el bagdadi në “Iktidaul ilmi el amelu” f.40).

Prandaj njohja e këtyre të drejtave dhe obligimeve ose do të jetë argument për ty ose kundër teje; do të jetë argument për ty nëse përkujdesesh ta praktikosh atë që e dëgjon, t’i veprosh të gjitha ato vepra të mira dhe të drejta për të cilat je udhëzuar. Ndërsa do të jetë argument kundër teje nëse je mjaftuar vetëm me mësimin e tyre, siç thotë Pejgamberi (salallahu alejhi ve selem): “Kurani do të jetë argument për ty apo kundër teje.” (Transmeton Muslimi, 328).

E gjithë kjo kërkon nga çdo njëri prej nesh, që kur të dëgjojmë për këto të drejta dhe obligime të kemi në zemër nijet (qëllim) të sinqertë mes nesh dhe Allahut; të kemi për qëllim t’i veprojmë në formë sa më të plotë, t’i mësojmë duke qenë të gatshëm për t’i vepruar, e jo duke u larguar dhe duke ua kthyer shpinën, sepse ky njeri nuk do të përfitojë gjë.

Prandaj, në këtë rast ne kemi më së tepërmi nevojë për dy gjëra, të cilat i ka cekur ibën Kajimi në librin “Miftahu Dari Seade” (1/46), ku thotë: “Përkryerja e çdo njeriu bëhet me këto dy gjëra: me ambicien e cila e ngritë atë, dhe me diturinë e cila e udhëzon, sepse gradët e lumturisë dhe shpëtimit i ikin njeriut nga këto dy aspekte:

1. kur njeriu nuk posedon dituri rreth lumturisë dhe shpëtimit dhe as që lëvizë për ta kërkuar atë,

2. Kur ai posedon dituri por nuk ka ambicie për të shkuar kah lumturia dhe shpëtimi”.

Pra, këto janë dy gjëra ndër më të rëndësishmet: dituria e cila të udhëzon për në rrugën e vërtetë dhe ambicia e lartë e cila të ngritë në rrugët e mirësive. Prandaj, nëse njeriu posedon dituri por i mungon ambicia për të vepruar me të, atëherë dituria e tij do të jetë argument kundër tij, ndërsa nëse ka ambicie të lartë por pa dituri, atëherë do të veprojë kuturu. Prandaj sikurse që kemi nevojë për dituri të dobishme; gjithashtu kemi nevojë për ambicie të lartë, me anë të së cilës i kryejmë këto obligime që janë detyrë për çdo musliman dhe muslimane.

Po ashtu, nga ky përkujtim ne mësojmë se prej bukurisë së sheriatit tonë të pastër është se ai ka sjellë morale të larta dhe ka tërhequr vërejtjen nga moralet e ulëta.

Pejgamberi (salallahu alejhi ve selem) ka thënë:

“Jam dërguar t’i plotësoj moralet e larta.” (Transmeton Ahmedi (8952), Buhariu në “Edebul Mufred” (273), dhe e saktëson Albani).

“Më i dashuri për mua dhe më i afërti ndaj meje në ditën e gjykimit do të jetë ai i cili ka moralin më të lartë.” (Transmeton Tirmidhiu: (1941), ndërsa shejh Albani thotë: ky hadith është hasen).

“Besimtari me moral të mirë arrin shpërblimin e atij që agjëron dhe falet natën.”

Pra ky sheriat thërret për morale të mira, thërret që të kihet sjellje dhe moral të lartë ndaj Allahut, ndaj Pejgamberit dhe ndaj njerëzve në përgjithësi. Këto janë sjellje dhe morale të larta në të cilat shfaqet përsosmëria e kësaj feje dhe tregon se kjo është fe e virtyteve të larta si në çështjet e besimit ashtu edhe në ato të ibadeteve, normave dhe moraleve.

Mirëpo kur disa muslimanë, apo ndoshta shumë prej tyre, u bënë të pakujdesshëm në këtë çështje, atëherë edhe interesimi i njerëzve për këtë fe u dobësua, sepse përndryshe nëse pasuesit e imanit do t’i praktikonin këto gjëra në të cilat i thërret feja e tyre, dhe nëse në mesin e tyre do të shfaqeshin këto morale dhe virtyte të larta, atëherë kjo do të ishte një ndër dyert më të mëdha të davetit dhe thirrjes për të hyrë në këtë fe. Këtij umeti i kanë kaluar disa kohëra kur njerëzit hynin në të grupe-grupe për shkak të moraleve të larta që ata i shihnin tek muslimanët në të gjitha aspektet. Më ka rënë rasti të lexoj disa fjalë të dijetarit të madh Abdulaziz ibën Bazit (Allahu e mëshiroftë), i cili betohet duke thënë: “Muslimanët dhe e gjithë bota sot kanë më së tepërmi nevojë që t’u sqarohet feja e Allahut dhe t’u shfaqen mirësitë dhe realiteti i saj. Pasha Allahun, sikur ta kuptonin sot njerëzit këtë dhe sikur ta kuptonte bota, do të hynin në këtë fe grupe-grupe, ashtu sikur kanë hyrë pas çlirimit të Mekes.” (“Mexhmuul fetava”, 338/2).

Pasha Allahun të vërtetën e ka thënë, sepse kam takuar një njeri nga India, nëpërmjet të cilit kishin hyrë në Islam më tepër se njëmijë njerëz të fesë hinduse, të gjithë kanë hyrë në Islam një nga një, sepse ky u kishte bërë davet një nga një, jo të gjithëve përnjëherë. Mënyra se si i kishte thirrur këta njerëz në Islam ishte nga aspekti i njohurive rreth vlerave dhe edukatës që sjellë kjo fe. Më pas ai tregon se kishte zgjidhur personat që ishin në ankth dhe pikëllim apo ndonjë person që kishte ndonjë brengë të caktuar, ku ky është ulur pranë tij dhe e ka pyetur rreth gjendjes së tij, e më pas i ka treguar për disa nga vlerat e kësaj feje. Ai më tregoi se i mjaftonte një çerek ore apo më së tepërmi gjysmë ore, gjatë së cilës ia numëronte disa nga vlerat e kësaj feje, ku ai menjëherë pyeste: cila është rruga për të hyrë në këtë fe dhe për t’u bërë musliman? Më pas ia prezantonte Islamin dhe ai e pranonte.

Ne si umet i Islamit kemi nevojë t’i dimë së pari vlerat e fesë sonë dhe të furnizohemi nga burimet e saj të pastra, të shijojmë hijen e sajë, të edukohemi me edukatën e saj, të përkujdesemi për moralet që Zoti i botëve na thërret në to, të jemi të vetëdijshëm se këto morale janë një çështje tek e cila na ka thirrur Krijuesi i kësaj gjithësie, i Cili ka urtësi dhe është në dijeni për krijesat e Tij. Të bindemi, t’i kryejmë urdhrat dhe të praktikojmë me shpresë në shpërblimin dhe premtimin e Zotit tonë, të cilin e ka premtuar për ata që i veprojnë dhe i kryejnë detyrat dhe obligimet.

Patjetër duhet të kemi parasysh një gjë: kryerja e këtyre detyrave dhe obligimeve është ibadet ndaj Allahut, i cili bëhet duke kërkuar shpërblimin e Allahut dhe duke pritur premtimin e tij në këtë botë dhe në tjetrën. Për këtë Allahu thotë: “Ata i ushqejnë të varfrit, jetimët dhe të zënët rob edhe pse vetë janë nevojtarë, duke thënë: “Ne ju ushqejmë vetëm për hir të Zotit. Për këtë, nuk duam shpërblim e as falënderim.” (El Insan: 8-9).

Assesi mos u bë nga ata të cilët bëjnë mirë vetëm nëse të tjerët u bëjnë mirë; nëse e viziton të viziton, nëse nuk e viziton as ai nuk të viziton. Njëri ndër sahabët i tha Pejgamberit (salallahu alejhi ve selem): “O i dërguar i Allahut, unë kam të afërm që i vizitoj, por ata nuk më vizitojnë, unë jam bamirës me ta kurse ata nuk janë bamirës ndaj meje, unë sillem me butësi kurse ata më injorojnë”. Ndërsa Pejgamberi (salallahu alejhi ve selem) nuk e këshilloi që mos t’i vizitojë ata, por ai e këshilloi që t’i vizitojë duke ia përkujtuar shpërblimin e Allahut, duke i thënë: “Nëse ti je duke vepruar ashtu, atëherë kjo është sikurse t’i kishe ushqyer ata me rërë të nxehtë, kurse Allahu do të të ndihmojë kundër të keqes së tyre derisa ti vazhdon kështu.” (Transmeton Mulimi, 6440).

Vazhdon insha-Allah…

Përktheu: Jeton Bozhlani

Shpërndaje artikullin
Madhësia e tekstit