Disa fjalë rreth muajit Rebi’ul-Evvel

Disa fjalë rreth muajit Rebi’ul-Evvel

Shejh: Dr. Ibrahim bin Amir Er-Ruhajli (Allahu e ruajtë)

www.al-rehaili.net

Me emrin e Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëplotit!

Lavdërimi dhe falënderimi i përket Allahut, Zotit të botëve. Salati dhe selami qofshin për profetin tonë Muhamedin, për familjen dhe shokët e tij, si dhe për gjithë ata që ecin shtegut të tyre, deri në Ditën e Gjykimit.

Më tej:

Së pari: Të njohurit me muajin:

Ky është muaji i tretë i vitit hixhrik dhe quhet Rebi’ul-Evvel. Thirret El-Evvel (i pari) në mënyrë që të dallohet nga Rebi’uth-Thani (i dyti), i cili është muaji që vjen menjëherë pas tij.

Ez-Zubejdij shënon: “Pranvera (er-rebi’u) është njëra nga pjesët e vitit. Tek arabët janë dy pranvera: pranvera e muajve dhe ajo e kohëve. Kështu, pranvera e muajve janë dy muajt që vijnë pas muajit Safer. Janë quajtur kësisoj, ngaqë janë vënë në këtë kohë (pranverë), kështu që ky emër u mbeti edhe gjatë stinëve të tjera. Dhe nuk kanë emër tjetër përveçse: muaji Rebi’ul-Evvel dhe muaji Rebi’uth-Thani.” (Taxhul-Arus, 19-21). Janë quajtur Rebi’ meqë bien në stinën e pranverës.

Ebu Hanife thotë: “Dy pjesët e dimrit quhen me emrin Rebi’. I pari nga ta është Rebi’u i ujit dhe i shirave, ndërsa i dyti është Reb’iu i bimëve, ngaqë gjatë tij bimët arrijnë zhvillimin përfundimtarë.” Më tutje thotë: “Tek arabët, i tërë dimri është pranverë (Rebi’), për shkak të shirave (lagështisë).” (Taxhul-Arus, 19-21).

Së dyti: Veprat e ligjshme gjatë këtij muaji:

S’di ndonjë gjë që tregon se ky muaj është veçuar me kryerjen e ndonjë vepre që përgjithësisht nuk ligjësohet edhe në muajt e tjerë të vitit. Duke u mbështetur në këtë themi se, veçimi i këtij muaji me ndonjë adhurim, si: namaz apo agjërim apo therje të kurbanit, është prej bidateve të shpikura. Mirëpo, kush bën ndonjë vepër gjatë tij, jo për ta veçuar atë, por për shkak të rastisjes apo kohës së lirë, si puna e atij që gjatë këtij muaji apo muajve të tjerë i ripërtërihet ndonjë begati, kështu që e falënderon Allahun duke shpejtuar në kryerjen e bindjeve si: shpeshtimi i namazit, agjërimit, apo adhurimeve tjera, atëherë s’ka gjë të keqe në këtë. Sepse ai përmes këtyre adhurimeve nuk e kishte si qëllim vetëm këtë muaj, por synonte diçka tjetër, e ajo është falënderimi (ndaj Allahut) për begatinë, apo i bëri për shkak të kohës së lirë që e kishte gjatë këtij muaji, kështu që veproi varësisht prej kohës kur nuk ishte i angazhuar. Kriteri për këtë është se, sikur ai të kishte këtë kohë të lirë apo sikur t’i ripërtërihej begatia gjatë ndonjë muaji tjetër, do të vepronte njëjtë siç veproi në këtë muaj.

Gjërat e shpikura në këtë muaj:

Prej bidateve të shpikura në këtë muaj është kremtimi i ditëlindjes së Profetit (sallAllahu alejhi ue sel-lem), gjegjësisht në ditën e dymbëdhjetë të këtij muaji. Kjo bëhet duke pretenduar se me këtë shfaqet gëzimi për lindjen e Profetit (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem) dhe se kjo është prej gjërave që detyrimisht i kërkon dashuria ndaj tij. Madje disa pretenduan se mosfestimi i ditëlindjes së tij është shkujdesje dhe mangësi në dashurinë ndaj tij (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem). E drejta është se, kremtimi i ditëlindjes së Profetit (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem) në ditën e dymbëdhjetë të muajit Rebi’ul-Evvel apo në ditët tjera të tij, apo brenda çfarëdo muaji tjetër, është prej bidateve të shpikura.

Për këtë aludojnë disa çështje:

E para: Argumentet e përgjithshme, të cilat aludojnë në domosdoshmërinë e pasimit (të Profetit) dhe njëkohësisht tërheqin vërejtjen nga shpikja në fe. Prej këtyre dëshmive po përmendim:

a) Fjala e më të Lartit: “Le të frikësohen ata që kundërshtojnë urdhrin e tij (Muhamedit), që të mos i arrijë ndonjë sprovë ose që të mos i godasë një dënim i dhembshëm.” (En-Nur, 63).

Profeti (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem) në asnjë mënyrë nuk urdhëroi që të kremtohej ditëlindja e tij. Ai as nuk e pëlqeu atë dhe as nuk e inkurajoi ummetin e tij për një gjë të tillë. Kjo nuk është përcjellë nga ai (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem) në asnjë hadith të saktë, bile në asnjë hadith të dobët. Andaj, duke u bazuar në këtë, kremtimi i mevludit e kundërshton urdhrin e tij dhe hyn brenda kërcënimit, nga i cili Allahu ka tërhequr vërejtjen në këtë ajet, e që është se ai, i cili kundërshton urdhrin e Profetit (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem) do të goditet me ndonjë sprovë apo me ndonjë dënim të dhembshëm.

Ibën Kethiri shkruan duke e shpjeguar fjalën e më të Lartit: “…që të mos i arrijë ndonjë sprovë ose që të mos i godasë një dënim i dhembshëm”: “Domethënë: në zemrat e tyre si: kufër, apo nifak (dyfytyrësi) apo bidat.” (Tefsiri i ibën Kethirit, faqe 146).

b) Fjala e Allahut të Lartësuar: “Sot jua përsosa fenë tuaj, e plotësova dhuntinë Time ndaj jush dhe zgjodha që Islami të jetë feja juaj.” (El-Maide, 3).

Ibën Abbasi (radijAllahu anhuma) e shpjegoi këtë ajet me fjalët: “Allahu e lajmëroi Profetin e Tij dhe besimtarët se ua ka përsosur dhe plotësuar imanin (fenë), andaj kurrë s’do të kenë nevojë për diçka shtesë dhe kurrë nuk do t’ua pakësojë, dhe se është i kënaqur me të, andaj kurrë s’do t’i hidhërohet.” (Tefsiri i ibën Kethirit, 2/12).

Kremtimi i mevludit nuk është prej fesë të cilën Allahu e ligjësoi për ne, përkundrazi Ai e përsosi fenë. Në argumentet e Kuranit dhe Sunetit, assesi dhe në asnjë mënyrë nuk ka diçka që aludon për ligjësinë e tij. Prandaj e tëra kjo aludon se kremtimi i mevludit është bidat i shpikur dhe se shpikësit e tij janë përballë dy opsioneve:

i. Ose të thonë se kremtimi i tij është prej fesë së ligjësuar, të cilën Allahu e përsosi. Për këtë atyre ju kërkohet dëshmi që aludon për një gjë të tillë.

ii. Ose të pranojnë se Profeti (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem) nuk e bëri të ligjshëm, edhe pse kremtimi i tij është prej fesë, kështu që si rrjedhojë e kësaj, deshën apo s’deshën, ata e cenojnë saktësinë e këtij ajeti dhe thonë se feja nuk është përsosur në kohën e Profetit (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem), andaj ata e ndërmorën rolin e plotësuesit të saj duke e kremtuar mevludin.

c) Fjala e Profetit (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem), që shënohet në dy Sahihat dhe të cilën e përcjellë Aisha (radijAllahu anha): “Vërtet se koha është kthyer në formën që e kishte kur Allahu i krijoi qiejt dhe Tokën.” (Buhariu, 3/241 dhe Muslimi, 5/132).

Nuk ka asnjë kundërshti midis dijetarëve që e njohin sunetin e Profetit (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem) se kremtimi i mevludit është diçka e shpikur dhe diçka që nuk ishte e pranishme në kohën e tij dhe as në kohën e sahabëve, bile as gjatë tre shekujve të lavdëruar. Mevludi nuk njihej në ummet, derisa e shpikën Ubejdijunët, të cilët në mënyrë të rreme i atribuohen Fatimes (radijAllahu anha) dhe pretendojnë se janë nga pasardhësit e saj. Duke u bazuar në atë që e përcjellë El-Makrizij në veprën e tij El- Hutat, Ubejdijunët janë ata që e themeluan shtetin Fatimitë në Egjipt dhe shpikën kremtimin e mevludit në fund të shekullit të katërt hixhrik. Ai shënon se, udhëheqësit fatimitë gjatë tërë vitit kremtonin festa, të cilat ishin më shumë se njëzet. Prej këtyre festave përmendi: kremtimin e ditëlindjes së Profetit (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem), të Alij bin Ebi Talibit (radijAllahu anhu), të Hasenit dhe Huesjnit (radijAllahu anhuma), si dhe të Fatimes (radijAllahu anha). (Shih veprën e tij El-Hutat 1/490).

Andaj pasi që me këto fjalë u vërtetua se mevludi është bidat i shpikur, atëherë kremtimi i tij është gjë e refuzuar (në fe), siç tregon tekstualisht hadithi i Profetit (sallAllahu alejhi ue sel-lem). Kështu që në kremtimin e tij s’ka as shpërblim dhe as sevap, madje festuesit e tij i ekspozohen ndëshkimit, për të cilin aludojnë tekstet (fetare), ndëshkim ky që i përfshinë shpikësit e bidateve, të cilët e kundërshtojnë sunetin e Profetit (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem).

E dyta: Kremtimi i mevludit dhe pretendimi se ai është prej fesë dhe prej rezultateve të domosdoshme të dashurisë ndaj Profetit fisnik (alejhis-salatu ues-selam); të gjitha këto gjëra ose i dinin sahabët, tabiunët dhe pjesëtarët e shekujve të lavdëruara, ose nuk i dinin. E, nëse thuhet nuk i dinin, atëherë kjo është akuzë ndaj tyre, ulje e pozitës së tyre në dije dhe fikh dhe pretendim se atyre u janë fshehur argumentet dhe të kuptuarit (fikhu) për të (mevludin), përmes të cilave, gjeneratat e mëvonshme e kuptuan se mevludi është nga feja dhe prej rezultateve të domosdoshme të dashurisë ndaj zotërisë së të dërguarve.

E, nëse thuhet se ata e dinin, ndërkohë që është vërtetuar se nuk e festonin, atëherë kjo është akuzë ndaj pasimit të tyre (të sunetit) dhe pretendim se ne (që e festojmë mevludin) bëjmë adhurime më shumë se ata. Sido që të jetë, shpikësit e mevludit, ose le të pretendojnë se kanë më shumë dije se sahabët dhe selefët ose le të pretendojnë se veprojnë më shumë se ata. Dhe të dyja këto pretendime janë devijim i qartë dhe kundërshtim i teksteve fetare, të cilat aludojnë për vlerën e sahabëve dhe pjesëtarëve të shekujve të lavdëruar mbi ata që erdhën më pas.

E treta: Sikur shpikja e mevludit nga ana e Ubejdijunëve fatimit në fund të shekullit të katërt të ishte prej udhëzimit, atëherë, detyrimisht nga kjo do të kuptohej se Allahu i ka poshtëruar më të mirët e ummetit: sahabët, tabi’inët dhe etba’ tabi’inët, përmes të cilëve u ngrit feja dhe të cilët u ngritën me të, duke qenë se me fjalën e Tij: “Ata që luftojnë për çështjen Tonë, sigurisht, Ne do t’i udhëzojmë drejt udhëve Tona. Vërtet, Allahu është me punëmirët!” (El-Ankebut, 69), Ai nuk i orientoi drejt dijes rreth mevludit dhe veprimit të tij. Pastaj drejt tij u udhëzuan Ubejdijunët batini, pasi që kishin kaluar shekujt e lavdëruara të ummetit, dhe pjesëtarët e tyre vdiqën duke mos ditur gjë për mevludin! Kështu, nderin e dijes rreth mevludit dhe veprimin e tij e arritën Ubejdijunët fatimit. Bile nga kjo detyrimisht kuptohet që Ubejdijunët batini janë më meritorë për bartjen e fesë (sesa sahabët) dhe (detyrimisht kuptohet) kotësia e rrugës në të cilën ishin selefët (gjeneratat e para) të ummetit. Kjo është skajshmëria e kotësisë, të cilën nuk mund ta pretendojë myslimani.

E katërta: Dijetarët verifikues e qortuan kremtimin e mevludit, u shprehën prerazi se është bidat dhe u treguan të rreptë në këtë gjë, andaj është detyrë ndjekja e rrugës së tyre, siç orientoi Allahu drejt kësaj në fjalën e Tij: “Këdo që e kundërshton të Dërguarin, pasi i është dhënë udhëzimi dhe ndjek rrugë tjetër nga ajo e besimtarëve, Ne e lëmë të ecë andej nga është nisur dhe do ta përcëllojmë në zjarrin e Xhehenemit; eh, sa vendbanim i keq që është ai!” (En-Nisa, 115).

Dijetarët që e pasojnë sunetin, janë besimtarët, për rrugën e të cilëve Allahu porositi që të ndiqet dhe paralajmëroi e kërcënoi nga kundërshtimi i saj.

Ja disa fjalë të dijetarëve rreth mevludit:

Hoxha i Islamit ibën Tejmije tha: “Kremtimi i festave jofetare si: kremtimi i njërës nga netët e muajit Rebiu’l-Evvel, për të cilën thuhet se është nata e mevludit, është prej bidateve që selefët as nuk i pëlqyen dhe as nuk i vepruan.” (Mexhmu’ul-fetaua, 25/298).

Shatibiu, duke i numëruar bidatet të cilat e kundërshtojnë fenë shënon: “Prej tyre është edhe mos heqja dorë nga mënyrat dhe format e caktuara, si thënia e dhikrit së bashku, njëzëri dhe bërja e ditëlindjes së Profetit (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem) si festë, si dhe gjëra të tjera të kësaj natyre.” (El-I’tisam, 1/39).

El-Fakihanij kur qe pyetur rreth kremtimit të mevludit kishte thënë: “Nuk i di këtij mevludi ndonjë bazë në Kuran e Sunet dhe nuk është përcjellë nga asnjëri prej dijetarëve të ummetit, të cilët janë shembull në fe dhe të cilët kapen pas gjurmëve të të parëve. Përkundrazi ai është bidat të cilin e kanë shpikur njerëzit e kotë dhe është epsh i shpirtit, për të cilin janë kujdesur llupësit (grykësit).” (El-Meurid fi amelil-meuvlid, 20- 22).

Ibën Haxheri tha: “Esenca e kremtimit të mevludit është bidat që nuk është përcjellë nga askush prej selefëve dhe tre shekujve të lavdëruar.” (El-Haui lil-fetaua nga Sujuti, 1/196).

Es-Sehauij tha: “Kremtimi i mevludit nuk është përcjellë nga askush prej selefëve në tre shekujt e lavdëruar, por ka ndodhur pas tyre.” (El-Meuridur-reuijj fil-meulidinnebeuijj i mulla Alij El-Kariut, faqe 12).

Shejh AbdulAziz bin Baz, pasi që i përmendi tekstet fetare që paralajmërojnë nga bidatet, tha: “Përmes kësaj i bëhet e qartë çdokujt që ka sadopak largpamësi, vullnet për ta njohur të vërtetën dha paanësi në kërkimin e saj se, kremtimi i mevludit nuk është prej dinit Islam, por është prej bidateve të shpikura, për të cilat Allahu urdhëroi që të braktisen dhe tërhoqi vërejtjen nga to. Dhe nuk i përket njeriut të mençur që të mashtrohet me numrin e madh të atyre që e festojnë atë anekënd botës, sepse e vërteta nuk njihet me numrin e madh të vepruesve, por përmes argumenteve fetare.” (Mexhmu’u fetaua ibën Baz, 1183).

E pesta: Dashuria ndaj Profetit (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem) është bazë madhështore e Islamit dhe imani i njeriut nuk realizohet pa të. Ashtu siç përmendet në hadithin e Enesit (radijAllahu anhu), ku Profeti (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem) ka thënë: “Askush nga ju nuk beson, përderisa të jem më i dashur tek ai se prindi i tij, fëmija i tij dhe i gjithë njerëzimi”. (Buhariu, 1/10 dhe Muslimi, 1/49).

Dashuria ndaj Profetit (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem) realizohet përmes zbatimit të urdhrit dhe ndalesës së tij, dhe jo që, duke pretenduar dashuri ndaj tij, të kryhen gjërat që ai i ndaloi. Allahu i Lartësuar thotë: “Thuaju (o Muhamed): “Nëse ju e doni Allahun, atëherë më ndiqni mua, që Allahu t’ju dojë dhe t’jua falë gjynahet!” (Al Imran, 31). Pra, Allahu këtu qartësoi se shenjë e dashurisë ndaj Tij është bindja ndaj Profetit (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem) dhe pasimi i tij. Kështu pra, dëshmia për një pretendim të tillë është pasimi i udhëzimit të tij dhe qëndrimi i patundur në sunetin e tij (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem).

E gjashta: Ajo me çfarë më së shumti argumentojnë shpikësit e mevludit është se vetë mendja e tyre e konsideroi atë si të mirë dhe se festimi i tij është prej rezultateve të domosdoshme të dashurisë ndaj Profetit (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem). Ky është një zgjerim i tepruar i pretendimeve dhe hapje e tërësishme e derës së bidateve sipas asaj që mendjet e shohin si të mirë. Nëse mbështetemi në këtë, atëherë ndonjë pretenduesi tjetër i takon të kremtojë fitoren e Profetit (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem) në betejën e Bedrit. Apo del dikush tjetër dhe pretendon se duhet të festohet fitorja e tij në betejën e Uhudit. Ndërkohë që një tjetër thërret në festimin e fitores së tij në ditën e Hendekut apo në çlirimin e Mekës apo në betejën e Hunejnit. Madje ndodh që dikush pretendon se është më parësore të festohet dita kur Profeti migroi. Pastaj një tjetër ngrihet dhe e korrigjon atë duke thënë se, përkundrazi, më primare është të festohet dita kur ai e kreu haxhin dhe dita kur ummeti, në tubimin më të madh të tij, dëshmoi për të se e ka kumtuar shpalljen, e kështu radhazi. Pra, konsiderimi i gjërave si të mira me anë të mendjes, nuk ka ndonjë kufi. Andaj (pyetjet shtrohen vetvetiu): cili, pra është ai që meriton të pasohet dhe me çfarë mendje duhet të matet feja? Kështu, kur ata që me mendjet e tyre i bëjnë gjërat e mira të kenë kundërshti mes vete, do të kuptojnë se nuk ka gjykim prerës për këto kundërshti, veçse duke u kthyer tek suneti dhe duke u ndalur tek ai.

Përmes këtyre që thamë, qartësohet se në asnjë mënyrë nuk lejohet festimi i mevludit apo tubimi për të dhe gjërat që ky tubim i tërheq pas, si: leximi i Kuranit, apo këndimi i poemave që lavdërojnë Profetin (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem), apo përgatitja e ushqimit. Dhe më e rëndë se tërë kjo janë gjërat që ndodhin gjatë këtyre festimeve, si: vallëzimi, muzika, mëkatet dhe përzierja mes burrave e grave. Të gjitha këto janë të ndaluara. Bile në disa prej këtyre festimeve ka bashkim midis bidatit dhe mëkatit, saqë, në disa vende islame, ato u shndërruan në rast ideal për pasuesit e epsheve që, në emër të festimit të mevludit, të kryejnë vepra të liga.

Allahu e di më së miri. Salati dhe selami i Allahut qofshin për robin dhe profetin e Tij, Muhamedin, si dhe për familjen dhe mbarë shokët e tij!

Përktheu: Petrit Perçuku

January 2nd, 2015|Akide, Artikujt|