A bëhet me fjalë nijeti për agjërim?

A bëhet me fjalë nijeti për agjërim?

Përgjigje nga hoxhë Lulzim Perçuku: Nijeti është çështje e zemrës, për të gjitha adhurimet. Allahu e di qëllimin e personit. Ku është qëllimi? Qëllimi/nijeti është në zemër. Para se njeriu ta shprehë me gjuhë qëllimin, atë e ka në zemër.  Andaj, nuk është e nevojshme ta shprehë me gjuhë/fjalë. Kjo është teprim në fenë e Allahut. Për më tepër, është bidat/risi në fe. Kurrë nuk është transmetuar se i Dërguari salAllahu alejhi ue selem apo shokët e tij ta kenë bërë me gojë nijetin për ndonjë prej adhurimeve, qoftë namaz, agjërim etj. Ajo që ka ardhur si transmetim se ai salAllahu alejhi ue selem në haxh ka thënë “O Allah të përgjigjem për haxh” apo “…umre”, dijetarët thonë se kjo nuk është nijet, por për të treguar/shpallur se cilin rit është duke e kryer, pra për të dalluar. Prapëseprapë, nijeti në haxh bëhet me zemër, jo me gojë.

Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem ka thënë: Veprat janë sipas nijeteve, nijetit janë qëllimet, që janë në zemër. Andaj, nëse dikush çohet në syfyr për të ngrënë për ta agjëruar të nesërmen, ai veçse e ka bërë nijetin për agjërim. Ky është nijeti, pa pasur nevojë për pohim (me gojë).

Kur të hyjë nata e parë e Ramazanit, është obligim të bëhet nijeti me zemër për agjërimin e të gjithë këtij muaji. Pastaj, për çdo natë të Ramazanit nuk është obligim ripërtërija e këtij nijeti, por është gjë veç e preferuar. Ngritja në syfyr veçse është bërje e nijetit. Mirëpo, është një rast që duhet të ripërtërihet nijeti për agjërimin e Ramazanit, shembull:

-dikush udhëton jashtë shtetit disa ditë dhe nuk e ka obligim të agjërojë, me ç’rast ha. Kur të kthehet duhet ta ripërtërijë nijetin. Tash e ka obligim ta ripërtërijë nijetin që të agjërojë pjesën tjetër të Ramazanit;

-dikush ka agjëruar disa ditë dhe është sëmurë (duke iu lejuar mosagjërimi) dhe duke mos mundur të vazhdojë me agjërim e ka prishur, kur të shërohet pas dita ditëve e ka obligim ta ripërtërijë nijetin për pjesën tjetër të Ramazanit;

-femra e cila e ka ndërprerë agjërimin për shkak të ardhjes së menstruacioneve, kur e rifillon agjërimin pasi i kryen ato, e ka obligim ta ripërtërijë nijetin për të agjëruar pjesën tjetër të Ramazanit.

Shpërndaje artikullin
Madhësia e tekstit