Fikh i fitneve (sprovave) – pjesa e parë

Ligjëratë e mbajtur nga shejh Sulejman Er-Ruhajlij (Allahu e ruajt)

Me emrin e Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëplotit!

Çdo lavdërim dhe falënderim i përket Allahut, Zotit të botëve. Salati dhe selami qofshin për robin dhe të Dërguarin e Allahut, Muhamedin, për familjen e tij dhe mbarë shokët e tij.

Më tej:

Vëllezër të dashur! Vërtet, Allahu i patëmeta është i Urtë, i Gjithëdijshëm dhe i Mirinformuar. Ai na shpiku e na krijoi dhe e bëri dynjanë vendbanim të përkohshëm për ne e jo vendqëndrim të përhershëm. Dynjaja është vend nëpër të cilin duhet kaluar për të arritur në vendin më madhështor, Shtëpinë e fundit.

Allahu, me urtësinë e Tij, e bëri dynjanë vend sprovash e provimesh të llojllojshme, për të dalluar ata që e thonë të vërtetën nga ata që gënjejnë, dhe të paluhatshmit nga ata që tërhiqen mbrapa, siç thotë Zoti ynë: “Elif, Lâm, Mîm. Vërtet mendojnë njerëzit se do të lihen të thonë “Ne besojmë” pa u vënë në provë?! Ne i kemi sprovuar ata që kanë qenë para tyre, në mënyrë që Allahu t’i dallojë ata që thonë të vërtetën dhe ata që gënjejnë.” (El-Ankebut, 1-3).

Sprovat janë lloje të ndryshme. Ndër to radhitet sprova e pasurisë dhe e fëmijëve. Allahu i Madhërishëm thotë: “Ta dini se pasuria juaj dhe fëmijët tuaj janë vetëm sprovë dhe se vetëm tek Allahu është shpërblimi i madh.” (El-Enfal, 28). Dijetarët kanë thënë: “Ndodh që njeriu në këtë botë të sprovohet me pasurinë e tij dhe në pasurinë e tij. Dhe ndodh që njeriu në këtë botë të sprovohet me fëmijën e tij, në fëmijën e tij dhe prej fëmijës së tij.”

Po ashtu, prej sprovave është edhe vënia në provë me të mira e të këqija dhe me bindje e mëkate. Kryesisht, bindja dhe e mira kanë nevojë për sabër. Pra, ato bëjnë pjesë në gjërat që janë të urryera për shpirtin, ndërkohë që gjërat e urryera për shpirtin bëjnë pjesë në ato gjëra që e lodhin njeriun.

Sa u përket mëkateve, ato më tepër renditen në radhët e epsheve të cilat ndodh që njeriu t’i dojë dhe t’i paraqiten si të mira. Allahu i Lartësuar thotë: “Çdo njeri do ta shijojë vdekjen! Ne ju vëmë në provë me të keqe dhe me të mirë dhe te Ne do të ktheheni.” (El-Enbija, 35).

Prej sprovave është edhe sprovimi i njerëzve me njëri-tjetrin, nëpërmjet dallimeve mes gjendjeve të tyre, si: varfëria, pasuria, shëndeti, sëmundja, etj. Allahu i Madhërishëm thotë: “Ne edhe para teje kemi nisur vetëm të Dërguar, të cilët hanin ushqim dhe shëtisnin nëpër tregje. Ne i kemi bërë disa prej jush të jenë sprovë për të tjerët; a do të jeni të durueshëm? Zoti yt i sheh të gjitha.” (El-Furkan, 20).

Ndërmjet sprovave është edhe sprovimi i njeriut me njeriun nga një anë krejt tjetër: nga ana e lavdërimit, qortimit dhe dominimit. Allahu i Lartësuar thotë: “Ka disa njerëz që thonë: “Ne besojmë Allahun”, por, kur vuajnë për çështjen e Allahut, e quajnë sprovën prej njeriut njësoj si dënimin e Allahut. Ndërsa, kur u vjen fitorja prej Zotit tënd, ata, me siguri, do të thonë: “Ne kemi qenë me ju”. Vallë! A nuk e di Allahu më së miri se ç’ka në zemrat e çdokujt?” (El-Ankebut, 10).

Si dhe forma të tjera të shumta të sprovimit, përmes të cilave njerëzit vihen në provë në këtë botë. Koka e sprovave dhe më të mëdhatë ndër to janë ato të përgjithshmet, të cilat e godasin tërë ummetin dhe në të cilat përfshihen shumë prej pjesëtarëve të tij, si: sprova e rebelimit ndaj pushtetarëve, sprova e mbjelljes së shkatërrimit në tokë, e cila është bërë si lloj arti nga njerëzit sot. Këtu bën pjesë ajo që në këtë kohë njihet me emrin terrorizëm. Pastaj, sprova e tekfirit, tebdi’it, tefsikut dhe qesëndisja e njëri-tjetrit me nofka (të këqija), pa ekzistimin e ndonjë kërkese fetare për një cilësim të tillë. Gjithashtu, edhe sprova e urrejtjes, kthimit të shpinës dhe bojkotit të ndërsjellë, pa ndonjë shkak fetar, si dhe sprova të tjera të përgjithshme, të cilat janë shpeshtuar në këtë kohë dhe të cilat shpijnë ose drejt ekstremizmit, ose drejt shkujdesjes. Nuk ka rënë dikush në to veçse i është prishur jeta, i është trazuar rehatia, i është nxirë zemra dhe ka ndjerë ngushti në shpirt nga njerëzit.

Kush e humb rrugën në këto sprova të përgjithshme dhe nuk kapet fort pas bazave fetare dhe thellohet në to (sprova), ai, patjetër, do të ndjejë ngushti në gjoks nga njerëzit, derisa të arrijë në atë gjendje që të ikën nga prindërit, nga familja dhe nga të afërmit e tij, si dhe nga njerëzit e tjerë. Dhe, njeriut të tillë, gjithsesi, do t’i trazohet rehatia (begatia) në të cilën është. Të vërtetën e ka thënë Muavije (radijAllahu anhu) kur thotë: “Ruhuni nga fitneja dhe mos e dëshironi atë, sepse ajo e prish jetesën, e trazon begatinë dhe e sjellë çrrënjosjen (dënimin).” (Përmendur nga Dhehebiu në Sijer).

Të vërtetën e ka thënë edhe Hudhejfe (radijAllahu anhu), kur thotë: “Kini kujdes nga fitnet, dhe askush nga ju të mos merret to! Pasha Allahun, nuk merret dikush me to veçse do ta zhdukin nga faqja e dheut ashtu siç e zhduk rrjedha e ujit gjakun.” (Përcjellë nga AbduRezaku dhe Hakimi).

Profeti ynë (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem), i cili ishte plot dhembshuri për ummetin e tij, na ka treguar për fitnet e shumta që to ndodhin në këtë ummet. Përcillet nga Usame (radijAllahu anhu) se Profeti (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem) u ngjit në një ndërtesë të lartë (kala) prej ndërtesave të Medines dhe tha: “A po e shihni atë që jam duke e parë? Apo e shihni atë që jam duke e parë? Jam duke parë vendndodhjet e fitneve ndërmjet shtëpive tuaja, sikur të ishin pika shiu të rëna.” (Buhariu dhe Muslimi).

Nga Ebu Hurejre (radijAllahu anhu) përcillet se i Dërguari i Allahut (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem) ka thënë: “Shpejtoni në kryerjen e veprave të mira para se të vijnë fitne sikur të ishin pjesë e një natë të errët. Gjatë tyre, njeriu zgjohet si besimtar dhe ngryset si jobesimtar. Ai do ta shesë fenë e tij për një përfitim të pakët të kësaj bote.” (Buhariu).

Nga Hudhejfe (radijAllahu anhu) përcillet të ketë thënë: “Ishim tek Umeri dhe tha: “Cili prej jush e ka dëgjuar të Dërguarin e Allahut duke i përmendur fitnet?” (Shejhu): “O vëllezër, ky është një parim tek dijetarët, pra, përkujtimi i myslimanëve me fitnet, në mënyrë që të ruhen prej tyre dhe të njohin rrugën e drejtë, përmes së cilës shpëtojnë nga to. Umeri (radijAllahu anhu) po u thotë të pranishmëve: “Cili prej jush e ka dëgjuar të Dërguarin e Allahut duke i përmendur fitnet?” Disa thanë: “Ne e kemi dëgjuar”. Umeri tha: “Ndoshta keni për qëllim fitnen e njeriut në familjen dhe komshiun e tij?” “Gjithsesi” – thanë ata. Ai tha: “Këtë fitne e shlyen namazi, agjërimi dhe lëmosha. Mirëpo, cili prej jush e ka dëgjuar Profetin (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem) duke i përmendur fitnet të cilat vërshojnë si valët e detit?” (Shejhu): “Këto janë fitnet e përgjithshme e të mëdha.” Hudhejfe tha: “Të pranishmit heshtën ndërsa unë ia ktheva: “Unë e kam dëgjuar”. Umeri më tha: “Ti?” Thash: “E kam dëgjuar të Dërguarin e Allahut (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem) duke thënë: “Zemrave do t’u shfaqen fitnet ashtu siç thuret hasra, thupër për thupër. Andaj, asaj zemre që përzihet me to, i bëhet një pikë e zezë; asaj zemre që i refuzon ato, i bëhet një pikë e bardhë, derisa të jenë (tek njerëzit e asaj kohe) vetëm dy lloje zemrash: e bardhë, sikur të ishte një gur i lëmuar, të cilës nuk i bën dëm asnjë fitne, derisa të jenë qiejt dhe Toka, dhe tjetra e zezë në të hirtë, sikur të ishte një enë që rri përmbys – kjo zemër nuk njeh atë që është e mirë dhe nuk e refuzon atë që është e keqe, përveç asaj që i është rrënjosur nga epshi i saj.” (Muslimi).

Vijon…

Përktheu: Petrit Perçuku

Shpërndaje artikullin
Madhësia e tekstit