Në dritën e Kur’anit dhe Sunetit

Fikh i fitneve (sprovave) – pjesa e pestë

Ligjëratë e mbajtur nga shejh Sulejman Er-Ruhajlij (Allahu e ruajt)


Parimi i tretë: Të kapurit pas sunetit dhe kujdesi nga bidatet (sajesat)

Sa herë të na vijë ndonjë çështje, ne duhet ta shikojmë se a është e lashtë dhe e vjetër? A e bënte atë Profeti (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem) me shokët e tij, dhe a e përcollën atë njerëzit më të mirë me zinxhir nga drita? Apo mos është gjë e re (e shpikur) që e kundërshton të vjetrën? E, nëse e sheh se ajo është e vjetër dhe se bëhej nga Profeti (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem), shokët e tij, si dhe nga selefët (të parët) e ummetit, atëherë kapu pas saj, sepse, pikërisht aty është mirësia. Ndërsa, nëse e sheh se është e re, e sajuar (shpikur), që e kundërshton atë në të cilën ishin shokët e Profetit (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem) dhe selefët e ummetit, atëherë, ki kujdes prej saj, ngaqë, i tërë sherri është në të.

Profeti (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem) thotë në porosinë e tij që e dëgjuam më lartë: “… sepse ai që do të jetojë më gjatë prej jush do të shoh kundërshti të shumta.” Të gjithë thonë: “E vërteta është tek unë; hajri është tek unë; shpëtimi është tek unë, andaj, më ndiqni mua.” Sot shohim njerëz të përçarë, ku secili prej tyre thërret drejt një gjëje dhe thotë se e vërteta është tek ai. Atëherë, cili është shpëtimi? Atë e sqaroi Profeti (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem) kur tha: “Mirëpo, ju ndiqeni sunetin tim, si dhe sunetin e kalifëve të drejtë e të udhëzuar. Kapuni fort për të…” Pastaj, i Dërguari (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem) e tha një fjalë të çuditshme: “…dhe kafshojeni atë me dhëmballë.” Përse u shpreh kështu? Dijetarët thanë: “O rob i Allahut, nëse kapesh pas sunetit, atëherë, dije se do të ketë njerëz që do mundohen të të tërheqin prej tij dhe do të dëshirojnë që ta braktisësh atë. Andaj, ti mos iu bind atyre, por vazhdo i kapur për të.”

Kur njeriu ka diçka, të cilën dëshirojnë t’ia marrin, ai e kafshon atë me dhëmbët e tij, në mënyrë që të mos i merret. Kuptimi i këtyre fjalëve është: “O rob i Allahut, qëndro paluhatshëm në sunet, sado që akuzohesh, dhe sado që mundohen ata, të cilët e hijeshojnë të kotën me fjalët e tyre, të të largojnë nga suneti. Këtë edhe e sqaroi Profeti (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem), pastaj tha: “Dhe kini kujdes nga gjërat e shpikura, sepse çdo gjë e shpikur është bidat, çdo bidat është humbje…”

Lidhur me këtë temë, Ebu Daudi përcjellë se, Muadh bin Xhebeli nuk ulej në ndonjë mexhlis të dhikrit (dijes), e të mos thoshte: “Allahu është gjykatës i drejtë. Janë të shkatërruar ata që dyshojnë, janë të shkatërruar ata që dyshojnë.” Ndërsa, një ditë tha: “Vërtet se, do t’ju vijnë fitne gjatë të cilave do të shtohet pasuria dhe Kurani do t’i jepet çdokujt: besimtarit, mynafikut, burrit, gruas, të voglit (të riut), të madhit (të moshuarit), robit dhe të lirit. Pritet që dikush të thotë: “Ç’farë kanë njerëzit që nuk po më ndjekin?” Domethënë: “Përse të mos bëhem imam (prijës) i tyre, kur unë e kam mësuar Kuranin përmendsh? Përse të mos bëhem imam që njerëzit të më pasojnë? Ky është kuptimi i fjalëve të Muadhit (radijAllahu anhu). “Pritet që dikush të thotë: “Ç’farë kanë njerëzit që nuk po më ndjekin, kur dihet se unë e kam lexuar Kuranin? Jo, ata nuk do të më ndjekin derisa t’u shpikë diçka ndryshe nga ai.” Domethënë: s’ka mundësi të bëhem imam, përveç nëse u shpiki diç atyre. Muadhi vazhdon: “Andaj, ruajuni nga ajo çfarë ka shpikur, sepse ajo është humbje. Dhe po ashtu ju paralajmëroj nga gabimi i urtarit (dijetarit), sepse ndodhë që shejtani të hedh fjalë devijimi në gjuhën e tij.”

Për këtë shkak, o vëllezër, selefët e këshillonin njëri-tjetrin për kapjen pas sunetit dhe kujdesin që duhet pasur nga bidatet.

Pra, këto tri baza janë kryekëput parimet më madhështore të fikh-ut të fitneve:

  1. Frika ndaj Allahut.

  2. Dëgjimi dhe bindja jo në mëkate ndaj atyre që Allahu u ka dhënë pushtet mbi ne dhe qëndrimi pas xhematit të myslimanëve dhe imamit të tyre.

  3. Të kapurit pas sunetit dhe kujdesi nga bidatet.

Mirëpo, kjo jetësohet atëherë kur njeriu kapet pas dijes dhe dijetarëve të besueshëm dhe merr qëndrim sipas fjalëve të tyre. Sepse e tërë mirësia është në dijen, e cila është e ngritur mbi librin e Allahut dhe sunetin e të Dërguarit (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem).

Për këtë arsye, imam Es-Si’dij (Allahu e mëshiroftë) thotë:

Ta dish, u udhëzofsh në rrugë të drejtë, se begatia më e vlefshme

Është dija e cila t’i largon dyshimet dhe fëlliqësitë (epshet)

Pra, ta dish o besimtar, se begatia më e madhe e Allahut ndaj teje, pas Islamit, është dija. Ç’dobi ka nga kjo dije? Ajo largon nga ti dyshimet dhe fëlliqësitë e mosbindjeve dhe mëkateve.

Andaj, duhet të qëndrojmë pas këtyre parimeve dhe t’i mësojmë mirë ato.

Në realitet, kjo temë është e gjerë dhe ka edhe baza të tjera të shumta, të cilat i kam marr dhe përgatitur nga fjalët e dijetarëve, mirëpo këto që i përmenda janë bazat e bazave. Duke qenë se koha na mjaftoi për përmendjen e tyre, unë po mjaftohem me atë që përmenda deri më tani.

Në fund, e këshilloj veten dhe vëllezërit e mi me frikë ndaj Allahut të Madhërishëm dhe të mos marrim qëndrime të bazuara mbi emocione të rrëmbyeshme, ngaqë Allahu nuk na ngarkoi me to, por me pasimin e asaj me të cilën erdhi Muhamedi (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem). Andaj, le të kapemi pas saj, edhe nëse shpirtrat tanë të prirë për keq dhe njerëzit e kotë na zbukurojnë diçka tjetër; edhe nëse na thuhet se e vërteta, ndihma dhe krenaria janë diku tjetër. Por, pasha Allahun, pos të Cilit s’ka të adhuruar të vërtetë, nuk ka hajr, as ndihmë, as krenari, as mburrje dhe as fuqi, veçse nëse kapemi pas asaj me të cilën erdhi Muhamedi (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem) ashtu siç e kuptuan më të mirët e këtij ummeti. Të vërtetën e ka thënë imam Maliku (Allahu e mëshiroftë) kur shprehet se: “Kurrë nuk do ta përmirësojë fundin e këtij ummeti gjë tjetër, përveç asaj që e përmirësoi fillimin e tij.”

E lus Allahun e Madhërishëm me emrat e Tij të bukur dhe cilësitë e Tij të larta t’i bashkojë zemrat e myslimanëve në udhëzim e sunet, t’i ruaj nga e keqja e përçarjes dhe fitneve, t’i bekojë këto fjalë që u thanë, atë që i tha, ata që i dëgjuan, si dhe vendin dhe qytetin ku u thanë!

Allahu e di më mirë! Salati dhe selami qofshin për Muhamedin, për familjen dhe mbarë shokët e tij!

Fund

Përktheu: Petrit Perçuku

  • Shpërndaje
Share on facebook
Share on telegram
Share on whatsapp
Share on twitter
Share on email

NA NDIQNI NË FACEBOOK

ABONOHU NË EMAIL

Pranoni postimet e reja në email duke u abonuar

POSTIMET E FUNDIT

RËNDËSIA E TEUHIDIT

MË TË KLIKUARAT

Arkiva