Në dritën e Kur’anit dhe Sunetit

Vendimi i Islamit për avokatinë

Shejh AbdulAziz bin Baz (Allahu e mëshiroftë)

http://binbaz.org.sa/mat/13010

Pyetje: Në mesin e myslimanëve ka që e ushtrojnë avokatinë dhe ndodh që ndonjëri prej tyre ta mbrojë personin që nuk ka të drejtë, duke e ditur një gjë të tillë. E, kur ta pyesësh se përse po e mbron të padrejtin, ai thotë: “Sepse këtë e kam punë.” Andaj pyetja ime është kjo: “A ekziston në fenë Islame avokatia dhe cili është vendimi i Islamit lidhur me të dhe me avokatët?”

Përgjigje: Fillimisht, avokatia paraqet një rrezik të madh. Ajo është kur dikush e autorizon dikë për ta përfaqësuar atë rreth ndonjë problemi që e ka me palën kundërshtuese. Andaj, nëse ai që autorizohet, i cili në këtë rast është avokati, mundohet ta arrijë të vërtetën dhe e kërkon atë, si dhe është i përkushtuar në dërgimin e të drejtës atij që e meriton atë, dhe, në të njëjtën kohë, nuk e shfrytëzon postin e tij për ta ndihmuar të padrejtin, apo për t’iu bërë pështjellime gjykatësve, atëherë s’ka gjë të keqe në këtë, ngaqë ai, në këtë rast është vetëm përfaqësues.

Mirëpo, nëse postin e tij si avokat e shfrytëzon për ta ndihmuar dhe përkrahur të padrejtin ndaj atij që i është bërë padrejtësi, apo për t’i pështjelluar deklaratat (procesin gjyqësor), apo për të sjellë dëshmitarë të rrejshëm, e gjëra të tjera të kota të kësaj natyre, atëherë ushtrimi i kësaj detyre është i ndaluar, dhe, avokati, hyn ndër ata që i ndihmojnë të tjerët për kryerjen e gjynaheve dhe armiqësive.

Është saktësuar nga i Dërguari i Allahut (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem) të ketë thënë: “Ndihmoje vëllanë tënd, qoftë ai i padrejtë, apo që i është bërë padrejtësi!” Të pranishmit thanë: “Ta ndihmojmë atë kur i bëhet padrejtësi, këtë e kuptojmë, mirëpo si ta ndihmojmë kur ai vetë bën padrejtësi?” Ai tha: “Ta pengosh atë nga padrejtësia, kjo është ndihma jote ndaj tij.” Pra, kjo është ndihma ndaj të padrejtit; që ai të pengohet nga padrejtësia dhe të mos ndihmohet në kryerjen e saj. Andaj, nëse avokati e ndihmon atë në padrejtësinë e tij, atëherë ai bëhet pjesëmarrës me të në mëkat dhe në vepër të ligë. Po ashtu, ai është i ekspozuar ndaj zemërimit të Allahu dhe ndëshkimit të Tij. Nga Allahu kërkojmë shpëtim!

Kështu është puna edhe me të gjithë përfaqësuesit (agjentët), edhe nëse nuk quhen avokatë, por vetëm përfaqësues; nëse ndonjëri prej tyre e ndihmon klientin e tij në mëkate, në armiqësi dhe në përvetësimin e të drejtave të njerëzve pa të drejtë, atëherë ai është pjesëmarrës me të në mëkat dhe është zullumqar sikur ai. E lusim Allahun që t’i udhëzojë e t’i ruajë nga mëkatet të gjithë!

Moderatori ndërhynë: “Sikur shkëlqesia juaj po na këshillon që të mos e ushtrojmë këtë detyrë?”

Shejhu: Po. Unë këshilloj që të mos ushtrohet ajo, përveç nga ai, i cili është i bindur në vetveten se mundet t’ia qëllojë fesë (sheriatit), (se mundet) të ndihmojë në realizimin e saj dhe se e ndihmon të drejtin e jo zullumqarin. Mirëpo, nëse shpirti i tij anon drejt përvetësimit të pasurisë, qoftë me të drejtë apo pa të drejtë, dhe gjithsesi mundohet ta ndihmojë e ta mbrojë klientin e tij (pa të drejtë), atëherë, kjo nuk i lejohet, por, përkundrazi, duhet të ketë kujdes prej saj.

Përktheu: Petrit Perçuku

  • Shpërndaje
Share on facebook
Share on telegram
Share on whatsapp
Share on twitter
Share on email

NA NDIQNI NË FACEBOOK

ABONOHU NË EMAIL

Pranoni postimet e reja në email duke u abonuar

POSTIMET E FUNDIT

RËNDËSIA E TEUHIDIT

MË TË KLIKUARAT

Arkiva