Vlera e agjërimit të Ramazanit dhe namazit të Teravisë, si dhe sqarimi i disa dispozitave të cilat mund të mos i njohin disa njerëz

Abdulaziz ibën Baz

Kjo është një këshillë e shkurtër, që ka të bëjë me agjërimin e Ramazanit, namazin e taravisë, me vlerën e konkurrencës në punë të mira gjatë këtij muaji, por njëkohësisht sqaron edhe disa dispozita shumë të rëndësishme, të cilat mund të mos i njohin disa njerëz.

Është saktësuar se Pejgamberi (salallahu alejhi ue selem) i përgëzonte shokët e tij për ardhjen e këtij muaji. I njoftonte se në këtë muaj hapen portat e mëshirës dhe xhenetit dhe mbyllen portat e xhehenemit dhe prangosen djajtë. Pejgamberi (salallahu alejhi ue selem) thotë:

‘Në natën e parë të Ramazanit hapen portat e xhenetit dhe nuk mbetet asnjë portë e mbyllur, dhe mbyllen portat e xhehenemit dhe asnjë prej tyre nuk mbetet e hapur. Prangosen djajtë dhe një thirrës thërret: O ti që synon të mirën (shpërblimin), angazhohu në punë të mira! O ti që ke ndërmend të kryesh mëkate, tërhiqu! Dhe për çdo natë Allahu liron (shumë persona) nga zjarri.’ (Tirmidhiu me nr. 682)

‘U erdhi muaji i Ramazanit, muaji i begative. Në këtë muaj Allahu ju mbulon me mëshirën e tij, ua shlyen mëkatet dhe u përgjigjet lutjeve. Allahu shikon se si ju garoni në këtë muaj dhe krenohet me ju para melekëve. Shfaqni Allahut vetëm punë të mira, sepse vërtet i mjerë është ai që në këtë muaj i mohohet mëshira’. (Hejthemiu në ‘Mexhma Ezzeuaid’ (3/142) thotë se e transmeton Taberaniu në El Kebir)

‘Ai që agjëron Ramazanin me besim dhe shpresë për shpërblim (nga Allahu), i falen gjynahet që ka bërë. Ai që fal namazin e natës gjatë Ramazanit me besim dhe shpresë për shpërblim (nga Allahu), i falen gjynahet që ka bërë. Ai që fal namazin e natës Natën e Kadrit me besim dhe shpresë për shpërblim (nga Allahu), i falen gjynahet që ka bërë’.(Buhariu me nr. 2014, Muslimi me nr. 760)

‘Allahu i lartësuar ka thënë: Çdo vepër që kryen biri i Ademit është për të dhe çdo vepër e mirë i shpërblehet me dhjetë të mira deri në shtatëqind, përveç agjërimit, sepse agjërimi është për Mua dhe Unë shpërblej për të, ai largohet prej kënaqësive dhe ngrënies për Mua. Për agjëruesin ka dy gëzime, një kur ha iftarin dhe tjetri kur të takojë Zotin e tij. Era e gojës së agjëruesit tek Allahu është më e mirë se era e miskut.’ (Buhariu me nr. 1904 dhe Muslimi me nr. 1151)

Hadithet që flasin për vlerën e agjërimit të Ramazanit, namazit dhe agjërimit në përgjithësi janë të shumta.

Mirësinë e Allahut për mbërritjen e muajit të Ramazanit, besimtari duhet ta shfrytëzojë për t’i intensifikuar përpjekjet e tij në kryerjen e sa më shumë veprave të mira dhe largimin nga mëkatet. T’i kryejë të gjitha detyrimet ndaj Allahut, sidomos pesë namazet, sepse namazi është shtylla e fesë dhe detyrimi më madhor pas shehadetit. Pra, është detyrim për çdo besimtar/besimtare që ta ruajë namazin dhe ta falë në kohën e vet me përkushtim (i përulur) dhe tumanine.

Prej detyrimeve më të rëndësishme për burrat është falja e tij me xhemat në xhami, ndërtimin e të cilave e ka urdhëruar Allahu në mënyrë që të përmendet emri i Tij, siç thotë Allahu i madhërishëm:

‘Faleni namazin, jepni zeqatin dhe përkuluni në ruku bashkë me ata që përkulen (në namaz).’ (El Bekare, 43)

‘Faleni rregullisht namazin, sidomos atë të mesmin dhe qëndroni me devotshmëri para Allahut, duke iu lutur Atij’ (El Bekare, 238)

‘Me të vërtetë të shpëtuar janë besimtarët e përulur në namazin e tyre’, deri te fjalët e Tij: ‘dhe të cilët i kryejnë rregullisht faljet. Pikërisht ata do të jenë trashëgimtarët që do ta trashëgojnë Firdeusin, ku do të qëndrojnë përjetësisht.’ (El Mu’minun, 1-2, 8-11)

Pejgamberi (salallahu alejhi ue selem) thotë:

‘Marrëveshja mes nesh dhe atyre (pabesimtarëve) është namazi, kështu që kush e lë namazin ka bërë kufër’ (Ahmedi me nr. 22428, Termidhiu me nr. 2621 dhe Ibn Maxhe me nr. 1079)

Prej detyrimeve më të rëndësishme pas namazit është dhënia e zekatit. Allahu i lartësuar thotë:

E megjithatë, ata qenë urdhëruar vetëm që të adhuronin Allahun me përkushtim të sinqertë, duke qenë në fenë e pastër (të Ibrahimit), si dhe të falnin namazin e të jepnin zeqatin. Kjo është feja e drejtë.’ (Bejjine, 5)

‘Falni namazin, jepni zeqatin dhe bindjuni të Dërguarit, për të fituar mëshirën e Allahut!’ (En-Nur, 56)

Është vërtetuar me Kuranin e madhërishëm dhe me sunetin e Pejgamberit (salallahu alejhi ue selem) se ai që nuk e paguan zekatin e pasurisë së tij do të dënohet me të Ditën e Kiametit.

Më tej, prej çështjeve më të rëndësishme pas namazit dhe zekatit është agjërimi i muajit të Ramazanit, i cili është prej pesë shtyllave të përmendura në fjalët e Pejgamberit (salallahu alejhi ue selem):

‘Islami është ngritur mbi pesë shtylla: dëshminë se nuk ka të adhuruar tjetër me të drejtë përveç Allahut dhe se Muhamedi (salallahu alejhi ue selem) është i dërguar i Tij, faljen e namazit, dhënien e zekatit, agjërimin e Ramazanit dhe kryerjen e haxhit’. (Buhariu nr. 8, Muslimi nr. 16)

Është obligim që besimtari ta ruajë agjërimin dhe namazin e tij nga të gjitha ato fjalë e vepra, të cilat i ka ndaluar Allahu i lartësuar, sepse me agjërim synohet bindja ndaj Allahut, respektimi i ndalesave të Tij, lufta ndaj vetvetes për mposhtjen e epsheve dhe nënshtrimin ndaj Allahut, si dhe kalitja e vetvetes me durim në respektimin e ndalesave të Allahut. Nuk është qëllimi i agjërimit vetëm largimi nga ngrënia dhe pija dhe gjërat e tjera të cilat e prishin agjërimin. Për këtë është saktësuar se Pejgamberi (salallahu alejhi ue selem) ka thënë:

‘Agjërimi është mburojë dhe nëse ndonjëri është agjërueshëm, të mos flasë fjalë të ndyta dhe të mos jetë i bezdisshëm. Nëse ndokush e fyen agjëruesin ose e godet, le të thotë: Unë jam agjërueshëm.’ (Buhariu nr. 1904)

Gjithashtu është saktësuar se Pejgamberi (salallahu alejhi ue selem) ka thënë:

‘Allahu i Madhëruar nuk ka nevojë për agjërimin e dikujt që lë ushqimin dhe pirjen dhe nuk braktis fjalët e këqija (gënjeshtrat) dhe të vepruarit me to dhe injorancën.’ (Buhariu nr. 1903)

Prej këtyre citateve dhe të tjerave si këto, kuptojmë se është detyrë për agjëruesin t’i shmanget çdo gjëje që ka ndaluar Allahu dhe të zbatojë çdo detyrim ndaj Tij. Me këtë shpresohet se ai do të falet, do të lirohet prej zjarrit dhe t’i pranohet agjërimi bashkë me namazin.

Janë disa çështje të cilat mund t’u shpëtojnë disa njerëzve pa i njohur:

Është obligim që besimtari të agjërojë duke qenë i bindur se agjërimi është farz (obligim prej Allahut) dhe duke shpresuar në shpërblimin e Allahut. Nuk duhet të agjërojë për sy e faqe apo për t’u lavdëruar tek të tjerët. Nuk duhet të agjërojë sepse njerëzit e tjerë agjërojnë, ose duke i ndjekur njerëzit e vendit të vet. Pra, vetëm besimi se Allahu e ka obliguar agjërimin dhe shpërblimi që do të marrë te Allahu duhet të jenë motivi ynë për të agjëruar.

Edhe faljen gjatë muajit të Ramazanit duhet ta kryejë me besim dhe duke shpresuar në shpërblimin e Allahut. Pejgamberi (salallahu alejhi ue selem) thotë:

‘Ai që agjëron Ramazanin, me besim dhe shpresë për shpërblim (nga Allahu), i falen gjynahet që ka bërë. Ai që fal
namazin e natës gjatë Ramazanit me besim dhe shpresë për shpërblim (nga Allahu), i falen gjynahet që ka bërë. Ai që fal namazin e natës Natën e Kadrit me besim dhe shpresë për shpërblim (nga Allahu), i falen gjynahet që ka bërë’.

Prej dispozitave, gjithashtu që mund të mos i njohin disa njerëz, janë edhe rastet kur njeriu mund të pësojë ndonjë plagë, mund të ketë hemorragji nga hundët, të vjella, mund t’i shkojë uji ose benzina (gjatë punës) pa dashje. Të gjitha këto nuk e prishin agjërimin, por nëse vjell qëllimisht, agjërimi i tij prishet bazuar në fjalët e Pejgamberit (salallahu alejhi ue selem):

‘Për secilin që e kaplon vjellja, nuk ka kompensim, ndërsa ai që vjell me vetëdëshirë duhet ta kompensojë’. (Ibën Maxhe nr. 1676)

Njeriut mund t’i ndodhë ta vonojë pastrimin nga xhunubllëku deri në agim, po ashtu edhe gruaja guslin nga menstruacionet ose lehonia, mirëpo nëse vëren se është e pastër para agimit, ajo obligohet të agjërojë. S’prish punë nëse e vonon guslin edhe deri pas agimit, por nuk i lejohet asaj ta vonojë deri pas lindjes së diellit. Me një fjalë, ajo detyrohet të pastrohet dhe të falë namazin e sabahut para lindjes së diellit. Sa i takon burrit, ai duhet të kujdeset, madje edhe ta
arrijë faljen e namazit të sabahut me xhematë.

Dhënia e gjakut për analiza, marrja e injeksionit veç atij që është ushqyes, nuk e prishin agjërimin, por vonimi i këtyre nëse është e mundur deri pas iftarit është më e pëlqyer.

Pejgamberi (salallahu alejhi ue selem) thotë:

‘Atë në të cilën ke dyshim zëvendësoje me diçka në të cilën nuk ke dyshim’. (Nesaiu nr. 5711)

‘Ai që ruhet nga dyshimet, e ka ruajtur (mbrojtur) fenë dhe nderin e tij.’ (Buhariu nr. 52, Muslimi nr. 1599)

Prej dispozitave që mund të mos i njohin disa njerëz është edhe mosqetësimi në namaz, si në namazet farz, ashtu edhe në ato sunet. Në shumë hadithe të sakta potencohet se tumaninja (qetësimi në ruku, në këmbë pas ngritjes nga rukuja, në sexhde dhe në uljen mes dy sexhdeve) është kusht prej kushteve të namazit, pa të cilin namazi nuk është i vlefshëm. Me tumanine nënkuptojmë përqendrimin dhe mosngutjen derisa çdo pjesë (vertebër) të marrë pozicionin e vet. Shumë njerëz, namazin e taravisë e falin duke mos qenë të vëmendshëm, duke mos u qetësuar në pozicionet e caktuara dhe nxitimthi ashtu siç zogu çukurit. Ky namaz është i kotë ( i papranuar) dhe falësi i namazit në këtë mënyrë është mëkatar dhe nuk merr shpërblim.

Prej dispozitave që gjithashtu mund të mos i dinë disa njerëz, është edhe gjykimi i gabuar i disave se namazi i taravisë nuk guxon të falet në më pak se njëzet rekate, apo me më shumë se njëmbëdhjetë ose trembëdhjetë rekate. Pra, ky është mendim i gabuar që bie ndesh me argumentet.

Hadithe të vërteta nga Pejgmaberi (salallahu alejhi ue selem) dëshmojnë se namazi i natës është i pakufizuar dhe nuk ka ndonjë numër të caktuar që nuk guxon të kundërshtohet. Madje është saktësuar se ai falte gjatë natës njëmbëdhjetë rekate, nganjëherë edhe trembëdhjetë. Mund të ketë falur madje edhe më pak se kaq, si në Ramazan, ashtu edhe jashtë tij.

Kur është pyetur në lidhje me namazin e natës, Pejgamberi (salallahu alejhi ue selem) tha:

‘Namazi i natës falet dy nga dy, por nëse dikush frikësohet nga hyrja e sabahut, të falë një rekat me të cilin e përmbyll namazin që ka falur’. (Buhariu nr. 991, Muslimi nr. 749)

Pejgamberi (salallahu alejhi ue selem) nuk ka përcaktuar numër të kufizuar të rekateve, as për faljen gjatë ramazanit dhe as jashtë tij. Për këtë arsye, në kohën e sahabëve, konkretisht në kohën e Omerit (radiallahu anhu), në disa raste faleshin njëzet e tri rekate, në disa të tjera njëmbëdhjetë. E gjithë kjo është saktësuar nga Omeri (radiallahu anhu) dhe nga sahabët gjatë kohës së tij. Disa prej selefëve, gjatë Ramazanit falnin tridhjetë e gjashtë rekate, ndërsa vitrin e falnin me tri rekate. Disa e falnin namazin e teravisë me dyzet e një rekate. Të gjitha këto i ka përcjellë prej tyre Shejhul Islam ibën Tejmije dhe dijetarë të tjerë. Po ashtu, ai ka potencuar se në këtë çështje nuk jemi të kufizuar, ndërkohë që ka përmendur se është më mirë të zgjatet leximi, rukuja dhe sexhdja, si dhe të pakësohen rekatet. Ndërsa për atë që lexon më pak dhe e bën rukun dhe sexhden më të shkurtër, për të është më mirë të falë më shumë rekate.

Por duhet thënë se ai që mediton në sunetin e Pejgaberit (salallahu alejhi ue selem), e kupton se më e mira nga të gjitha këto është falja me njëmbëdhjetë, ose trembëdhjetë rekate, si gjatë ramazanit, ashtu edhe jashtë tij, sepse kjo formë përshtatet me veprimin e Pejgamberit (salallahu alejhi ue selem) në shumicën e rasteve dhe për faktin se është më e lehtë për falësit dhe më afër përqendrimit dhe tumaninës. Por nëse dikush shton më shumë, nuk prish punë dhe nuk është e papëlqyer.

Për atë që falet pas imamit është më e pëlqyer që namazin ta përfundojë me imamin, sepse Pejgamberi (salallahu alejhi ue selem) thotë:

‘Nëse njeriu falet me imamin derisa të përfundojë, vërtet që atij i shkruhet sikur të jetë falur gjatë gjithë natës’. (Tirmidhiu nr. 806)

Preferohet për çdo besimtar që gjatë këtij Muaji Fisnik të angazhohet në kryerjen e sa më shumë adhurimeve: të falë sa më shumë namaze nafile, të lexojë Kuran dhe të meditojë në ajetet e tij, të bëjë sa më shumë tespihe (subhanallah), tehlile (la ilahe ilallah), tahmide (elhamdulilah) dhe tekbire (Allahu ekber), të kërkojë falje sa më shumë, të lutet sa më shumë, të thërrasë në të mirë dhe të ndalojë nga të këqijat, të thërrasë në rrugën e Allahut, t’i ndihmojë të varfrit, ta shtojë mirësjelljen dhe kujdesjen ndaj prindërve, t’i forcojë lidhjet me të afërmit, të respektojë fqinjët, të vizitojë të sëmurët, si dhe të tjera punë të ngjashme. Pejgamberi (salallahu alejhi ue selem) thotë:

‘Allahu shikon se si ju garoni në këtë muaj dhe krenohet me ju para melekëve. Shfaqni Allahut vetëm punë të mira, sepse vërtet është i mjerë ai të cilit në këtë muaj i mohohet mëshira’.

Po ashtu transmetohet të ketë thënë:

‘Kushdo që i afrohet Allahut me një vepër të mirë në këtë muaj, është sikur ta ketë kryer një farz në muajt e tjerë, ndërsa kush e kryen një farz në këtë muaj, është sikur t’i ketë kryer shtatëdhjetë farze në muajt e tjerë’.(Ibën Huzejme në ‘Sahih’ nr. 1887. Albani e ka vlerësuar të dobët në librin e tij ‘Eddaifeh uel Meudua 2/263)

Po ashtu thotë:

‘Një umre e kryer në Ramazan ka vlerën e një haxhi.’ Në një transmetim tjetër: ‘Sa një haxh i kryer me mua’. (Buhariu nr. 1863, Muslimi nr. 1256)

Siç u theksua edhe më parë, janë transmetuar shumë hadithe të cilat na nxisin t’i intensifikojmë përpjekjet tona për ta shtuar rivalitetin dhe për të kryer sa më shumë vepra të mira në këtë Muaj Fisnik.

E lus Allahun e lartësuar të na japë sukses neve dhe gjithë besimtarëve, në çdo punë me të cilën Ai është i kënaqur, ta pranojë agjërimin dhe faljen tonë, ta përmirësojnë gjendjen tonë dhe të na ruajë nga çdo sprovë që mund të na lëkundë. Gjithashtu e lus Allahun që t’i përmirësojë udhëheqësit e myslimanëve dhe t’i bashkojë ata rreth të vërtetës![1]

_________________________________________________

[1] Përktheu Blerim Kransiqi

Shpërndaje artikullin
Madhësia e tekstit