Therja e kafshëve për largim të fatkeqësive apo sëmundjeve

Shejh: Salih bin AbdulAziz Alu Esh-shejh (Allahu e ruajt)

Pyetje: Çfarë është gjykimi lidhur me personin familja e të cilit i thotë: “Ther ndonjë gjë dhe shpërndaje mishin e saj nëpër varfanjakë”, me qëllim që të largohet fatkeqësia që i ka goditur? A lejohet ky lloj nijeti?

Përgjigje: Kjo çështje duhet të shtjellohet, sepse, nëse therja e kafshëve bëhet nga aspekti i lëmoshës dhe jo për t’u mbrojtur nga ndonjë gjë (fatkeqësi) ardhja e së cilës pritet apo për largimin e ndonjë gjëje (fatkeqësie) e cila veçse ka ndodhur, pra, bëhet nga aspekti i lëmoshës dhe i dhënies së ushqimit varfanjakëve, atëherë s’ka gajle në këtë dhe kjo hyn nën përgjithësimin e argumenteve të cilat nxisin në dhënie të ushqimit dhe tregojnë për vlerën e dhënies së ushqimit për të varfrit.

Mirëpo, nëse therja bëhet për shkak se në shtëpi ka njeri të sëmurë dhe kafsha theret me qëllim që të largohet ajo çfarë ndjen i sëmuri prej mundimeve (dhembjeve), atëherë kjo nuk lejohet, bile është haram, sepse duhet të mbyllen rrugët që shpijnë në gjëra të ndaluara.

Kjo sepse shumica e njerëzve, kur kanë ndonjë sëmundje, therin kafshë për shkak të mendimit të tyre se sëmundjen ua kanë shkaktuar xhinët apo ndonjë i ligë (dëmtues) prej dashakeqësve. Ata mendojnë se, nëse therin ndonjë gjë dhe derdhin gjakun e saj, do të largohet e keqja apo ajo çfarë u ka shkaktuar ai njeri i lig. Pa dyshim se një bindje (besim) si kjo është haram dhe nuk lejohet.

Andaj lidhur me therjen e kafshës me qëllim të largimit të sëmundjes dhe shpërndarjes së mishit të saj si lëmoshë për të sëmurin, duke qenë se kjo është gjendja e saj, dijetarët thanë: “Ajo është haram dhe nuk lejohet, për shkak të mbylljes së rrugëve që shpijnë drejt gjërave të ndaluara.”

Ngjashëm me këtë, nëse therja bëhet për largimin e ndonjë fatkeqësie që pritet të ndodhë, si p.sh. nëse në njërin prej vendeve ka rënë një sëmundje e caktuar e pastaj njeriu ther kafshë për t’u mbrojtur nga ajo, apo në anët që e rrethojnë shtëpinë ka diçka që nuk i lë rehat, apo ndonjë hajn u ka ra në qafë shtëpive, apo çfarëdo shqetësimi tjetër që i godet ato, dhe njeriu ther kafshë dhe mishin e saj e shpërndan si lëmoshë, me qëllim që të largohet e keqja që i ka kapluar, kjo, gjithashtu, nuk është e lejueshme dhe ndalohet, me qëllim që të mbyllen rrugët (mënyrat) që çojnë drejt gjërave të palejueshme. Sepse ka prej njerëzve që therin për të larguar shqetësimet që ua shkaktojnë xhinët, e kjo është shirk ndaj Allahu të Lartësuar.

E nëse thuhet: çfarë kuptimi ka hadithi që e transmeton Ebu Daudi dhe të tjerët me zinxhir të cilin disa prej dijetarëve e bëjnë të mirë e disa të dobët, ku Profeti (sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem) thotë: “Mjekojini të sëmurët tuaj përmes lëmoshës.”[1] A hyn në të derdhja e gjakut (therja e kafshëve) duke marr parasysh se në të ka metodë që shpie drejt besimeve të kota?

(Përgjigjja) Dihet se feja ka ardhur me mbylljen e rrugëve (metodave/mënyrave) që shpijnë në shirk dhe gjithashtu ka ardhur me hapjen e rrugëve që shpijnë drejt mirësisë. Andaj, çdo rrugë që shpie në shirk apo në besime (bindje) të kota është e ndaluar.

Përktheu: Petrit Perçuku

———————————————————–
[1] Ebu Esh-Shejh në “Eth-Theuab” nga Ebu Umameh, siç përmendet në Sahihul Xhami’is-sagir” (3358). Ky hadith nuk gjendet tek Ebu Daudi.

Shpërndaje artikullin
Madhësia e tekstit