Temë lidhur me moralet e larta

Shejh: Muhamed bin Salih El Uthejmin (Allahu e mëshiroftë)
Shkëputur nga libri i tij: “Mekarimul ahlak” fq. 52-53

Pyetje:

A është më i mirë një njeri që është i mangët nga feja, por moralin e ka të mirë, apo një tjetër që i është afruar përsosmërisë në zbatimin e fesë, por moralin e ka të ulët? Si ndërlidhet kjo me përgjigjen e Profetit (sal-lAll-llahu alejhi ue sellem) dhënë Ummu Selemes: “Morali i mirë i ka marr me vete të mirat e kësaj dhe botës tjetër.”?[1]

Përgjigje:

Pa dyshim se prej përsosmërisë së fesë është të përsosurit e moralit, siç është saktësuar nga Profeti (sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem) të ketë thënë:

“Besimtarët me besimin më të plotë, janë ata që kanë moralin më të mirë”[2]

Andaj, duke u bazuar në këtë (hadith themi se) çdokush që është i mangët nga morali, është i mangët edhe nga feja. Pra, përsosmëria e fesë arrihet përmes përsosmërisë së moralit. Dhe siç e kemi përmendur, morali i mirë shfaqet në raportet (e njeriut) me Krijuesin dhe krijesat. Atëherë, (me këtë) qartësohet se përsosmëria e moralit arrihet nëpërmjet përsosmërisë së fesë. Në bazë të kësaj themi se, ndikimi i atij që posedon moral të përsosur në joshjen e të tjerëve drejt Islamit dhe fesë, është më i madh se ndikimi i atij që është i kapur për feje, por ka moral të keq. E, nëse atij që është i adhurues i madh i jepet sukses drejt moralit të mirë, kjo do të ishte më e plotë. Ndërsa, sa i përket krahasimit në mes të atij që është adhurues i paepur në adhurimet e tij të veçanta, mirëpo ka moral të keq (dhe tjetrit që është i mangët nga feja, por moralin e ka të mirë), kjo është një çështje që s’mund të përcaktohet me saktësi.

Përktheu: Petrit Perçuku

______________________________________________

[1] Taberaniu në El Eusat (3/279), po ashtu në El Kebir (23/222) dhe Abd bin Humejdi në Musnedin e tij (1/365).

[2] Ebu Daudi në Kitabus-Sunneti, nën kapitullin: Ed-delilu ala zijadetil-imani ue nuksanihi, nr. (4682) dhe Tirmidhiu në Kitaburr-rreda’i, nën kapitullin: Ma xhae fi hakkil – mer’eti ala zeuxhiha, nr. (1162).

Shpërndaje artikullin
Madhësia e tekstit