A e arrijnë shpërblimin e faljes me imam ata që pas tetë rekateve të teravisë ikin nga xhamia?

A e arrijnë shpërblimin e faljes me imam ata që pas tetë rekateve të teravisë ikin nga xhamia?

Hoxhë Lulzim Perçuku: Këtu ka mospajtime mes dijetarëve. Disa dijetarë thonë se e arrijnë shpërblimin sepse nuk lejohet të shtohet më shumë se tetë rekate ngase Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem nuk ka shtuar më shumë se kaq, andaj edhe ummeti i tij nuk duhet të shtojë më shumë; edhe nëse nuk e pasojnë imamin deri në fund, ata thonë se arrihet shpërblimi sepse e kanë pasuar sunetin profetik.

Mendimi më i saktë është se nuk e arrijnë shpërblimin e faljes me imam. Shpërblimin e faljes me imam e arrin ai që falet me të derisa ta përfundojë, edhe nëse ai fal më shumë se tetë rekate teravi.

E kemi përmendur shpesh se mendimi më i saktë është se lejohet të shtohet më shumë se tetë rekate. Nuk ka hadith të prerë që e ndalon këtë gjë. Përkundrazi, tregohet në hadithe se gjatë tri netëve që është fal Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem namaz nate (në Ramazan), në të treten natë sahabët i kanë thënë: “Sikur të na shtoje më shumë rekate!” Ai salAllahu alejhi ue selem ka thënë: “Ai që falet me imamin derisa ta përfundojë, i shkruhet sikur të ishte falur tërë natën.” Dhe nuk u ka thënë se nuk lejohet të shtohet më shumë (se tetë rekate).

Ne e dimë se është rregull në bazat e fikut se vonimi i sqarimit përtej kohës së tij nuk lejohet. Sikur të ishte e ndaluar të shtohet më shumë se tetë rekate, Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem gjithsesi do ta kishte për detyrë t’ua sqaronte sahabëve, e jo t’ua vononte sqarimin për një kohë tjetër.

Po ashtu, kanë ardhur hadithe të tjera në të cilat Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem ka thënë se namazi i natës është dy nga dy, dhe kush frikësohet se e zë sabahu, le të falë një rekat namaz vitër (dhe t’i bëjë tek ato rekate). Nuk ka kufizuar me numër (se sa rekate nafile).

Sa i përket personit i cili lodhet kur është në namaz të teravive, le të falet ulur dhe shpërblimin e ka sikur të ishte falur në këmbë; shpërblimin e ka të plotë (nëse nuk mund të falet në këmbë për shkak të lodhjes). Tërë namazin e natës njeriu mund ta falë ulur qëllimisht, edhe pse shpërblimin e ka të përgjysmuar. Kurse nëse është i lodhur shumë dhe ka gjumë, me ç’rast nuk di se çfarë po thotë në namaz, Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem për të tillin ka thënë të shkojë të flejë e pastaj të falet. Nuk bën të falet në këtë gjendje kur ka nevojë të madhe për gjumë, ngase siç thotë i Dërguari salAllahu alejhi ue selem “do që ta lusë Allahun dhe lutet kundër vetes”.

Shpërndaje artikullin
Madhësia e tekstit