Gjykimi për agjërimin e Ramazanit

 

Gjykimi për agjërimin e Ramazanit

 Duhet ditur se agjërimi i Ramazanit është prej shtyllave të Islamit, një prej bazave mbi të cilën ndërtohet ai. Këtë Allahu e përmend në Kuran: “O besimtarë! Ju është urdhëruar agjërimi, ashtu si u ishte urdhëruar atyre para jush, që të mund të ruheni nga të këqijat (që të arrini devotshmërinë). Agjërimi zgjat disa ditë, por, nëse ndonjëri prej jush është i sëmurë ose duke udhëtuar, le të agjërojë aq ditë sa i ka prishur në ditët e tjera pas. Ata që kanë vështirësi për të agjëruar, duhet të ushqejnë si shpagim nga një të varfër për çdo ditë agjërimi. E, nëse ndonjëri jep më shumë se kaq, kjo është edhe më mirë për të. Por, agjërimi juaj është më i dobishëm, në qoftë se e dini. Muaji i Ramazanit është ai, në të cilin ka zbritur Kurani, që është udhërrëfyes për njerëzit, plot me shenja të qarta për rrugën e drejtë dhe dallues (i së mirës nga e keqja). Pra, kushdo nga ju që dëshmon këtë muaj, le të agjërojë! Sa i përket atij që është i sëmurë ose gjendet në udhëtim e sipër (le të agjërojë më vonë) aq ditë sa nuk i ka agjëruar. Allahu dëshiron që t’jua lehtësojë dhe jo që t’jua vështirësojë. Ai dëshiron që të plotësoni numrin e ditëve të agjërimit dhe që ta madhëroni Allahun (në fund të agjërimit), për shkak se ju ka drejtuar në rrugë të drejtë e që ta falënderoni Atë.” Bekare, 183-185.

Ndërsa Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem ka thënë: “Islami është ndërtuar mbi pesë shtylla: dëshmia La ilahe ilAllah Muhamedun Resulullah, falja e namazit, dhënia e zekatit, haxhi (në Qabe) dhe agjërimi i Ramazanit.” Buhariu. Te Muslimi agjërimi i Ramazanit vjen përpara haxhit: “…dëshmia La ilahe ilAllah Muhamedun Resulullah, falja e namazit, dhënia e zekatit, agjërimi i Ramazanit dhe haxhi (në Qabe).”

Gjithashtu, të gjithë muslimanët kanë pajtueshmëri të prerë se agjërimi i Ramazanit është prej obligimeve në Islam dhe kjo është prej çështjeve që duhet ta dijë muslimani (se e ka obligim ta agjërojë atë).

Ai që e mohon dhe e refuzon obligoshmërinë e agjërimit të Ramazanit, bën mohim (kufër) dhe del nga feja; prej tij kërkohet pendimi, e nëse nuk pendohet ai vdes si jobesimtar (si murted – i dal nga feja).

Agjërimi i muajit Ramazan është bërë obligim në vitin e dytë të hixhretit. Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem e ka agjëruar nëntë vite radhazi. Si e pamë nga ajetet që sollëm më lartë, obligimi i agjërimit ka kaluar nëpër dy faza. Faza e parë: njeriu ka pasur liri të zgjedhë mes agjërimit apo ushqimit të të varfërve, edhe pse Allahu ka preferuar agjërimin, thotë: “Por, agjërimi juaj është më i dobishëm”. Faza e dytë: njeriu nuk ka pasur më mundësi të zgjedhë mes agjërimit dhe ushqimit të të varfërve, por tashmë bëhet obligim agjërimi i Ramazanit. Selemetu ibn el Ekwa radijAllahu anhu ka thënë: “Kur ka zbritur fjala e Allahut: “Ata që kanë vështirësi për të agjëruar, duhet të ushqejnë si shpagim nga një të varfër” Bekare 184, ai që ka dashur ta prishë agjërimin dhe t’i ushqejë të varfrit ka mundur të veprojë kështu, derisa ka zbritur ajeti pas tij i cili e ka abroguar (shfuqizuar) këtë vendim, ajeti është: “Pra, kushdo nga ju që dëshmon këtë muaj, le të agjërojë! Sa i përket atij që është i sëmurë ose gjendet në udhëtim e sipër (le të agjërojë më vonë) aq ditë sa nuk i ka agjëruar.” Kështu Allahu e bëri obligim agjërimin e muajit Ramazan për çdo person, pa i dhënë mundësi të zgjedhë mes tij dhe dhënies ushqim.”

Agjërimi i Ramazanit nuk bëhet obligim derisa të pohohet hyrja e tij. Nuk lejohet të agjërohet para se të hyjë ky muaj. Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem ka thënë: “Askush të mos i paraprijë agjërimit të Ramazanit me një apo dy ditë, përveç atij që ka pasur zakon të agjërojë nafile (agjërim vullnetar) dhe dita e zakonshme e agjërimit përputhet me to.”[1]

[1] Rasti i atij që agjëron të hënave e të enjteve, apo i atij që agjëron një ditë po e një ditë jo, dhe ky agjërim që e ka bërë zakon bie në një apo dy ditë para Ramazanit.

 

•┈ ┈• • ✦ • •┈ ┈•
Ndejat e Ramazanit.
? Hoxhë Lulzim Perçuku.

Shpërndaje artikullin
Madhësia e tekstit