Të ndihmuarit ndaj njëri-tjetrit

Të ndihmuarit ndaj njëri-tjetrit

Obligimi i ndihmës së ndërsjellë

Duke qenë të përbetuar, të dy bashkëshortët duhet të bëjnë çdo gjë që brenda mundësisë së tyre, për ta ndihmuar njëri-tjetrin dhe për ta bërë lidhjen e tyre të suksesshme. Kjo përfshin përkrahjen fizike, ekonomike dhe emocionale. Kur njëri nga bashkëshortët është duke bërë një vepër të lejuar, është e këshillueshme për tjetrin që ta ndihmojë atë sa më shumë që ka aftësi. Dhe kur njëri nga bashkëshortët është duke bërë një obligim, është e detyrueshme për tjetrin që ta ndihmojë atë sa më shumë që ka aftësi. Allahu subhanehu ue teala thotë:

“Ndihmojeni njëri-tjetrin në punë të mira dhe në të ruajturit nga të këqijat dhe jo në gjynahe e armiqësi! Frikësojuni Allahut, se Ai dënon ashpër.” [1]

Nuk ka ndihmë në mosbindje ndaj Allahut
Në anën tjetër, nga ajeti i mësipërm, arrijmë në përfundim se kur njëri nga bashkëshortët është duke bërë një vepër mekruh (të papëlqyer), atëherë nuk pëlqehet që tjetri ta ndihmojë në këtë. Dhe kur njëri nga bashkëshortët është duke bërë një vepër të ndaluar, është e ndaluar për tjetrin që ta ndihmojë atë në këtë vepër. Aliu radijAllahu anhu ka treguar se i Dërguari i Allahut sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem ka thënë:
“Nuk lejohet bindja ndaj qenies njerëzore, nëse ajo përfshin mosbindje ndaj Allahut. Bindja bëhet vetëm në gjëra të mira.” [2]

Të ndihmuarit e njëri-tjetrit në adhurim dhe bindje ndaj Allahut
Individi nganjëherë dobësohet dhe e zvogëlon kryerjen e disa veprave të adhurimit. Ndihma dhe përkrahja e mirë, do t’ia shtonte atij vetëbesimin dhe vendosmërinë. Dhe kush është më i përshtatshëm për të dhënë këtë përkrahje sesa bashkëshorti/ja?! Një shembull i mirë për këtë është dhënë nga Pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem, sa i përket namazit të natës. Ebu Hurejra radijAllahu anhu ka treguar se i Dërguari i Allahut sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem ka thënë:
“Allahu e mëshiroftë atë burrë që zgjohet natën dhe falet dhe e zgjon gruan e tij për t’u falur, e nëse ajo kundërshton, e spërkat lehtë fytyrën e saj me ujë. Dhe Allahu e mëshiroftë atë grua që zgjohet natën dhe falet dhe e zgjon burrin e saj për t’u falur, e nëse ai kundërshton, e spërkat lehtë fytyrën e tij me ujë.” [3]
Në këtë hadith, duhet vënë re mënyrën e dashur dhe të këndshme për ta zgjuar bashkëshortin. Në mes të gjumit, një person pa dyshim se do të shqetësohej nëse dikush papritur e tund ose i hedh shumë ujë të ftohtë, gjë që do ta bënte atë të mos dëshirojë bashkëpunim me personin që ia ka shkaktuar këtë shqetësim. Në anën tjetër, një qasje e mirë dhe e dashur, do të rezultojë në bashkëpunim të mirë.

[1] Surja El-Maide, ajeti 2.

[2] Buhariu, Muslimi dhe të tjerë. Një hadith i ngjashëm transmetohet nga Ahmedi dhe të tjerë nga Imran Bin Husejn, Allahu qoftë i kënaqur prej tij. “Sahihah” nr. 179, 180.

[3] Ahmedi, Ebu Davudi dhe të tjerë. “Sahihul Xhami” nr. 3494.

Shpërndaje artikullin
Madhësia e tekstit