Të ftuarit e njerëzve drejt Allahut (daveti) dhe mënyrat e tij-pjesa e katërt

Autor: Dr. Abdurrezak el Bedr

E gjithashtu prej metodave të rëndësishme në davet është: sjellja butësisht me ata që i thërret, duke iu drejtuar me fjalë të buta, në mënyrë që ai të cilit i drejtohesh të vërejë mëshirën tënde. Kështu duhet sillet me të gjithë ata që i thërret, edhe nëse janë ndër jobesimtarët më të mëdhenj. Sepse kur Allahu urdhëroi Musain dhe Harunin që ta thërrasin Faraonin në besim, atyre u tha: “Flitini atij fjalë të buta, se ndoshta kujtohet a frikësohet!”. Rreth kuptimit të këtij ajeti është përcjellë nga disa dijetarë të hershëm të kenë thënë: “Flitini atij fjalë të buta” d.m.th thirreni atë me titullin që e nderon, d.m.th kur të shkosh te Faraoni, i cili megjithëse ka thënë “unë jam zoti juaj”, si dhe ka bërë shumë vepra të këqija dhe trazira në tokë, megjithatë thirre me titullin e tij. Nëse me këtë lloj butësie synohet zbutja e zemrave të atyre që i thërret drejt Allahut, atëherë kjo i tërheq ata. Pra butësia duhet përdorur në fjalë dhe në sjellje ndaj atyre që i thërret, sepse për këtë Allahu thotë: “Allahu nuk ju ndalon të silleni mirë dhe të jeni të drejtë ndaj atyre që nuk luftojnë kundër jush për shkak të fesë dhe që nuk ju dëbojnë prej shtëpive tuaja. Me të vërtetë, Allahu i do të drejtët” (El Mumtehine, 8). Sjelljet e tilla ndihmojnë në përfitimin e zemrave të këtyre njerëzve dhe afrimin e tyre drejt së vërtetës, prandaj ai që fton njerëzit drejt Allahut duhet të ketë butësi në fjalët e tij.

Gjithashtu davetxhiu duhet të kujdeset për përfitimin e zemrave të njerëzve me anë të atyre mënyrave tërheqëse; sepse nëse lexon biografitë e disa dijetarëve, aty thuhet: “ishte i dashur me njerëzit”, d.m.th ishte fjalëmirë, kishte sjellje të mirë, njerëzit e donin atë dhe donin të dëgjonin fjalët e tij, këshillat dhe ligjëratat e tij.

Prej shembujve që dua të përmend është rasti kur Pejgamberi (salallahu alejhi ve selem) ka hyrë në Meke në ditën e çlirimit të saj, ku Ebu Bekri erdhi me të atin Ebu Kuhafen, i cili ishte njeri i moshuar dhe i thinjur i tëri, ndërsa Pejgamberi (salallahu alejhi ve selem) i tha: “Pse e ke munduar këtë plak për ta sjellë gjer këtu? Sikur të më lajmëroje do të shkoja unë tek ky!” Pejgamberi (salallahu alejhi ve selem) i tha këto fjalë, megjithëse kishte ardhur triumfues dhe çlirues në qytetin ku ishte maltretuar, torturuar dhe larguar me dhunë, megjithëse Allahu i kishte dhënë rastin që të hakmerrej, ai u soll me këtë butësi duke i thënë: “Sikur të më lajmëroje, unë do të shkoja tek ai”, e më pas i tha: “Të dëshmosh se nuk meriton të adhurohet me të drejtë askush pos Allahut dhe se unë jam i dërguari i Tij?” Ai tha: “Dëshmoj se nuk meriton të adhurohet me të drejtë askush pos Allahut dhe se Muhamedi është i dërguari i Tij”. Kurse në disa raste Pejgamberit i afroheshin disa njerëz të cilët e urrenin më së shumti në botë, por në momentin kur e vërenin moralin, edukatën dhe butësinë e tij, ai bëhej njeriu më i dashur për ta. Lidhur me këtë tregon fjala e Allahut në këtë ajet: “Në sajë të mëshirës së Allahut, u solle butësisht me ta (o Muhamed). Sikur të ishe i ashpër dhe i vrazhdë, ata do të largoheshin prej teje” (Ali Imran, 159).

Kurse në mesin e nxënësve dhe të rinjve sot vërejmë disa sjellje jo të mira me të moshuarit, ndërsa Pejgamberi jonë (salallahu alejhi ve selem) ka thënë: “Nuk është prej nesh ai që nuk e mëshiron të voglin dhe nuk e nderon të moshuarin”, e po ashtu thotë: “Respektimi i të moshuarit musliman është pjesë e madhërimit të Allahut ”. Pra nderimi i të moshuarit është një pjesë e davetit, e po ashtu mëshira ndaj të voglit është pjesë e davetit. Nxënësi i dijes nuk duhet të jetë i shkujdesur ndaj këtyre gjërave, por duhet të përpiqet t’i praktikojë, sepse këto sjellje përhapin davetin dhe përfitojnë zemrat e njerëzve. Pra sjellja e mirë dhe butësia janë ndër gjërat që nxënësi i dijes duhet të kujdeset për të gjatë thirrjes së njerëzve drejt Allahut.

E gjithashtu, duhet kujdesur për të bërë dua; sepse duaja është çelës i çdo të mire, qoftë nëse bënë dua për vete, që Allahu të të bëjë çelës të së mirës, të të bëj thirrës drejt së vërtetës dhe t’u bëjë njerëzve dobi me thirrjen tënde, apo qoftë nëse bën dua për të tjerët që Allahu t’i udhëzojë. Ebu Hurejra (radij Allahu anhu) kishte bërë shumë përpjekje për ta udhëzuar nënën e tij, por sa herë që ai ia përmendte Pejgamberin, ajo e fyente. Mirëpo një ditë, Ebu Hurejra shkoi tek Pejgamberi (salallahu alejhi ve selem) dhe i tha: “O i dërguar i Allahut, lute Allahun që ta udhëzojë nënën time!” atëherë Pejgamberi u lut: “O Allah, udhëzoje nënën e Ebu Hurejres”. Me atë rast Ebu Hurejre u nis i gëzuar për duanë që bëri Pejgamberi (salallahu alejhi ve selem), dhe kur deshi të hyj në shtëpi nëna i tha: “prit”, sepse ishte duke u pastruar. Kur mbaroi pastrimin doli dhe tha: “Eshhedu en la ilahe ilallah ve eshhedu enne Muhammeden resulullah”. Pra Allahu pranoi duanë e Pejgamberit dhe ajo grua u bë besimtare.

Kurse unë njoh një person, të cilin e kam takuar një herë në Indi, i cili është i angazhuar në davet, ku nëpërmjet tij Allahu ka udhëzuar shumë njerëz. Ai më pat thënë: prej gjërave që i veproj në davet është namazi i natës dhe duaja drejtuar Allahut që t’i udhëzojë njerëzit nëpërmjet meje dhe t’i shpëtoj nga zjarri, sepse Allahu nuk ia refuzon duanë atij që e lutë. Më pas ngrihem në mëngjes dhe filloj t’i ftoj njerëzit në besim një nga një, ku ndodhë t’i ftoj tre-katër veta në ditë apo më tepër. Pas një çerek ore apo dhjetë minuta, e në disa raste zgjatë më së tepërmi njëzet minuta, personi pranon Islamin.

Pra duhet t’i lutesh Allahut, qoftë të të bëjë nga thirrësit dhe këshilluesit e njerëzve, apo të lutesh për të tjerët.

Sidoqoftë, këto fjalë të pakta nuk janë të panjohura për ju, por për shkak se disa vëllezër kërkuan nga unë që t’i flas disa fjalë, atëherë desha t’ju përkujtoj me anë të tyre, edhe pse kjo që thash nuk është gjë e re për ju.

Në fund lus Allahun të na japë dobi nga ajo që e flasim dhe nga ajo që e dëgjojmë, e lusim Allahun të na udhëzojë dhe të na bëjë udhëzues për të tjerët. Lusim Allahun të na përmirësojë në fenë tonë, e cila është shpëtim për ne, të na e përmirësojë jetën tonë e cila vendqëndrimi ynë, të na përmirësoj ahiretin tonë i cili është vendkthimi ynë, të na e zgjatë jetën tonë në çdo të mirë dhe ta bëjë vdekjen tonë rehati nga çdo e keqe. Lusim Allahun të na falë ne, prindërit tanë, muslimanët dhe besimtarët e gjallë dhe të vdekur.

Allahu i Lartësuar di më së miri, të gjitha salavatet dhe selamet qofshin mbi të dërguarin tonë Muhammedin, mbi familjen dhe shokët e tij.

Përktheu: Jeton Bozhlani

Shpërndaje artikullin
Madhësia e tekstit