Thirrja për tek Allahu

 

Thotë Allahu: “Thuaj: “Kjo është rruga ime: të ftoj drejt Allahut me dituri të plotë, unë dhe çdokush që më pason mua. I përlëvduar qoftë Allahu; unë nuk jam prej idhujtarëve!” Jusuf 108.

“أَدْعُو إِلَى اللَّهِ- të ftoj drejt Allahut me dituri të plotë”- misioni, obligimi dhe detyra e Pejgamberëve ka qenë thirrja për tek Allahu. Prandaj fjalët më të mira që dikush mund t’i thotë janë fjalët të cilat përbëjnë thirrje tek Allahu. Veprat më të mira janë veprat me të cilat njeriu i thërret të tjerët tek Allahu. Për këtë, Allahu thotë në një ajet tjetër në suren Fussilet thotë: “E kush flet më bukur se ai që i fton njerëzit drejt Allahut, bën vepra të mira dhe thotë: “Unë, me të vërtetë jam mysliman.” Ajeti 33. Hasan el Bariu rahimehullah ka thënë: “Ky person që po e përmend Allahu, është i dashuri i Allahut, është miku i Tij, ai të cilin Ai e ka përzgjedhur për Vetën e Tij mbi të gjitha krijesat e tjera. Ai është njeriu më i dashur tek Allahu nga të gjithë banorët e tokës. Ai i është përgjigjur Allahut në thirrjen e Tij (kur e ka thirrur për nënshtrimin ndaj Tij, hyrjen në Islam, dhe besimin në Të). Pas kësaj, i ka thirrur njerëzit në atë në të cilën i është përgjigjur Allahut (në thirrjen e Tij). Kësaj ia ka shtuar veprimin e veprave të mira (në përgjigjen ndaj Tij). Po ashtu, ka shtuar duke thënë: “Unë, me të vërtetë jam mysliman” (i nënshtruar ndaj Allahut, me zemër, me gjuhë dhe me gjymtyrë). Ky është mëkëmbësi i Allahut në tokë.” Këtë ether e transmeton AbduRrezaku në tefsir, vëll. II, f. 187. Kjo tregon se çështja e thirrjes është madhështore. Thirrësi për tek Allahu është njeriu që flet fjalët më të mira, ashtu siç po tregon ky ajet.

Allahu e urdhëron Pejgamberin salAllahu alejhi ue selem të thotë: “Kjo është rruga ime: të ftoj drejt Allahut”, t’iu tregojë njerëzve se rruga e tij është thirrja për tek Allahu. Kjo është thirrje tek Allahu, e jo tek dikush tjetër. Nga kjo përfitojmë dy dobi:

1. Thirrja për tek Allahu është thirrja në teuhid dhe në braktisjen e adhurimit ndaj dikujt tjetër përveç Tij– kjo është për jobesimtarët, duke i thirrur të hyjnë në Islam dhe ta adhurojnë Allahun të Vetëm. Gjithashtu, thirrja për tek Allahu është thirrja për te sheriati, dispozitat dhe gjykimet e Islamit- kjo është për mëkatarët prej myslimanëve, duke i thirrur të kthehen tek Allahu me pendim, të kryejnë obligimet, t’u tërhiqet vërejtja nga rënia në shirk, të kenë frikë Allahun dhe të këshillohen të largohen prej mëkateve. Thirrja nuk kufizohet veç me thirrjen e jobesimtarëve për hyrjen në Islam, por gjithashtu edhe myslimanët kanë nevojë për thirrje për të mos rënë në gjynahe dhe shkelje që janë në kundërshtim me fenë e Allahut. Thirrja tek Allahu është e përgjithshme, i përfshin të gjithë njerëzit.

2. Sinqeriteti në thirrje– kur Allahu e urdhëroi Pejgamberin salAllahu alejhi ue selem të thotë: “Kjo është rruga ime: të ftoj drejt Allahut”, siç dhe autori (shejkh Muhamed ibn AbdulUehabi rahimehullah) kur sjellë çështjet që përfitohen prej kësaj teme thotë: “Allahu këtu tërheqë vërejtjen që myslimani në thirrjen për tek Allahu të jetë i sinqertë, sepse disa njerëz thërrasin për te vetja e tyre.” Thirrja është dy lloje: ose për tek Allahu, ose për te dikush tjetër. Ka njerëz që ligjërojnë, mbajnë hytbe e fjalime, i thërrasin të tjerët, mirëpo qëllimi i tyre është të fitojnë pozitë te njerëzit, të ngritën tek ta, që ata pastaj ta respektojnë apo lavdërojnë atë, apo qëllimi i tyre është që të tjerët sa më shumë të grumbullohen rreth tij. Kur personi ka këtë qëllim, ai nuk ka thirrur për tek Allahu, por tek vetja e tij. Kur njeriu e lë thirrjen, atëherë e ka braktisur një obligim të madh me të cilin e ka ngarkuar Allahu, mirëpo nëse thërret, por jo për tek Allahu, porse thërret për tek vetja e tij, edhe kjo është me rrezik të madh ngase kështu nuk bën thirrje për hir të Allahut. Pra, patjetër duhet që njeriu të bëjë thirrje, porse ajo të jetë thirrje për tek Allahu, me qëllimin që kjo fe të ngritët lartë, që të udhëzohen njerëzit, të kenë dobi prej asaj thirrje qoftë nëse e lavdërojnë apo e nënçmojnë. Disa njerëz nëse nuk lavdërohen prej të tjerëve, apo nëse nuk u jepet kurajo, guxim e inkurajim prej të tjerëve, e braktisin thirrjen. Kjo është argument se ata nuk thirrin për tek Allahu, por thirrin për tek vetët e tyre. Prandaj, gjejmë se ka prej njerëzve që hidhërohet dhe zemërohet kur njerëzit nuk i përgjigjen asaj me të cilën ai i ka urdhëruar, edhe pse nëse do shihnim te realiteti i tyre, gjen se ata veprojnë ndonjë gjë edhe më të madhe prej mëkateve (me peshë më të madhe të mëkatit), mirëpo që ai nuk i ka urdhëruar për ta braktisur dhe nuk zemërohet për veprimin e atij mëkati nga ana e tyre. E ndërsa për mospërgjigjen ndaj urdhrit të tij, atëherë këtu zemërohet. Kjo tregon se ky nuk ka thirrur tek Allahu. Andaj, myslimani duhet të ketë kujdes dhe ta dijë se qëllimi e synimi i tij i vetëm në thirrje është sinqeriteti, që atë thirrje ta bëjë për hir të Allahut, për hir të Fytyrës së Tij, që njerëzit të kenë dobi nga kjo thirrje, të pastrohen prej shirkut, bidateve, mëkateve e kundërshtimeve, dhe gjithashtu të dijë se me këtë thirrje e kryen një obligim me të cilin e ka ngarkuar Allahu.

Nëse ndodh që rreth një personi të mblidhen shumë njerëz, duke i dëgjuar ligjëratat dhe fjalimet e tij, kjo nuk do të thotë se ai ka vlerë të madhe tek Allahu. Siç kemi sqaruar edhe më herët, kishte prej Pejgamberëve me pak pasues, e disa nuk kishin fare. Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem pasi ka qenë në Miraxh ka thënë: “Kam parë një Pejgamber me tre deri në shtatë pasues. Kishte Pejgamber që kishte një ose dy pasues. Kishte Pejgamber që nuk kishte asnjë pasues.” A do të thotë kjo se këta Pejgamberë nuk kanë pasur vlerë dhe nuk kanë qenë të ngritur tek Allahu? Jo. Mirëpo, njeriu duhet të mos mashtrohet me numrin e shumtë të pjesëmarrësve në ligjëratat e tij, ose të mos jetë synimi i tij mbledhja e njerëzve rreth vetës për të dëgjuar ligjëratat dhe fjalimet e tij. Pejgamberi salAllahu aljhi ue selem i ka thënë Aliut radijAllahu anhu: “Nëse përmes teje Allahu udhëzon vetëm një një njeri, kjo është më mirë për ty se një pasuri shumë e madhe e kësaj bote.” Ky duhet të jetë qëllimi yt: që të tjerët të udhëzohen dhe t’i nënshtrohen Allahut, edhe nëse është një person. Kur ibn Mesudi radijAllahu anhu ka dal në një rast në xhami për namaz, të tjerët kanë filluar të mblidhen pas, ai u ka thanë: “Kthehuni, mos më vini pas, se kjo gjë që po e veproni ju, është sprovë për atë që pasohet dhe është nënshtrim për atë që pason.” Kështu duhet të jetë sinqeriteti i myslimanit në thirrjen e tij drejt Allahut.

Ka disa nga njerëzit të cilët as nuk thirrin për tek Allahu, e as për te vetja e tyre, porse thërrasin tek të tjerët, edhe pse kjo gjë në esencë kthehet në dobi të tyre, siç veprojnë disa prej “dijetarëve” që thërrasin për tek kryetari i tyre. Në shumë prej shteteve arabe ka prej dijetarëve të devijimit që janë dijetarë të kryetarit (e jo dijetarë të popullit). Shembull: kur është shfaqur në vendet islame socializmi, disa dijetarë devijues kanë filluar të argumentojnë se socializmin e përkrahë Islami, duke sjellë argumente nga Kurani e suneti, që argumentojnë sipas tyre se socializmi është i mirë dhe duhet të pranohet prej popullit. Ata me këtë kanë thirrur për tek kryetarët e tyre dhe janë munduar ta argumentojnë thirrjen e tyre me ajete e hadithe, edhe pse në ato ajete e hadithe nuk ka fare argument.

Ai që thërret për tek Allahu dhe sheh se njerëzit nuk po i përgjigjen thirrjes së tij, përkundrazi, po largohen prej tij, kjo nuk duhet të jetë shkak që ai ta braktisë thirrjen. Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem i tha Aliut tradijAllahu anhu: “Nëse përmes teje Allahu udhëzon vetëm një njeri, kjo është më mirë për ty se posedimi i grumbullit të deveve më të shtrenjta.” Dhe hidhërimi e zemërimi i atij që thirr për tek Allahu duke mos gjetur përgjigje nga njerëzit, duhet të jetë për shkak të mospërgjigjes së tyre ndaj të vërtetës, ndaj fesë së Allahut, e jo pse ai nuk po pasohet prej tyre. E nëse njeriu zemërohet dhe hidhërohet për këtë çështje, atëherë ky ka thirr për tek Allahu. Nëse një njeri i përgjigjet kësaj thirrje, kjo mjafton dhe për këtë ai do të ketë shpërblime të mëdha prej Allahut, e nëse askush nuk i përgjigjet, atëherë është liruar prej obligimit me të cilin e ka ngarkuar Allahu, ashtu siç kanë vepruar Pejgamberët, që kishte prej tyre pa pasues, megjithatë nuk e kanë ndalur thirrjen. Njeriut duhet ta dijë se qëllimi kryesor i thirrjes është sqarimi i së vërtetës dhe paralajmërimi prej të kotës, derisa të bëhet e qartë se kjo apo ajo gjë është e vërteta, e kjo apo ajo është kota. Ky është qëllimi i thirrjes. E nëse njerëzit heshtin duke mos e sqaruar të vërtetën prej të kotës, pas një kohe, në sytë e tyre, e vërteta do të jetë e kota dhe e kota do të jetë e vërteta, siç po shohim sot, kur i thërrasim për tek Allahu ata mendojnë se kjo është e kota, sepse myslimanët para nesh, nuk kanë vazhduar me sqarimin e së vërtetës dhe paralajmërimin ndaj të kotës, dhe ne jemi duke i bartur pasojat e kësaj neglizhence.

 

Hoxhë Lulzim Perçuku.

Kitabu teuhid, tema e pestë.

(TRANSKRIPTIM).

Shpërndaje artikullin
Madhësia e tekstit