Në dritën e Kur’anit dhe Sunetit

Afërsia e njerëzve të moralshëm me Profetin [1]

Sa herë që njeriu përmirëson moralet, gjithmonë e më shumë do të afrohet tek Profeti (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) ditën e gjykimit, kjo për vet faktin se Profeti (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) i do ata që posedojnë moral të mirë.

Transmetohet nga Xhabiri se Profeti (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) ka thënë: “Njerëzit që dua më shumë nga ju dhe që do të jenë më afër meje ditën e gjykimit, janë më të moralshmit nga ju. Ndërsa, njerëzit më të urryer tek unë dhe më larg meje ditën e gjykimit, janë llafazanët, kryeneçët dhe mutefejhikunët. Të pranishmit thanë: O i dërguari i Allahut, i njohim llafazanët dhe kryeneçët, por nuk i njohim këta të fundit, mutefejhikunët? Tha: Ata janë mendjemëdhenjtë.” [2] Imam Tirmidhiu duke i sqaruar këto shprehje, thotë: Llafazan quhet ai që flet shumë, kryeneç është ai që stërmundohet të dalë sipër njerëzve me fjalët e tij duke i sharë ata.

Sikur të mos përmendnim për moralet e larta vetëm se këtë hadith, do të mjaftonte për të na treguar se arritja e dashurisë nga ana e Profetit (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) dhe afrimi tek ai, është një gjë shumë e madhe, e cila mund të arrihet me moralin e mirë.

Tashmë u kujtohet hadithi që përmendëm disa faqe më parë, se si Profeti (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) ishte ulur me Ebu Bekrin kur njihej morali i lartë i tij. Por kur ai bëri një gjë jo të hijshme, Profeti (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) u largua edhe pse vepra që ai bëri nuk ishte mëkat. Nga kjo çdo lexues mendjemprehtë e kupton fshehtësinë e afërsisë së njerëzve të moralshëm tek Profeti (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!), e s’ka dyshim se suksesi është vetëm nga Allahu.

Të flasësh për moralet dhe vlerat e tyre është një temë e gjerë, por mua më mjafton qëllimi që kisha për t’i kujtuar ithtarët e besimit me disa nga këto, në mënyrë që të kujtohet ai që ka harruar dhe të zgjohet ai që është hutuar. Çdokush të pyes veten: a është i butë me njerëzit? A u buzëqesh atyre? Le ta pyes veten: a janë njerëzit të sigurt prej tij? A janë të qetë në fqinjësinë e tij? A ndiejnë kënaqësi kur bëjnë dialog me të? Dhe a bëjnë gara për ta shoqëruar në udhëtimet e tij? A janë të sigurt ndaj dredhive kundrejt vetëve të tyre, apo në pasuritë dhe nderet e tyre? Një njeri i tillë duhet të jetë dorëlëshuar kur shet, dhe falës kur blen, t’i ketë fjalët të vërteta dhe të përmbushë premtimin. T’i ketë fjalët të mira ndërsa duart t’i ruajë nga sherri, sytë t’i ruajë nga dredhitë, përshëndetjen me selam t’ia japë shërbëtorit ashtu siç ia jep komandantit, buzëqeshjen në fytyrë t’ua dhurojë atyre që nuk i njeh ashtu siç ua dhuron të tjerëve prej të cilëve ka interes. Smirën e zemrës ta hedhë tutje ndërsa mendimin për vëllezërit ta përmirësojë, ndërsa vëllazërinë me ta, ta bëjë edhe më të sinqertë.

Allahu i Lartësuar thotë: “Besimtarët dhe besimtaret janë të dashur për njëri-tjetrin, urdhërojnë për të mirë dhe ndalojnë nga e keqja, falin namazin dhe japin zekatin, respektojnë Allahun dhe të dërguarin. Të tillët do t’i mëshirojë Allahu, Ai është Ngadhënjyes, i Urtë.”[3]

Prandaj pajisuni me këto morale në mënyrë që të bëheni të denjë për të hyrë në mëshirën e Allahut të Madhëruar:” Të tillët do t’i mëshirojë Allahu.” Sepse ai që mëshiron të tjerët, do të mëshirohet nga Allahu. Transmetohet nga Abdullah bin Amër se Profeti (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) ka thënë: “Të mëshirshmit do t’i mëshirojë Mëshirëploti. Mëshironi ata që janë në tokë, në mënyrë që t’iu mëshirojë Ai që është në qiell (Allahu).”[4]

—————————————————————————-

[1] Marrë nga libri “Këshilla të arta për morale të larta” i shejh AbdulMelik Ramadani, botim i qendrës Imam Albani.

[2] Transmeton Tirmidhiu me nr. 2017, dhe e saktësoi shejh Albani.

[3] Suretu Teube, 71.

[4] Transmeton Ebu Daudi nr. 4941, dhe Tirmidhiu nr. 1926. Saktësoi Shejh Albani në “Vargu i haditheve të sakta”, me nr. 925.

 

  • Shpërndaje
Share on facebook
Share on telegram
Share on whatsapp
Share on twitter
Share on email

NA NDIQNI NË FACEBOOK

ABONOHU NË EMAIL

Pranoni postimet e reja në email duke u abonuar

POSTIMET E FUNDIT

RËNDËSIA E TEUHIDIT

MË TË KLIKUARAT

Arkiva