Vlera e leximit të disa sureve të caktuara të Kuranit

Kanë ardhur dhe hadithe të tjera që tregojnë për vlerën e leximit të disa sureve të caktuara, prej tyre:

Surja Fatiha. Ebu Seid ibn Muala radijAllahu anhu tregon se Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem i ka thënë atij: “Do të ta mësoj suren më të madhe në Kuran, (që është): Elhamdulilahi rabbil alemin, shtatë ajetet që përsëriten vazhdimisht dhe (ajo) është Kurani madhështor, i cili më është dhënë mua.” Buhariu dhe të tjerë. I gjithë Kurani është përmbledhur në këtë sure. Prej gjërave që tregojnë për vlerën e madhe të kësaj sure është se ajo është shtyllë prej shtyllave të namazit, se namazi nuk pranohet pa u lexuar Fatiha në të. Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem ka thënë: “Nuk ka namaz ai që nuk e lexon suren Fatiha (në të).” Buhariu dhe Muslimi. Ebu Hurejrja radijAllahu anhu tregon se Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem ka thënë: “Ai që e fal një namaz dhe në të nuk e lexon suren Fatiha, ai namaz është i mangët”, këtë e ka thënë tri herë. Transmeton Muslimi.

Surja Bekare dhe Ali Imran. Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem ka thënë: “Lexojini dy dritat[1]: suren Bekare dhe Ali Imran. Në Ditën e Gjykimit ato vijnë si dy re dhe i bëjnë hije personit që i ka lexuar, ose vijnë si dy tufa zogjsh, të renditur nëpër rreshta, (do të qëndrojnë mbi kokën e atij që i ka lexuar dhe mësuar) dhe do ta mbrojnë[2] (prej zjarrit të xhehenemit). Lexojeni suren Bekare ngase ai që e lexon dhe punon me të, arrin bereqet të madh, e ai që nuk e bën këtë ka humbur shumë. Ithtarët e së kotës nuk kanë mundësi të arrijnë ta mundin suren Bekare.” Muslimi. Se kush janë ithtarët e së kotës, dijetarët thonë se janë magjistarët. Pra, nuk kanë mundësi ta mundin magjistarët atë i cili e lexon këtë sure. Ebu Hurejre radijAllahu anhu ka treguar se Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem ka thënë: “Në shtëpinë në të cilën lexohet surja Bekare, nuk hyn shejtani.” Muslimi. Shkaku i kësaj është sepse brenda sures Bekare është ajetul kursij. Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem ka thënë: “Atij i cili e lexon ajetul kursij brenda natës, Allahu ia dërgon një mbrojtës (engjëll) për ta ruajtur atë dhe nuk ka mundësi t’i afrohet ndonjë shejtan deri në mëngjes.” Abdullah ibn Abbasi radijAllahu anhu tregon se Xibrili alejhi ue selem ka ardhur te Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem dhe i ka thënë: “Tash u hap një derë e qiellit e cila nuk është hapur më parë.” Prej kësaj dere i ka zbritur Pejgamberit salAllahu alejhi ue selem një engjëll dhe i ka thënë: “Përgëzohu për dy dritat që të janë dhënë! Nuk i janë dhënë asnjë Pejgamberi më herët. Ato janë: surja Fatiha dhe dy ajetet e fundit të sures Bekare. Për çdo shkronjë që e lexon prej tyre Allahu ka për të të dhënë shpërblim (dhe atë që kërkohet përmes saj).” Muslimi.

Surja Ikhlas (KulhuwAllahu ehad). Prej Ibn Seid el Hudriut tregohet se Pejamberi salAllahu alejhi ue selem ka thënë: “Pasha Atë në Dorën e të Cilit është shpirti im, surja Ikhlas është e barabartë me një të tretën e Kuranit.” Buhariu dhe të tjerë. Qëllimi është se kjo sure është barabartë në vlerë me një të tretën e Kuranit, e nuk është për qëllim ajo se nëse njeriu e lexon tri herë këtë sure atëherë i mjafton për pjesën tjetër të Kuranit, p.sh.: nëse e lexon tri herë në namaz atëherë nuk ka nevojë ta lexojë suren Fatiha (kjo është gabim). Surja Ikhlas nuk e zë vendin e sures Fatiha. Po ashtu, nëse e lexon tri herë atë, kjo nuk është se e ke lexuar të gjithë Kuranin. (Duke qenë se është e barabartë në vlerë me një të tretën e Kuranit) Është mirë të lexohet sa më shpesh ajo.[3] Ebu Ejub el Ensari radijAllahu anhu tregon se Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem ka thënë: “Kush thotë: “La ilahe ilAllahu wahdehu la sherike leh, lehul mulku we lehul hamdu we huwe ala kul-li shejin kadir[4]”, dhjetë herë, ka shpërblim sikur të ketë liruar katër persona prej bijve të Ismailit.” Buhariu dhe Muslimi. Qëllimi është se kur e thotë atë e arrin këtë shpërblim, mirëpo nëse dikush ka për obligim të lirojë katër robër si shpagim (kefaret), atij nuk i mjafton ta thotë këtë thënie dhjetë herë e të thotë: “E kreva obligimin (e shpagimit).”

-Suret ﺍﳌﻌﻮﺫﺗﲔ – el muawidhetejn – që janë: Felek dhe Nas. Ukbeh ibn Amr tregon se Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem ka thënë: “A ke parë disa ajete që nuk kanë zbritur të ngjashme me to (kanë zbritur mbrëmë dhe nuk ka të ngjashme me to)?! Kul euudhu biRabbikel felek dhe Kul euudhu biRabbin nas.” Muslimi. Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem e ka urdhëruar Ukben t’i lexojë këto dy sure dhe i ka thënë: “Nuk mund të barazohet askush me atë i cili kërkon diçka apo kërkon mbrojtje përmes tyre.” Nesaiu. Andaj ne duhet të japim mundin që sa më shumë ta lexojmë Kuranin, të cilin Allahu e bëri Libër të bereqetshëm, sidomos në muajin Ramazan, i cili njihet si muaji i Kuranit, muaji në të cilin zbriti ai. Ky muaj dallohet nga muajt e tjerë sa i takon leximit të Kuranit. Xhibrili aljehi ue selem ka ardhur te Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem për çdo Ramazan dhe e kanë përsëritur së bashku Kuranin. Ndërsa, në vitin që ka vdekur Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem e kanë përsëritur dy herë, kjo për të pohuar dhe konfirmuar më shumë se ky është Kurani përfundimtar që i ka zbritur Pejgamberit salAllahu alejhi ue selem.

Edhe selefi, muslimanët e parë, i kanë kushtuar rëndësi të madhe leximit të Kuranit, kjo edhe në muajt e tjerë, mirëpo në Ramazan edhe më shumë. Ata kanë lexuar Kuran në namaz dhe jashtë namazit. Kur ka hyrë Ramazani, Zuhriu rahimehullah ka thënë: “Ai është për lexim të Kuranit dhe ushqim ndaj të varfërve.” Imam Maliku rahimehullah, kur ka hyrë Ramazani, e ka lënë leximin e hadithit, mexhliset e dijes, nuk u ka mësuar dhe transmetuar njerëzve hadithe, porse iu ka dhënë leximit të Kuranit. Katade rahimehullah e ka pasur zakon, jashtë Ramazanit, të bëjë hatme (lexim komplet) Kuranin çdo shtatë ditë, ndërsa në Ramazan e ka bërë atë çdo tri ditë, ndërsa në dhjetë ditët e fundit të këtij muaji e ka bërë hatme Kuranin çdo ditë (brenda 24 orëve). Ibrahim en Nehahiu rahimehullah në Ramazan e ka bërë hatme Kuranin çdo tri netë, ndërsa në dhjetë netët e fundit të tij e ka bërë këtë gjë për çdo dy netë. Eswedi rahimehullah e kishte zakon në Ramazan ta bënte hatme Kuranin çdo dy netë.

Andaj ne duhet t’i pasojmë ata në veprat e mira, sidomos në leximin e Kuranit. Ata ishin njerëz të zgjedhur prej Allahut, në mesin e të gjithë njerëzve. Ne duhet ta ndjekim rrugën e tyre, për të qenë edhe ne prej besimtarëve të pastër shpirtërisht, të cilët i janë kushtuar adhurimit ndaj Allahut. Duhet t’i shfrytëzojmë orët e ditës e të natës në adhurime të cilat na afrojnë tek Allahu, i Plotfuqishmi, Shumëfalësi. Duhet ditur se jetët tona shpejt palosen koha  e orët tona ikin shumë shpejt. Na mjafton si mësim ta kujtojmë sesa shpejt ka ardhur Ramazani i tanishëm nga ai që kaloi. Kështu shkon dhe e gjithë jeta jonë. Andaj, duhet që të shfrytëzohen minutat e orët për të shtuar sa më shumë adhurimet që na afrojnë tek Allahu i Madhërishëm.

E lusim Allahun që të na mundësojë leximin e Kuranit në mënyrën me të cilën Ai është i kënaqur me neve, e lusim që përmes tij të na udhëzojë në rrugët e paqes, që përmes tij të na nxjerrë prej errësirave në dritë[5], që atë ta bëjë argument për ne në Ditën e Gjykimit, e jo të jetë argument kundër nesh! E lusim Allahun që përmes këtij Kurani të na ngritë shkallët në xhenet, të na ruajë nga humnerat e xhehenemit, të na falë mëkatet, të na shlyejë të këqijat e të metat, të na falë neve, prindërit tanë dhe t’i falë të gjithë muslimanët!

[1] I ka quajtur kështu sepse në to ka udhëzime të shumta të cilat e udhëzojnë dhe ia ndriçojnë njeriut rrugën e tij.

[2] Do të debatojnë e polemizojnë në favor të tij.

[3] Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem ka thënë: “Kush e lexon suren Iklhas dhjetë herë Allahu ia ndërton një pallat (shtëpi) në xhenet.” Umeri radijAllahu anhu ka thënë: “Ta lexojmë më shumë atëherë!” Pejamberi salAllahu alejhi ue selem ka thënë: “Allahu jep edhe më shumë (shpërblim).”

[4] لا إلهَ إلَّا اللهُ وحدَه لا شريكَ له ، له المُلْكُ وله الحمْدُ وَ هُوَ عَلى كُلِّ شَيْءٍ قَدِيرٌ  – Nuk ka të adhuruar tjetër meritor përveç Allahut, të Vetëm, i Cili nuk ka ortak, Atij i takon pushteti dhe lavdia, dhe Ai është i Plotëfuqishëm për çdo gjë.

[5] “…me të cilin Allahu i drejton ata që ndjekin pëlqimin e Tij, në rrugën e shpëtimit, i nxjerr nga errësira në dritë me lejen dhe vullnetin e Vet dhe i shpie në rrugën e drejtë” (El-Maide, 16).

Hoxhë Lulzim Perçuku – Ndejat e Ramazanit – Transkriptim.

Shpërndaje artikullin
Madhësia e tekstit