Dhikri- vepra më e mirë dhe më e dëlirë

Dhikri- vepra më e mirë dhe më e dëlirë

Ibn Rexheb rahimehullah thotë: “Tekstet që tregojnë se dhikri është më i vlefshëm tek Allahu sesa lëmosha dhe veprat e tjera, janë të shumta.” Abdullah ibn Mesudi radijAllahu anhu ka thënë: “Bërja tesbih Allahun (përmendja e Tij) është më e dashur për mua sesa të shpenzoj prej pasurisë sime po aq dinarë në rrugën e Allahut.” Dhikri i Allahut është më i vlefshëm sesa shpenzimi i pasurisë- kështu kanë thënë selefët. Nuk duhet kuptuar se me këtë është për qëllim pakësimi i vlerës së shpenzimit në rrugën e Allahut, mirëpo për qëllim është të tregohet pozita e lartë që ka dhikri, se vërtetë është një vepër e rëndësishme e cila zë vend të madh tek Allahu. Nëse bëhen bashkë të gjitha adhurimet/veprat, qëllimi se pse janë ligjësuar ato, është që të ngritët lartë përmendja e Allahut.

 

Dhikri dhe namazi

Allahu thotë në Kuran: “…dhe kryej faljen për të më kujtuar Mua!” Ta ha, 14. Së pari, këtu tregohet vlera e madhe e namazit, i cili është përulje, përgjërim dhe qëndrim para Allahut, si dhe lutje drejtuar Atij. Por, gjithashtu përmes tij e ngjallim përmendjen e Allahut. Një njeri që hyn dhe del nga namazi, duke mos e kujtuar Allahun gjatë faljes, ai pak ose fare hiç nuk ka përfituar nga ai namaz.  Vetë namazi është përmendje e Allahut. Allahu e ka quajtur të këtillë. Ai thotë në suren Xhumah: “O besimtarë, kur të thirreni për (të falur) namazin (e xhumasë) në ditën e premte, nxitoni për ta përmendur Allahun…”, ajeti 9. Pra, Allahu namazin e ka quajtur dhikër, ngase ai është shpirti dhe esenca e namazit, është pjesa më thelbësore e tij. Njeriu i cili e arrin shpërblimin më të madh gjatë faljes është ai i cili e përmend Atë më shumë, e kujton Atë dhe është i përqendruar në këtë. Kështu thuhet për çdo adhurim i cili na afron tek Allahu. Sa më shumë që ta përmendësh Allahun gjatë një vepre, shpërblimin e ke më të madh.

 

Dhikri e shton shpërblimin e veprës

Sa më shumë që ta përmendësh Allahun gjatë një vepre, shpërblimin e ke më të madh. Në një transmetim tregohet se i Dërguari salAllahu alejhi ue selem është pyetur: “Cili është më i miri prej atyre që janë në xhami (për namaz)?” dhe thotë: “Ai i cili më së shumti e përmend Allahun.” Pastaj e kanë pyetur: “Cili është më i miri prej atyre që e falin namazin e xhenazes?” dhe thotë: “Ai i cili më së shumti e përmend Allahun.” E kështu me radhë përmenden edhe veprat e tjera. Në një prej transmetimeve e pyesin: “Cili prej atyre që e vizitojnë një të sëmurë ka shpërblimin më të madh tek Allahu?” dhe u thotë: “Ai i cili e përmend Allahun më së shumti.”

 

Ibn Kajjim rahimehullah thotë: “Më i miri prej atyre të cilët e kryejnë ndonjë adhurim (vepër), është ai i cili më së shumti e përmend Allahun gjatë atij adhurimi. Prandaj, prej agjëruesve, më i miri është ai i cili më së shumti e përmend Allahun gjatë agjërimit. Më i miri prej atyre të cilët japin lëmoshë nga pasuritë e tyre, është ai i cili më së shumti e përmend Allahun gjatë kësaj vepre. Prej haxhilerëve më i miri është ai i cili më së shumti e përmend Allahun gjatë haxhit. Kjo vlen për të gjitha veprat e tjera.”

 

Përmendja e Allahut është më e madhja vepër

Allahu thotë: “Lexo (o Muhamed) atë që të është zbritur ty prej Librit (Kuranit) dhe fale namazin! Vërtet që namazi të ruan nga shthurja dhe nga çdo vepër e shëmtuar dhe vërtet që përmendja e Allahut është më e madhe!” Ankebut, 45. Dijetarët kanë dhënë mendime të ndryshme se çfarë nënkupton Fjala: “Përmendja e Allahut është më e madhja!”

-Disa kanë thënë: përmendja e Allahut që ua bën njerëzve kur ata e përmendin Atë (në adhurimet e tyre), është shumë më e madhe sesa përmendja e tyre ndaj Tij. (Kemi thënë në mësimet e kaluara se Allahu e përmend atë i cili e përmend Atë).

-Disa të tjerë kanë thënë: përmendja e Allahut në namaz dhe në leximin e Kuranit, është më e madhe dhe më e vlefshme se çdo vepër tjetër.

-Disa të tjerë kanë thënë: përmendja e Allahut është më e vlefshme se të gjitha adhurimet e tjera në të cilat nuk përmendet Allahu apo përmendet pak.

-Disa të tjerë kanë thënë: vazhdimësia në përmendjen e Allahut ndalon prej gjërave të pahijshme (imoralitetit) dhe të shëmtuara më shumë sesa namazi.

Ibn Tejmije rahimehullah thotë: “E vërteta se si duhet të kuptohet ky ajet është se namazi është ligjësuar për dy qëllime shumë madhështore, ku secili prej tyre është më i madh sesa tjetri. E para: namazi ndalon prej gjërave të pahijshme dhe prej mëkateve. E dyta: namazi e përmban/përfshin përmendjen e Allahut. Kurse, përmendja e Allahut të cilën e përmban namazi, është shumë më e madhe sesa e para.”

Selman el Farisiu radijAllahu anhu është pyetur: “Cila prej veprave është më e vlefshmja?” Është përgjigjur: “A nuk e lexon Kuranin?! Allahu ka thënë në Kuran: “Përmendja e Allahut është më e madhja!”

 

Shtimi i përmendjes së Allahut

Allahu i Madhëruar i ka urdhëruar besimtarët që të shtojnë dhikrin, në çdo gjendje, në këmbë, ulur, shtrirë, gjatë natës e ditës, në tokë e det, kur janë në udhëtim apo vendas, në pasuri e varfëri, në shëndet e sëmundje, vetëm apo me të tjerët. Dhe na ka treguar se kjo gjë sjell shpërblime të shumta dhe përfundim të mirë. Në suren Ahzab Allahu thotë: “O besimtarë, përmendeni shpesh Allahun dhe lavdërojeni Atë në mëngjes dhe në mbrëmje!” Pastaj tregon shpërblimet nga kjo dhe thotë: “Është Ai që ju bekon (dërgon salavate për ju), ndërkohë që engjëjt e Tij luten për ju, me qëllim që Ai t’ju nxjerrë nga errësira në dritë. Ai është Mëshirues ndaj besimtarëve. Përshëndetja e tyre, kur ta takojnë Atë, është “Paqe”. Ai u ka përgatitur atyre shpërblim bujar. ” Ajetet 41-44. Ibn Abbasi në komentimin e këtij ajeti thotë: “Kur ju e shtoni përmendjen e Allahut, Vetë Ai dhe engjëjt e Tij do të dërgojnë salavate për ju.” Me dërgimin e salavateve nga Allahu për ata që e përmendin Allahun, është për qëllim se Ai i lavdëron ata tek engjëjt. Ndërsa, me dërgimin e salavateve nga engjëjt për ta, do të thotë se engjëjt luten dhe kërkojnë falje për ta tek Allahu.

 

Hoxhë Lulzim Perçuku – Derset Fikhu i lutjeve dhe dhikreve – Transkriptim.

Shpërndaje artikullin
Madhësia e tekstit