Kategoritë e njerëzve në agjërim (3)

3. I çmenduri, atij që i humbet mendja.

Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem thotë: “Lapsi nuk shkruan për tre persona: për atë që është në gjumë derisa të zgjohet, për të voglin derisa të rritet (të hyjë në moshën madhore) dhe për të çmendurin derisa t’i kalojë.” Tirmidhiu, Ebu Daudi dhe ibn Maxheh. Madje, nëse agjëron, nuk i pranohet agjërimi dhe nuk e ka të saktë, ngaqë nuk ka mendje e logjikë përmes të cilës e logjikon agjërimin e tij, apo e bën nijet adhurimin (në këtë rast agjërimin). Adhurimi nuk është i saktë tek Allahu pa pasur nijet, siç ka thënë Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem: “Veprat janë sipas nijeteve (qëllimeve). Dhe çdo njërit i takon ajo që kishte për nijet.” Buhariu dhe Muslimi.

Nëse ndodh që nganjëherë të jetë në këtë gjendje dhe nganjëherë kthjellet nga çmenduria, atëherë themi: kur të kthjellet (t’i kalojë) e ka obligim të agjërojë, e kur ta kaplojë ajo atëherë nuk e ka për obligim të agjërojë.

Nëse ndodh që personi të çmendet (t’i ikë mendja) gjatë ditës së Ramazanit duke qenë agjërueshëm (ka filluar ditën me agjërim duke qenë i kthjelltë), atëherë kjo nuk ia prish agjërimin. Njëjtë është dhe me atë të cilit i bie të fikët (alivanoset), për shkak të agjërimit, apo për ndonjë sëmundje, pa qenë kjo për shkak të çmendurisë e humbjes së mendjes, atij nuk i prishet agjërimi ngase atëherë kur e ka bërë nijet agjërimin e ka pasur mendjen të kthjelltë dhe e ka bërë me nijet të saktë. Nuk ka argument të saktë që tregon se atij i prishet agjërimi në këtë rast. Sidomos kur të çmendurit nganjëherë i ndodh çmenduria (në kohë të caktuar), e pastaj i kalon para se të përfundojë dita. Andaj themi se nëse ndodh që dikush ta fillojë ditën agjërueshëm e pastaj i humbet mendja, pastaj i kthehet përsëri, kjo gjatë ditës, atëherë ai nuk e ka për obligim ta bëjë kaza këtë ditë.

Ndërsa, në rast se një person është i çmendur dhe ka filluar ditën agjërueshëm, pastaj i është kthyer mendja gjatë ditës së Ramazanit, atëherë e ka obligim të përmbahet nga gjërat që e prishin agjërimin (për pjesën e mbetur) deri në fund të ditës, ngase në momentin që i ka ardhur mendja përfshihet tek ata persona të cilët e kanë obligim zbatimin e urdhrave të Allahut, megjithatë nuk e ka obligim ta bëjë kaza këtë ditë, ngase atëherë kur ka filluar agjërimi i ditës ka qenë prej atyre personave që nuk e kanë obligim agjërimin (jobesimtari, fëmija).

Hoxhë Lulzim Perçuku – Ndejat e Ramazanit – Transkriptim.

Shpërndaje artikullin
Madhësia e tekstit