Dija dhe vlera e saj- hoxhë Lulzim Perçuku (ligjëratë e transkriptuar)

Dija dhe vlera e saj

Ligjëratë nga hoxhë Lulzim Perçuku

Në këtë botë ka shumë shkenca, dituri dhe dije. Mirëpo vlera e tyre dallon nga njëra-tjetra në bazë të qëllimit se për çfarë mësohen.  Gjithashtu ndryshojnë dhe dallojnë në bazë të vendit dhe burimit se nga merren dhe prej nga përfitohen. E dija më e ndershme, më e vlefshme, më e mirë dhe më e dobishme është ajo dije përmes së cilës njeriu e arrin lumturinë e zemrës së tij, përmes së cilës gjoksi rehatohet e qetësohet dhe brendësia e shpirti gjen prehje. E kjo është dija e cila merret prej Kuranit dhe sunnetit. Kjo pra është dija e fesë, përmes së cilës njeriu e njeh Zotin e tij, Allahun, e njeh vetën e tij dhe e arrin synimin e tij.

Allahu i ka urdhëruar besimtarët që të marrin shkaqet e kërkimit të dijes për ta arritur këtë dije, përmes së cilës e njohin Atë. Ai i ka ngritur lartë ata besimtarë të cilët janë të pajisur me dijen e fesë islame, duke i veçuar ndaj besimtarëve të tjerë. Ai thotë: “Allahu do t’i ngrejë në shkallë të lartë ata midis jush që besojnë dhe që u është dhënë dija.” Surja Muxhedele, 11. Dijetarët dhe ata që kanë dije janë më lartët sesa besimtarët e tjerë.

Vlera e dijes

Kjo dije është jeta e zemrës tënde, ndriçimi i shikimit dhe syve të tu prej padrejtësive të ndryshme.  Përmes saj njeriu e arrin vendbanimin e të zgjedhurve, shkallët e larta në xhenetin e Allahut. Dija e fesë është udhëheqësi i veprës tënde. Çdo vepër të cilën njeriu ia dedikon Allahut, e pason këtë dije. Nuk është i mundur adhurimi ndaj Allahut pa pasur dije. Nuk është gjë e preferuar adhurimi ndaj Allahut pa pasur dije. Dija gjithnjë e ngrit dhe e shton besimin tënd, e gjallëron dhe i jep jetë brendësisë tënde. Ndërsa në vetën tënde ajo i mbjell virtytet e larta. Ajo e mbron njeriun prej të këqijave të shpirtit të tij, që egoja e tij të mos e triumfojë atë.

Dija është gjëja më e vlefshme për të cilën shfrytëzohen dhe harxhohen frymëmarrjet dhe jetët tona. Ajo është rrugë e të gjitha rrugëve dhe mjet i të gjitha mjeteve përmes së cilave arrihet te Kënaqësia e Allahut. Përmes dijes, të mëvonshmit (që jemi ne) i arrijnë në shpërblim dhe gradë të larta të mëhershmit, ata të cilët na kanë paraprirë në kohë, në sevape dhe në shkallët e xhenetit.

Kjo dije është shoqëruesi yt kur të tjerët ta kthejnë shpinën, bashkudhëtari yt kur ti je i vetëm, kur të gjithë janë larguar prej teje. Dija është udhëheqësi yt në rrugën tënde drejt Allahut, gjatë gëzimeve, fatkeqësive e sprovave. Ajo është ndriçimi i rrugëve tua drejt xhenetit të Allahut.

Me të kërkuarit e dijes i bindesh Allahut, i përulesh Atij dhe e adhuron Atë. Kërkimi i saj është bindje dhe adhurim ndaj Tij. Mendimet apo mendjen tënde e ndriçon me argumente të prera dhe me fakte ndriçuese. Ajo e udhëzon pronarin e saj drejt udhëzimeve dhe rrugës së drejtë, e ndalon dhe e largon prej gjërave të ulëta që i ka ndaluar Allahu. Beshir el hafi rahimehullah, një nga dijetarët e selefit, thotë: “Nuk kam parë diç më të mirë mbi sipërfaqen e tokës, sesa kërkimin e dijes fetare.” Kjo për shkak se kjo dije të udhëheqë drejt punëve të mira me të cilat Allahu është i kënaqur, të ndihmon në arritjen e burrërisë, fisnikërisë dhe bujarisë. Ajo është ngjallje e fesë së Allahut; kur njeriu pajiset me dije e ngjallë fenë dhe e poshtëron shejtanin.

Sufjan ibn Ujejne thotë: “Kush pajiset me dije fetare, ai i është besatuar Allahut.” Kjo tregon për vlerën e lartë e të pajisurit me dije. Kështu sepse dija është kushti i veprave tua. Përmes pajisjes me dije, ti i di shtyllat e adhurimeve tua të cilat ia kushton Allahut. Përmes dijes e di se cilat janë kushtet, obligimet dhe rregullat e adhurimit ndaj Allahut, e di se çfarë e plotëson, e përsosë, e mangëson, e përmirëson apo e zhvlerëson veprën tënde. Kjo arrihet përmes pajisjes me dije. Ai që nuk ka dije, nuk di as si të adhurohet Allahu. Adhurimin që ia kushton Atij, i tillë nuk di se si ta bëjë.

Për të vetmen çështje ndaj së cilës Allahu e ka urdhëruar Muhamedin salAllahu alejhi ue selem që të kërkojë tek Ai që t’ia shtojë dhe t’ia japë sa më shumë, është dija. Allahu ka thënë: “Dhe thuaj: “O Zoti im, shtoma dijen!” Surja Taha, 114. Islami në mënyrën më të përsosur tregon se si pajisja me dije ka pozitën më të lartë te myslimanët. Njëkohësisht, Islami i frikëson dhe ua tërheq vërejtjen atyre të cilët e konsiderojnë si gjë të ulët dhe të pavlerë dijen fetare, sidomos atyre që tallen dhe përqeshen me dijetarët dhe me ata që kanë dije. Nëse Allahu të ka dhënë dije, ta ka dhënë një mirësi që nuk peshohet me asgjë.

Frytet, rezultatet dhe shpërblimi e dijes janë të shpejta, pra arrihen në këtë dunja para ahiretit. Kur besimtari e njeh Allahun, Kuranin dhe Pejgamberin salAllahu alejhi ue selem, nuk ka kënaqësi dhe lumturi më të madhe sesa kjo. Dobitë e saj janë të shumta e të shumëllojshme. Por dhe rezultatet e saj janë të mira e të lavdërueshme. Kur ai është ambicioz i cili kërkon shkallë më të larta në xhenet dhe vlerë më të madhe tek Allahu, patjetër se do angazhohet dhe do punojë në kërkimin e dijes dhe pajisjes me të. Dijetarët thonë: “Veprat tua të pakta e të sëmura, shëroi me ilaçin e sinqeritetit në kërkimin e dijes fetare.” Pra, nëse ke dije të paktë apo nuk mund ta arrish dijen, bëhu i sinqertë dhe Allahu do ta hapë zemrën dhe do ta mundësojë ta kuptosh atë.

Dija e fesë arrihet veçse duke kaluar mbi urën e vështirësive dhe lodhjeve të shumta. Ai që nuk e përballon vështirësinë e kërkimit të dijes për një orë ose për një çast, thonë dijetarët se tërë jetën do pijë nga gota e injorancës. Kjo dije duhet të merret vetëm prej dijetarëve, të cilëve Allahu ua ka mundësuar ta posedojnë atë.

Nëse shohim në Kuran, shpallja e parë që i ka zbritur Pejgamberit salAllahu alejhi ue selem, shohim se ka zbritur rreth dijes. Dija në Islam ka filluar me bismilah, pra: “Lexo me emrin e Zotit tënd, i Cili krijoi (gjithçka), e krijoi njeriun nga një droçkë gjaku!” Surja Alak, ajeti 1-2.

Dija është dritë në zemrën e besimtarit; dritë e cila vazhdimisht furnizohet prej dritave të “llambës” së Pejgamberit salAllahu alejhi ue selem, ngase dija e fesë është trashëgimi prej tij salAllahu alejhi ue selem. Shpërblimi që e arrin në kërkimin e saj, është lumë i shpërblimeve që rrjedhë gjatë jetës tënde dhe pas vdekjes tënde. Gjithherë ka shpërblim ai që e mëson dijen, pajiset me të dhe ua mëson edhe të tjerëve. Të kapurit pas një rrugë që të ndihmon në pajisjen me dijen fetare, është lehtësim i rrugës tënde drejt xhenetit të Allahut. Mjafton ajo se kjo dije është rrugë që të dërgon drejt kënaqësive dhe të afron sa më afër Allahut.

Engjëjt i duan ata të cilët mblidhen për të kërkuar dije, që bëjnë mexhlise të dijes. Engjëjt i rrethojnë ata me krahët e tyre, siç ka ardhur në hadithe të shumta. Banorët e qiejve dhe të tokës bëjnë istigfar (kërkojnë falje) për kërkuesin e dijes. Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem ka thënë: “Ai që ecë në një rrugë për kërkimin e dijës së fesë së Allahut, Ai ia mundëson atij të ecë në një prej rrugëve të xhenetit. Vërtetë engjëjt i përulin krahët e tyre prej kënaqësisë së madhe ndaj veprës së kërkuesit të dijes. Për dijetarin kërkojnë falje banorët e qiellit dhe tokës, madje dhe peshku në det. Vlera e dijetarit ndaj adhuruesit të Allahut, është sikurse vlera e hënës ndaj yjeve të tjerë.” Tirmidhiu në sunnen.

Vlera e dijetarëve

Ndokush mund të mashtrohet e të thotë se ai i cili fal shumë namaz, apo agjëron shumë, është më i mirë sesa ai që ka dije. Ne shumë pak përfitojmë nga yjet në krahasim me hënën. Hëna na ndriçon më shumë sesa yjet. Thotë Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem: “Vërtetë dijetarët janë trashëgues së Pejgamberëve. Pejgamberët nuk kanë trashëguar dinarë e as dërhemë (pasuri), por dije. Ai që merr nga kjo dije, ka marrë pasuri të pakufishme.” Pra shpërblimet e saj janë të panumërta tek Allahu. Dijetarët janë trashëgimtarët e dijes pejgamberike.

Përmes dijetarëve, Allahu e ka ruajtur Kuranin dhe fenë e tij.  Ata kanë qenë shkak për ruajtjen e fesë së Tij. Mirëpo, edhe Kurani i ka ruajtur ata. Prandaj Allahu thotë për dijetarët: “Në të vërtetë, nga robërit e Tij, Allahut i frikësohen vetëm dijetarët…” Surja Fatir, 28. Allahu i ka veçuar me këtë gjë dijetarët mbi të gjithë njerëzit e tjerë. Ai thotë se ai i cili e ka frikë Allahun është ai që ka dije. Sa më shumë që ke dije, aq më shumë e ke frikë Atë. Ndaj, Hasan el Basri ka thënë: “Sa më shumë që pajisesh me dije, aq më shumë e ke frikë Allahun e Madhërishëm.”

Dijetarët janë yjet përmes të cilëve ne udhëzohemi nga errësirat e devijimeve dhe lajthitjeve të ndryshme, janë yjet përmes të cilëve ne e gjejmë rrugën e drejtë tek Ai. Dijetarët gjithnjë i kanë larguar bidatet e çështjet e devijuara që nuk kanë të bëjnë me fenë. Ata janë shembulli i përqendrimit në rrugën e drejtë, se si duhet që myslimani të qëndrojë besnikërisht në këtë rrugë. Ata janë fortesa e këtij ummeti, kalaja e kësaj feje. Janë ata të cilët Allahu i ka bërë shkak që të ruhet feja e Tij. Ata veprojnë me dijen që i ka pajisur Allahu dhe si rezultat i kësaj është se ata gjithnjë ecin në të vërtetën. Allahu i përshkruan ata: “Ata janë të udhëzuar në të drejtën.” Përmes kësaj të vërtete që Ai ua ka mësuar, ata dhe gjykojnë drejtë, veprojnë dhe i mësojnë të tjerët në të drejtën. Ndaj, Allahu i ka marrë ata si dëshmitarë për gjënë më të vlefshme dhe më madhështore: “Allahu dëshmon, e po ashtu edhe engjëjt, edhe njerëzit e dijes, se nuk ka të adhuruar tjetër që meriton të adhurohet përveç Tij…” Surja Ali Imran, 18. Kur Allahu ka dëshmuar për Veten e Tij se nuk ka të adhuruar tjetër me të drejtë përveç Tij, dëshminë e Tij e ka bërë bashkë me dëshminë e dijetarëve dhe engjëjve. Kjo tregon për vlerën dhe pozitën e lartë që dijetarët e kanë tek Allahu.

Allahu, Kuranin e ka bërë ajete të qarta dhe qartësuese të së vërtetës në gjokset e dijetarëve. Allahu thotë: “Ai (Kurani) është shpallje e qartë në zemrat e atyre, të cilëve u është dhënë dija.” Surja Ankebut, 49.

Umeri radijAllahu anhu thotë: “Të vdesin njëmijë adhurues të Allahut që agjërojnë ditën dhe falen natën, është një gjë më e lehtë sesa vdekja e një dijetari që ka dije për hallallin dhe haramin.”

Dijetarët janë ata të cilët e bartin mbi supet e tyre Fjalën e Teuhidit, janë ata të cilët dëshmojnë se vetëm Allahu e meriton adhurimin, janë ata të cilët ua sqarojnë të tjerëve se si duhet besuar dhe adhuruar Allahu. Ata gjithherë i thërrasin njerëzit në udhëzim me Kuran dhe sunnet.

Kur njerëzit kanë ndonjë mosmarrëveshje, Allahu i ka porositur që të kthehen te dijetarët e t’i pyesin ata. Ai ka thënë: “Pyetni dijetarët nëse ju nuk dini.” Surja Nahl, 43. Kur myslimanët nuk dinë se si të veprojnë rreth një çështje të caktuar, atëherë duhet drejtuar tek dijetarët, ngase përgjigja e tyre i anulon dhe i largon të gjitha dyshimet, paqartësitë dhe pengesat para mendjes së besimtarit, e cila është e etur për shtimin e dijen. Dijetarët janë ata që ta qartësojnë rrugën tënde, të cilët janë të pajisur me dije (të mirëfilltë).

Dija merret prej dijetarëve. E nëse ndokush mendon që ta kuptojë dijen vetëm pa e marrë atë prej dijetarëve, atëherë ata thonë se ai do dalë me mendime e përfundime të cilat janë në kundërshtim me tërë dijetarët e ummetit. Ai që hynë vetë në dije, do dalë vetë ashtu siç dhe ka hyrë.

Dobia e pajisjes me dije

Përmirësimi i veprave tona është i lidhur ngushtë me saktësimin e dijes sonë. Sa më e saktë që është dija jonë e bazuar në Kuran dhe Sunnet, aq më të mira dhe të pranuara do jenë veprat tona tek Allahu. Ndaj, edukimi i vërtetë i cili lundron mbi sunnetet e sakta, pa dyshim që do nxjerrë prej këtij ummeti njerëz të besueshëm të cilët përmbushin përgjegjësitë dhe obligimet e tyre, që këshillojnë në të mirë dhe thërrasin në bashkimin dhe vëllazërimin në sunnetin e Pejgamberit salAllahu alejhi ue selem..

Rezultat i pajisjes me dije është zbukurimi i njeriut me morale të larta, me edukatë të mirë, me udhëzim të mirë (me Kuran e sunnet) dhe me virtyte të larta. Këto janë shenja të një besimtari i cili është pajisur me dijen fetare.

Dija është prej veprave të mira me të cilën ne e adhurojmë Allahun. Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem ka thënë: “Veprat janë sipas qëllimeve (njeteve)”, ndaj edhe dija si çdo vepër tjetër duhet të jetë sinqerisht për hir të Allahut. Nuk ka mundësi që një çështje (p.sh.: dija) të jetë e përsosur, e plotësuar dhe e bereqetshme, përveç kur përmirësohet nijeti i personit. Si mund të dihet nëse është qëllimi (nijeti) i mirë në kërkimin e dijes? Imam Ahmedin kur e kanë pyetur se cili është nijeti i mirë në kërkimin e dijes, ka thënë: “Kur mëson për ta larguar injorancën prej vetvetes dhe të tjerëve.” Nëse e ke këtë qëllim në zemër, që me të mësuarit dhe të kërkuarit e dijes fetare ta largosh injorancën prej vetes tënde dhe të tjerëve, e ke nijetin e sinqertë e të mirë, dhe kjo dije është pranuar tek Allahu.

Të gjitha dijet, e në veçanti dija fetare, nuk janë zbritur për tjetër gjë veçse që njerëzit të përfitojnë prej saj dhe të veprojnë vepra të mira. Dija në veten e saj nuk ka diçka të vlefshme, mirëpo ndershmëria e saj është kur njeriu përfiton prej saj dhe e vë në praktikë në jetën e tij. Ky është qëllimi, dhe jo ajo që të njohësh diçka që nuk e ke njohur më parë. Nëse pajisesh me dije në këtë formë, patjetër ajo do ta përmirësojë fenë tënde, besimin tënd, do ta dëlirë shpirtin tënd dhe moralet e sjelljet e tua. Kjo dije do të ketë rezultate të mira në veprat e tua, pra nëse merret dija e pastër dhe e dobishme, me nijet të pastër për hir të Allahut. E tilla gjithnjë do sjell fryte dhe rezultate të mira.

Prandaj është obligim për të gjithë ne të pajisemi me dije të dobishme, me virtyte e moral të lartë. Të jemi të atillë që në veprat dhe sjelljet e tyre të jenë njerëz me dinjitet, të përulur ndaj Allahut dhe me frikë ndaj Tij dhe modestë ndaj njerëzve. Po ashtu, fenë tonë ta kërkojmë prej burimeve të pastra, që është Kurani dhe sunneti.

Nëse mendjet dhe moralet tona ruhen përmes dijes fetare, nëse edukimi vishet me rrobat e kësaj feje dhe nëse ky edukim lidhet me akiden e pastër, atëherë pa dyshim dhe veprat tona do përmirësohen, rruga jonë drejt Allahut do na qartësohet (se çfarë kërkon Allahu prej nesh).

Shpërndaje artikullin
Madhësia e tekstit