Në dritën e Kur’anit dhe Sunetit

Këshillë e përgjithshme rreth disa gjynaheve të mëdha

Shejh: AbdulAziz bin Baz (Allahu e mëshiroftë)

Marrë nga “Meusua’tu fetaua el-lexhneti ue-l-imamejn” – www.islamspirit.com

Nga AbdulAziz bin Abdullah bin Baz drejtuar çdokujt që e sheh apo e lexon prej vëllezërve të mi muslimanë. Allahu më dhëntë sukses mua dhe atyre drejt gjërave që e Ai i do, dhe më largoftë mua dhe ata nga gjërat që e hidhërojnë dhe e kundërshtojnë Atë. Amin!

Selamun alejkum ue rahmetullahi ue berekatuhu, më pastaj:

Porosia ime drejtuar çdo muslimani është që ta ketë frikë Allahun e Lartësuar në të gjitha gjendjet dhe që ta ruajë gjuhën nga të folurit në përgjithësi, përveç nga të folurit dobia e së cilës shfaqet haptas. Sepse ka mundësi që të folurit e lejuar të kthehet në të palejuar apo në të urryer, siç ndodh shpesh mes njerëzve. Allahu i Lartësuar thotë:

“Për çdo fjalë që ai thotë ka pranë vetes një mbikëqyrës të gatshëm (për ta shënuar atë)” (Kaf-18).

“Mos shko pas diçkaje për të cilën nuk ke dijeni. Vërtet, dëgjimi, shikimi dhe zemra, të gjithë këta do të merren në përgjegjësi” (El-Isra-36).

Dhe thotë Profeti – sal-lAllahu alejhi ue sel-lem -, në hadithin të cilin e transmetojnë Buhariu dhe Muslimi nga Ebu Hurejreh – radijAllahu anhu:

“Kush beson në Allahun dhe në Ditën e Fundit, le të flasë mirë ose le të heshtë”.

Ka gjëra të cilat të folurit e njeriut mund t’i tërheqë pas vete dhe të cilave duhet t’u kushtohet kujdes e të paralajmërohen njerëzit prej tyre, për arsye se janë prej gjynaheve të mëdha, të cilat e obligojnë Hidhërimin e Allahut dhe ndëshkimin e dhembshëm të Tij, si dhe për shkak të përhapjes së tyre në disa prej shoqërive.

Prej këtyre gjërave janë:

1- Përgojimi:

I cili është: të përmendurit e vëllait tënd më gjëra që, nëse atij i tregohen, nuk i vjen mirë, pavarësisht se a përmendet ai me ndonjë të metë në trupin, në prejardhjen, në moralin, në veprën, në të folurit, në fenë apo në dynjanë e tij; bile edhe në rrobat, në shtëpinë apo në kafshën e tij.

Transmetohet nga Ebu Hurejreh – radijAllahu anhu -, se Profeti – sal-lAllahu alejhi ue sel-lem – ka thënë:

“A e dini se ç’është përgojimi?” Thanë: “Allahu dhe i Dërguari i Tij e dinë më së miri”. Tha: “Të përmendurit e vëllait tënd më gjëra që ai i urren”. Shokët e tij thanë: “E, çfarë mendon, nëse vëllai im e ka atë për të cilën kam folur?”. Tha: “Nëse ai e ka atë për të cilën ke folur, atëherë e ke përgojuar; nëse jo, ke shpifur ndaj tij” (Transmeton Muslimi).

Përgojimi është i ndaluar për çfarëdo lloj shkaku, pavarësisht se a bëhet për shkak të shuarjes së urrejtjes (brenda njeriut, sh.p.), për lajkatim ndaj të pranishmëve dhe ndihmesën e tyre në të folur, për t’ua bërë qejfin, për shkak të zilisë, të lojës apo të talljes si kalim kohe, dhe kështu përmend të metat e të tjerëve duke i bërë të pranishmit të qeshin.

Allahu i Lartësuar e ka ndaluar përgojimin dhe ua ka tërhequr vërejtjen nga ai robërve të Tij, siç thotë:

“O ju që keni besuar! Mënjanoni shumë dyshime, se, vërtet, disa dyshime janë gjynah. Mos e spiunoni dhe mos e përgojoni njëri-tjetrin! Mos vallë dëshiron ndokush prej jush të hajë mishin e vëllait të vet të vdekur?! Sigurisht që ju do ta urrenit këtë! Kijeni frikë Allahun! Me të vërtetë, Allahu është Pranues i pendimit dhe Mëshirëplotë” (El-Huxhurat-12).

Ndërsa në hadithin, i cili transmetohet nga Ebu Hurejreh, Profeti – sal-lAllahu alejhi ue sel-lem – thotë:

“Muslimani në tërësi është i ndalur për muslimanin; gjaku i tij, pasuria e tij dhe nderi i tij” (Transmeton Muslimi).

Dhe ka thënë – sal-lAllahu alejhi ue sel-lem – në fjalimin e Haxhit lamtumirës:

“Vërtet, gjaku juaj, pasuria juaj dhe nderi juaj janë të shenjta (ndaluara) për ju ashtu siç është e shenjtë kjo ditë juaja, në këtë muaj tuajin dhe në këtë vend tuajin. A e kam përcjell porosinë?!” (Buhariu dhe Muslimi).

Gjithashtu, transmetohet nga Ebu Hurejreh se Profeti – sal-lAllahu alejhi ue sellem – ka thënë:

“Prej kamatës më të keqe është thellimi i njeriut në (shkeljen) nderin e vëllait të tij” (Bez-zari dhe Ebu Daudi).

Janë tepër të shumta hadithet autentike të cilat ndalojnë e qortojnë përgojimin, si dhe që paralajmërojnë kundër tij.

2- Prej gjërave që duhet t’i mënjanojmë dhe të largohemi prej tyre, si dhe t’ua tërheqim vërejtjen të tjerëve nga to është bartja e fjalëve nga njëri person tek tjetri, apo nga një grup njerëzish tek grupi tjetër, apo nga një fis tek tjetri, me qëllim të prishjes dhe ndezjes së armiqësisë mes tyre.

Bartja e fjalëve është: përhapja (zbulimi) e diçkaje, përhapja e së e cilës urrehet, pavarësisht se a e urren ai për të cilin është përhapur, apo ai të cilit i përcillet, apo ndonjë person i tretë. Dhe është krejt njëjtë si kur përhapet me fjalë, me shkrim, me shenjë, apo me lëvizje. Gjithashtu, është njësoj qoftë kur ajo që përhapet mes njerëzve është prej thënieve a veprave, prej të metave a mangësive të atij që flitet për të, qoftë kur nuk është e tillë.

Kështu, njeriu e ka obligim të heshtë ndaj çdo gjëje që e sheh prej gjendjeve të njerëzve, përveç nëse në përhapjen e saj ka dobi muslimani apo largohet ndonjë sherr prej tij.

Nxitësi për bartjen e fjalëve ose është qëllimi i keq ndaj atij për të cilin flitet, ose shfaqja (kinse) e dashurisë ndaj atij që i përcillet, ose të kënaqurit me bisedën ose me thellimin në gjëra neveritëse e të kota. E tëra kjo është haram. Ndërsa ai të cilit i bartet fjala me çfarëdo mënyre (të bartjes), duhet të mos e marrë si të vërtetë, sepse bartësi i fjalëve konsiderohet fasik (njeri i prishtë sh.p), të cilit nuk i pranohet dëshmia.

Allahu i Patëmeta thotë:

“O ju që keni besuar! Nëse ndonjë njeri i pandershëm (fasik) jua sjell ndonjë lajm, sigurohuni mirë (në është i vërtetë) që të mos i bëni dëm dikujt pa dashje e të pendoheni pastaj për atë që keni bërë” (El-Huxhurat-6).

Dhe, gjithashtu, e ka obligim që ta ndalojë atë nga bartja e fjalëve, ta këshillojë dhe ta shëmtojë veprën e tij, për shkak të Fjalës së Allahut:

“…urdhëroje të mirën dhe pengoje të keqen…” (Lukman 17).

Gjithashtu, duhet ta urrej për hir të Allahut dhe assesi mos të mendojë keq për vëllanë e tij të përfolur; përkundrazi, duhet të ketë mendim të mirë për të, për shkak të Fjalës së Allahut:

“O ju që keni besuar! Mënjanoni shumë dyshime, se, vërtet, disa dyshime janë gjynah…” (El-Huxhurat 12).

Dhe për shkak të fjalës së Profetit – sal-lAllahu alejhi ue sel-lem:

“Ruajuni nga dyshimi, sepse dyshimi është gënjeshtra më e madhe” (Buhariu dhe Muslimi).

Dhe s’duhet të hulumtojë e ta spiunojë atë për të cilin është folur, në mënyrë që mos të bjerë në shkallë të njëjtë me bartësin e fjalëve, duke përhapur fjalët që i kanë arritur.

Janë të shumta argumentet nga Kurani dhe suneti, të cilat ndalojnë bartjen e fjalëve. Prej tyre është Fjala e Allahut:

“Por ti mos iu bind çdo betari të përçmuar, shpifaraku, që përhap thashetheme” (El-Kalem 10-11).

“Mjerë për çdo shpifës-përqeshës” (El-Humezeh-1).

Dhe transmetohet nga Hudhejfe –radijAllahu anhu- se Profeti –sal-lAllahu alejhiu ue sel-lem ka thënë:

“Nuk do të hyjë në Xhenet thashethemexhiu” (Buhariu dhe Muslimi).

Gjithashtu, transmetohet nga Ibën Mes’udi –radijAllahu anhu- se Profeti-sallAllahu alejhi ue sel-lem ka thënë:

“A dëshironi t’ju tregojë se ç’është el-‘ad’hu? Ajo është en-nemimetu; përcjellja e fjalëve mes njerëzve (me qëllim urrejtjeje mes tyre, sh.p) (Muslimi).

Bartja e fjalëve është prej shkaqeve që e obligojnë dënimin e varrit, siç transmetohet nga Ibn Abbasi –radijAllahuanhuma- se Profeti –sal-lAllahu alejhi u sel-lem- kaloi pranë dy varreve dhe tha:

“Këta dy janë duke u dënuar. Ata nuk janë duke u dënuar për ndonjë mëkat të madh (sipas tyre), kurse, në të vërtetë, është mëkat i madh (tek Allahu). Njëri prej tyre ka bartur fjalë mes njerëzve, kurse i dyti nuk është ruajtur nga pikat e urinës” (Buhariu dhe Muslimi).

Janë ndaluar përgojimi dhe bartja e fjalëve, për arsye se në to ka nxitje për prishje midis njerëzve, dhe se janë shkak për lindjen e përçarjes, anarkisë, dhe për ndezjen e zjarrit të armiqësisë, urrejtjes, zilisë dhe hipokrizisë. (Dhe se janë shkak) për largimin e çdo miqësie të ngushtë dhe për vdekjen e çdo dashurie, përmes (futjes së) përçarjes, armiqësisë dhe neverisë midis vëllezërve që janë të bashkuar. Dhe, gjithashtu, janë të ndaluara, sepse në to ka rren, pabesi, tradhti, dredhi, akuza të panumërta kuturimthi ndaj të pafajshmëve dhe lëshim të frenave të sharjes, ofendimit dhe përmendjes së shëmtive. Dhe, për arsye se janë shenja të paburrërisë, poshtërsisë dhe dobësisë. Duke ja shtuar tërë kësaj se ata që përgojojnë dhe bartin fjalë, bartin gjynahe të shumta, të cilat tërheqin Hidhërimin e Zemërimin e Allahut si dhe ndëshkimin e dhembshëm të Tij.

3- Prej gjërave që duhet t’i mënjanojmë dhe të largohemi prej tyre është edhe vesi i urryer/qortuar – zilia.

Zilia është: që njeriu të dëshirojë largimin e begatisë nga vëllai i tij musliman, pavarësisht se a është kjo begati në fe apo në dynja. Dhe kjo është kundërshtim (protestë) ndaj asaj që Allahu ka caktuar dhe ndarë mes robërve të Tij, dhe (ndaj asaj) që Ai u ka bërë nderë atyre. Gjithashtu, kjo është zullum i ziliqarit ndaj vetvetes, sepse imani i tij pakësohet për shkak të zilisë dhe i sjellë vetes së tij telashe dhe siklete, përmes së cilave e shkatërron veten me një shkatërrim të shpejtë.

Allahu i Patëmeta thotë:

“A mos i kanë zili njerëzit për çfarë u ka dhuruar Allahu nga të mirat e Veta?…” (En-Nisa- 54).

Transmetohet nga Ebu Hurejreh, se Profeti –sal-lAllahu alejhi ue sel-lem- ka thënë:

“Mos ia keni zili njëri-tjetrit, mos e urreni njëri-tjetrin, mos ia ktheni shpinën njëri-tjetrit, mos bëni nexhsh1 gjatë tregtisë, dhe mos ndërhyni në shitblerjen e njëri-tjetrit. O robër të Allahut, bëhuni vëllezër të mirëfilltë!” (Muslimi).

Gjithashtu, transmetohet nga Ebu Hurejreh se Profeti –sal-lAllahu alejhi ue sellem- ka thënë:

“Largohuni nga zilia, sepse zilia i hanë veprat e mira ashtu siç i han zjarri drunjtë” (Ebu Daudi).

4- Gjithashtu duhet të largohemi nga zullumi.

Zullumi është: padrejtësia dhe vendosja e gjërave jo në vendin e tyre që u takon sipas fesë. Zullumi më i madh është: shirku ndaj Allahut të Patëmeta dhe të sfiduarit e Tij me kundërshtim dhe me gjynahe.

Allahu thotë:

“Pa dyshim, idhujtaria është një padrejtësi shumë e madhe” (Lukman- 13).

“Jobesimtarët janë zullumqarët e vërtetë” (El-Bekareh- 254).

Gjithashtu, marrja e pasurisë së dikujt pa të drejtë, apo uzurpimi i ndonjë pjese të tokës së tij, apo sulmimi i tij. Edhe zullumi është gjynah prej gjynaheve të mëdha dhe mëkatim ndaj Allahut. Zullumi –Allahu na ruajt- është rrjedhojë e errësirës së zemrës, sepse, sikur zemra e zullumqarit të ndriçohej me dritën e udhëzimit, do t’i pranonte këshillat.

Allahu thotë:

“… për zullumqarët (në Ditën e Gjykimit) nuk ka asnjë mik të afërt dhe as ndërmjetësues të pranueshëm” (El-Gafir-18).

“…për zullumqarët nuk do të ketë asnjë që t’u ndihmojë (Ditën e Gjykimit)” (El-Haxh-71).

“Mos mendo kurrsesi që Allahu nuk e vëren atë që bëjnë zullumqarët! Ai vetëm ua shtyn (dënimin) deri në Ditën kur sytë e tyre do të zgurdullohen (nga tmerret që do të shohin)” (Ibrahim-42).

“… kush prej jush ka bërë padrejtësi, Ne atij do t’i japim të shijojë dënim të madh” (El-Furkan-19).

Transmetohet në Sahihun e Muslimit, nga Ebu Dherri –radijAllahu anhu-, nga i Dërguari –sal-lAllahu alejhi ue sel-lem-, i cili ka thënë:

“Allahu thotë: “O robërit e Mi, vërtet, Unë ja kam ndaluar Vetes padrejtësinë dhe e kam bërë të ndaluar edhe midis jush, pra, mos i bëni zullum njëritjetrit”.

Është transmetuar nga Xhabiri, se Profeti –sal-lAllahu alejhi ue sel-lem ka thënë:

“Ruajuni nga zullumi, sepse zullumi do të jetë errësira[2]në Ditën e Kiametit” (Muslimi).

Dhe transmetohet nga Abdullah bin ‘Amër bin el-‘As –radijAllahu anhuma- se Pejgamberi –sal-lAllahu alejhi ue sel-lem- ka thënë:

“Musliman (i mirëfilltë) është ai, nga gjuha dhe dora e të cilit janë rehat muslimanët e tjerë. Dhe muhaxhir (i mirëfilltë) është ai, i cili largohet nga ajo që Allahu e ka ndaluar”. (Buhariu dhe Muslimi).

Këto hadithe dhe të tjera të ngjashme me tematikën e tyre, aludojnë për domosdoshmërinë e kujdesit nga zullumi ndaj personave, ndereve dhe pasurive, për shkak të sherrit dhe fesatit të madh dhe përfundimeve të shëmtuara. Gjithashtu, aludojnë për domosdoshmërinë e pendimit tek Allahu nga zullumi i mëparshëm dhe për këshillimin e njëri-tjetrit që të largohemi nga çdo gjë që e ka ndaluar Allahu, qoftë ai prej zullumit apo prej gjërave tjera që janë mëkate.

Allahu më dhëntë sukses mua dhe juve drejt moraleve të larta dhe veprave të mira, dhe na largoftë nga moralet e ulëta dhe veprat e këqija. Gjithashtu, na udhëzoftë në rrugën e drejtë, sepse Ai, vërtet, është më Bujari dhe më Fisniku!

Salatet dhe selamet qofshin për të Dërguarin tonë, Muhamedin, për familjen dhe për mbarë shokët e tij!

Ues-selamu alejkum ue rahmetullahi ue berekatuhu!

 

Përktheu: Petrit Perçuku

 

____________________________________________________

[1] Fryrja e çmimit të mallit nga ai i cili nuk dëshiron ta blejë, mirëpo ka për qëllim nxitjen e të tjerëve në blerjen e tij me çmim të lartë. Kjo mund të jetë me marrëveshje midis “kinse” blerësit dhe shitësit, apo vetëm nga blerësi, apo vetëm nga shitësi (sh.p).

[2] Dhulumat: errësira, në shumës (sh.p).

  • Shpërndaje
Share on facebook
Share on telegram
Share on whatsapp
Share on twitter
Share on email

NA NDIQNI NË FACEBOOK

ABONOHU NË EMAIL

Pranoni postimet e reja në email duke u abonuar

POSTIMET E FUNDIT

RËNDËSIA E TEUHIDIT

MË TË KLIKUARAT

Arkiva