Të varfrit do të jenë shumica e banorëve të xhenetit

Prej mirësive të Allahut është dallimi ndaj disa robërve të Tij me furnizim prej disa të tjerëve. Këtë e ka bërë si sprovë për ta. Allahu me Mirësitë e Tij i ka dhënë atij që do dhe me Urtësinë dhe Drejtësinë e Tij i ka bërë të varfër disa të tjerë. Në mesin e besimtarëve është një grup që do të jenë banorët më të shumtë të xhenetit. Ata janë të varfrit. Pozitën e tyre Allahu e ka ngritur edhe pse njerëzit i shohin si të ultë. Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem ka thënë: “…banorët me numrin më të shumtë në xhenet janë të varfrit.” Buhariu dhe Muslimi.

Të varfrit gjithmonë kanë qenë njerëzit të cilët kanë qëndruar më së afërmi me Pejgamberët, janë ata që i kanë pasuar më së shumti ata. Allahu e ka urdhëruar Pejgamberin salAllahu alejhi ue selem që vazhdimisht të sillet mirë ndaj të varfërve, të dobtëve. Allahu i qorton ata që ua kthejnë shpinën dhe nuk kujdesen për të varfrit.

Ky umet islam e ka si sprovë pasurinë. Allahu e largoi këtë sprovë prej të varfërve. Ai hidhërohet ndaj atyre që i nënçmojnë të varfrit.Të varfrit janë ata të cilëve u pranohet lutja më së shumti sepse zemrat e tyre nuk janë të lidhura me bukuritë e kësaj bote. Ibn Kajjim rahimehullah thotë: “Allahu është tek ata zemrat e të cilëve janë të thyera”, e kush janë ata? Janë të sprovuarit në pasuri.

Dhënia ushqim të varfërve është shkak që të futë në xhenet. Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem ka thënë: “Përhapeni selamin, jepni ushqim të varfërve, forconi lidhjet farefisnore dhe faluni natën kur njerëzit flenë, do të hyni në xhenetin e Zotit tuaj me paqe.” Tirmidhiu. Ai që kujdeset për të varfrit është sikur ai që vazhdimisht gjatë ditës e natës kryen vepra të mira.

Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem është interesuar vazhdimisht për gjendjen e të varfrëve dhe ka qenë njeriu më i afërt me ta. Ai i ka plotësuar kërkesat dhe nevojat e tyre.

Në shoqërimin dhe të qëndruarit me të varfrit shtohet pasuria jote, pastrohet shpirti yt, arrin zuhdin në këtë botë, i përkujton të mirat që t’i ka dhënë Allahu dhe të ngriten ambiciet e tua për të bërë vepra të mira. Sa më afër tyre, aq më shumë hapen dyert e furnizimit/rrizkut. Ata janë shkak që Allahu të largojë sprovat nga umeti islam, ta ndihmojë dhe furnizojë, për shkak se ata janë në mesin e muslimanëve, ose për shkak të kujdesit ndaj tyre, ose për shkak të bereqetit të lutjeve të tyre.

Udhëheqësit muslimanë vazhdimisht e kanë kërkuar ndihmën prej Allahut duke iu ndihmuar dhe dhënë të varfërve. Ka pasur dijetarë madhështorë, kolos të këtij umeti, që kanë qenë të varfër, si: Buhariu, imam Ahmedi. Sahabët, njerëzit më të mirë të këtij umeti, vazhdimisht janë sprovuar me varfëri. Kanë kaluar netë e ditë në shtëpinë e Pejgamberit salAllahu aljhi ue selem e nuk ka pasur darkë për t’u ngrënë.

Të varfrit e bartin furnizimin e të pasurve për ahiret. Ata u bëjnë mirë të pasurve, kur këta u japin lëmoshë atyre, të cilën Allahu ua pranon. Me pranimin e kësaj lëmoshe Allahu të pasurit i ngrit në shkallë të larta në xhenet.

Nëse kërkon prej teje i varfri mos e kthe mbrapsht. Shoqërohu me të varfrit në mërisitë dhe gëzimet e tyre me sjelle të mirë, afroji dhe sillu butë me ta. Dhënia lëmoshë e ushqim atyre është prej shkaqeve që të forcohesh në fe. Sado e paktë të jetë pasuria që e jep tek ta, ajo bëhet shkak për të të ruajtur nga zjarri i xhehenemit. Lëmosha e largon nga ti sprovën/belanë, t’i shlyen mëkatet, është shkak të të shtohet pasuria, është shkak për shtimin e veprave të tjera të mira. Kush u jep të varfërve Allahu ia lehtëson rrugën për nga e mira, nga xheneti.

Besimtari vazhdimisht sprovohet. E nga sprovat është varfëria. Nuk del prej sprovës me rezultat të mirë përveçse me durim dhe me forcim të lidhjes me Allahun. Kush është i sprovuar me varfëri le t’i kapet devotshmërisë sepse kush e ka frikë Allahun, Ai ia lehtëson rrugët e furnizimit, dhe le të kërkojë falje tek Allahu sepse mëkatet janë nga shkaqet kryesore të pakësimit të furnizimit. Ai që është sprovuar me varfëri le të kërkojë ndihmë tek Allahu me lutje që Ai t’ia hapë dyert e tëm irave sepse Allahu është më Bujari, më i Gjymerti, Ai jep pa llogari.

E nëse do që lutja të të pranohet atëherë përmirësoje mendimin e mirë ndaj Allahut, (mendimin) që nëse i lutesh Ai do të t’i hapë dyert e furnizimit. Mos shpejto në lutjen tënde porse të jesh durimtar dhe prite rrugëdaljen nga Ai. Mbështetu në Allahun dhe veproji shkaqet; mos u mbështet veç në shkaqe, mos u mbështet në punën që e bën për furnizim. Mos të mërzitesh për shkak të kësaj sprove sepse edhe njerëzit më të ngritur, Pejgamberi salAllahu alrjhi ue selem dhe shokët e tij, kanë qenë të sprovuar me varfëri para teje.

E nëse ndodh që të mbetesh tërë jetën i varfër, prapë bëj durim dhe mos u mërzit sepse ata të cilët më së shumti do ta banojnë xhenetin janë të varfrit. Ata do të jenë në xhenet para të pasurve. Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem ka thënë: “Të varfrit do të hynë në xhenet para të pasurve 500 vjet.” Tirmidhiu. Edhe pse lutesh për furnizim, edhe pse ke mendim të mirë për Allahun se do të të furnizojë, megjithatë Ai nuk po i përgjigjet menjëherë lutjes tënde, atëherë dije se Ai po ta ruan këtë shpërblim për xhenet, duke hyrë në të para të pasurve.

Hoxhë Lulzim Perçuku
Shkëputur nga dersi “Të varfrit do të jenë shumica e banorëve të xhenetit”.

Shpërndaje artikullin
Madhësia e tekstit