Veprat vlerësohen sipas qëllimeve

Shejh: Muhamed bin Salih El-Uthejmin (Allahu e mëshiroftë)

Nga emiri i besimtarëve, Ebu Hafs, Umer bin El-Hattab (radijAllahu anhu) përcillet të ketë thënë: “E kam dëgjuar të Dërguarin e Allahut (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem) duke thënë: “Vërtet, veprat vlerësohen sipas qëllimeve (nijeteve) dhe çdo njeriu i takon ajo që ka pasur për qëllim. Kështu, kush migron për Allahun dhe të Dërguarin e Tij, migrimi i tij është për Allahu dhe të Dërguarin e Tij. Ndërsa kush migron për të arritur disa të mira të kësaj bote apo për t’u martuar me ndonjë femër, migrimi i tij është për atë që ka migruar.” (Mut-tefekun alejhi).

Shejh Uthejmini (Allahu e mëshiroftë) komenton:

Ky hadith është bazë madhështore në rrafshin e veprave të zemrës, ngaqë qëllimet (nijetet) hyjnë në tërësinë e veprave të zemrës. Dijetarët thanë: “Ky hadith përfshinë gjysmën e adhurimeve, meqë është kandar i veprave të brendshme. Ndërsa hadithi i Aishes (radijAllahu anha) me të dy versionet e tij: “Kushdo që shpikë në çështjen (fenë) tonë diçka që s’është prej saj, ajo vepër nuk do t’i pranohet” dhe: “Kush vepron diçka që s’është në përputhje me çështjen (fenë) tonë, ajo vepër nuk do t’i pranohet”, përfshinë gjysmën e fesë, sepse është kandar i veprave të dukshme.”

Kështu, nga fjala e Profetit (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem): “Vërtet, veprat vlerësohen sipas qëllimeve (nijeteve)” përfitojmë se çdo vepre i paraprinë nijeti (qëllimi). Kjo sepse s’mund të ndodhë që njeriu i cili ka mendjen me vete dhe është i lirë të zgjedhë, të bëjë ndonjë punë pa nijet (qëllim). Derisa disa dijetarë thanë: “Sikur Allahu të na ngarkonte me ndonjë vepër që s’përmban nijet, do të ishte ngarkim që s’mund të përballohet”.

Nga kjo dobi degëzohet një dobi tjetër:

Kundërshtimi i vesvelive, të cilët i kryejnë veprat (adhurimet) disa herë dhe prapë shejtani u thotë: “Nuk e keni bërë nijetin”. Ne u themi atyre: “Jo, assesi s’ka mundësi të bëni ndonjë punë pa e pasur nijet atë. Andaj lehtësojani vetes dhe lërini këto vesvese.”

Prej dobive të këtij hadithi është se njeriu shpërblehet apo mëkaton apo privohet, varësisht nga nijeti i tij. Kjo për shkak të pjesës së hadithit: “Kështu, kush migron për Allahun dhe të Dërguarin e Tij, migrimi i tij është për Allahu dhe të Dërguarin e Tij.”

Gjithashtu nga ky hadith përfitojmë se veprat merren në konsideratë varësisht se për çfarë përdoren. Ndodh që gjëja e cila në thelb është e lejuar (mubah) të shndërrohet në bindje (ndaj) Allahut, atëherë kur njeriu përmes saj ka qëllim të mirën. Për shembull: përmes ngrënies dhe pirjes të ketë si qëllim forcimin për kryerjen e veprave të mira. Për këtë arsye Profeti (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem) tha: “Hani syfyr, sepse vërtet që në të ka bereqet.”

Prej dobive të këtij hadithi është se: është mirë që mësuesi të sjellë shembuj, përmes së cilëve qartësohet vendimi (fetar). Profeti (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem) mori si shembull migrimin, i cili është zhvendosja nga vendi i shirkut në vend islam, dhe sqaroi se migrimi edhe pse e njëjta vepër, ndodh që për dikë të jetë shpërblim, ndërsa për dikë tjetër privim. Pra, ai që shpërblehet dhe që e arrin synimin e tij është migruesi për Allahun dhe të Dërguarin.

Ky hadith hyn në të gjitha sferat e fikhut, si në atë të adhurimeve, marrëdhënieve midis njerëzve, martesave, etj.

Shkëputur nga shpjegimi i dyzet haditheve të imam Neveviut

Përktheu: Petrit Perçuku

Shpërndaje artikullin
Madhësia e tekstit