4. Këshilla të dobishme

  • Ibn Tejmije (Allahu e mëshiroftë) thotë: “Leximi i Kuranit, ashtu siç kërkohet, lë në zemër besim madhështor dhe ia shton asaj bindjen, qetësinë dhe shërimin.” Mexhmu’u El-Fetaua, 7/283.

  • Ibn Kajjimi (Allahu e mëshiroftë) thotë: “Themeli i besimit është vërtetësia, ndërsa themeli i dyfytyrësisë është gënjeshtra. Andaj, nëse bashkohen gënjeshtra dhe besimi, do të luftojnë me njëri-tjetrin.” Medarixh Es-Salikin, 2/200.

  • Ibn Hazmi (Allahu e mëshiroftë) thotë: “Nuk është çdo shok këshillues, mirëpo çdo këshillues është shok.” El-Ahlak ue Es-Sijer, 42.

  • Ibn Kajjimi (Allahu e mëshiroftë) shkruan: “Kush dëshiron zemër të pastër, le t’i japë përparësi Allahut ndaj epshit të vet.” El-Feuaid, 98.

  • Imam ibn Xheuzij (Allahu e mëshiroftë) thotë: “Mëkatari e ka për detyrë të pendohet sa më shpejt, para se ta befasojë vdekja dhe t’i shuhet shpresa.” Et-Tedhkire, 131.
  • Imam Dhehebiu (Allahu e mëshiroftë) thotë: “Pasha Allahun, kurrë nuk ka shpëtuar ai që e ka lavdëruar veten, apo që është mburrur me të.” Sijer A’lan En-Nubela’, 4/190.

  • I Dërguari (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem) thotë: “Lum për jabanxhinjtë! Ata janë njerëz të mirë e përmirësues në mesin e një shumice të keqe. Ata që nuk i dëgjojnë janë më shumë se ata që i dëgjojnë.” Sahih El-Xhami’, 3816.

  • Dijetari Salih El-Fezuan (Allahu e mëshiroftë) thotë: “Sot, thirrësit drejt devijimit janë më të shumtë sesa thirrësit drejt udhëzimit, andaj nuk duhet të mashtrohemi me ta.” Sherh Usul El-Iman, 410.

  • Ibn Kajjimi (Allahu e mëshiroftë) shkruan: “Njerëzit më të poshtëruar janë ata që lidhen për dikë tjetër përveç Allahut.” Medarixh Es-Salikin, 1/458.

  • Imam Uthejmini (Allahu e mëshiroftë) thotë: “Nuk sjell pasuesi i së kotës ndonjë argument, veçse Kurani ia prish atë dhe e sqaron kotësinë e tij, ashtu siç lexojmë në Kuran: “Sapo ata të të sjellin çfarëdo argumenti, Ne të sjellim të Vërtetën dhe shpjegimin më të mirë.” (El-Furkan, 33) Mexhmu’u Fetaua ibn Uthejmin.

  • Allahu thotë: “O Zoti ynë, dhurona nga bashkëshortet tona dhe trashëgimtarët tanë, ç’është prehje për sytë tanë!” (El-Furkan, 74). Ibn Al-lan (Allahu e mëshiroftë) thotë: “Allahu i përmendi më përpara bashkëshortet, ngaqë me përmirësimin e tyre përmirësohen edhe pasardhësit.” Delil El-Falihin, 1/376.

  • Hasen El-Basriu (Allahu e mëshiroftë) thotë: “Vërtet që zemra rrotullohet më shumë sesa pupla në një ditë me erë të fortë (d.m.th. ndryshon).” Ez-Zuhd, i Ebu Hatim, 370.

  • Ibn Muflih El-Hanbelij (Allahu e mëshiroftë) thotë: “Ndalohet dalja e gruas nga shtëpia e burrit të saj pa lejen e tij, përveçse për ndonjë domosdoshmëri apo obligim fetar.” El-Adab Esh-Sher’ijje, 3/375.

  • Ibn Kajjimi (Allahu e mëshiroftë) shkruan: “Të sëmurët e vërtetë janë mëkatarët, edhe nëse kanë trupa të shëndoshë. Ndërsa, të shëndoshët e vërtetë janë ata që i binden Allahut, edhe nëse kanë trupa të sëmurë.” U’ddetu Es-Sabirin, 85.

  • Ibn Kajjimi (Allahu e mëshiroftë) thotë: “Besimi është dy pjesë: njëra është durim, e tjetra falënderim (ndaj Allahut).” U’ddetu Es-Sabirin, 108.

  • Sufjan Eh-Theurij (Allahu e mëshiroftë) thotë: “Kush e shpeshton përkujtimin e varrit, do ta gjejë atë kopsht prej kopshteve të Xhenetit. Ndërsa, kush tregohet i pakujdesshëm ndaj përkujtimit të tij, do ta gjejë atë gropë prej gropave të zjarrit.” Et-Tedhkire, e Kurtubiut, 108.

  • Ibn Kajjimi (Allahu e mëshiroftë) shkruan: “Mëkatet janë plagë. Ndodh që plaga të qëllojë diku ku shkakton vdekjen.” El-Feuaid, 41.

  • E pyetën imam Shafiun (Allahu e mëshiroftë): “Çfarë e ul burrin më së shumti?” Ai tha: “Të folurit e shumtë, përhapja e fshehtësive dhe besimi ndaj çdokujt.” El-Intika, 159.

  • I Dërguari (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem) thotë: “Në xhenet ka gjëra që syri kurrë nuk i ka parë, veshi kurrë nuk i ka dëgjuar dhe që kurrë nuk i ka parafytyruar zemra e ndokujt.”

  • Allahu i Lartësuar thotë: “Ne i shpëtuam ata që i ndalonin të tjerët nga e keqja.” El-A’raf, 165. Imam ibn S’idij (Allahu e mëshiroftë) thotë: “Ky është ligji i Allahut ndër robërit e Vet. Kur të zbresë ndëshkimi, prej tij shpëtojnë vetëm ata që kanë urdhëruar për të mirë dhe që kanë ndaluar nga e keqja.” Tefsir Es-Si’dij, 306.

  • I Dërguari (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem) thotë: “Vini re! Artikulli i Allahut (që e ka vënë në shitje) është i shtrenjtë! Vini re! Artikulli i Allahut është Xheneti!” Es-Sahiha, 954.

  • Ibn Hazmi (Allahu e mëshiroftë) thotë: “Mos jep përgjigje rreth fjalëve të dikujt që të përcillen, derisa të bindesh se ai i ka thënë ato.” El-Ahlak ue Es-Sijer, 29.

  • Ibn Kajjimi (Allahu e mëshiroftë) thotë: “Shumica e mëkatarëve e respektojnë ditën e xhuma dhe natën e saj, si dhe besojnë se kush i bën mëkat Allahut në to, Ai ia shpejton dënimin dhe nuk i jep afat. Kjo është një çështje e mirënjohur tek ta, që e dinë nga përvoja.” Zad El-Me’ad, 1/63.

  • I Dërguari (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem) thotë: “Dy ujqër të uritur që i lëshohen kopesë së deleve, nuk bëjnë dëm më shumë sesa dëmi që lakmia e njeriut për pasuri dhe pozitë ia shkakton fesë së tij.” Sahih El-Xhami’.

  • Fudajl ibn Ijadi (Allahu e mëshiroftë) thotë: “Kur të shfaqet përgojimi, largohet vëllazëria për hir të Allahut. Shembulli i juaj do të jetë sikur diçka e lyer me ari e argjend, mirëpo brendësinë e ka nga druri.” Hiljetu El-Evlija’, 8, 96.

  • Hasan ibn A’tijje (Allahu e mëshiroftë) thotë: “Nuk e ka armiqësuar dikush Zotin e vet me diçka më të rëndë sesa urrejtja ndaj përmendjes së Tij, apo ndaj atij që e përmend Atë.” El-Uabil Es-Sajjib, 71.

  • Imam ibn Bazi (Allahu e mëshiroftë) thotë: “Është ligj i Allahut që vepron gjithmonë midis robërve të Tij se kush e ndihmon të vërtetën dhe është i qëndrueshëm në të, pastaj përpiqet skajshmërisht në këtë, Ai i jep përfundim të lavdëruar.” Et-Ta’lik ala El-Istikameh, 19.

  • Imam ibn Si’dij (Allahu e mëshiroftë) thotë: “Kush lë diçka për hir të Allahut, Ai ia zëvendëson me diçka më të mirë. Ndërsa, kush i jep përparësi epshit ndaj bindjes së Zotit, e humb fenë dhe rrjedhimisht edhe dynjanë e tij.” Tejsir El-Letif El-Mennan, 86.

  • Imam Uthejmini (Allahu e mëshiroftë) thotë: “Disa prej gjeneratave të para të muslimanëve thoshin: “Nëse Allahu ta mundëson t’i lutesh Atij, atëherë prite përgjigjen, sepse Ai thotë: “Zoti juaj ka thënë: “Lutmuni Mua, se do t’ju përgjigjem!” (El-Gafir, 60) El-Kaul El-Mufid, 2/165.

  • I Dërguari (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem) thotë: “Gjëja e parë për të cilën llogaritet njeriu (në ditën e Kiametit) është namazi, ndërsa gjëja e parë që gjykohet mes njerëzve janë vrasjet.” Es-Sahiha, 1748 dhe Sahih El-Xhami’ 2572.

  • A’mr ibn Kajs (Allahu e mëshiroftë) thotë: “Kur të dëgjosh për ndonjë vepër të mirë, atëherë punoje atë qoftë dhe vetëm një herë.” Hiljetu El-Evlija, 2/155.

  • Ebu Hal-lad (Allahu e mëshiroftë) thotë: “Nëse në mesin e njerëzve ka të atillë që tregohen të shkujdesur ndaj namazit dhe ata nuk i këshillojnë, atëherë dënimi i parë që i godet është pakësimi i riskut.” Fet’h El-Barij, i ibn Rexhebit, 3/144.

  • Dijetari Salih El-Feuzan (Allahu e ruajttë) thotë: “Njeriu e lut Allahun që ta bëjë të qëndrueshëm në fe, edhe nëse e di të vërtetën, punon sipas saj dhe e beson atë.” Et-Ta’lik ala Sherhi Es-Sunne, 1/48.

  • I thanë imam Abdullah ibn Mubarekut (Allahu e mëshiroftë): “Na e përmblidh moralin e mirë në një fjalë të vetme!” Ai u tha: “Braktisja e zemërimit.” Xhamiu El-Ulumi ue El-Hikem, 1/363.

  • Imam El-Mundhirij (Allahu e mëshiroftë) thotë: “Ai që shkruan dije të dobishme, do të ketë shpërblimin për mundin e vet, shpërblimin e atij që e lexon, apo e shkruan, apo punon me të pas tij, derisa të mbetet ai shkrim.” Et-Tergib ue Et-Terhib, 1/65.

  • Ibn Kajjimi (Allahu e mëshiroftë) shkruan: “Në zemër ka zjarr e pikëllime të cilat nuk i shuan gjë tjetër përveç kënaqësisë me urdhrin, ndalesën dhe caktimin e Allahut, pastaj durimi në tërë këtë derisa njeriu ta takojë Atë, të Madhërishmin, Madhështorin.” Medarixh Es-Salikin, 3/121.

  • “Tre shokët e të Dërguarit (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem): Xherir ibn Abdullah, Handhale dhe A’dij ibn Hatim (radijAllahu anhum) u zhvendosën nga Kufeja (e Irakut) në Kirgizi dhe thanë: “Nuk qëndrojmë në një vend ku fyhet Uthmani (radijAllahu anhu).” Sijer A’lam En-Nubela, 3/165.

  • Imam ibn Xheuzij (Allahu e mëshiroftë) thotë: “Kam vërejtur se shkak për brengat dhe pikëllimet është largimi nga Allahu i Madhërishëm dhe dhënia pas jetës së kësaj bote. Sa herë që ikën diçka prej saj, vjen pikëllimi për atë humbje.” Sajd El-Hatir.

  • Imam ibn Bazi (Allahu e mëshiroftë) thotë për gjumin në kohën e namazit të sabahut: “Allahu na ruajt nga një gjë e tillë! Njeriu çohet nga gjumi për nevojat e kësaj bote dhe për t’i kryer detyrimet ndaj krijesave, e nuk çohet për të kryer detyrën ndaj Allahut të Lartësuar.” Mexhmu’ul-fetaua, 29/179.

  • Umer ibn AbdulAzizi (Allahu e mëshiroftë) thotë: “Sa herë që kam lënë diçka nga kjo botë, Allahu ma ka zëvendësuar në zemër me diçka tjetër më të mirë sesa ajo.” El-Uera’, ibn Ebi Ed-Dunja, 55.

 

Përktheu: hoxhë Petrit Perçuku.

Shpërndaje artikullin
Madhësia e tekstit