Në dritën e Kur’anit dhe Sunetit

Detyrat e muajit të ramazanit (pjesa e gjashtë)

Mexhlisi i gjashtë

Përcjellja e ramazanit

Te dy Sahīh-ët përcillet nga Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me të!) se i Dërguari (salallahu alejhi ue selem!) ka thënë: “Ai që agjëron ramazanin me besim dhe shpresë te shpërblimi (nga Allahu), i falen gjynahet që ka bërë. Ai që fal namazin e natës në Natën e Kadrit me besim dhe shpresë te shpërblimi (nga Allahu), i falen gjynahet që ka bërë.”[1] Përsëri Buhariu dhe Muslimi shënojnë nga Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me të!), se i Dërguari (salallahu alejhi ue selem!) ka thënë: “Ai që e fal namazin e natës gjatë ramazanit me besim dhe shpresë te shpërblimi (nga Allahu), i falen gjynahet që ka bërë.”[2]

Kushtet e faljes së gjynaheve me agjërimin e ramazanit

Për arritjen e faljes me anë të agjërimit të ramazanit, janë përcjellë disa kushte, për të cilat duhet të kujdesemi. Te Musned-i dhe Sahīh-u i Ibn Hibanit përcillet nga Seid El-Hudriu (Allahu qoftë i kënaqur me të!), se i Dërguari (salallahu alejhi ue selem!) ka thënë: “Ai që agjëron ramazanin duke i njohur kufijtë e tij dhe duke u ruajtur prej atyre gjërave që duhet të ruhet, arrin faljen e mëkateve që ka bërë më parë.”[3] Shumica e dijetarëve mendojnë se bëhet fjalë vetëm për gjynahet e vogla; se këtë e dëshmon edhe hadithi që ka shënuar Muslimi (233) nga Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me të!), se i Dërguari (salallahu alejhi ue selem!) ka thënë: “Pesë namazet, xhumaja deri te xhumaja tjetër, ramazani deri në ramazanin tjetër i falin gjynahet midis tyre nëse shmangen mëkatet e mëdha.”

Po sipas shumicës së dijetarëve, për faljen e mëkateve të mëdha është kusht pendimi (tewbe) i sinqertë.

Hadithi i Ebu Hurejres (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon se këto tri shkaqe, çdonjëri prej tyre fal gjynahet e bërë më parë; domethënë: agjërimi i ramazanit, falja e namazit të natës dhe falja në Natën e Kadrit. Vetëm falja në Natën e Kadrit i fal të gjitha gjynahet nëse arrihet.

Ndërsa për sa i takon agjërimit të ramazanit dhe faljes së namazit gjatë netëve të tij, kjo bëhet kur plotësohet muaji. Kur muaji të jetë plotësuar, besimtarit i plotësohet agjërimi dhe namazi i natës; kështu që, si rezultat, me plotësimin e këtyre dy shkaqeve, – agjërimit dhe namazit të natës – i falen gjynahet që ka bërë më parë.

Selefët e devotshëm kujdeseshin dhe përpiqeshin ta plotësonin dhe përkryenin punën që bënin, dhe më pas merakoseshin që t’u pranohej puna; dhe kishin frikë se mos u refuzohej. Këta janë ata që “kur japin atë që japin, zemrat e tyre i kanë plot frikë, ngaqë do të kthehen te Zoti i tyre”. (El-Mu’minūn, 60)

Përcillet se Aliu (Allahu qoftë i kënaqur me të!) ka thënë: “Merakosuni për pranimin e veprës më shumë se për vetë veprën. A nuk i keni dëgjuar fjalët e Allahut kur thotë: “Allahu pranon vetëm prej të devotshmit”.” (El-Māide, 28)

Përcillet se Fedale ibn Ubejdi ka thënë: “Sikur ta dija se Allahu ka pranuar prej meje një kokërr sinapi, do të ishte më e dashur për mua se dynjaja dhe gjithçka që ndodhet brenda saj; sepse Allahu i Lartësuar thotë: “Allahu pranon vetëm prej të devotshmit”.” (El-Māide, 28)

Disa prej selefëve rrëfejnë se “ata që qenë para nesh e lusnin Allahu për plot gjashtë muaj me radhë, që t’u bënte të mundur pritjen e ramazanit. Më pas e lusnin për plot gjashtë muaj të tjerë që t’ua pranonte adhurimin e kryer gjatë tij”.

Ibn Mesudit thoshte: “Cili prej nesh është i pranuar, që ta përgëzojmë? E cili prej nesh është i privuar, që ta ngushëllojmë? Urime për ty që je pranuar! Ndërsa ti që je privuar, Allahu të ndihmoftë në fatkeqësinë që të ka rënë!”

Disa nga shkaqet e faljes gjatë ramazanit

Në muajin ramazan shtohen shkaqet e faljes, ku, disa syresh janë si më poshtë:

– Agjërimi, falja e namazit të natës dhe falja e namazit në Natën e Kadrit, sikurse u përmend më sipër.

– Dhënia iftar për agjëruesit dhe lehtësirat që mund të krijohen për robërit.

– Përmendja e Zotit (dhikr).

– Kërkimi i faljes. Duhet theksuar se lutja e agjëruesit merr përgjigje gjatë agjërimit dhe gjatë iftarit.

– Lutjet që bëjnë engjëjt për agjëruesit deri në çastin e iftarit. Duke qenë se shkaqet e faljes shtohen në ramazan, ai njeri që humbet faljen në ramazan konsiderohet tërësisht i privuar.

Te Sahīh-u i Ibn Hibanit përcillet nga Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me të!), se i Dërguari (salallahu alejhi ue selem!) u ngjit në minber dhe tha: “Āmīn, āmīn, āmīn!” Disa i thanë: “U ngjite në minber dhe the (tre herë) āmīn, āmīn, āmīn?” Profeti u përgjigj: “Më erdhi Xhibrili dhe më tha: “Ai që e kap muajin e ramazanit dhe nuk i falen gjynahet, do të hyjë në Zjarr. Një i tillë është larg nga mëshira e Allahut! Thuaj āmīn! Unë thashë: āmīn.” Ai që i ka të dy prindërit ose njërin, dhe nuk sillet mirë me ta, e pastaj vdes/in, do të hyjë në Zjarr. Një i tillë është larg nga mëshira e Allahut! Thuaj āmīn! Thashë: āmīn. Ai njeri në praninë e të cilit përmendesh ti, dhe nuk të dërgon salawāt, e pastaj vdes, do të hyjë në Zjarr. Një i tillë është larg nga mëshira Allahut! Thuaj āmīn! Thashë: āmīn”.”[4]

Seidi përcjell se Katade thoshte: “Atij që nuk i falen gjynahet në ramazan, atij nuk do t’i falen as jashtë tij.”

Shkoi muaji, iki me nxitim e përfundoi.
Xhenetin e fitoi vetëm ai që shërbim i bëri.
Ndërsa unë, i thyer u nda meskini, i shkujdesuri.
Mjerë për të se nga çfarë është privuar!
Atij që i ikën koha e të mbjellave,
përveç mërzisë e dëshpërimit, tjetër nuk do korrë.

Fillimi i muajit të ramazanit është mëshirë, mesi është falje dhe fundi lirim prej Zjarrit.

I gjithë muaji është mëshirë, falje dhe lirim. Për këtë, në një hadith të saktë lexojmë: “Në këtë muaj hapen dyert e mëshirës.”[5]

Te Tirmidhiu dhe te të tjerë lexojmë hadithin: “Allahu liron për çdo natë (disa vetë) nga Zjarri.”[6] Mirëpo, në fillimin e këtij muaji mbizotëron mëshira, e cila është për bamirësit e të devotshmit. Allahu i Lartësuar thotë: “Mëshira e Allahut është afër punëmirëve.” (El-Aʿrāf, 56)

Nga fillimi i muajit, të devotshmëve u hidhet petku i mëshirës dhe kënaqësisë, ndërsa bamirësit trajtohen me mirësi.

Në mesin e muajit mbizotëron falja. Në këtë pjesë të muajit falen agjëruesit, madje, edhe nëse kanë kryer disa gjynahe të vogla – kjo nuk e pengon faljen e tyre, siç thotë Allahu i Madhërishëm: “Zoti yt është Falës për njerëzit, pavarësisht gjynaheve të tyre…” (Er-Raʿd, 6)

Ndërsa në fund të muajit lirohen nga Zjarrit ata që janë ngulfatur prej mëkateve, gjë që e kanë merituar zjarrin, pikërisht si pasojë e mosbindjes ndaj Zotit.

Duke qenë se falja dhe lirimi prej Zjarrit vijnë si rrjedhojë e agjërimit dhe faljes së namazit të natës, Allahu i Lartësuar ka urdhëruar që, pas plotësimit të ditëve të agjërimit, ta madhërojmë dhe falënderojmë Atë. Në Kuran thuhet: “Ai dëshiron që të plotësoni numrin e ditëve të agjërimit dhe që ta madhëroni Allahun (në fund të agjërimit), për shkak se ju ka drejtuar në rrugë të drejtë e që ta falënderoni Atë.” (El-Bekare, 185) Të falënderojnë Atë që i begatoi robërit e Tij duke u mundësuar agjërimin e duke i ndihmuar. Të falënderojnë për faljen dhe lirimin e tyre nga Zjarri. Ta përkujtojnë, falënderojnë e t’i frikësohen ashtu siç e meriton.

Shkaqet që bëjnë të mundur lirimin nga Zjarri

Ai që shpreson të lirohet nga Zjarri në muajin e ramazanit, duhet të përmbushë shkaqet që e bëjnë të domosdoshme lirimin që andej, që në këtë muaj lehtësohen. Në hadithin e Selman Farisiut (Allahu qoftë i kënaqur me të!), që e shënon Ibn Huzejme në Sahīh-un e tij, i Dërguari (salallahu alejhi ue selem!) ka thënë: “Ai që i jep iftar një agjëruesi, do të jetë lirim nga Zjarri për dhënësin. Po ashtu, ai që i bën lehtësime robit të tij gjatë këtij muaji, do jetë lirim nga Zjarri për të.”

Po aty lexojmë: “Gjatë këtij muaji të jeni të përqendruar sa më shumë te katër virtyte; dy prej të cilave kënaqin Zotin tuaj; kurse dy të tjerat janë të domosdoshme për ju. Dy virtytet me të cilat kënaqet Zoti juaj janë: dëshmia lā ilāhe il-lAllāh dhe kërkimi i faljes[7] . Ato që janë të domosdoshme për ju janë: t’i kërkoni Allahut Xhenetin dhe mbrojtjen nga Zjarri.”[8] Këto katër virtyte të përmendura në këtë hadith, çdocili më vete është shkak për lirim e njeriut nga Zjarrit.

Për sa i përket dëshmisë së tewhīd-it (lā ilāhe il-lAllāh), ajo i rrënon mëkatet dhe i fshin ato tërësisht. Ajo i heq të gjitha mëkatet nga njeriu dhe, asnjë vepër nuk e ka vlerën e saj. Kjo dëshmi është e barasvlershme me lirimin e robërve, gjë që e bën të detyrueshëm lirimin nga Zjarri. Ai që e thotë atë katër herë në agim dhe në mbrëmje, Allahu e liron nga Zjarri. Ndërsa ai që e thotë me sinqeritet nga zemra, Allahu ia ndalon hyrjen në Zjarr.

Në lidhje me istgfār-in, pohojmë se është një prej shkaqeve më të mëdha të faljes; meqë istgfār-i është lutje për falje, dhe lutja e agjëruesit pranohet gjatë kohës që është agjërueshëm, por edhe gjatë iftarit.

Umer ibn Abdulazizi u pat shkruar njëherë letra vartësve të tij nëpër qytete, ku i urdhëronte të mbyllin muajin e ramazanit me istgfār, me lëmosha dhe me sadakanë e fitrit; sepse sadakaja e fitrit e dëlir agjëruesin nga fjalët e kota e të ndyra. Istigfār-i e arnon agjërimin aty ku është grisur për shkak të fjalëve të kota e të ulëta.

Afërsisht i njëjtë me këtë është urdhri i Pejgamberit (salallahu alejhi ue selem!) për Aishen (Allahu qoftë i kënaqur me të!), që në Natën e Kadrit të lutej për falje. Gjatë muajit të ramazanit besimtari përqendrohet te agjërimi dhe namazi i natës dhe, kur i afrohet fundi dhe arrin Natën e Kadrit, nuk kërkon gjë tjetër nga Allahu përveç faljes; njëlloj si një mëkatar me mangësi. Istigfār-i më i mirë është ai që kombinohet me tewbe, që do të thotë, të zgjidhet nyja e vazhdimësisë në mëkate. Ai që kërkon falje me gjuhën e tij dhe zemrën e ka të lidhur me mëkatet, dhe ka ndërmend që pas kalimit të muajit t’u rikthehet atyre, atij i refuzohet agjërimi dhe dera e pranimit është e mbyllur për të.

Robër të Allahut!
Njëmend që muaji i ramazanit është në përfundim e sipër, e nuk kanë mbetur veçse pak ditë; kështu që, kush ka vepruar mirë, duhet ta përkryejë, e kush ka treguar mangësi, të mundohet që ta mbyllë me mirësi. Veprat vlerësohen sipas përfundimit.

Para çastit të ndarjes ka mundësi
të naltohesh e të arrish çdo të mirë që ke shpresuar.
Mundet që e thyera të ngjitet, e të pranohet ai që është penduar,
të lirohet gabimtari e të lumturohet ndonjë hallexhi.

Përktheu: Blerim Krasniqi

_________________________________________________

[1] Buhariu (1901) dhe Muslimi (760).
[2] Buhariu, nr. 37.
[3] Ahmedi, 3/55. Shejh Shuajb Arnauti, te Musned-i (18/84), thotë: “Sened-i i këtij hadithi është i dobët; por haidithi është hasen.”
[4] Ibn Hibani, 3/188.
[5] Muslimi, nr. 1079.
[6] Tirmidhiu (682) dhe Ibn Maxhe (1643).
[7] Istigfār.
[8] Sahīh Ibn Huzejme, 3/191.

  • Shpërndaje
Share on facebook
Share on telegram
Share on whatsapp
Share on twitter
Share on email

NA NDIQNI NË FACEBOOK

ABONOHU NË EMAIL

Pranoni postimet e reja në email duke u abonuar

POSTIMET E FUNDIT

RËNDËSIA E TEUHIDIT

MË TË KLIKUARAT

Arkiva