Vlerat dhe dobitë e agjërimit të Ramazanit

Vlerat dhe dobitë e agjërimit të Ramazanit[1]

Këshillë me rastin e hyrjes së muajit Ramazan

1) Është pyetur dijetari i madh AbdulAziz bin Abdullah bin Bazi, Allahu e mëshiroftë[2]:

Cilat janë fjalët e tua që do t’ua drejtoje umetit Islam me rastin e hyrjes së muajit Ramazan?

Ai u përgjigj:

Me emrin e Allahut. E gjithë lavdia dhe falënderimi i takon Allahut. Salevatet dhe selamet e Allahut qofshin mbi të Dërguarin e Tij, dhe mbi shokë, familjen dhe mbi çdokënd që pason udhëzimin e tij.

Unë i këshilloj vëllezërit e mi myslimanë në çdo vend, me rastin e hyrjes së muajit të bereqetshëm të Ramazanit, me devotshmëri ndaj Allahut të Madhërishëm, të garojnë për çdo të mirë, të këshillohen mes veti për të vërtetën dhe për durim në të, të ndihmohen mes veti për vepra të mira dhe ruajtjen nga të këqijat, të kenë kujdes nga të gjitha mëkatet që Allahu i ka ndaluar në çdo vend, e sidomos në këtë muaj fisnik. Krejt kjo, sepse ky është një muaj madhështor, në të cilin shumëfishohen veprat e mira, dhe atij që e agjëron dhe fal (namaz nate) me besim dhe duke llogaritur në shpërblimin e Allahut, i falen mëkatet.

Pejgamberi (sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem) thotë:

“Kushdo që e agjëron Ramazanin me besim dhe duke llogaritur në shpërblimin e Allahut, i falen mëkatet e kaluara.”

“Kur të hyjë Ramazani hapen dyert e Xhenetit dhe mbyllen dyert e Xhehenemit, dhe prangosen shejtanët.”

“Agjërimi është mburojë, prandaj, kur dikush nga ju të agjërojë, mos të flasë fjalë të ndyta dhe të mos i bëjë padrejtësi tjetrit. Nëse dikush e shan apo e lufton, le t’i thotë unë jam agjërues.”

“Çdo vepër e birit të Ademit është për të, e mira shpërblehet me dhjetë fish, përveç agjërimit, sepse ai është për Mua dhe Unë shpërblejë për të. Agjëruesi e braktisë epshin, ushqimin dhe pijen e tij për Mua. Ai i ka dy gëzime: një kur të bëjë iftar dhe tjetra kur ta takojë Zotin e tij. Aroma (e pakëndshme) e gojës së agjëruesit është më e mirë te Allahu se aroma e myshkut.” (Hadith Kudsij).

Pejgamberi (sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem) u merrte sihariq shokëve të tij me rastin e hyrjes së Ramazanit. Ai iu thoshte:

“Iu erdhi muaji Ramazan, muaji i bereqetit. Allahu në këtë muaj e zbret mëshirën, i fshinë mëkatet, iu përgjigjet lutjeve, dhe lavdërohet me ju para melaqeve. Prandaj, le të shoh Allahu tek ju vetëm hair (vepra të mira), sepse, me të vërtetë fatkeq është ai i cili, në këtë muaj, e privon veten e tij nga mëshira e Allahut.”

“Ai i cili nuk i braktisë fjalët e të keqes dhe të vepruarit me të, si dhe padrejtësinë (zullumin ndaj tjerëve), atëherë Allahu nuk është i nevojshëm që ai ta lejë ushqimin dhe pijen e tij.”

Hadithet të cilat flasin për vlerën e agjërimit të Ramazanit dhe për nxitjen në shumëfishimin e veprave gjatë, janë të shumta.

Prandaj, i këshilloj vëllezërit e mi myslimanë që të qëndrojnë të palëkundur gjatë ditëve dhe netëve të Ramazanit, dhe të garojnë në të gjitha punët e mira. Prej tyre: të lexojnë sa më shumë Kuranin duke medituar dhe menduar (rreth domethënieve të tij), të shtojnë sa më shumë tesbih-un (SubhanAll-llah), tahmid-in (El hamdu lil-lah), tehlil-in (La ilahe il-lAll-llah), tekbir-in (All-llahu Ekber), istigfar-in (Estagfirull-llah), lutjen e Allahut për hyrjen në Xhenet, kërkimin e mbrojtjes nga Ai prej zjarrit të Xhehenemit, si dhe (të shtojnë) prej të gjitha lutjeve tjera të mira.

Gjithashtu, i këshillojë vëllezërit e mi që të japin sa më shumë sadaka (lëmoshë), të shtojnë kujdesin/ndihmën ndaj të varfërve dhe të mjerëve, të kujdesen për nxjerrjen e zekatit dhe dhënien e tij atyre që e meritojnë. Duke i kushtuar kujdes davetit (thirrjes) për te Allahu i Lartësuar, dhe ta mësojnë të paditurin. Të urdhërojnë për të mirën dhe të ndalojnë nga e keqja me butësi, urtësi dhe mënyrën më të mirë, dhe të kenë kujdes nga të gjitha të këqijat. Të mos i ndahen pendimit, dhe të përqendrohen në të vërtetën, duke i jetësuar kështu Fjalët e Allahut:

“Të gjithë ju, o besimtarë, kthehuni tek Allahu të penduar, që të arrini shpëtimin!” (En Nur: 31).

“Pa dyshim, ata që thonë: “Zoti ynë është Allahu!” dhe pastaj qëndrojnë në rrugën e drejtë, nuk do të kenë arsye për t’u frikësuar e as për t’u dëshpëruar (kur t’u vijë vdekja). Ata do të jenë banorë të Xhenetit, ku do të qëndrojnë përgjithmonë, si shpërblim për atë që kanë punuar.” (El Ahkaf: 13, 14).

Të gjithëve Allahu u dhëntë suksese në atë çfarë Ai është i kënaqur, dhe i ruajt nga humbjet e sprovave dhe joshjet e shejtanit. Vërtetë Ai është Bujar dhe Fisnik.

Vendimi dhe urtësia e agjërimit

2) Është pyetur shejh Abdurrahman bin Nasir Es Sadij, Allahu e mëshiroftë[3]:

Cili është vendimi dhe urtësia e agjërimit?

Ai u përgjigj:

Me Allahun vjen suksesi.

Sa i përket urtësisë së agjërimit, Allahu për këtë ka përmendur një kuptim gjithëpërfshirës, që i përfshin të gjitha ato që njerëzit i kanë thënë rreth urtësisë së tij. Ai thotë:

“O besimtarë! Ju është urdhëruar agjërimi, ashtu si u ishte urdhëruar atyre para jush, që të mund të ruheni nga të këqijat.” (El Bekare: 183).

Kjo sepse takua (ruajtja nga të këqijat) është: emër përmbledhës për çdo të dashur (fetarish) që Allahu e do dhe është i kënaqur me të, dhe largimi nga ndalesat.

*Agjërimi është rruga më madhështore për të arritur këtë synim i cili është skajshmëria e lumturisë së robit (njeriut) në fenë e tij, jetën e kësaj bote dhe jetën e ardhme. Agjëruesi i afrohet Allahut me braktisjen e kënaqësive, dhe këtë e bën si ofrim për të arritur dashurinë e Tij ndaj dashurisë së nefsit (shpirtit). Për këtë Allahu e ka veçuar agjërimin ndaj të gjitha veprave tjera (të mira), duke ia bashkëngjitur Vetes së Tij, siç transmetohet në hadith të saktë.

*Agjërimi është prej themeleve të takvasë (devotshmërisë), sepse Islami nuk plotësohet pa të.

*Në agjërim ka shtim të besimit, akumulim të durimit, dhe ushtrim (të trupit dhe shpirtit) ndaj vështirësive, gjëra që të ofrojnë tek Zoti i qiejve.

*Agjërimi është shkak për shtimin e veprave të mira, prej namazit, leximit të Kuranit, dhikrit (përkujtimit të Allahut), dhe sadakasë (lëmoshës), gjëra përmes të cilave realizohet takvanë (devotshmërinë).

*Në agjërim ka frenim të nefsit (shpirtit) nga gjërat e ndaluara, siç janë veprimet dhe fjalët e ndaluara. E, këto janë shtyllë e takvasë (devotshmërisë).

Në hadith të saktë qëndron:

“Ai i cili nuk i braktisë fjalët e të keqes (ez zur) dhe të vepruarit me të (keqen), atëherë Allahu nuk është i nevojshëm që ai ta lejë ushqimin dhe pijen e tij.”

Pra, afrohet te Allahu me braktisjen e ndalesave në përgjithësi, të cilat janë:

– Fjalët e zur-it. Këtu hyjnë të gjitha fjalët e ndaluara.

– Të vepruarit me zur-in. Këtu hyjnë të gjitha veprat e ndaluara.

– Braktisjen të gjitha gjërave të ndaluara që e asgjësojnë agjërimit. Ato janë gjërat ushqyese.

Pasi që në agjërim ka interesa, dobi, arritje të të mirave dh shpërblimeve, çfarë kërkon ligjësimin e tij në të gjitha kohët, Allahu i Lartësuar na njoftoi se agjërimin e bëri obligim ndaj nesh, ashtu siç e kishte bërë obligim ndaj atyre që ishin para nesh. Allahu kështu vepron me ligjet (dispozitat) e Tij të përgjithshme, pra, i ligjëson ato për dobi të shumta.

Sa i përket dispozitave të agjërimit, atë e përfshijnë të gjitha El ahkam Et teklifije[4] (dispozitat detyruese), në varësi të shkaqeve.

*Uaxhib (detyrim) dhe farz (obligim) është[5]:

– Agjërimi i muajit të Ramazanit mbi çdo mysliman, mukel-lef[6], që ka mundësi.

– Agjërimi i zotimit dhe kompensimit.

*Muharrem (i ndaluar) është[7]:

– Agjërimi i ditëve të Bajramit[8].

– Agjërimi i ejamut-teshrik[9] (ditëve të shkëlqimit të diellit), përveç për atij i cili bën Haxh Temetu’10 apo Kiran11, mirëpo, që nuk e therë kurbanin dhe nuk agjëron para ditës së therjes.

– Agjërimi i gruas me cikël menstrual, dhe i lehonës.

– Agjërimi i të sëmurit nëse i frikësohet shkatërrimit (vdekjes apo dëmtimit serioz).

– Gjithashtu, e ka obligim të prish agjërimin, personi i cili ka nevojë për prishjen e tij, në mënyrë që ta shpëtojë dikë nga shkatërrimi (vdekja).

*Mesnun (i preferuar) është[12]:

– Agjërimi vullnetar (nafile), pavarësisht a është i kufizuar (në ditë të caktuara) apo i pakufizuar.

*Mekruh (i urryer) është[13]:

– Agjërimi i të sëmurit i cili gjen vështirësi në të.

*Xhaiz (i lejuar) është[14]:

– Agjërimi i udhëtarit, të cilit i lejohet të agjërojë, por, edhe ta prish agjërimin, sidomos, nëse udhëton në ditën të cilën e ka filluar me agjërim duke qenë vendas.

Pozita e agjërimit në fe

3) Është pyetur dijetari i ndershëm Muhamed Es Salih El Uthejmini, Allahu e mëshiroftë[15]:

Cila është pozita e agjërimit në fe, dhe cila është vlera e tij në adhurim, sidomos gjatë muajit Ramazan?

Ai u përgjigj:

Pozita e agjërimit në fe është se ai është një prej shtyllave madhore të saj, pa të cilat ajo nuk qëndron dhe nuk plotësohet. Ndërsa, vlera e tij në Islam është, siç është vërtetuar se Pejgamberi (sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem) ka thënë:

“Kushdo që e agjëron Ramazanin me besim dhe duke llogaritur në shpërblimin e Allahut, i falen mëkatet e kaluara.”

Dobitë shoqërore të agjërimit

4) Është pyetur dijetari i ndershëm Muhamed Es Salih El Uthejmini, Allahu e mëshiroftë[16]:

A ka agjërimi dobi shoqërore?

Ai u përgjigj:

Po, agjërimi ka dobi të shumta shoqërore.

Prej tyre: Ndjesia e njerëzve se ata janë një umet, hanë në të njëjtën kohë, dhe agjërojnë në të njëjtën kohë.

I pasuri i ndjen mirësitë e Allahut ndaj tij, dhe kështu, tregohet i sentimental (i dhimbshëm) ndaj të varfrit.

Agjërimi e ruan birin e Ademit (njeriun) nga shkarjet që i vijnë prej shejtanit.

Me agjërim realizohet takvaja (devotshmëria) ndaj Allahut, dhe kjo devotshmëri i forcon lidhjet mes anëtarëve të shoqërisë.

Vlera e dhënies iftar agjëruesit

5) Është pyetur dijetari i ndershëm Salih El Feuzani, Allahu e ruajt[17]:

Disa shtrojnë bankete dhe gosti gjatë Ramazanit, dhe e bëjnë atë muaj të rasteve të caktuara (si martesë p.sh.), derisa disa të tjerë therin kafshë të ndryshme dhe e shpërndajnë mishin e tyre si lëmoshë. Ka edhe interesime tjera se çfarë të veprohet me ushqimin. Cili është vendimi për këtë?

Ai u përgjigj:

Po, dhënia e ushqimit në muajin e Ramazanit ka vlerë më të madhe, nëse shikohet nga aspekti i vlerës së kohës dhe nevojës së agjëruesve për tu ushqyer. Pejgamberi (sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem) ka thënë:

“Kushdo që i jep iftar një agjëruesi, ai do ta ketë shpërblimin si të tij (agjëruesit).”

Përgatitja e ushqimit në këtë muaj, për nevojtarët, është prej veprave më të vlefshme, sepse sadakaja (lëmosha) në këtë muaj shumëfishohet më shumë se në muajt e tjerë.

Agjërimi i pastron shpirtrat

6) Është pyetur Komisioni për studime shkencore dhe fetua[18]:

Si të arrijë myslimani që gjatë agjërimin të ketë forcë për t’i mposhtur dëshirat dhe epshet e tij? Si duhet myslimani ta shoh realitetin e kësaj dynjaje?

Ata u përgjigjen:

Allahu i Patëmeta e bëri obligim agjërimin e muajit të Ramazanit për dobi të robërve të Tij, që t’i pastrojë shpirtrat e tyre dhe t’i ngrit deri në përsosurinë njerëzore. Në agjërim ka ndalim prej gjërave ushqyese, si ushqimi, pija dhe gjëra tjera që e prishin agjërimin. Kjo e ushtron shpirtin në kundërshtim me tekat e tij, e ndihmon t’i mposht epshet që janë të ndaluara gjatë agjërimit, si dhe e pastron atë që të pajiset me moralet e larta. Kurdo që robi e forcon dijen për fenë e tij dhe për atë që Allahu ka përgatitur për robërit e Tij besimtarë në jetën e ardhme, dhe kapet për fenë e tij, do ta kuptojë poshtërsinë (parëndësinë) e dynjasë dhe pozitën e saj te Allahu, dhe se ajo nuk çon peshë tek Ai më shumë se një krah i mushkonjës, siç është transmetuar hadithi i saktë për këtë, nga Et Tirmidhiu dhe Ibën Maxhe. Çmimi (vlera) e saj është e madhe për atë që e jeton me bindje ndaj Allahut dhe e merr si rrugë për në ahiret (jetën e ardhme).

Kryetar: Abdulaziz bin Abdilah bin Baz.

Zëvendëskryetar: AbduRrezak Afifij.

Anëtar: Abdullah bin Gudejan.

Një hadith i dobët rreth vlerës së agjërimit

7) Është pyetur Komisioni për studime shkencore dhe fetua[19]:

Disa hutaba (ligjërues) të xhamive në këtë krahinë e dhanë një hutbe (ligjëratë të xhumasë) në mesin e së cilës e ceken edhe hadithin e Selmanit, Allahu qoftë i kënaqur prej tij, i cili e përmend se Pejgamberi (sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem) u kishte mbajtur atyre ligjëratë në ditën e fundit të Shabanit… deri në fund të hadithit. Disa nga vëllezërit haptazi dhe para masës, e kundërshtuan (njërin prej tyre) duke i thënë se hadithi i Selmanit është prej haditheve meudua (të shpikura). Ai, gjithashtu, tha se këtë vendim e kanë edhe disa pjesë të hadihit, si: “Ai i cili e ngop një agjërues, Allahu do t’i jap të pijë nga Haudi (liqeni) im një gllënjkë, pas të cilës kurrë nuk do ta kap etja deri sa të hyjë në Xhenet.” Dhe: “Ai i cili ia lehtëson skllavit të tij, Allahu do t’ia fal mëkatet dhe do ta lirojë nga zjarri.” Ky vëlla i tha atij: Këto fjalë janë gënjeshtra mbi Pejgamberin, e ai i cili gënjen mbi Pejgamberin le të përgatitet për ulësen prej zjarrit… dhe fjalë të tjera. Shpresoj nga ju të nderuar, të ma jepni fetuanë rreth fjalëve të tij, a janë të sakta apo jo?

Ata u përgjigjen: Hadithin e Selmanit e transmeton Ibën Huzejme në Sahih-un e tij, ku thotë: “Kapitulli rreth vlerave të muajit të Ramazanit, nëse hadithi është autentik.” Pastaj thotë: “Na ka treguar Alij bin Haxher Es Sadij, (i cili thotë) na ka treguar Jusuf bin Zijad, (i cili thotë) na ka treguar Hemam bin Jahja, ky prej Alij bin Zejd bin Xhed’an, ky prej Seid bin Musejebit, ky prej Selmanit të ketë thënë: Në ditën e fundit të Shabanit, i Dërguari i Allahut (sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem) na mbajti një ligjëratë ku tha: O ju njerëz! Një muaj madhështor iu përfshiu juve. Muaj i bereqetshëm. Muaj në të cilin është një natë që është më e vlefshme se një mijë muaj. Allahu agjërimin e tij e bëri obligim, ndërsa, faljen e namazit gjatë netëve të tij e bëri nafile (namaz vullnetar). Ai i cili, në këtë muaj, i afrohet Allahut me një veti/veçori të mirë është njëjtë sikur ta ketë kryer një farz (obligim) në muajt e tjerë. Ai i cili e kryen një farz është njëjtë sikur t’i ketë kryer shtatëdhjetë farze në muajt e tjerë. Ai është muaj i durimit, dhe shpërblimi për durimin është Xheneti. Është muaj i solidarizimit. Muaj në të cilin shtohet furnizimi i besimtarit. Kushdo që i jep iftar një agjëruesi, kjo vepër do t’ia shlyejë mëkatet dhe do t’ia lirojë qafën nga zjarri, si dhe do të ketë shpërblimin e njëjtë me agjëruesin, pa iu pakësuar atij (agjëruesit) asgjë nga shpërblimi i tij. Thanë: nuk mundemi të gjithë ne t’i japim iftar agjëruesve? Tha: Allahu këtë shpërblim ia jep çdokujt që i jep iftar një agjëruesi qoftë edhe një hurmë, apo një gllënjkë uji, apo qumësht të përzier me ujë. Ai është muaj, fillimi i të cilit është mëshirë, mesi falje, dhe fundi lirim nga zjarri. Ai i cili ia lehtëson skllavit të tij, Allahu do t’ia shlyejë mëkatet dhe do ta lirojë nga zjarri. Në këtë muaj shtoni sa më shumë katër veti (të mira), me dy prej të cilave e kënaqni Zotin e juaj, ndërsa, nga dy të tjerat kurrë nuk mundeni të jeni të panevojshëm. Sa i përket dy vetive me të cilat e kënaqni Zotin e juaj, ato janë: shehadeti (dëshmia) La ilahe il-lAll-llah (nuk ka të adhuruar me të drejtë përveç Allahut), dhe kërkimi i faljes prej Tij. Ndërsa, dy vetitë nga të cilat kurrë nuk mundeni të jeni të panevojshëm janë: të kërkoni prej Allahut Xhenetin dhe të kërkoni prej Tij t’iu mbrojë nga zjarri. Ai i cili e ngop një agjërues, Allahu do t’i jap të pijë nga Haudi (liqeni) im një gllënjkë, pas të cilës kurrë nuk do ta kap etja deri sa të hyjë në Xhenet.”

Në sened-in (zinxhirin e transmetuesve) të këtij hadithi janë:

Alij bin Zejd bin Xhed’an, i cili është i dobët për shkak të memorizimit të keq (të dobët).

Jusuf bin Zejad El Basrij, hadithi i të cilit është munker (i refuzuar).

Hemam bin Jahja bin Dinar El Audij, për të cilin Ibën Haxheri, në Et Takrib, thotë: i besueshëm, mirëpo nganjëherë gabon.

Sipas kësaj del se hadithi me këtë sened nuk është prej haditheve meudua (të shpikura), mirëpo është hadith daif (i dobët). Megjithëkëtë, vlerat e muajit të Ramazanit janë të shumta, dhe janë pohuar me hadithe të sakta.

Me Allahun vjen suksesi. Salevatet dhe selamet e Allahut qofshin mbi Pejgamberin tonë Muhamed, dhe mbi familjen dhe shokët e tij.

Kryetar: Abdulaziz bin Abdilah bin Baz.

Zëvendëskryetar: AbduRrezak Afifij.

Anëtar: Abdullah bin Gudejan.

Anëtar: Abdullah bin Kuud.

Përktheu: Lulzim Perçuku

______________________________________________________

[1] Kjo temë është shkëputur nga libri “Fetaua Ramadan” (Fetua rreth Ramazanit nga një grup dijetarësh).

[2] “Mexhmu’ fetaua semahati esh-shejh AbdulAziz bin Baz” (3/147,148).

[3] “El Irshad ila marifeti el ahkam” i Es Sadit (82 – 83).

[4] El ahkam et teklifije janë pesë, siç do të sqarohet më poshtë: uaxhib ose farz (obligimi), haram (ndalesa), mustehab (i preferuar), mekruh (i urryer), dhe mubah (i lejuar). Shënim i përkthyesit.

[5] Farz është vepra të cilën nëse e kryen shpërblehesh, ndërsa, nëse e len ndëshkohesh. Sh.p.

[6] Personi mbi të cilin zbatohen El ahkam Et teklifije. Sh.p.

[7] Haram është vepra të cilën nëse e kryen ndëshkohesh, ndërsa, nëse len shpërblehesh. Sh.p.

[8] Dita e parë e Fitër Bajramit, dhe dita e parë e Kurban Bajramit. Sh.p.

[9] Këto janë tri ditë që pasojnë ditën e dhjetë të muajit Dhul-Hixhe (11, 12, dhe 13), pra, ditën e Kurban Bajramit. Janë quajtur ditët e teshrikut (shkëlqimit të diellit), sepse haxhilerët mishin e Kurbanit e bënin teshrik, d.m.th. e lidhnin dhe e shtrinin që të thahej nën shkëlqimin e rrezeve të diellit. Këtë e vepronin në Mina. Një mendim tjetër është se ato janë quajtur kështu, sepse kurbanat nuk thereshin deri sa lindte dielli. Mendimi i tretë është se arabët thoshin: Thebiri (mal afër Mekës) u ndriçua (nga rrezet e diellit), qëtë shkojmë të therim kurbanat. Këto tri mendime i përmend Ibnul-Ethiri në En nihaje fi garibil-hadith uel-ether. Sh.p.

[10] Haxh temetu’ është Haxhi në të cilin bëhet nijet së pari për Umre, pastaj del prej ceremonive të ihramit të Umres, dhe i vepron të gjitha gjërat e rëndomta (sa që i lejohen edhe parfumimi dhe marrëdhëniet seksuale me gruan e tij), pastaj në ditën e tetë të Dhul-Hixhës e bën nijet për Haxh. Ky e ka obligim të ther një kurban gjatë ditëve të therjes, që janë dita e dhjetë e Dhul-Hixhës (dita e parë e Kurban Bajramit) dhe ditët e teshrikut. Ai i cili nuk ka mundësi të ther kurban, i duhet të agjërojë tri ditë gjatë Haxhit dhe shtatë ditë kur të kthehet në vendin e tij. Sh.p.

[11] Haxh Kiran është Haxhi në të cilin bashkohet mes Umres dhe Haxhit, brenda një ihrami, dhe nuk del nga ceremonitë e ihramit dhe nuk e zhveshë atë pas Umres (sikur që veprohet të Haxhi Temetu’), mirëpo, pas saj e vazhdon Haxhin. Edhe ky e ka obligim të ther kurban gjatë ditëve të Haxhit, mirëpo, i duhet ta sjell atë me vete nga vendi i tij. Sh.p.

[12] Sunet apo mustehab (e preferuar) është vepra të cilën nëse e vepron shpërblehesh, ndërsa, nëse e len nuk ndëshkohesh. Sh.p.

[13] Mekruh (e urryer) është vepra të cilën nëse e vepron nuk ndëshkohesh, ndërsa, nëse e len shpërblehesh. Sh.p.

[14] Xhaiz apo mubah (e lejuar) quhet vepra për të cilën as nuk shpërblehesh dhe as nuk ndëshkohesh, përveç, nëse e bën me nijet të mirë (atëherë shpërblehesh) apo të keq (atëherë ndëshkohesh). Sh.p.

[15] “Fikhul-ibadat” i Ibën Uthejminit, faqe: 171.

[16] “Fetaua Esh Shejh Muhamed Es Salih El Uthejmin” (1/562).

[17] “El fetaua” i Ibën Feuzanit – Kapitulli i davetit (1/ 153, 154).

[18] Fetauat e Komisionit të përhershëm për studime shkencore dhe fetua, fetuaja me nr. 9395.
[19] Fetauat e Komisionit të përhershëm për studime shkencore dhe fetua, fetuaja me nr. 4145.

 

Shpërndaje artikullin
Madhësia e tekstit