Këshilla për një bashkëshortësi të lumtur! (Burri i Mirë)

Burri i mirë

Hoxhë Lulzim Perçuku

Shkarko në PDF

 

Vëllezër myslimanë!

Allahu  thotë:  “Jetoni  e  silluni  mirë  me  to!”  Nisa,   19.   Kjo  është  porosi  dhe  urdhër  prej  Allahut. Myslimani është i obliguar që ta kalojë jetën mirë me gruan e tij. Kjo sjellje duhet të jetë ajo që është më e mira, duke përfshirë fjalë dhe veprat. Kështu, kur burri i drejtohet gruas, t’i drejtohet me fjalë të mira,  me  shprehje  të  bukura  e  të  buta,  jo  me  vrazhdësi  dhe  arrogancë.  Gjithashtu,  me  veprime  të mira e jo me ashpërsi.

 

Gruaja, nga natyra e saj është e dobët. Allahu e ka krijuar të tillë. Burri është më i fuqishëm sesa ajo. Por, shumë prej burrave këtë fuqi që kanë e shfrytëzojnë dhe i sulmojnë ato, apo u bëjnë padrejtësi atyre. Islami e ka ndaluar këtë padrejtësi dhe e ka urdhëruar burrin të sillet me butësi e me bamirësi ndaj saj dhe me çdo gjë që është e mirë.

Jeta me gratë duhet të jetë e pozitës së ngritur, e bazuar në vepra të mira, në bamirësi, në raporte të mira reciproke, në vlerësim reciprok etj.

 

Allahu  thotë:  “Nëse  ju  i  përmirësoni  marrëdhëniet  dhe  ruheni  nga  padrejtësia,  ta  dini  se  Allahu është vërtet Falës dhe Mëshirëplotë.” Nisa, 129. Përmbyllja me faljen dhe mëshirën e këtij ajeti në të cilin Allahu flet për raportin që duhet të jetë mes bashkëshortore, është argument se ai i cili kujdeset që në raportin dhe sjelljen ndaj gruas të jetë i drejtë dhe korrekt, ai e meriton faljen dhe mëshirën e Allahut.

 

Pejgamberi  salAllahu  alejhi  ue  selem  thotë:  “Ju  porosis  që  të  silleni  mirë  me  gratë  e  juaja!”  do  të thotë  duhet  të  silleni  mirë  me  to  me  të  gjitha  fjalët  dhe  veprat  e  juaja,  vazhdimisht  ta  këshilloni porositni  njëri-tjetrin  për  t’u  sjellë  mirë  me  gratë,  duke  qenë  ky  një  lloj  amaneti  i  përhershëm  ndaj njëri-tjetrit  (pas  vdekjes  së  Pejgamberit)  deri  Ditën  e  Gjykimit.  Ky  urdhër  vlen  edhe  më  shumë  në rastin  kur  personi  e  di  se  një  burrë  nuk  sillet  mirë  me  gruan  e  tij  dhe  shkon  për  ta  këshilluar  dhe porositur që të sillet mirë ngase kështu na ka porositur Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem. Nëse ne e  zbatojmë  këtë  urdhër,  edhe  jeta  jonë  bashkëshortore  do  përmirësohet  (e  nuk  do  të  vazhdojnë brengat, shqetësimet, mosprehja në martesë etj.).

 

Nëse burri do të ketë një jetë të kënaqur, të ndershme, fisnike e të respektueshme me gruan e tij, atëherë  nuk  duhet  që  mangësitë  e  neglizhencat  e  saj  të  mundohet  t’i  përmirësojë  me  ashpërsi  e arrogancë.  Gabimet  e  lëshimet  e  gruas  duhet  t’i  përmirësojë  me  butësi,  pa  nxitim  në  fjalë  e  në veprime, jo me ashpërsi e arrogancë, ngase përndryshe nuk do të ketë jetë të rehatshme e të mirë.

 

Qëllimi nuk është që burri ta lejojë gruan të veprojë çfarë do ajo, si: mëkate, harame etj. Mirëpo, sa herë që prej saj vije ndonjë gabim apo lëshim, ai duhet të mundohet ta përmirësojë dhe shërojë atë me butësi, nëse do të ketë jetë të mirë me gruan e tij. Burri i mirë i cili i përmbahet Islamit në shtëpinë e tij, ia jep ato të drejta të cilat Islami ia ka dhënë asaj dhe e ndalon atë nga haramet. Burri e ka vënë atë  nën  përgjegjësinë  e  vet  dhe  e  ka  obligim  që  ta  ndalojë  nga  ndalesat  e  Allahut  të  Lartësuar. Mirëpo, ai nuk e godet, nuk e rrahë, nuk e shan dhe nuk e fyen.

 

Nëse burri do që gruaja e tij të jetë e atillë ashtu siç ai do, në çdo gjë, pa mangësi, atëherë le ta dijë se do ta thyejë atë (gruan) dhe nuk do ta arrijë këtë që kërkon.   Burri duhet t’i përballojë disa lëshime, mangësi, gabime dhe sjellje jo të mira që i vijnë nga ajo.

 

Nëse burri vazhdon me ashpërsi  e arrogancë duke u munduar ta përmirësojë (drejtojë) gruan e tij, atëherë  do  të  përfundojë  në  divorc.  Shumë  prej  burrave  të  tillë  që  janë  të  ngutshëm  përfundojnë kështu. Shumë prej tyre, fjala apo mendimi i parë që u shkon ndërmend është divorci, edhe në rastet më  të  vogla  e  të  parëndësishme.  Ka  prej  tyre  që  nuk  i  pëlqen  si  gatuan  gruaja,  apo  si  e  mban shtëpinë,  rrobat  dhe  veten  e  saj,  andaj  dhe  e  divorcon.  Këto  gjëra  njeriu  duhet  të  mundohet  t’i përmirësojë me durim e mosnxitim, hap pas hapi për një kohë të gjatë. Nëse përpiqet ta përmirësojë menjëherë atë dhe të jetë ashtu siç ai do, atëherë do vije deri te divorci, ose më së paku, nuk do të ketë jetë të rehatshme e të qetë bashkëshortore.

 

Besimtari  nuk  duhet  që  ta  shfrytëzojë  fuqinë,  pozitën  dhe  autoritetin  e  tij  si  burrë,  nga  ana  tjetër dobësinë e gruas së tij, e kështu ta godasë dhe ta rrahë atë. E pastaj kur vije nata ai fle me të dhe i afrohet asaj. Kjo është kontradiktore me jetën e mirë bashkëshortore dhe qetësinë mes besimtarit dhe   besimtares.   Ashpërsinë,   arrogancën   dhe   këtë   mënyrë   të   sjelljes   me   gratë   e   ka   ndaluar Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem. Nëse Allahu të ka dhënë fuqi fizike dhe pastaj e përdor atë ndaj gruas tënde, atëherë kujtoja vetes se Allahu është më i fortë sesa ti dhe mund të  të ndëshkojë për këtë sjellje. Ajo që të ndihmon të mos veprosh kështu, është përkujtimi i vetes se edhe ti ke motër e vajzë. Si do ta  prisje lajmin  nëse ndokush  do të  tregonte se në këtë mënyrë është sjell me motrën tënde burri i saj apo me vajzën tënde burri i saj? Pa dyshim se do ndjeje dhimbje shpirtërore.

 

O vëllezër të nderuar!

Profeti salAllahu alejhi ue selem thotë: “Të mos e urrejë besimtari besimtaren, nëse nuk pëlqen prej saj një moral, do t’i pëlqejë një moral tjetër.” Muslimi. Ky hadith e qetëson besimtarin dhe ia rehaton shpirtin në jetën e tij bashkëshortore. E shumë bashkëshortë do qetësoheshin prej problemeve nëse do e zbatonin këtë hadith. Jeta bashkëshortore dhe urrejtja (mospëlqimi) nuk shkojnë bashkë. Gjëja që e ndihmon njeriun të mos e urrejë gruan e tij është: “…nëse nuk pëlqen prej saj një moral, do t’i pëlqejë një moral tjetër.” Me këtë Profeti salAllahu alejhi ue selem po na sjell një peshore që është e mirë dhe e bukur. Ai na mëson se burri nuk duhet që vazhdimisht të shikojë në gabimet dhe lëshimet e gruas, duke i kujtuar dhe duke e pasur mendjen në to. Nëse vepron kështu, patjetër rezultati do jetë urrejtja  e mospëlqimi ndaj gruas së tij.

 

Nëse vjen ndonjë gabim e lëshim nga gruaja e jote, menjëherë duhet t’ia kujtosh vetes sjelljet e tjera të  mira  që  ajo  ka  ndaj  teje.  Thuaj:  “Ajo  bëri  vërtetë  këtë  gabim,  mirëpo  ka  vepruar  (dhe  vepron) shumë  gjëra  (sjellje) të  tjera  të  mira  ndaj  meje.” Nëse  i  numëron  të  mirat  dhe  anët pozitive të  saj, kështu do e largosh mospëlqimin dhe urrejtjen ndaj një sjelljeje të keqe që ajo e ka vepruar ndaj teje. Duhet ditur se edhe këtu djalli ka vend. Ai vije dhe ia kujton njeriut të këqijat, lëshimet e gabimet e gruas  së tij  derisa  burri  fillon  të  urrejë apo të  mos  e pëlqejë atë dhe  të  ftohet  ndaj  saj,  sa  i  përket dashurisë dhe lidhjes që kanë mes vete burrë e grua. Kurrë në jetë nuk do arrish që ajo të jetë ashtu siç do ti, por duhet që gjithnjë t’ia kujtosh vetës të mirat e saj ndaj teje, duke mos menduar vetëm të këqijat.

 

Edhe në fund të jetës së tij, Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem ka porositur për sjellje të mirë ndaj bashkëshorteve ngase ato janë nën kujdesin e burrave të tyre. Kjo e ndihmon njeriun ta përmirësojë raportin dhe sjelljen me gruan e tij. Ai le ta kujtojë se ajo ka dal nga shtëpia e babait pasi ka qenë nën kujdesin dhe  udhëheqjen e tij, e pastaj ka  ardhur në shtëpinë  tënde duke u vënë  nën kujdesin dhe udhëheqjen tënde. Ti je ai që tash e urdhëron atë e nuk vepron pa urdhrat e tu. Andaj, ajo është e dobët  dhe  qëndron  nën  kujdesin  e  udhëheqjen  tënde  dhe  duhet  t’i  kushtosh  kujdes  dhe  sjellje  të mirë  asaj, ngase ka  dal  nga  shtëpia  e saj  në  të  cilën  e  ka  nderuar  dhe  respektuar  prindi,  vëllai  etj., kështu në të njëjtën mënyrë duhet të sillesh edhe ti ndaj saj, me nderim e respekt.

 

Nëse gruaja nuk i bindet burrit në atë që ai e urdhëron, nuk duhet që ai menjëherë të sillet me të me ashpërsi  dhe  arrogancë.  Nëse  ajo  flet  fjalë  jo  të  mira  ndaj  tij,  nuk  i  bindet  urdhrit  të  tij,  nuk  e respekton, vepron vepra që ai nuk i pëlqen, ka sjellje të këqija ndaj tij, e mallkon, e ofendon, e lëndon etj., atëherë gjëja e parë që bën është ta këshillojë atë, t’ia përkujtojë Allahun, dënimin e Tij, duke i thënë: “Të kesh frikë Allahun, sjellja jote nuk është sjellje islame” etj. Nëse kjo nuk i bën dobi, atëherë ai largohet prej shtatit të saj (e bojkoton në shtrat). Kjo nuk do të thotë që ai të dalë nga shtëpia e të flejë diku tjetër duke u shfaqur te njerëzit me fjalët: “Nuk i kam raportet mirë me grua, andaj e kam bojkotuar.” Ky veprim duhet të jetë çështje e brendshme, mes tij e gruas së tij, e jo ta marrin vesh të tjerët, ajo realizohet brenda në shtëpi (ai një shtrat e ajo një shtrat). Nëse nuk përmirësohet, atëherë ai mund ta rrahë, por kjo rrahje nuk duhet të lë shenja në trup  (e assesi ta godasë në fytyrë), as të jetë  rrahje  e  ashpër duke ia  thyer  ndonjë  kocë  apo t’i dalë gjak, e  as  të  jetë rrahje me  të  cilën  ai  e shfaq mllefin dhe i bën padrejtësi asaj. Mirëpo, duhet të jetë goditje për ta edukuar atë. Rrahja është faza  e  fundit.  Nëse  gruaja  përmirësohet  dhe  kthehet  te  sjellja  e  mirë  ndaj  burrit  dhe  te  zbatimi  i urdhrave të tij, nuk duhet që burri të sillet ashpër pastaj ndaj saj, por duhet të sillet me butësi dhe mirësi.

 

Atë ushqim që e ha ti, me atë duhet ta ushqesh edhe gruan tënde, e jo ti të hash mirë e asah t’i japësh ushqim të dobët. Me atë vlerë (cilësi) të rrobave që e vesh veten tënde, duhet ta veshësh edhe gruan tënde. Nëse je i pasur, atëherë nuk duhet që vetë të vishesh mirë e gruas t’i dhurosh veshje të vjetër.

 

Allahu thotë: “…në qoftë se është i varfër, le të harxhojë aq sa është e arsyeshme dhe e drejtë.” Nisa,

  1. E nëse  burri  është  i  varfër,  nuk  duhet  të  thotë:  “Jam  i  varfër,  andaj  nuk  duhet  të  shpenzoj  për familjen.”

 

Goditja e gruas në fytyrën e saj është e ndaluar dhe haram. Fytyra është pjesë e lartësuar e njeriut. Ajo përfshin shqisa të ndjeshme. Nëse  e godet në të, mund t’ia dëmtosh syrin  apo t’ia humbasësh dëgjimin.  Goditja  në  fytyrë  është  poshtërim  dhe  nënçmim  i  madh.  Nuk  lejohet  që  bashkëshortes tënde  t’ia bësh  këtë poshtërim e nënçmim,  edhe  nëse  dëgjon fjalë shqetësuese  dhe  të papëlqyera prej saj.

 

Burri i  mirë nuk duhet t’i flasë  gruas fjalë me  të cilat  e  nënçmon  atë, si: ti je e  shëmtuar, Allahu  të shëmtoftë, familja jote është e keqe, je grua e ulët, nuk ke vlerë, etj. Këtë e ka ndaluar Pejgamberi salAllahu  alejhi  ue  selem.  Myslimani  e  ka  obligim  të  flasë  vetëm  fjalë  të  mira,  edhe  në  rastet  e hidhërimit e zemërimit ai duhet ta ruajë gjuhën nga fjalët e këqija.

 

Vëlla i dashur!

A do që ta dish se a e ke arritur besimin e plotë? Shiko  se çfarë sjellje dhe morali ke.  Besimtari me besimin më të plotë është ai që e ka sjelljen dhe moralin më të mirë. E më të mirët janë ata që e kanë sjelljen dhe moralin më të mirë me bashkëshortet e tyre. I tilli e ka besimin më të lartë.

 

Shumë  prej  burrave  kanë  sjellje  dhe  moral  të  mirë  me  të  tjerët  (me  shokët  etj.),  flasin  me  fjalë  të zgjedhura duke mos i lënduar, ndërsa kur janë në shtëpitë e tyre kanë sjellje të keqe, e ngrehin zërin, flasin fjalë të ashpra (me gruan e fëmijët) etj. Shtëpia është ajo e cila e zbulon moralin dhe sjelljen e njeriut. Moralin më të mirë, besimtari duhet ta tregojë brenda shtëpisë së tij, me gruan dhe fëmijët, pastaj me të tjerët jashtë shtëpisë. E kundërta nuk është prej udhëzimit të Islamit.

 

Nëse ndonjërit Allahu i jep një grua të mirë në fenë e saj, në sjelljet e saj, moralin e saj, në adhurimet që bën, në mendjen e logjikën e saj të shëndosh (e pjekur), vërtetë atij Allahu i ka dhënë mirësi dhe furnizim  të  madh.  Ky  është  prej  furnizimit  më të  mirë që Allahu  ia  jep besimtarit,  sepse kur  gruaja është  e mençur  do dijë se si  ta  rregullojë  raportin brenda shtëpisë së saj, në mënyrën  më të  mirë, duke  bërë  kështu  që  burri  i  saj  të  jetojë  një  jetë  të  lumtur  e  të  rehatshme.  Pra,  pjesa  më  e  mirë  e kënaqësisë  së shkurtët të kësaj bote është gruaja e devotshme.

 

Besimtari  do ta  arrijë  lumturinë  në  shtëpinë  e  tij  nëse  atë  e ndërton  mbi  vepra  të  mira  me  të  cilat është i kënaqur Allahu. Po ashtu, ai me këtë do arrijë t’i bëjë të lumtur anëtarët e familjes së tij. Burri në shtëpi, është esenca e lumturisë, pa marrë parasysh sa është i moshuar. Njashtu dhe gruaja. Sikur njerëzit t’i përmbaheshin Islamit në raportet burrë-grua, do të ishin të lumtur në shtëpitë e tyre. E kur besimtari është i lumtur dhe rehat në shtëpinë e tij, edhe raportet me të tjerët do t’i ketë të mira. E njashtu dhe adhurimi i tij do jetë ashtu siç e kërkon/do Allahu.

 

A ka më mirë se kur burri dhe gruaja i rregullojnë raportet e tyre në bindjen ndaj Allahut? Nuk ka më mirë sesa kur një burrë dhe një grua janë të kënaqur e të lumtur ndërmjet vete duke qenë në bindje ndaj Allahut. Në këtë rregullim të marrëdhënieve, ka rehati e qetësi të zemrës, mendjes dhe lumturi.

 

Burri i mirë i cili i përmbahet Islamit do të ketë një jetë të mirë. Brendësia e tij do të jetë e qetë. Burri i mirë është i mëshirshëm dhe i butë me gruan e tij. Ai nuk e ngarkon atë me atë që nuk ka mundësi. Ai e di se gruaja ka mangësi, andaj e përgatit veten për t’i pranuar ato dhe i mbyll sytë kur ndonjëherë ndodhin gabime nga ajo. Ai nuk e merr gruan e tij në llogari për çdo gjë. Ajo nuk është në gjendje të veprojë çdo gjë, andaj dhe nuk mund të japë llogari për çdo gjë.

 

Burri i mirë, nëse urren një sjellje prej gruas së tij, e largon atë duke e ditur se ka gjëra të tjera që i do tek  ajo.  Allahu  thotë:  “Jetoni  e  silluni  mirë  me  to!  Në  qoftë  se  ato  nuk  ju  pëlqejnë  aq  shumë, (duroni!) sepse është e mundur që juve të mos ju pëlqejë diçka, por që Allahu në atë do t’ju sjellë shumë  të  mira.”  Nisa,   19.   Profeti  salAllahu  alejhi  ue  selem  thotë:   “Të   mos  e  urrejë  besimtari besimtaren, nëse nuk pëlqen prej saj një moral, do t’i pëlqejë një moral tjetër.” Muslimi. Andaj, nuk të lejohet që për një sjellje të keqe të saj, ta braktisësh e ta urresh, ngase ka shumë të mira të tjera që të bëjnë ta duash atë.

 

Burri vepërmirë e di se gruaja është e dobët dhe se atë e ka marrë me amanet prej Allahut, andaj nuk i bën padrejtësi asaj. Ai nuk ia përhap të metat dhe fshehtësitë që ka   mes tij dhe gruas, edhe nëse është caktim të ndahen (pas ndarjes) përsëri e ka të ndaluar t’i shfaqë ato.

 

Burri i mirë argëtohet me gruan e tij dhe e bën të buzëqeshë. Ai bën veprime të cilat e afrojnë me të. Me  këtë  e  rrit  dashurinë  mes  tyre.  Krejt  kjo  duke  e  pasuar  sunetin.  Pejgamberi  salAllahu  alejhi  ue selem ka garuar në vrapim me Aishen radijAllahu anha, edhe pse ka qenë në moshë. Po ashtu, ia ka dhënë një copë mishi që ta hajë ajo, pasi e ka kafshuar një copë, Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem e ka vënë gojën e tij mbi atë pjesë të mishit ku e ka vënë ajo.

 

Burri i mirë e nderon gruan e tij sepse kjo është porosia e Profetit salAllahu alejhi ue selem. Kështu e arrin   lumturinë   në   shtëpinë   e   tij   dhe   e   bën   të   lumtur   gruan   e   tij.   Sikur   të   gjithë   burrat   t’i përmbaheshin rregullave të Islamit në shtëpitë e tyre, atëherë të gjithë do ishin të lumtur dhe s’do ndodhnin  këto  probleme  që  po  i  dëgjojmë  sot.  Mirëpo,  disa  burra  janë  të  pakujdesshëm  ndaj  të drejtave të grave të tyre. E si pasojë, ata janë të pakënaqur në shpirtrat dhe shtëpitë e tyre. Kjo sepse ata kanë  sjellje të keqe ndaj  grave, hidhërohen  shumë shpejt,  e Islami  e mëson  njeriun  që të  jetë i qetë  dhe  që  problemet  në  bashkëshortësi  të  zgjidhen  në  mënyrën  më  të  mirë.  Kur  ata  dalin  nga shtëpia, dalin duke qenë nervoz. E kur kthehen, janë edhe më nervoz. Në këtë mënyrë, gratë e tyre jetojnë me ta në një jetë  të vështirë dhe dëshpërim të madh. Këta burra mendojnë se çdo sjellje e keqe që vjen prej grave të tyre, është shkaku tek to. E nuk mendojnë se ndoshta shkaku është tek vetë ata ngaqë kanë moral dhe sjellje të keqe ndaj grave të tyre. Të tillët, fjalët e mira i ruajnë për shokët. E ofendimet dhe ngritjen e zërit e veprojnë para grave të tyre në shtëpi. E si ka mundësi që ata ta arrijnë lumturinë në shtëpitë e tyre kur ata kanë hequr dorë nga obligimet dhe të drejtat që Islami ua ka obliguar t’i aplikojnë në shtëpitë e tyre?! Me këtë kanë mbyllur dyert e prej të cilave vije lumturia e myslimanit brenda mureve të shtëpisë së tij.

 

Burri i mirë i cili pretendon islamin dhe i cili dëshiron të arrijë lumturinë dhe rehatinë në shtëpinë e tij, e ka obligim t’i përmbahet Islamit dhe rregullave të cilat ia ka caktuar sa i përket sjelljes ndaj gruas dhe familjes së tij.  E po ashtu le të ketë shembull Muhamedin salAllahu alejhi ue selem në këtë gjë.

 

Duhet ta dish se gruaja e jote i bartë fëmijët e tu, është ajo që e ruan pasurinë tënde, e cila kujdeset për sekretet e tua, andaj duhet të sillesh me modesti ndaj saj dhe  gjithherë të jesh fytyrëçelur dhe

 

fytyrëqeshur kur të flasësh e diskutosh me të. Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem na ka mësuar se buzëqeshja ndaj vëllait tënd mysliman është sadaka, e njeriu që ka më së shumti të drejtën në këtë buzëqeshje, është gruaja jote. Buzëqeshja është ajo që i ngjall shpirtrat, fshin prej gjokseve urrejtjen dhe mllefin që kanë njerëzit mes vete.

 

Myslimani duhet ta lavdërojë gruan e tij, rreth veshjes së saj, ushqimit që e përgatit, apo zbukurimit që ajo e bën për të. Nëse vepron kështu, atëherë ti e tërheq zemrën e saj. Pejgamberi salAllahu alejhi ue  selem  e  ka  lejuar  që  nganjëherë  bashkëshortët  edhe  të  gënjejnë  (duke  shfaqur  dashurinë  të madhe edhe nëse nuk është e tillë), në mënyrë që të shtohet dashuria ndaj bashkëshortëve.

 

Dhurata i hap zemrat (i afron ato), ashtu siç na ka mësuar Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem, ajo e shton dashurinë mes njerëzve. Dhurimi i dhuratave ndërtohet në dashurinë, gëzimin  dhe lumturinë që është mes dy bashkëshortëve. Prandaj, njeriu duhet të jetë i thjeshtë ndaj gruas së tij, të sillet me thjeshtësi  ndaj  saj.  Ai  duhet  t’i  largojë  fjalët  që  janë  dykuptimëshe  dhe  mendjemadhësinë  ndaj  saj. Nëse   e   largon   mendjemadhësinë,   mburrjen   e   krenarinë   përball   saj   dhe   nuk   përdor   fjalë   të dykuptimëshe, atëherë kjo është shenjë që tregon për një jetë të lumtur mes burrit dhe gruas.

 

Që të jesh bujar në të shpenzuarit dhe dhuruarit ndaj familjes tënde, është shpenzimi dhe sadakaja më e mirë. Nuk ka sadaka më të vlefshme sesa të shpenzosh nga pasuria jote për familjen tënde.

 

Nëse ti dëshiron që gruaja jote të jetë e udhëzuar në rrugën e Allahut, atëherë ti duhet të jesh i pari i cili drejtohet në këtë rrugë. Në të gjitha fushat e jetës, vepro ashtu siç kërkon Allahu në Kuran dhe në sunnetin e Pejgamberit salAllahu alejhi ue selem. Nëse ti je i tillë, atëherë ajo me lejen e Allahut do të jetë më e udhëzuar sesa ti.

 

Vëlla i nderuar!

Duhet ditur se nuk duhet ta lëshosh shikimin në atë që ta ka ndaluar Allahu i Madhërishëm, duke i shikuar   gratë   e   tjera.   Mëkati   është   një   e   keqe   në   shtëpinë   tënde,   i   cili   pastaj   le   pasoja   të papërmirësueshme. Të shikosh TV, seriale apo emisione të ndryshme, ku ka gra të zbuluara, të cilat e zbulojnë bukurinë e tyre, kjo rezulton në pasojën se bukuria e gruas tënde nuk do peshojë në sytë e tu, nuk e sheh më si të bukur. Gjithashtu pozita e saj e lartë që ka qenë në zemrën tënde, do bie, do pakësohet.  Kjo  gjë  është  shkaktare  që  zemrat  të  përçahen,  të  largohen  dhe  dashuria  fillon  të pakësohet. Gjithsesi afërsia mes tyre do pakësohet. Nga kjo fillon përçarja, këtu fillon armiqësia mes burrit dhe gruas. Nuk ka gjë që të shpëton më shumë, sesa të larguarit nga këto gjëra.

 

Bashkëshorti i mirë duhet të sillet me gruan ashtu siç do që ajo të sillet me të, në çdo aspekt. Ibën Abbasi   radijAllahu   anhu   ka   përmendur   një   segment   të   jetës   se   si   burri   duhet   të   jetë   ndaj bashkëshortes, ashtu siç dhe ai do donte që ajo të ishte ndaj tij, siç thamë në çdo aspekt të jetës. Ai thotë: “Unë dëshiroj t’i zbukurohem gruas time, ashtu siç kam dëshirë që ajo të më zbukurohet mua.” Pra, ti ke dëshirë që ajo të të zbukurohet ty, atëherë edhe ti zbukurohu për të.

 

Nëse ndonjëherë të vjen ndonjë kritikë prej gruas tënde, atëherë dëgjoje atë me vëmendje, me gjoks të hapur dhe fytyrëçelur. Këtë gjë e gjen më së miri në jetën e Pejgamberit salAllahu alejhi ue selem. Shpesh  herë  gratë  e  tij  e  kanë  korrigjuar  atë  në  mendimet  e  tij  dhe  ai  nuk  është  zemëruar  apo hidhëruar ndaj tyre.

 

Nga  ajo  që  burri  e  ngrit  lart  pozitën  e  tij,  është  që  i  mos  të  marrë  prej  pasurisë  së  gruas  së  tij, përveçse me lejen e saj. Ai nuk guxon të marrë asgjë nga pasuria të cilën ajo e posedon, përveç nëse ajo i jep leje. Por, nga ana tjetër, ti e ke obligim të shpenzosh për të nga pasuria jote. Shpenzo për gjëra të mira, për gjëra që janë të lejuara, e të mos tregohesh koprrac.

 

Gruaja ka dëshirë të bisedojë me bashkëshortin e saj, të diskutojë për të gjitha çështjet e saj. Kur ajo fillon të bisedojë me ty, ti duhet ta dëgjosh me vëmendje dhe edukatë të lartë.

 

Burri i mirë i kryen detyrat e punët e shtëpisë. Kjo është prej shenjave të burrave besnikë. Pra, ata që kanë qenë besnikë, i kanë kryer punët e shtëpisë, e nuk ia kanë ngarkuar të gjitha gruas. Kur është pyetur Aisha radijAllahu anha: “Çfarë bënte Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem në shtëpinë e tij?”, ajo tha: “Ai ka qenë njeri sikur të tjerët, ka pastruar rrobat e tij, ka mjelë delen dhe i ka shërbyer vetes së tij.”  Transmeton  imam  Ahmedi.  Pra  ai  salAllahu  alejhi  ue  selem  nuk  ka  qenë  barrë  për  të  tjerët,  i  ka shërbyer vetës së tij.

 

Mos e tepro në qëndrimin jashtë shtëpie me shokët e tu, duke lënë anash të drejtat e familjes tënde dhe fëmijëve tu, sepse familja janë më meritorë për ty sesa shokët e tu.

 

Mos ia kujto të metat gruas tënde që i ka bërë në të kaluarën! Mos e qorto atë duke bërë me shenja apo gjeste, duke ia shfaqur gabimet apo të metat e kaluara.

 

Problemet mes bashkëshortëve duhet të fshehën prej fëmijëve. Ato nuk duhen të shfaqen para tyre, sepse nëse ndodh kjo, ka pasoja të këqija në të edukuarit e tyre. Gjithashtu, do humbet edhe respekti i fëmijëve ndaj tyre si prindër.

 

Zemërimi  dhe  hidhërimi  është  themeli  i  çdo  armiqësie  dhe  ndasie.  Ndaj  lidhja  mes  teje  dhe  gruas tënde është shumë më e lartë sesa ti ta poshtërosh atë në një çast hidhërimi e zemërimi që të kaplon. Andaj,  burri  gjithmonë  duhet  t’i  japë  prioritet  heshtjes  ndaj  fjalëve  të  këqija  që  dalin  si  pasojë  e hidhërimit   dhe   zemërimit,   falja   ndaj   gjynaheve   dhe   gabimeve   është   më   afër   mendjes   dhe devotshmërisë  sesa  të  veprohet  e  kundërta.  Umeri  radijAllahu  anhu  ka  thënë:  “Dobësinë  e  tyre shërojeni duke heshtur.” Gratë janë të dobëta, prej tyre dalin gabime e lëshime, e këtë dobësi thotë shërojeni duke heshtur, duke mbyll sytë, veshët dhe duke mos i marr afër zemrës. Nëse vjen diçka që nuk  u  pëlqen  juve,  heshtni,  mos  ia  përmendni  të  metat.  Mos  i  ulni  ato  duke  i  nënshtruar  dhe nënçmuar përmes gabimeve të kaluara.

 

Njeriu e arrin lumturinë nëse e kupton realitetin e kësaj bote dhe vlerën e ahiretit. Kjo botë është e shkurtër, ikë shpejt. Ahireti është i përhershëm. Ai që nuk ka qenë rob i kësaj dynjaje, ai e ka arritur lumturinë në të. Ai që e ka synim ahiretin, ai ka arritur t’i veprojë shkaqet që e bëjnë të lumtur në këtë botë dhe në ahiret.

 

 

Shkëputur nga ligjëratat: “Hadithi: “Ju porosis që të silleni mirë me bashkëshortet”, “Si ta arrijmë lumturinë në Islam?”

“Sekretet bashkëshortore”.

Transkriptoi dhe redaktoi: Albiona Olluri

Maj, 2016

 

Shkarko në PDF

Shpërndaje artikullin
Madhësia e tekstit