Vendimi Islam mbi përzierjen e meshkujve dhe femrave në shkollim (arsimim) dhe vende tjera

Fetua të zgjedhura nga dijetarët e mëdhenj

1) Ibën Kajjimi, Allahu e mëshiroftë, ka thënë:

“Padyshim, t’i lejosh femrat të përzihen lirshëm me meshkuj është baza e çdo të keqeje. Kjo është njëra nga shkaqet më të mëdha të zbritjes së dënimit mbi të gjithë dhe prishjes (korruptimit) të punëve publike dhe private. Përzierja e meshkujve dhe femrave është shkak për kaq shumë imoralitet dhe tradhti bashkëshortore, dhe është shkak për dënim të përgjithshëm dhe sëmundje.

Një ndër shkaqet më të mëdha të dënimit të përgjithshëm është përhapja e tradhtisë bashkëshortore për shkak të lejimit të përzierjes lirshëm mes meshkujve dhe femrave, dhe ecjes (së femrave) në mesin e tyre, duke bërë që të zbulohen disa prej bukurive të tyre. Nëse ata të cilët janë në pushtet do ta dinin se sa prishje (korrupsion) po i shkakton (kjo) interesave të botës dhe njerëzve, ata do ta ndalonin këtë shumë fuqishëm.” (Et-turuk el-hukmije, 1/406-408).

2) Shejh Muhammed bin Ibrahim Al Shejh [1311-1389 H (1893-1969)], Allahu e mëshiroftë, ish Kryemyftiu i Arabisë Saudite, ka thënë:

“Përzierjet e femrave me meshkuj të cilët nuk janë mahremët e tyre (burri apo mashkulli me të cilin ajo nuk mundet të martohet kurrë, p.sh.: babai,vëllai, djali etj), këtu nuk ka dyshim se kjo është e ndaluar në Islam. Përzierja e femrave me meshkuj jo-mahrem për të këqija dhe synime të prishura, këtu nuk ka asnjë dyshim se ky lloj nuk lejohet (është haram) në Islam, siç është përzierja e femrave me meshkuj jo-mahrem në institucione edukative (arsimore), dyqane, zyra, spitale, mbrëmje shoqërore, gosti, etj.”

3) Dijetarët e Komitetit të përhershëm kanë thënë:

“Është haram (e ndaluar) për studentët dhe mësuesit meshkuj dhe femra të përzihen në institucione të shkollimit, për shkak të fitneve dhe provokimeve të dëshirave dhe sjelljes imorale që rezulton (pason) nga kjo. Graviteti (rëndesa, pesha) e mëkatit shtohet nëse mësueset femra dhe studentet zbulojnë ndonjë pjesë të auretit ose vishen me të tejdukshme apo të ngushta, ose nëse studentet apo mësuesit flirtojnë ose bëjnë shaka së bashku, e cila mund të shpie në shkelje të limiteve (kufijve) dhe në shkelje të nderit.”

[Fetaua Islamijjeh, 3/102,103]

4) Shejh ‘Abdul-‘Aziz Bin Baz, Allahu e mëshiroftë, është pyetur:

“Unë jam një mashkull, student në universitet dhe nganjëherë unë u jap përshëndetje të paqes (d.m.th, duke u thënë : “Es-Selamu Alejkum”) vajzave. A është kjo përshëndetje e një (mashkulli) studenti kundrejt kolegeve (femra) në kolegj e lejuar apo e ndaluar?”

Përgjigje: “Para se gjithash, nuk është e lejuar të studiosh me femra brenda së njëjtës klasë, brenda së njëjtës shkollë dhe në të njëjtën bankë. Në të vërtetë, kjo është njëra nga shkaqet më të mëdha që shkakton fitneh (sprovë). Kjo përzierje nuk është e lejuar as për meshkuj e as për femra – studentë, për shkak të sprovave që përfshihen në të.”

5) Gjithashtu, është pyetur:

“Unë jam një punëtor në farmaci dhe pronari i farmacisë e ka emëruar një grua si udhëheqëse e jona. Kështu që çfarë më këshilloni mua?”

Përgjigje: “Ne të këshillojmë ty të mos qëndrosh më në këtë farmaci, bëhu i vëmendshëm dhe kërko një punë tjetër. Dhe (merre këtë si) myzhde (përgëzim) për të mira (për ty) sepse Allahu thotë “Kushdo që i frikësohet Allahut, atij Ai i hap rrugë,dhe e furnizon atë prej nga nuk e kujton fare. Kush i mbështetet Allahut, Ai i mjafton atij.” [Surja Talak: 2-3]

Dhe nëse është e mundur për ty ta këshillosh pronarin e farmacisë ashtu që ai ta emërojë si udhëheqës një mashkull, atëherë vepro kështu për shkak të thënies së Profetit (sal-All-llahu alejhi ue sel-lem): “Feja është këshillë e sinqertë”. Allahu na dhëntë sukses neve të gjithëve.”

Pyetja 226, “Fetaua Ibën Baz”, vëllimi 19, Faqe 366.

6) Shejh Albani, Allahu e mëshiroftë, është pyetur në lidhje me gjykimin e të studiuarit apo mësimdhënies në Universitete jashtë (Gadishullit Arabik) ku ka përzierje të lirshme.

Kështu ai u përgjigj:

“Them se nuk është e lejuar të studiohet apo të jepet mësim (aty).”

Pyetja: 79/7 “Silsiletul huda uen nur”.

7) Shejh Ibën Uthejmini, Allahu e mëshiroftë, është pyetur:

“A është e lejuar për një mashkull të studiojë në një universitet të përzier, ku meshkujt dhe femrat përzihen në një klasë, duke e ditur se studenti luan rolin e thirrjes së njerëzve për tek Allahu?”

Ai u përgjigj: “Çfarë unë mendoj është se nuk lejohet për askënd, qoftë mashkull apo femër, të studioj në një shkollë të përzier, për shkak të rrezikut të madh që i paraqitet (kanoset) integritetit (ndershmërisë), dëlirësisë (pastërtisë) dhe moralit të tij. Nuk ka rëndësi se sa i ndershëm, i moralshëm dhe i sinqertë është ai, nëse një femër është ulur afër tij në ulëse – sidomos nëse ajo është e bukur dhe e pambuluar – ai vështirë që mund t’i shmanget sprovës dhe të këqijave.

Çdo gjë që shpie në sprovë dhe në të këqija është gjithashtu haram dhe nuk është e lejuar. Lusim Allahun t’i mbrojë vëllezërit tanë myslimanë nga gjërat e tilla të cilat do të sjellin vetëm të këqija, sprova dhe prishje (çoroditje) në rininë e tyre. Nëse nuk ka universitet tjetër përveç këtij, atëherë, ai duhet të shkojë dhe të studiojë në një qytet apo shtet tjetër në të cilin kjo përzierje nuk ndodh.”

[“Fetaua Islamijjeh”, 3/103]

8) Shejh Uthejmini, Allahu e mëshiroftë, gjithashtu ka thënë:

“Nuk është e lejuar për një person qoftë mashkull apo femër, të studiojë në një shkollë me përzierje të lirshme edhe nëse ai nuk gjen universitete tjera përveç këtyre universiteteve.”

9) Shejh Salih el-Feuzan, Allahu e ruajt, ka thënë:

“Nuk është e lejuar për një mysliman qoftë mashkull apo femër të studiojë në një shkollë me përzierje të lirshme.”

Ai, Allahu e ruajt, gjithashtu ka thënë :

“Shkollimi nuk është darurah (domosdoshmëri)”

Fetuatë e tij, nr 4923.

10) Shejh Rabij Ibën Hadij El Med’halij, Allahu e ruajt, është pyetur:

“Një vëlla nga selefijtë i është drejtuar një motre për martesë dhe ajo studion në një vend ku ndodhin përzierjet lirshëm, ai e ka këshilluar atë (kundër kësaj) por ajo e ka refuzuar këshillën e tij, (çfarë e këshilloni këtë vëllanë) Allahu ju bekoftë?”

Përgjigje: “Unë e këshilloj me atë me të cilën Profeti (sal-All-llahu alejhi ue sel-lem) ka këshilluar: “Martoje një grua të fesë, duart tu mbulofshin me pluhur (domethënë do të fitosh)”, kërkoje një grua të fesë edhe nëse ajo është nga njerëzit e zakonshëm, kjo është më e mirë për të sesa një e cila është e shkolluar dhe studion në një vend ku ndodhin përzierjet lirshëm. Pasha Allahun, njerëzit e thjeshtë (nga gratë fetare) janë më të mira sesa shumica e grave të shkolluara në kohën tonë, pasha Allahun dije! Dije Pasha Allahun! Nuk është detyrë mbi ty ta martosh një grua të shkolluar, por martoje një grua besimtare, që ia ka frikën Allahut. Sa për gruan që është injorante dhe në natyrshmërinë e saj, ti mësoje atë dhe ajo i pranon mësimet e tua, kjo është çfarë unë e shoh (të jetë më e mirë) dhe Allahu e di më së miri.”

Marrë nga : www.sahab.net

http://uk.groups.yahoo.com/group/Daa…th/message/117

11) Shejh Rabij, Allahu e ruajt, ka thënë:

“Sa për të rinjtë, unë shoh që ata duhet të shkojnë për studime në shkolla Islame (ndonëse) ata mësojnë Kuranin dhe Sunetin e të Dërguarit të Allahut (alejhis-salatu ues-selam). Ai i cili fiton disa të mira të dunjasë përderisa studion në përzierje mundet të shkatërrohet, Dini (feja) i tij shkatërrohet përderisa ai pengohet edhe në të mirat e kësaj bote, Allahu ju bekoftë me të mira.”

Ai, Allahu e ruajt, ka thënë:

“Allahu e ka ndaluar këtë dhe dijetarët kanë dhënë fetua se kjo nuk është e lejuar”.

Kaseta: “Err-rred ala ehlil bid’ah”.

12) Shejh Muhammed ibën Hadij el-Med’halij, Allahu e ruajt, është pyetur:

“Unë jam një studente nga Londra por studioj medicinën në Rumani. Universiteti është i përzier dhe mua më duhet të qëndroj aty shpesh për shkak të disa klasave që i vijojmë. Dëshiroj t’i përfundoj studimet e mia dhe të mund të bëj hixhret (emigrim) në një vend mysliman dhe tu sjell dobi myslimanëve. Nëse e lë Universitetin prindërit do të hidhërohen me mua. A duhet ta lë Universitetin? Gjithashtu Universiteti në të cilin jam ka një xhami dhe plot njerëz arab.”

Përgjigje: “Nuk është e lejuar të studiosh në një vend të përzier dhe këto arsye që ju i përmendët nuk mjaftojnë. Nëse nuk mundesh të bësh hixhret atëherë Allahu do të ta bëj të lehtë, nëse ke qëllim të mirë. Nëse mund të falesh dhe të agjërosh dhe të japësh zekatin dhe të bësh vepra të mira me të cilat e synon kënaqësinë e Allahut dhe të refuzsh munkerin (veprat e këqija që e meritojnë hidhërimin dhe dënimin e Allahut) atëherë hixhreti nuk është uaxhib (i detyrueshëm) për ju dhe Allahu të faltë.

Them, për tu bërë dobi myslimanëve, Allahu, subhanehu ue teala, nuk të ka urdhëruar ta dëmtosh veten e të na bësh dobi neve (myslimanëve).

Allahu ka thënë në Kuran :

“O ju që keni besuar, mbrojeni veten tuaj dhe familjen tuaj nga zjarri i xhehenemit.”

Pra, Allahu ka filluar me veten tuaj dhe ti po i vendos myslimanët para vetes tënde kur ti je urdhëruar së pari ta mbrosh veten tënde nga zjarri.

Në një hadith autentik në Sunenin e Tirmidhiut, i dërguari i Allahut (sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem), ka thënë : “Fillo me veten tënde dhe pastaj me ata për të cilët kujdesesh.”

Kështu që Allahu nuk të ka urdhëruar ta dëmtosh veten për të na bërë dobi neve (myslimanëve) por të fillosh me veten tënde së pari.

Në lidhje me arsyetimin tënd të tretë që aty ka xhami dhe shumë njerëz arab, atëherë ky nuk është arsyetim sepse ti je urdhëruar ta mbrosh veten tënde nga zjarri i xhehenemit.”

“Durus ue Fetaua el-Haram el-Meki”, faqe : 135.

13) Gjithashtu, ky është edhe mendimi i Shejh Mukbilit, Allahu e mëshiroftë, edhe pse prindërit e kanë detyruar atë të studiojë në një shkollë me përzierje, prapë kjo nuk është e lejuar.

“Tahdhir ed-Daris min fitnetil Medaris”.

14) Imam Ibën Rexheb el-Hanbeli, Allahu e mëshiroftë, ka thënë:

“Baza e kësaj është se përzierjet e lirshme të femrave dhe meshkujve në mbledhje (tubime) janë akt i risive (bidateve), siç është thënë edhe nga Hasan el-Basriu.”

“Mexhmu’u Rasa’il” e Ibën Rexhebit (2/389).

15) Në të njëjtën mënyrë El-Alameh Shejh Hamud et-Tuvejxhiri, Allahu e mëshiroftë, ka thënë:

“Nga ato (veprat e këqija të kohës sonë) përzierjet e lirshme të meshkujve me femra, ndërsa me të vërtetë është transmetuar nga Hasan el-Basriu, Allahu i Lartësuar pastë mëshirë mbi të, që bashkimi i femrave dhe meshkujve (në një vend) është me të vërtetë një veprim i ri (bidat), sikurse është raportuar nga Kalali. Përzierja e lirshme mes meshkujve dhe femra është e tillë që i nxit dëshirat seksuale dhe thërret në fatkeqësi dhe prishje (korrupsion,çoroditje).”

“El-Idah uet-Tebjin”, faqe 74, së bashku me parathënien e Shejh bin Bazit, Allahu pastë mëshirë mbi të, ku ai thotë:

“Unë sigurisht që e kam shfletuar këtë broshurë të ndershme të përmendur si “El-idah uet-Tebjin” një broshurë nga vëllai dhe shoku ynë Shejh el-Alameh Hamud bin Abdullah et-Tuvejxhiri, unë e kam dëgjuar atë (broshurën) duke u lexuar nga autori i tij që nga fillimi e deri në fund, dhe e kam gjetur të jetë burim i madh i të mirave / dobive.”

16) Ndërsa, dijetari i madh, muhadithi i Medinës, AbdulMuhsin El Abbadi, Allahu e ruajt, ka thënë:

“Nuk është e lejuar për njeriun që të mësojë në shkolla në të cilat ka përzierje mes dy gjinive, përveç nëse është i detyruar ta bëjë këtë, por me kusht që të largohet na gratë, sepse burri ka mundësi të distancohet nga gratë. Ndërsa, gruaja nuk ka mundësi të distancohet (nga burrat). Burrat janë ata që vetë i afrohen asaj, mundohen të lidhen me të dhe ta ofendojnë atë. Kështu që, nuk lejohet për gruan që të studiojë në një vend ku ka përzierje, përkundër burrit, sepse ai ka mundësi të distancohet nga gratë. Nëse ai ka mundësi të studiojë pa u përzier me gra të huaja, atëherë padyshim se kjo është më e mirë, e nëse nuk ka vend tjetër veçse me përzierje, atëherë mëson aty, mirëpo duhet të mbajë distancë nga gratë.

Ndërsa, për gruan nuk është e lejuar të studiojë aty ku ka përzierje, sepse ajo nuk mundësi që të shpëtojë nga burrat si dhe të distancohet nga ta. Ngase, të ligët (qëllimkëqijtë/keqdashësit) prej burrave i bien në qafë, mundohen të lidhen dhe të afrohen me të, e ngacmojnë/trazojnë dhe veprojnë me të gjëra që nuk duhet bërë. Pra, ka dallim me burrit dhe gruas. Në mundësinë e burrit është që të distancohet nga gratë (nëse nuk gjen vend të papërzier për të studiuar aty). Ndërsa, kjo nuk lejohet për gruan. Ajo nuk duhet të studiojë aty ku ka përzierje, sepse burrat i afrohen, e ngacmojnë dhe trazojnë atë.”

Në linkun e mëposhtëm mund ta dëgjoni me zë fetuanë e shejhut, si dhe ta lexoni tekstualisht (për ata që dinë arabisht):

http://ar.islamway.com/fatwa/32984

Kontrolloi: Lulzim Perçuku

Shpërndaje artikullin
Madhësia e tekstit