Në dritën e Kur’anit dhe Sunetit

Dallimet midis tregtisë dhe kamatës

Autor: Shejh Salih el Feuzan

Përzgjedhur nga libri “El Ferku bejnel bej’i ve riba”

Krahasimi mes tregtisë dhe kamatës

Pabesimtarët e konsideronin tregtinë të njëjtë me kamatën. Ata thanë: ‘Tregtia është njëlloj si kamataria’. [1] Kjo ishte një përpjekje e dështuar nga ana e tyre, sepse dallimet midis tregtisë dhe kamatës janë shumë të mëdha.

Prej këtyre dallimeve po përmendim këto:

Së pari: Shitblerjen e ka lejuar Allahu, kamatën e ka ndaluar, dhe këtë robërit e Allahut duhet ta pranojnë pa asnjë kundërshtim.

Së dyti: Tregtia përmes shitblerjes mund të sjellë fitime dhe humbje, për më tepër kërkon profesionalizëm dhe mund. Kurse fitimi nga kamata është i caktuar gjithherë dhe njëherësh nuk kërkon profesionalizëm por kontribuon në ngecje, rënie dhe përtaci.

Së treti: Shitblerja sjell këmbim dhe dobi për të dy palët (shitësin dhe blerësin), kurse kamata sjell dobi vetëm për njërën palë.

Krahasimi mes kamatës dhe kumarit (bixhozit)

Ndalesa nga kamata është më e ashpër se ajo nga kumari, sepse kamatari e merr shtesën (kamatën) nga nevojtari në formë të sigurt, kurse kumarxhiu mund të marrë fitimin (nëse fiton), por mund edhe të mos e marrë (nëse humbë). Pra, kamata konsiderohet një padrejtësi e pashmangshme, sepse gjithherë dëmtohet i varfri nga i pasuri, përkundër kumarit, ku ndodhë që i varfri të marrë pasuri nga i pasuri, megjithëse ndodhë që të dy këta të fundit të jenë të barabartë në pasuri. Edhe pse në kumar shpërdorohet pasuria e tjetrit me pa të drejtë, prapëseprapë nuk bëhet padrejtësi në dëm të nevojtarit si në rastin e kamatës. Dhe siç edhe dihet padrejtësia ndaj një nevojtari është më e rëndë se ndaj një të kamuri.[2]

Krahasimi mes kamatës dhe sadakasë

Allahu i lartësuar kamatën e ka vënë në anën e kundërt të sadakasë, kamatari qëndron në një anë kurse ai që jep sadaka në anën tjetër. Allahu i lartësuar thotë: “Allahu ia heq çdo përfitim kamatës, kurse e rrit përfitimin e Sadakasë”[3] , Dhe thotë: “Ato që i jepni dhuratë për t’jua shtuar (pasurinë tuaj) përmes pasurisë së njerëzve të tjerë (duke jua kthyer dhuratën me një më të mirë), nuk do të shtohen tek Allahu (s’do të ketë shpërblim), kurse kur të jepni si bamirësi, për të arritur kënaqësinë e Allahut, do t’ju shumëfishohen (të mirat)”.

Po ashtu thotë: “O besimtarë! Mos pranoni kamatë të shumëfishtë mbi kamatë! Kijeni frikë Allahun, që të shpëtoni. Dhe ruajuni zjarrit, i cili është përgatitur për jobesimtarët!” [4]

Pas këtij ajeti Allahu i lartësuar sjell ajetet që përmendin xhenetin, i cili është përgatitur për të devotshmit, të cilët japin nga pasuria e tyre edhe kur janë në rehati po edhe kur janë në vështirësi. Pra ai që jep sadaka është ndryshe nga kamatari, sepse ai që jep u ndihmon njerëzve, kurse kamatari u bën padrejtësi atyre. Allahu thotë: “Ata që japin nga pasuria e tyre natën dhe ditën, fshehurazi dhe haptazi, do të kenë shpërblim te Zoti i tyre; ata nuk do të kenë pse të frikësohen apo pikëllohen. Ata që marrin fajde, do të ringjallen (në Ditën e Gjykimit) si ai që djalli e ka çmendur me prekjen e vet”.

Kështu pra, në Kuran ajetet që flasin për kamatën vijnë pas ajeteve që flasin për sadakanë, sepse këto dy palë, Allahu i lartësuar i ka vendosur në anë të kundërta, në mënyrë që myslimani të meditojë rreth këtyre dy palëve, në shpërblimin që merr njëra palë dhe ndëshkimin që merr pala tjetër, si dhe për dobitë që sjell në shoqëri njëra palë dhe dëmet që sjell pala tjetër.

Dhënësi i sadakasë u jep nevojtarëve nga pasuria e tij duke mos u kërkuar asgjë në këmbim të saj, kurse kamatari ua merr pasurinë duke mos u dhënë asnjë këmbim për atë.

Dhënësi i sadakasë u ndihmon nevojtarëve dhe ua lehtëson gjendjen atyre që janë në vështirësi, kurse kamatari ua rëndon gjendjen nevojtarëve dhe e shfrytëzon varfërinë e tyre duke ua rënduar edhe më shumë gjendjen në të cilën ndodhen.

Dhënësin e sadakasë Allahu i lartësuar e ka ruajtur nga mahnitja me vetveten dhe ka bërë që të dominojë mbi lakminë, kurse kamatari është dominuar nga lakmia dhe është shkatërruar nga koprracia. Sikurse janë shkatërruar brezat para tij duke lejuar ndalesat e Allahut me çdo lloj dredhie.

Kur është ndaluar kamata?

Kamata është ndaluar qysh në kohët e hershme. Allahu i lartësuar përmend se kamatën ua kishte ndaluar çifutëve: “Ne ua ndaluam atyre disa ushqime të mira, të cilat ishin të lejuara për ta, për shkak të prapësive që bënë, për shkak se ata pengonin shumë njerëz nga udha e Allahut, për shkak se merrnin kamatë, megjithëse kjo ishte e ndaluar për ta dhe për shkak se përvetësonin padrejtësisht pasurinë e njerëzve”[5]

Dijetari i madh El Kurtubi, konsideron se me kamatën e përmendur në këtë ajetnë përfshihet çdo përfitim i pasurisë në mënyrë të palejuar dhe, nuk është për qëllim kamata e cila është e ndaluar për ne, siç thotë Allahu i lartësuar në ajetin vijues: “Ata janë dëgjues të gënjeshtrës dhe e hanë me kënaqësi të madhe atë që është e ndaluar”[6], d.m.th. është për qëllim përfitimi i pasurisë së ndaluar dhe abuzimi me pasuritë e analfabetëve. Ata thanë: “Ne nuk kemi ndonjë detyrim ndaj analfabetëve (arabë)”. Dhe sipas kësaj në këtë ndalesë hyn çdo pasuri e përfituar padrejtësisht.

Po ashtu, kamata ishte e njohur te arabët edhe para Islamit. Allahu i lartësuar në surën Rrum – e cila ka zbritur në Meke disa vite para hixhretit – e ka përmendur kamatën duke e krahasuar me zekatin, d.m.th. e ka përçmuar kamatën dhe e ka lavdëruar zekatin. Dhe kjo para se të bëhej obligim dhënia e zekatit. Allahu i lartësuar thotë: “Ato që i jepni dhuratë për t’jua shtuar (pasurinë tuaj) përmes pasurisë së njerëzve të tjerë (duke jua kthyer dhuratën me një më të mirë), nuk do të shtohen tek Allahu (s’do të ketë shpërblim), kurse kur të jepni si bamirësi, për të arritur kënaqësinë e Allahut, do t’ju shumëfishohen (të mirat)”[7]

Në suret e zbritura në Mekë sqarohen parimet e përgjithshme, detyrimet dhe ndalimet, ku në suren Ali Imran Allahu thotë: “O besimtarë! Mos pranoni kamatë të shumëfishtë mbi kamatë! Kijeni frikë Allahun, që të shpëtoni”[8]

Më pas zbritën ajetet e sures El Bekare, të cilat përmbajnë kërcënim të ashpër ndaj marrjes së kamatës. Këto ajete i zbritën Pejgamberit (salallahu alejhi ue selem) para vdekjes dhe legjitimiteti i kësaj ndalese vazhdon deri në ditën e gjykimit.

Kjo është historia e kamatës dhe ankthi që ajo u ka sjellë popujve gjatë kohërave. Ky është qëndrimi i të gjitha sheriateve të zbritura dhe lufta që i është shpallur këtij mëkati me qëllim që njerëzimi të shpëtohet nga ai. Megjithëse ata të cilët i ka pushtuar shejtani dhe koprracia vazhdojnë të mos binden dhe të përvetësojnë pasurit e të tjerëve me pa të drejtë.

Arsyeja pse u ndalua kamata

Ibën Haxher el Hejthemiu, në librin e tij ‘Ez-zeuaxhir’, përmend shkurtimisht disa arsye pse u ndalua kamata:

– Cenimi i shenjtërisë së pasurisë së myslimanit, të cilit i merret një pjesë duke mos pasur shkëmbim malli mes tyre.

– Dëmtimi i të varfërve, sepse në shumicën e rasteve huadhënës është i pasuri, kurse huamarrës është i varfri.

– Pengohet bamirësia dhe ndihmesa që arrihen përmes huas. Sepse nëse do të lejohej që për një dërhem të kthehen dy, atëherë askush nuk do të pranonte të jepte një për të marrë një tjetër me të njëjtën vlerë.

– Përmes saj çaktivizohen përfitimet, tregtitë, profesionet etj.

Përktheu: Jeton Bozhlani, Lulzim Perçuku

———————————————————————————

[1] El Bekare: 275.

[2] “Mexhmuatul Fetava” (341-347).

[3] El Bekare: 276.

[4] Ali Imran: 130-131.

[5] En Nisa: 160-161.

[6] El Maideh: 42.

[7] Rrum: 39.

[8] Ali Imran: 130.

  • Shpërndaje
Share on facebook
Share on telegram
Share on whatsapp
Share on skype
Share on email

NA NDIQNI NË FACEBOOK

ABONOHU NË EMAIL

Pranoni artikujt e rinj me email duke u abonuar

RËNDËSIA E TEUHIDIT

MË TË KLIKUARAT

Arkiva
Kategori