Në dritën e Kur’anit dhe Sunetit

Disa nga dobitë e besimit në Kader (Caktimin dhe paracaktimin Hyjnor )

1. Besimi në Kader (caktimin e Allahut) është prej besimit të plotë. Assesi nuk plotësohet besimi i njeriut, nëse ai nuk beson në Kader.

2. Besimi në Kader është prej besimit të plotë në teuhidin rububij’jeh (njësinë e zotërimit të Allahut), sepse Kaderi është prej veprave të Allahu azze ue xhel-le.

3. Lënia e të gjitha çështjeve në Duart e Allahut azze ue xhel-le. Kur njeriu të bindet se caktimi i Allahut i ka paraprirë çdo gjëje, ai, patjetër, do të kthehet vetëm tek Ai subhanehu ue teala për largimin e vështirësive që e godasin gjatë jetës së tij. Kur t’i vijnë të mirat, ai e kupton dhe bindet se ato janë vetëm prej Allahut dhe prej mirësive të Tij.

4. Veshja e begative Atij subhanehu që t’i ka dhuruar ato. Nëse nuk besohet në Kader, begatitë do t’i atribuohen dikujt tjetër, dikujt që drejtpërdrejt ka dorë në to. Kjo dukuri më së shumti vërehet tek individët të cilët me veprat e tyre mundohen t’u afrohen njerëzve me pozitë dhe, kur të marrin prej tyre atë që dëshirojnë, të gjitha begatitë ua atribuojnë atyre dhe harrojnë mirësitë e Krijuesit subhanehu ue teala.

5. Kryerja e adhurimit ndaj Allahut subhanehu, sepse besimi në Kader është prej adhurimeve me të cilat na ka obliguar Allahu i Madhërishëm.

6. Besimi në Kader është rrugë që të shpëton nga shirku. Mexhusët (adhuruesit e zjarrit) pretendonin se drita është krijuese e së mirës, ndërsa errësira krijuese e së keqes. Kaderitë (mohuesit e Kaderit) pretendonin se Allahu subhanehu nuk i ka krijuar veprat e robërve, por njerëzit janë ata që i krijojnë veprat e tyre. Në këtë mënyrë, ata i pohuan dy krijues tjerë krahas Allahut, e kjo është shirk. Ndërsa, besimi në Kader sipas mënyrës së saktë është Teuhid (Njësim i Allahut tebareke ue teala).

7. Trimëria dhe guximi. Ai i cili beson në Kader, e di se nuk do të vdesë pa i ardhur koha e caktuar më parë nga Allahu azze ue xhel-le dhe se nuk do ta godasë, veçse ajo që i është caktuar. Kështu, ai jeton me trimëri, me guxim dhe i paluhatshëm. Ai nuk frikësohet nga asgjë e nga askush, sepse fuqia dhe forca e tij vijnë nga Allahu, të Cilit i beson dhe i mbështetet. Ai është i bindur se Ai subhanehu është me të, kudo që të gjendet, me Dijen, me Ndihmën dhe me Përkrahjen e Tij azze ue xhel-le.

8. Besimi i fortë e i paluhatshëm. Ai i cili beson në Kader, forcon besimin e tij dhe nuk largohet nga ai, sado që të sprovohet.

9. Durimi, shpresa për shpërblimin e Allahut azze ue xhel-le dhe përballimi i të gjitha rreziqeve e vështirësive. Ai i cili nuk beson në Kader, vazhdimisht ankohet dhe shfaq pakënaqësi gjatë sprovave e belave. Kjo mund ta shpjerë atë deri në urrejtjen ndaj Allahut azze ue xhel-le dhe të ndiejë (Allahu na ruajt!) sikur Allahu i ka bërë padrejtësi me këtë sprovë, apo të mendojë se meriton më shumë se ajo që i ka dhënë Allahu azze ue xhel-le. Disa të tjerë që nuk besojnë në Kader, goditen nga frika dhe luhatja, e disa nga cytjet e dyshimet.

10. Udhëzimi. Allahu thotë në Kuran: “Asnjë fatkeqësi nuk bie, veçse me lejen e Allahut, dhe kushdo që beson Allahun, Ai e udhëzon zemrën e tij (drejt besimit te vërtetë me siguri, d.m.th., çfarë i ka rënë atij ka qenë e shkruar për të prej Allahut nga Kaderi – Caktimi dhe Paracaktimi Hyjnor)…” (Et-Tegabun 11).

Në komentin e këtij ajeti Alkameh– rahimehullah – thotë: “Këtu bëhet fjalë për njeriun i cili, kur goditet nga fatkeqësia, e di se ajo është prej Allahut, kështu që i dorëzohet plotësisht Atij dhe është i kënaqur.”

11. Bujaria dhe dorëdhënia. Ai që beson në Kader, beson se varfëria dhe pasuria janë në Dorën e Allahut azze ue xhel-le, dhe është i bindur se assesi nuk mund të varfërohet, vetëm nëse Allahu i ka caktuar një gjë të tillë. Atëherë, ky njeri patjetër që do të japë e të shpenzojë për hir të Allahut, pa u brengosur fare.

12. Mbështetja në Allahun azze ue xhel-le, bindja dhe dorëzimi i plotë ndaj Tij tebareke ue teala. Allahu thotë: “Thuaj: ‘Do të na godasë vetëm ajo që na ka caktuar Allahu. Ai është Mbrojtësi ynë dhe vetëm tek Allahu le të mbështetën besimtarët!’” (Et-Teube: 51).

13. Sinqeriteti. Ai i cili beson në Kader, nuk punon për hir të njerëzve, sepse e di dhe është i bindur se ata nuk kanë mundësi t’i sjellin dobi, veçse aq sa i ka caktuar Allahu azze ue xhel-le.

14. Mendimi i mirë për Allahun tebareke ue teala dhe shpresa e fortë. Ai që beson në Kader, ka mendim të mirë për Allahun dhe shpresë të fortë tek Ai në çdo gjendje të tij.

15. Frika nga Allahu dhe kujdesi nga përfundimi i keq. Ai që beson në Kader, është në frikë të vazhdueshme nga Allahu dhe ka kujdes nga përfundimi i keq. Kjo ngase askush nuk sigurohet nga kurthi i Allahut azze ue xhel-le, përveç të humburve. Kështu, ai nuk mburret me veprat e tij, sado të shumta që janë, sepse e di se Allahu ia ka mundësuar, i ka ndihmuar dhe i ka dhënë sukses në kryerjen e tyre, dhe, sikur të mos dëshironte Allahu, nuk do të mund t’i realizonte. Ai nuk mburret, sepse e di se zemrat janë mes dy Gishtërinjve prej Gishtërinjve të Allahut; Ai i rrotullon dhe i ndryshon ato si të dëshirojë. Dhe dija se si do të jenë përfundimet e njerëzve është vetëm tek Allahu.

16. Besimi në Kader i shëron dhe i asgjëson shumë sëmundje shoqërore, si p.sh. zilinë. Ai që beson në Kader, nuk ia ka zili askujt, për shkak të mirësive që u ka dhuruar Allahu, sepse beson që Allahu është Ai i Cili i ka furnizuar dhe ua ka caktuar ato mirësi (ua ka bërë kader), dhe Allahu i jep kujt të dojë dhe e privon nga të mirat e Tij kë të dojë. E gjithë kjo si sprovë prej Tij subhanehu ue teala. Nëse ai do ta kishte zili ndokënd, atëherë kjo sjellje e tij do të ishte kundërshtim dhe pakënaqësi ndaj caktimit të Allahut.

17. Lirimi i mendjes nga besëtytnitë dhe nga kotësitë. Prej besimit në Kader është edhe besimi se çka ka ndodhur, çka është duke ndodhur dhe çka do të ndodhë në këtë univers, të gjithave u ka paraprirë caktimi i Allahut dhe se caktimi i Allahut është një sekret që nuk e di askush, përveç Tij, dhe nuk ia zbulon atë askujt, përveç të Dërguarve që Ai ka zgjedhur. Duke u nisur nga kjo, hasim se, ai që përnjëmend beson në Kader, nuk i mbështetet dexhallëve, falltarëve e magjistarëve; nuk shkon tek ta dhe nuk u beson fjalëve të tyre, dhe jeton i lirë e i paprekur nga të gjitha këto kotësi e besëtytni.

18. Modestia. Ai që beson në Kader, kur Allahu e furnizon me pasuri, me pozitë, me dituri apo me diçka tjetër, tregohet i përulur dhe modest para Allahut dhe para krijesave. Sepse ai e di se kjo mirësi është vetëm prej Allahut dhe me caktimin e Tij, dhe, sikur të dëshironte Allahu, do ta largonte prej tij, se Ai është i Fuqishëm për çdo gjë.

19. Falënderimi. Ai që beson në Kader, e di se të mirat që i posedon janë vetëm prej Allahut subhanehu dhe se vetëm Allahu është Ai që largon sprovat dhe vështirësitë. Pastaj, e tërë kjo e nxitë dhe e inkurajon që ta falënderojë Allahun, sepse Ai është Begatuesi, në Dorën e të Cilit janë suksesi dhe çelësat e çdo gjëje; është Ai i Cili ia ka caktuar ato mirësi dhe është meritor për falënderim. Mirëpo, kjo nuk do të thotë që ai të mos i falënderojë njerëzit. Pejgamberi sal-lallahu alejhi ue sel-lem thotë: “Nuk e falënderon Allahun ai, që nuk i falënderon njerëzit ”. Ikrimeh – rahimehullah – thotë -: “Nuk ka njeri veçse gëzohet e pikëllohet, mirëpo shndërrojeni gëzimin tuaj në falënderim dhe pikëllimin tuaj në durim.”

20. Qetësia dhe rehatia shpirtërore e mendore. Besimi në Kader ia largon muslimanit pikëllimin për gjërat që i kanë ikur, sepse është i bindur se ajo që e ka goditur, nuk ka pasur mundësi të shmanget, ndërsa ajo që nuk e ka goditur, assesi s’ka pasur mundësi ta godasë; dhe sprova nuk bie, veçse me lejen e Allahut dhe vetëm për shkak të ndonjë urtësie të cilën e dëshiron Ai azze ue xhel-le. Gjithashtu, ai është i bindur se ajo që e ka caktuar Allahu, do ta godasë patjetër dhe se çështja është siç thotë Allahu: “… Por mund të urreni një gjë ndërkohë që ajo është e mirë për ju, e mund të doni një gjë ndërkohë që ajo është e dëmshme për ju. Allahu e di, kurse ju nuk dini” (El-Bekareh 216). Kështu, tek ai realizohet kënaqësia me atë që i ka dhënë Allahu dhe bëhet njeriu më i pasur. Ai nuk i drejton sytë nga ata të cilët janë mbi të dhe kështu i realizohet pasuria e vërtetë, pasuria e shpirtit, ndryshe nga ata që kurrë nuk kënaqen, sado që u jep Allahu azze ue xhel-le.

21. Kënaqësia. Kur të goditet nga sprovat e vështirësitë e ndryshme, ai është i kënaqur me Allahun si Zot, Sistemues, Rregullues, Ligjvënës. Zemra e tij mbushet me kënaqësi ndaj Zotit të tij. E, kur ai të kënaqet me Allahun, edhe Allahu është i kënaqur me të.

Përmblodhi dhe përgatiti: Petrit Perçuku

  • Shpërndaje
Share on facebook
Share on telegram
Share on whatsapp
Share on twitter
Share on email

NA NDIQNI NË FACEBOOK

ABONOHU NË EMAIL

Pranoni postimet e reja në email duke u abonuar

POSTIMET E FUNDIT

RËNDËSIA E TEUHIDIT

MË TË KLIKUARAT

Arkiva