Vëllezërit që bëjnë davet, por i neglizhojnë familjet e tyre

Shejh Muhammed Umer Bazmul

(profesor në Universitetin “Ummul-Kura” në Meke)

Pyetje: “Çfarë këshille mund t’u ofrohet myslimanëve të cilët kërkojnë dije në qendra Islamike, përfshihen në çështje të ndryshme daveti, dhe shoqërohen me vëllezërit (në xhami dhe në vende tjera), duke i neglizhuar kështu të drejtat e familjeve të tyre? Familjet e tyre vuajnë për shkak të mungesës dhe neglizhencës së tyre. A nuk ka mundësi që ata edhe të mësojnë e edhe të punojnë për t’i mbajtur familjet e tyre?

Meqë unë njoh shumë vëllezër në këtë situatë, mendova se shumë njerëz do të përfitonin nga ndonjë këshillë e juaja?”

Përgjigja:

Pejgamberi (sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem) ka thënë:

“Me të vërtetë, gruaja jote ka të drejtë mbi ty, dhe me të vërtetë mysafiri yt ka të drejtë mbi ty, dhe me të vërtetë trupi yt ka të drejtë mbi ty…” [1]

Bazuar në këtë, them se furnizimi i familjes, të shpenzuarit për ta, kujdesi / drejtimi i çështjeve të tyre, janë të gjitha obligime, pa dyshim. Përfshirja e burrit në çështje të davetit është pjesë e një përgjegjësie grupore, diçka e preferuar. Nëse ka të tjerë që e përmbushin këtë detyrë, atëherë ai nuk obligohet të përfshihet.

Pa dyshim, përmbushja e obligimeve individuale për njeriun ka më shumë të drejtë se sa marrja e tij me gjëra të preferuara, ose gjëra me të cilat të tjerët po merren mjaftueshëm.

Kështu që, nëse ka konflikt në mes të obligimeve që kanë të bëjnë me fëmijët, gruan, mysafirët e veten e tij, dhe me dobinë e përgjithshme të përfshirjes në çështje të davetit, atëherë unë them – Jo! Të kujdesesh për obligimet tuaja ndaj gruas dhe fëmijëve, mysafirëve, shtëpisë dhe vetes sate, duhet të kenë prioritet mbi përfshirjen tënde në çështje daveti, sepse këto gjëra janë obligime, ndërsa përfshirja jote në çështje daveti është e rekomanduar, përderisa daveti nuk është në tërësi i varur nga ti, dhe ka të tjerë që janë duke u kujdesur për të.

Në këtë mënyrë, ti je duke mëkatuar përmes shpërfilljes / lënies pas dore së të drejtave të familjes tënde! Dhe nuk ke të drejtë ta arsyetosh këtë duke thënë se je i zënë me çështje daveti, sepse kjo nuk është diçka që të arsyeton ty, e që të pastron nga mëkati në këtë rast. Duke e marrë këtë rrugë ti je duke dështuar.

Shikoje shembullin e të Dërguarit të Allahut (sal-lAll-llahu alehi ue sel-lem)! Ai i përmbushte obligimet e davetit, duke thirrur për në rrugën e Allahut, të Lartësuarit, Madhështorit. Me këtë, Aishah (radijAll-llahu anha) ka thënë: “I dërguari i Allahut (sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem) ishte gjithnjë në shërbim të familjes së tij. Kur e dëgjonte ezanin, shkonte për në namaz, sikur të mos na njihte fare.” [2]

Ajo gjithashtu ka përmendur se ai i sillte ujë familjes, bënte mjeljen e dhive, etj. Ai kujdesej për çështjet e nevojshme në shtëpi, për gjërat që u nevojiteshin grave. Dhe i dërguari i Allahut është model dhe shembull për ne.

A dështonte i Dërguari i Allahut (sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem) në kujdesin ndaj çështjeve të grave të tij? A i neglizhonte ai obligimet e tjera për shkak të përfshirjes së tij në davet, dhe ai ishte i Dërguari! Patjetër që përgjigja është “jo”!

Njëjtë, çdonjëri që dëshiron të thërrasë për në Rrugën e Allahut, Madhështorit, së pari duhet të kujdeset për përgjegjësitë individuale. Pastaj, pas kësaj, ai mund ta përfshijë veten në çështje të preferuara.

Por, të bëjë siç bëjnë disa vëllezër, Allahu i udhëzoftë në rrugën e drejtë, duke i lënë familjet dhe ata që varen prej tyre, duke dështuar në kujdesin ndaj çështjeve të shtëpisë së tyre, disa prej tyre në kufij të varfërisë totale, duke mos punuar për të fituar para për familjet e tyre, duke mos kërkuar furnizim për familjet e tyre, duke menduar se po e bëjnë tërë këtë për çështje daveti, atëherë kjo është injorancë pa dyshim, formë serioze e neglizhencës dhe kundërshtim i sunnetit të të Dërguarit (sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem).

Dhe nuk di ndonjë gjë prej sunnetit të të Dërguarit (sal-lAll-llahi alejhi ue sel-lem), e as prej sunnetit të sahabëve (radijAll-llahu anhum), e as prej sunnetit të pasuesve të drejtë, dhe të tjerë përveç tyre, të kenë pasur sjellje të këtillë.

Shikojeni Ebu Bekër es-Sidikun, Emirin e kohës së tij (pas vdekjes së të dërguarit sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem)! Ai dilte për të fituar para dhe ai ishte udhëheqësi i myslimanëve! Dhe i thanë atij:

“O Emiri i Besimtarëve! Sikur të uleshe në shtëpinë tënde…”

Ai u përgjigj:

“Pastaj kush do të kujdeset për familjen time? Kush do të bëjë para për nevojat e tyre?”

Kështu, shokët u mblodhën dhe u pajtuan që ta furnizonin Ebu Bekrin prej pasurisë së myslimanëve.

Ebu Bekri, halifeja, nuk e pa të mundur për veten e tij që të ulej e të mos e furnizonte familjen e tij, dhe ai ishte udhëheqësi i besimtarëve! E atëherë, çfarë me të tjerët prej myslimanëve të zakonshëm, ata të cilët e përfshijnë veten në çështje daveti?

Pa dyshim, kjo (shpërfillje) është kundërshtim i Sunnetit të Dërguarit (sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem), dhe i sunnetit të sahabëve (radijAll-llahu anhum), dhe është fatkeqësi e madhe të shohësh shumë familje duke u neglizhuar për këtë arsye.

Edhe më fatkeqësisht, shumë prindër nuk duan t’i martojnë vajzat e tyre me të rinj të cilët janë të kapur për feje dhe duken të drejtë, nga frika se ato do të shpërfillen në këtë mënyrë. E gjithë kjo, në realitet, është rezultat i të kuptuarit jo të drejtë të çështjet së davetit, dhe keqkuptim ndaj fesë.

Mahnitem nga disa njerëz që e përfshijnë veten në davet, dhe nuk e kanë kuptuar drejtë një çështje siç është kjo.

Them: Më saktë, ai ka nevojë që dikush t’i bëjë davet atij, dhe ta mësojë atë, para se ai t’i mësojë njerëzit!

Fillo me veten tënde, ndaloje atë nga e keqja e vetes,

Dhe kur të marrë fund, atëherë je njeri i urtë

Përkthyer për www.bakkah.net nga një kasetë, me dijen dhe lejen e shejhut, dosja nr. AAMB038, data 1423/8/17.

Kontrolloi: Lulzim Perçuku


[1] “Sahihul Buhari” nr.1975 ( 4/275, “Fet’hul Bari”) dhe Sahih Muslim nr.2722 (4/283, “Sherh Nevevi”).

[2] “Sahihul Buhari” nr.676 (2/201 “Fet’hul Bari”) pa frazën “sikur të mos na njihte fare”.

Shpërndaje artikullin
Madhësia e tekstit