Thënie rreth namazit – Dr. Ahmet Hoxha

  • Besimtarët të cilët i frikësohen Allahut dhe kujdesen për namazin e tyre, do ta trashëgojnë Firdeusin, që është xhenneti më i lartë dhe më i mirë.

  • Allahu thotë: “O besimtarë, mos lejoni që pasuria dhe fëmijët tuaj t’ju largojnë nga të përmendurit e Allahut.” Munafikun 9. Ata ibn Rabah komenton: “Qëllimi me përmendjen e Allahut (dhikrin) është namazi i obliguar.”

  • Allahu thotë: “… njerëz, të cilët shitblerja nuk i pengon për të përmendur Allahun…” Nur 37. Ata ibn Rabah thotë: “Qëllimi me përmendjen e Allahut është falja e namazit farz.” Sufjan eth Theuri: “Ata blinin e shisnin, mirëpo kjo shitblerje nuk i pengonte (largonte) nga koha e namazit (për ta falur atë).”

  • Allahu thotë: “Mjerë për ata, të cilët kur falen, janë të pakujdesshëm për namazet…” Maun 4-5. Sad ibn Muadh radijAllahu anhu thotë: “Ata e kanë humbur namazin nga koha e tij (kanë fjetur në kohën e namazit, apo e kanë larguar kohën e drekës derisa ka hy koha e ikindisë, apo ikindinë derisa ka hy koha e akshamit etj.).”

  • Allahu ka treguar se kur do të pyeten banorët e xhehenemit: “Çfarë ju ka sjellë në Sekar?”, ata nuk do të përmendin asgjë tjetër përveç namazit prej punëve për shkak të braktisjes së të cilave janë dënuar, pra puna e parë për të cilën ata përmendin se janë dënuar është namazi: “Ata do të përgjigjen: “Nuk ishim nga ata që falnin namaz…” Muddeththir 42-43.

  • Katade, një nga tabiinët, ka përmendur se si Profeti Daniel ka treguar dhe cilësuar se si do të jetë populli i Muhamedit salAllahu alejhi ue selem dhe ka thënë: “Ata e falin namazin, të cilin po ta kishte falur umeti i Nuhut nuk do të fundosej në ujë, po ta kishte falur populli i Adit nuk do t’i dërgohej shtrëngatë dhe erë nga Allahu me të cilat i shkatërroi, po ta kishte vepruar populli i Themudit nuk do shkatërroheshin nga britma e madhe”, andaj të kini kujdes ndaj namazit sepse ai është edukatë e mirë e besimtarëve.

  • Dijerari Merwezij rahimehullah thotë: “Dijeni se Allahu nuk e ka veçuar një vepër prej veprave të fesë dhe atë ta bëjë shkaktare për faljen e mëkateve dhe pastrimin e mëkatarëve siç e ka veçuar namazin. Vërtetë, veprat e mira i fshijnë veprat e këqija”, e argumentet prej të Dërguarit salAllahu alejhi ue selem kanë ardhur se qëllimi me fjalën “veprat e mira” janë pesë namazit.”

  • Prej vlerave të namazit është se çdo hap që njeriu e bën për të shkuar në namaz (në xhami), ka shpërblim dhe falje të mëkateve.

  • Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem e ka urryer gjumin para namazit të jacisë dhe muhabetin apo qëndrimin zgjuar pas jacisë. Ai e ka urryer gjumin para jacisë sepse nëse njeriu fle në këtë kohë është rrezik që ta humbasë namazin e jacisë. E ka urryer muhabetin pas jacisë ngase nëse njeriu qëndron zgjuar në këtë kohë, atëherë mund t’i humbë namazi i sabahut për shkak të gjumit të vonë.

       Disa dijetarë kanë shpjeguar se pse urrehet muhabeti pas jacisë duke thënë se arsyeja e kësaj është se Allahu, përmes namazit të jacisë, ia fal dhe ia shlyen mëkatet njeriut që i ka bërë gjatë ditës. E kur ai flet dhe bën biseda me njerëzit e tjerë (pas jacisë) ndodhë të bëjë mëkate të reja. Andaj, nuk është gjë e mirë bisedimi pas jacisë, por më mirë është të flihet.

  • Dijerari Merwezij rahimehullah thotë: “Madhërojeni namazin të cilin e ka madhëruar Allahu i Madhërishëm. Frikësohuni nga të humburit e vlerës së namazit (që mund ta bëni) ose nga mangësitë që mund t’i bëni në faljen e tij. Faluni duke e pasur mendjen e kthjellur plotësisht në namaz dhe pjesët e trupit të qetësuara. Allahu nuk ia ka lehtësuar njeriut nëse atë e mund gjumi apo e harron namazin, që ta braktisë atë. Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem ka thënë se ai i cili fle dhe i kalon namazi, le ta falë atë posa të zgjohet, kush e harron atë le ta falë posa t’i kujtohet.

  • Shumë prej pleqve tanë, nëse Allahu i sprovon me ndonjë sëmundje, apo me papastërtinë në rrobat e tyre, apo me mos pasjen kontroll të urinës dhe gazrave, ata e braktisin namazin. Kam parë raste që njeriu është falur ndoshta 50 apo 60 vite, e kur në fund të jetës së tij është sëmurë dhe nuk mund më të marrë abdes, atëherë e braktisë namazin. Kështu thotë: “Nuk po mund të marr abdes, apo nuk mund të qëndroj i pastër duke më rrjedhur urina.” Nëse nuk ka mundësi të marrë abdes, kërkon nga familjarët t’i dhënë abdes. Nëse s’mund të pastrohet, e urdhëron dikë nga familja ta pastrojë. Nëse nuk mund ta pastrojnë, atëherë ashtu siç është falet. Edhe nëse njeriut i rrjedh urina pa kontroll, apo gazrat i dalin pa kontroll, edhe nëse nevoja e madhe i del pa kontroll, namazit nuk i humb obligueshmëria asnjëherë, deri në vdekje.

       E këto gabime (të lartpërmendura) ndodhin për shkak të injorancës që ata kanë. Falja e namazit është obligim. Kur njeriu ishte i shëndosh, ka mundur ta kontrollojë veten. Por, edhe nëse pasi nuk është i shëndosh duke mos mundur ta kontrollojë më veten, përsëri e ka obligim namazin (e nuk i lejohet ta braktisë atë). Namazi nuk bie asnjëherë.

  • Dijetari Merwezij rahimehullah thotë: “Bërja e disa veprime që bëhen gjatë namazit, ndikojnë që të pakësohet shpërblimi i namazit. Të gjithë dijetarët janë të pajtimit se nëse njeriu e ngarkon një gjymtyrë me diçka jashtë veprimeve të namazit, ose e ngarkon zemrën e tij me diçka tjetër përveç namazit, atëherë namazi i tij është i mangët në shpërblim. Ky person duhet të kujtojë se nuk ka punë tjetër më të madhe për të sesa namazi.”

  • Dijetari Merwezij rahimehullah thotë: “Si mundet që dikush i cili i ka besuar Pejgamberit salAllahu alejhi ue selem ta kthejë kokën majtas e djathtas ndonëse Allahu kthehet me Fytyrën e Tij drejt tij gjatë namazit, apo të mendojë (diçka të kësaj dynjaje), apo të lëvizë, apo të veprojë diçka që nuk i pëlqen Atij i cili ia ka kthyer Fytyrën drejtpërdrejtë atij?! Nëse ai i bën këto veprime gjatë namazit, kjo është largim apo kthim i shpinës Atij (Allahut) i Cili i është kthyer drejtpërdrejtë namazfalësit.” Se si kthehet Allahu me Fytyrën e Vet para tij, kjo i takon veç Allahut ta dijë; ajo gjë është Cilësi e Allahut, ne nuk e dimë atë, por kuptimin e dimë.

  • Besimi i ehli sunetit është se cilësitë e Allahut i besojnë ashtu siç kanë ardhur, pa ua humbur kuptimin e tyre, pa i komentuar me diçka që ia ndryshojnë kuptimin dhe pa e përngjarë Allahun me krijesat e Tij. Ka ardhur në hadith se Allahu kthehet me Fytyrën e Tij kah njeriu gjatë namazit. Ne e besojmë ashtu siç ka ardhur. Nuk e komentojmë duke thënë “kthehet siç kthehet njeriu”; nuk e krahasojmë Allahun me robërit e Tij; dhe nuk e mohojmë duke pasur qëllim largimin nga përngjasimi e të themi “kthehet me qëllimin e Tij apo me kujdesin e Tij”.

       Ky hadith është madhështor që nëse njeriu e ka parasysh gjatë faljes së namazit, veçse ia ngrit koncentrimin/përqendrimin; duke e ditur se Allahu është para tij, kjo e ndihmon njeriun të jetë rob më i mirë i Allahut.

  • Në namaz ne duhet të përqendrohemi me zemrat tona, mendjet tona dhe trupat tanë. E të mos kthehemi majtas e djathtas.

  • Mendja e njeriut duhet të jetë e përqendruar gjatë namazit. Namazi është prej adhurimeve të cilave Allahu i ka dhënë më së shumti rëndësi.

  • Ibn Sirini ka thënë: “Sahabët e ngrehnin shikimin poshtë-lartë dhe ktheheshin majtas-djathtas gjatë namazit derisa ka zbritur ajeti i Allahut: “Me të vërtetë, janë të shpëtuar besimtarët, të cilët janë të përulur në namazin e tyre…” Muminun 1-2.

·        Hasan el Basriu ka tërhequr vërejtjen ndaj habitjes dhe lëvizjeve majtas-djathtas gjatë namazit. Ka thënë: “Kur të ngihesh për namaz, ngrihu drejt dhe me qëndrim stoik para Allahut, ashtu siç ka urdhëruar Ai. Ki kujdes ndaj habitjes gjatë namazit dhe prej lëvizjeve majtas-djathtas. Allahu të shikojë në ty, kurse ti në dikë tjetër (mos të ndodhë)! Ndërkohë që e lut Allahun për xhenetin dhe strehohesh tek Ai prej xhehenemit, zemra jote është e shkujdesur duke mos e ditur se çfarë po thua (gjuha flet e zemra nuk është prezente)!”

·        Shikimi në vendin e sexhdes

Imam Zuhriu thotë: “…të cilët janë të përulur në namazin e tyre…” Muminun 2, kuptimi është të jenë të qetë në namaz, mos të lëvizin.

Ata ibn Rabbah ka thënë: “Shumë nga njerëzit dinë si ta veprojnë rukunë, sexhdën e tekbirin, por nuk e dinë përuljen ndaj Allahut gjatë namazit.”

Ibn sirini ka thënë se sahabët e kanë dashur veprën që njeriu gjatë namazit të shikojë në vendin e sexhdes.

·        Seid ibn Xhubejri rahimehullah ka thënë: “Pesë gjëra ta mangësojnë namazin:

-shikimi/kthimi majtas-djathtas,

-kruarja,

-kërcitja e gishtave,

-vesveset dhe

-luajtja me guralecë (atëherë xhamitë nuk kanë qenë të shtruara me tapeta, por me guralecë/zallë).

·        Që namazi të jetë i plotë duhet plotësuar disa kushte:

  1. Ta bësh sinqerisht veç për Allahun,

  2. Ta dish se gjatë namazit Allahu kthehet drejt teje, e mos mendo për diçka tjetër përveçse për namazin dhe mos u kthe/lëvizë majtas-djathtas,

  3. Ta dish kuptimin dhe të koncentrohesh në atë që e thua,

  4. Falja sipas sunetit.

·        Dijetari Merwezij rreth ajetit: “Kërkoni ndihmën e Allahut me durim e me namaz!” Bekare 45, thotë: “Allahu ka filluar me durimin para namazit sepse besimi në Allahun dhe se farzet (qofshin namaz apo të tjera) e nafilet, nuk mund të plotësohen përveçse me durim.” Njeriu duhet të ketë durim në adhurimin ndaj Allahut. Kjo (durimi gjatë kryerjes së adhurimeve) është prej llojeve të durimit. Pastaj thotë: “Kjo është njëmend e vështirë, përveçse për të devotshmit, që janë të bindur se do të takojnë Zotin e tyre dhe se do të kthehen tek Ai.” Thotë shejkhu: “E si të mos nxitojnë muslimanët te namazi kur dihet se ai është shtylla kryesore e fesë së tyre?!”

·        Abdurrahman ibn Aufi ka qenë njëri prej 10 të përgëzuarve me xhenet. Është sëmurë dhe i ka rënë të fikët. Familja e tij kanë menduar se ka vdekur. Madje e kanë sjell qefinin për të. Gruaja e tij nxituar për në namaz duke i kërkuar ndihmë Allahut (siç ka ardhur në ajetin kuranor: “Kërkoni ndihmën e Allahut me durim e me namaz!”).

·        Dijetari Merwezij thotë: “Besimtarët gjithmonë kanë nxituar për në namaz kur kanë pasur ndonjë çështje me rëndësi të ahiretit apo të dunjasë, prej Ademit deri te Pejgamberi i fundit.”

·        Kur tregimet israilate janë në pajtim me Islamin, i besojmë. E kur janë në kundërshtim me të, i mohojmë. E kur në to ka diçka që nuk ka ardhur as si mohim e as si pohim nga Kurani e suneti, atëherë i transmetojmë, por nuk i besojmë e as nuk i përgënjeshtrojmë.

Shkëputur nga derset me titull “Madhërimi i vlerës së namazit”.

Bazuar në librin e dijetarit Merwezij rahimehullah.

Shpërndaje artikullin
Madhësia e tekstit