Tri synime që njeriu duhet t’i ketë për çdo ditë- Hoxhë Bajram Sefedini (ligjëratë e transkriptuar)

Tri synime që njeriu duhet t’i ketë për çdo ditë

Hoxhë Bajram Sefedini

Thotë Allahu: “Atij që i frikësohet Allahut, Ai do t’i gjejë rrugëdalje (nga çdo vështirësi) dhe do t’i japë risk prej nga nuk e pret. Allahu i mjafton kujtdo që mbështetet tek Ai.” Talak 2-3. Ta kemi frikë Allahun, të mbështetemi tek Ai; për sa kohë jemi të mbështetur tek Ai, Ai na mjafton neve, si Ndihmës e Mbrojtës.

Kapitali i njeriut është jeta e tij, koha e tij, e cila është pasuria më e madhe dhe mundësia më e madhe nga Allahu për njeriun. Sa më shumë që Allahu i jep jetë dhe kohë atij, i ka dhënë rast të fitojë dhe arrijë më shumë. Jeta jote përbëhet prej ditëve të cilat Allahu t’i ka caktuar t’i jetosh në këtë botë. Çdo ditë për besimtarin është e shtrenjtë.

Është një parim: sa herë që njeriu ka për synim/objektiv diçka, suksesi nuk mungon. Suksesi do të mungojë atëherë kur nuk ka qëllime. Madje, edhe nëse themi “Njeriu mund të dështojë”, kjo konsiderohet vetëm një orvatje e dështuar, e jo se ka dështuar gjithçka. Përkundrazi, kjo gjë të mëson për të ardhmen.

Do t’i kujtojmë tri objektiva të cilat njeriu duhet t’i ketë parasysh për çdo ditë. Ato i nxjerrim nga një lutje të cilën Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem e ka bërë çdo mëngjes. Ajo edhe përfshihet në mesin e lutjeve dhe dhikreve të mëngjesit. Lutja është: “All-llahum-me in-nii eseluke ilmeen neefiaan, we rrizkaan taj-jibeen, we ameleen mutek-kab-beleen (O Allah, kërkoj prej Teje të më japësh dije të dobishme, furnizim të mirë dhe vepër të pranuar!).”

Është mirë për çdo mysliman ta bëjë këtë lutje çdo mëngjes dhe njëkohësisht ta lusë Allahun t’i synojë ato. Po ashtu, t’ia kujtojë vetes se kjo nuk është vetëm fjalë e gjuhës, por të përpiqet dhe të punojë në këtë gjë, duke i synuar ato gjëra. Të mos kalojë dita veçse ai të përpiqet në marrjen e një diturie të dobishme, në marrjen e një furnizimi të mirë dhe në kryerjen e veprave të mira e të pranuara tek Allahu.

Ai çdo ditë ia kujton vetës këto synime; ato gjithnjë realizohen nëse nuk mungon ndihma e Allahut, dhe ndihma e Tij nuk mungon kurrë përderisa ne e lusim Atë dhe kërkojmë sinqerisht prej Tij.

Dituria e dobishme

 

Dituria e dobishme përfshin çdo gjë që i bën dobi njeriut në këtë botë dhe në botën tjetër. Për besimtarin është e dobishme çdo gjë që i sjell dobi në të dy botët, njëkohësisht. Për çdo vepër që njeriu e bën për Allahun, çdo hap dhe çdo gjë, veçse do të ketë mirësi në të dy botët (pa ndarë mes tyre). Dituria të cilën na ka dhënë Allahu përmes Kuranit dhe sunetit është dituria më e mirë, e cila ia mëson njeriut të vërtetën, Zotin e Vërtetë, se çfarë është jeta për të, qëllimi i jetës së tij e të tjera; dhe pastaj dituri të dobishme të kësaj bote, prej të cilave besimtari jo vetëm që përfiton në këtë botë, por edhe në botën tjetër.

Dituria e padobishme është ajo që në esencë nuk ka mirësi prej saj, që është e kotë, edhe nëse e dite apo nuk e dite nuk ka përfitim prej saj në asnjërën botë. Madje, ka dituri jo vetëm që është e padobishme, por është e dëmshme me pasoja të këqija.

Dituri e padobishme është edhe ajo dituri e cila në esencë është e mirë (ajet, hadith, këshillë) nëse nuk zbatohet në jetën e përditshme. Dituri e dobishme është ajo që në parim është e mirë dhe e vërtetë dhe e cila jetësohet në jetën e përditshme.

Besimtari duhet të përpiqet të mos i kalojë ditë pa lexuar diçka prej Kuranit, qoftë një ajet, dhe pa lexuar diçka prej sunetit. Ky duhet të jetë një synim i yti. Largohu nga gjërat prej të cilave nuk ke dobi, mos humb kohë, duke lexuar lajme të këqija e informacione të padobishme e të mbrapshta,  kjo shkakton stres e ngarkesë, përderisa ka gjëra të mira të mësohen. Madje, shtoja kësaj faktin, lexohen lajme e informata të pavërteta, saqë sot është zor të vërtetohen sa janë të sakta.

Furnizimi i mirë

Njeriu për çdo ditë e ka furnizimin të caktuar. Përfundimisht, ai nuk vdes pa e përmbyllur afatin e tij të jetës dhe furnizimin. Ai nuk mund të vdesë pa e marrë dhe kafshatën e fundit të cilën Allahu ia ka caktuar. Kur Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem na tregoi këtë gjë, tha: “Por kërkoni furnizimin në formën më të mirë!” Prej njeriut kërkohet që furnizimin e tij ta marrë/fitojë në formën e lejuar, në formën e mirë e cila është e forma e lejuar, ajo të cilën Allahu e ka quajtur të mirë, e jo atë nga e cila na ndalon Ai, si: me mashtrime, padrejtësi, vjedhje, kamatë, ryshfete etj. Njeriu duhet t’i ruhet të keqes.

Që një furnizim të jetë i mirë, duhet që në esencë/bazë të jetë i mirë dhe forma të cilën e merr duhet të jetë e pranuar dhe e mirë (e lejuar).

 Thotë Allahu: “Atij që i frikësohet Allahut, Ai do t’i gjejë rrugëdalje (nga çdo vështirësi) dhe do t’i japë risk prej nga nuk e pret.” Talak 2-3. Njeriu, çdo ditë që del prej shtëpie, ta ketë frikë Allahun dhe ta ketë objektiv furnizimin e lejuar/hallall. Ushqimi me të cilin i ushqen fëmijët e tu të jetë hallall; do të kesh përgjegjësi para Allahut. Kjo duhet të jetë një gjë e rëndësishme dhe t’i kushtohet vëmendje fitimit të furnizimit, nga merret dhe si merret, meqë jemi duke jetuar ditë të vështira për t’u ruajtur, por kush ia ka frikën Allahut, Ai do ta ruajë atë. Një nga shkaqet që ndihmon në fitimin e furnizimit hallall, është frika ndaj Allahut të Madhërishëm.

Vepra e pranuar tek Allahu

Njeriu duhet të ketë synim të përditshëm të kryejë vepra të pranuara tek Allahu. Dhe vepra të pranuara tek Ai janë ato të cilat bëhen sinqerisht për Të dhe në përputhje me mësimet e Tij, me sunetin profetik.

E një nga obligimet më madhore e cila e përcjell njeriun çdo ditë dhe të cilën ai duhet ta synojë çdo ditë, janë pesë kohët e namazit. Nuk ka punë më të madhe të bërë nga ai me zemër, me fjalë dhe me vepër karshi Allahut sesa namazi. Secili duhet t’ia kujtojë vetes për çdo ditë që nuk guxon të kalojë dita pa e kryer këtë detyrë ndaj Allahut. Dobitë e namazit janë të shumanshme. Njeriu është ai që fiton, sepse Allahu nuk ka nevojë për namazin tënd. Duhet t’ia vësh vetes si qëllim: “Nëse nuk mund ta fali në fillim të kohës, do të kem kujdes ta fali brenda kohës së tij (pa i dalë koha).” Nëse ti bën plane për shumëçka, atëherë prej planeve kryesore ditore është namazi. Çdo gjë të ditës e planifikon “pas këtij apo atij namazi kam këtë e atë punë”, nëse ke për të marrë udhëtim, atëherë mendon “Ku mund të më kap namazi i drekës, ku ikindia? Ku mund ta fali?” Pra, preokupimi ndaj namazit është një prej qëllimeve më të mëdha sepse është gjëja më e rëndësishme e përditshme. Dhe realisht namazi është gjëja më e lehtë për atë të cilit Allahu ia lehtëson.

Adhurim ky i cili kryhet me pak fjalë, me qëndrime të thjeshta, me katër qëndrime kryesore (këmbë, ruku, sexhde dhe teshehud), madje edhe me sure të vogla të cilat secili mund t’i mësojë. Kanë ardhur lehtësime të përmendura nga dijetarët për të shtyrët në moshë, kështu, ata që nuk kanë mësuar si falet namazi, porse më vonë janë penduar tek Allahu dhe kanë filluar të falin namazin, me fjalët më të vogla që dinë (si: subhanAllah, elhamdulilah) mund ta falin atë.

Dy persona nuk e kanë obligim faljen e namazit:

-ai i cili nuk është i aftë mentalisht (këtu përfshihen ata që janë në komë, janë pa vetëdije),

– gruaja gjatë menstruacioneve.

Nuk ka situatë tjetër, qoftë në paqe, apo luftë, apo punë, që e arsyeton njeriun për të mos e falur namazin. Edhe kur je shumë i ngarkuar me punë, apo në ndonjë brengë/telashe, mos të bëhet kjo gjë shkak për ta braktisur namazin, përkundrazi, ndaj kohën për faljen e namazit, ktheju Allahut dhe fale atë, dhe kështu do të të vjen ndihma për të kaluar ai telash.

Përveç namazit, edhe lutjet në çdo mëngjes e mbrëmje, vazhdimisht (le të jenë synim i ditës). Po ashtu, çdo punë filloje me bismilah. Ata që kanë prindër të gjallë, një prej punëve më të mira që bëjnë është respektimi ndaj tyre. Ata që kanë fëmijë, një prej detyrave që kanë është edukimi i tyre. Ndonjëherë ndjen lodhje e mundim gjatë angazhimit me ta, por mos të harrojë njeriu as një ditë se kjo është një obligim prej Allahut, dhe vetëm Ai shpërblen për këtë. Andaj, mos përto të ndash kohë për edukimin dhe angazhimin ndaj tyre. Dhe obligime të tjera të shumta, që bëhen gjatë ditës. Lute Allahun për veprimin e punëve të cilat janë të pranuara tek Allahu, punë të mira. Njeriu me diturinë e dobishme, dallon çfarë është e mirë, çfarë është e dobishme dhe çfarë është keqe për të.

Nga fjalët që na mëson Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem: “O Allah, kërkoj prej Teje të më japësh dije të dobishme, furnizim të mirë dhe vepër të pranuar!”, kjo automatikisht nënkupton se ka dituri të padobishme, ka furnizim i cili nuk është hallall dhe ka vepra të papranuara tek Allahu. Dhe përderisa njeriu kërkon nga Allahu për t’ia dhënë këto të mira që përmenden në këtë lutje, po ashtu duhet të kërkojë mbrojtje edhe prej të kundërtave të tyre. Është një lutje që e ka bërë Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem:

اللَّهُمَّ إِنِّي أَعُوذُ بِكَ مِنْ عِلْمٍ لَا يَنْفَعُ وَمِنْ قَلْبٍ لَا يَخْشَعُ وَمِنْ نَفْسٍ لَا تَشْبَعُ وَمِنْ دَعْوَةٍ لَا يُسْتَجَابُ لَهَا

“O Allah, kërkoj mbrojtjen Tënde nga dituria e padobishme, nga një zemër e cila nuk ta ka frikën, nga nefsi i cili nuk ngopet, nga syri i cili nuk loton për Ty dhe nga një lutje e cila nuk pranohet!” Një prej arsyeve të refuzimit të lutjes tek Allahu, është ushqimi haram.

Shpërndaje artikullin
Madhësia e tekstit