Shejh Dr. Ibrahim bin Amir Er-Ruhajlij (Allahu e ruajttë)

 

Kjo është një dobi e rrallë që ndërlidhet me temën e kaderit. Edhe pse e formuluar shkurtimisht, ajo përmban dobi të shumta rreth kësaj teme dhe i largon dyshimet që zakonisht u vijnë mendjeve për të.

Disa njerëz e kanë të paqartë atë që Allahu e caktoi në përjetësi në Leuh el-Mahfudh (Pllakën e Ruajtur), ku shkroi banorët e xhenetit dhe ata të zjarrit para se t’i krijonte krijesat dhe para se ata të bënin çfarëdo lloj vepre dhe (si rezultat po ashtu kanë të paqartë) kërkesën e Tij nëpërmjet të dërguarve për kryerjen e obligimeve të fesë, duke qenë se në tekstet fetare lexojmë që njerëzit shpërblehen apo ndëshkohen në saje të veprave të tyre. Siç thotë i Allahu i Lartësuar: “Ata do të jenë banorë të Xhenetit, ku do të qëndrojnë përgjithmonë, si shpërblim për atë që kanë punuar.” (El-Ahkaf, 14). Ndërsa për banorët e zjarrit – Allahu na ruajt prej tij- tha: “Strehimi i tyre është Xhehenemi. Ky është dënimi për veprat e tyre.” (Et-Teube, 95). Gjithashtu tha: “Kush ka bërë ndonjë të mirë, qoftë sa një thërrmijë, do ta shohë atë, e kush ka bërë ndonjë të keqe, qoftë sa një thërrmijë, do ta shohë atë.” (Ez-Zelzele, 7-8).

Këtu patjetër duhet të tërheqim vëmendjen se udhëzimi e lajthitja, lumturia e mjerimi që Allahu ua caktoi robërve në përjetësi, nuk bie ndesh me drejtësinë e Tij dhe me rregullat e fesë të cilat tregojnë se shpërblimi apo ndëshkimi është në saje të veprës, dhe se njerëzit shpërblehen apo dënohen për veprat e bëra dhe atyre nuk do t’u bëhet kurrfarë padrejtësie. Ashtu siç thotë Allahu i Lartësuar: “Vërtet, Allahu nuk dëmton askënd asnjë grimë.” (En-Nisa, 40) dhe: “Ky është ndëshkimi i veprave të duarve tuaja, se Allahu nuk është i padrejtë ndaj robërve të Vet.” (Al Imran, 182)

Kjo ngaqë kur Allahu i Lartësuar shkroi në Leuh el-Mahfudh të lumturit dhe të pafatët, këtë e bëri duke e ditur se çfarë do të veprojnë. Dhe nuk ua shkroi veprat, e pastaj tua rrëmbente vullnetin për të vepruar atë që kishte shkruar. Andaj, s’ka padrejtësi në këtë. Për këtë arsye, në ditën e Kiametit njerëzit dënohen apo shpërblehen në bazë të asaj që është shkruar në regjistrat e veprave, e jo në bazë të asaj që është shkruar në Leuh el-Mahfudh. Edhe pse regjistrat e veprave krahasohen me atë që është shkruar në Leuh el-Mahfudh dhe ato përputhen mes vete. Mirëpo kjo bëhet për të ngritur argumentin ndaj krijesave.

Pra, Allahu i shpërblen apo ndëshkon në bazë të asaj që e di se ka ndodhur, e që është dija për veprat që janë tek ta. Mbi këtë dije të Tij që i shoqëron veprat e tyre, vërtitet feja (urdhrat fetarë) dhe shpërblimi apo ndëshkimi. Ai nuk i ndëshkon apo shpërblen për atë që e di se do të ndodhë para se të ndodhë. Kjo është dija e Tij që u paraprinë veprave të njerëzve dhe mbi të vërtitet kaderi. Në shkrimin e Leuhi Mahfudhit ka argument për përsosurinë e dijës së Allahut, ndërsa në ndëshkimin apo shpërblimin e njerëzve për atë që përmbajnë regjistrat e veprave të tyre ka argument për përsosurinë e drejtësisë së Tij. I Pastër nga çdo e metë është Allahu i Gjithëdijshëm, i Urtë, i Butë me robërit, Bamirës e Mëshirëplotë.

Andaj, muslimani le të ketë vëmendjen për këtë çështje madhore, sepse në të kanë devijuar grupe të ndryshme, që vetëm Allahu i di, të kaderive e xhebrive, si dhe çdokush që është prekur nga papastërtitë e tyre prej pasuesve të humbjes dhe devijimit. Kishte njerëz drejt të cilëve drejtoheshin gishtat për shkak të zgjuarsisë që posedonin; ata ishin koka të filozofisë dhe mjeshtër të apologjetikës. Mirëpo, megjithëkëtë, shfaqën dyshime rreth urtësisë së Krijuesit në paracaktimin (kaderin) e gjërave. Ndërkaq, Allahu me mirësinë e Tij i udhëzoi ithtarët e Sunetit e të pasimit drejt kuptimit të saktë të kaderit dhe kështu ata triumfuan me besimin në të (kader) dhe me kryerjen e veprave që i urdhëron feja.

www.al-rehaili.net

Përktheu: Petrit Perçuku