Në dritën e Kur’anit dhe Sunetit

Krahasimet në Kur’an-3

Krahasimi i fjalës së keqe me pemën e keqe

“Fjala e keqe është si pema e keqe me rrënjë të shkulura, e paqëndrueshme për ekzistencë. Allahu i forcon besimtarët me fjalë të qëndrueshme në këtë botë dhe në botën tjetër, kurse keqbërësit i shpie në humbje; Allahu bën ç’të dojë” (Ibrahim 26-27)

Më pas, Allahu përmend shembullin e fjalës së keqe, duke e krahasuar me pemën e keqe, e cila ka rrënjë të shkulura dhe është e paqëndrueshme. Pema e keqe nuk ka rrënjë të qëndrueshme, as degë të larta as fruta të zhvilluara, as nuk bën hije as nuk i vjelen frutat, as nuk ka trung të drejtë as rrënjë të thella, as nuk është e lartë. Nëse njeriu i menqur i vështron shumicën e fjalëve të njerëzve, kur ata flasin dhe shkruajnë, do të vërej se ato janë sikurse ky shembull, andaj është humbje e madhe të preokupuarit me to, dhe të lihet fjala më e mirë dhe më e dobishme.

Rreth ajetit: “Fjala e keqe është si pema e keqe me rrënjë të shkulura, e paqëndrueshme për ekzistencë” (Ibrahim/26), Dahaku thotë: “Ajo nuk ka rrënjë as degë, në të nuk ka fruta as dobi. I tillë është edhe pabesimtari, i cili nuk vepron mirë as nuk flet mirë, e as nuk vë Allahu breqet as dobi në të.”

Ndërsa ibën Abasi thotë: “Fjala e keqe” dmth është shirku, “pema e keqe” është pabesimtari, ndërsa fjalët: “me rrënjë të shkulura dhe e paqëndrueshme për ekzistencë” tregojnë se shirku nuk ka bazë as argument që të mbështet pabesimtari, dhe se Allahu nuk e pranon veprën e mushrikut dhe as që ngjitet lart te Allahu.

Pra fjala: “nuk ka rrënjë të forta në tokë e as degë të ngritura lart” dmth ai nuk ka vepër të mirë në qiell e as në ahret.

Rebië ibën Enesi thotë: “Pema e keqe është sikurse pabesimtari, sepse fjala dhe vepra e tij nuk kanë rrënjë as degë, dhe ato nuk janë të qëndrueshme në tokë e as që ngjiten lart në qiell.”

Saidi transmeton nga Katade, të ketë thënë rreth këtij Ajeti: “Një njeri kishte takuar një dijetarë dhe e kishte pyetur: “Çfarë thua ti për fjalën e keqe? Ai ishte përgjigjur: “Ajo nuk është e qëndrueshme në tokë e as nuk ngjitet lart në qiell, përveç kur ajo i varet në qafë njeriut, derisa të përgjigjet për të në ditën e gjykimit”.

Më pas, Allahu njofton për gjykimin dhe drejtësinë e Tij mes dy grupeve, atyre të fjalës së mirë dhe atyre të fjalës së keqe. Ai njofton se ata të cilët besuan do t’i forcojë me fjalën e qëndrueshme, për të cilën kanë nevojë më së tepërmi, si në dunja ashtu edhe në ahiret, kurse zullumqarët (mushrikët) do t’i devijojë nga kjo fjalë. Pra, Ai me drejtësinë e Tij, i devijon pabesimtarët për shkak të mosbesimit të tyre, kurse me mirësinë e Tij i forcon besimtarët për shkak të besimit të tyre.

Në fjalën e Allahut: “Allahu i forcon besimtarët me fjalën e qëndrueshme në këtë botë dhe në botën tjetër” (Ibrahim/27), qëndron një thesar i madh, ku ai i cili ndalet dhe e vështron, e nxjerr me kujdes dhe e përvetëson, pastaj e shpenzon të, do të fitoj shumë. Ndërsa ai i cili është privuar nga ky thesar ka humbur, sepse robi ka nevojë që Allahu ta forcojë në çdo çast, dhe nëse Allahu nuk e forcon, atëherë do të devijoj në imanin e tij. Allahu i thotë Pejgamberit të Tij: “Dhe sikur mos të të kishim forcuar Ne, gati do të kishe anuar pak nga ata” (El Isra/74). Pastaj thotë: “(Kujto o Muhamed) kur Zoti yt i frymëzoi engjëjt: “Unë jam me ju, andaj forcojini ata që besojnë”. Në hadith është transmetuar se Pejgamberi(salallahu alejhi ve selem, ka thënë: “Allahu i urdhëron ata dhe i forcon”[1]. Kurse në një ajet tjetër, Allahu thotë: “Ne po t’i tregojmë ty disa nga historitë e të dërguarve, për të ta forcuar zemrën” (Hud/120).

Të gjithë njerëzit janë në dy grupe: njëri grup është i ndihmuar me forcim, kurse tjetri i poshtëruar me mosforcim. Thelbi i forcimit është përbëhet nga fjala e qëndrushme dhe kryerja e ibadetit, me të cilat Allahu e forcon robin e Vet. Pra sa më e qëndrueshme të jetë fjala e tij dhe sa më i mirë ibadeti i tij, atëherë aq më i madh do të jetë forcimi i tij. Allahu thotë: “E sikur të vepronin ata siç këshilloheshin, kjo për ata do të ishte më mirë dhe do të ishin më të fortë në besim” (En Nisa/66). Pra njeriu me zemrën më të fortë, është ai që ka fjalën më të qëndrueshme, ndërsa fjala e qëndrueshme është fjala e vërtetë, që është e kundërta e fjalës së pavërtetë dhe gënjeshtrës. Sepse fjala është dy llojesh: fjala e vërtetë që ka realitet, dhe fjala e pavërtetë që nuk ka realitet. Fjala më e qëndrueshme është dëshmia e teuhidit dhe fjalët që e shoqërojnë atë, dhe kjo është fjala më madhështore me të cilën Allahu i forcon robërit e tij në dunja dhe ahiret. Për këtë, vëren se ai që flet fjalë të vërtetë është njeriu që ka zemrën më të guximshme dhe më të fortë, ndërsa gënjeshtari është njeriu më i nënqmuar, më i keqi, më dredhaku dhe më i paqëndrueshmi. Njohësit e tipareve të njerëzve e kuptojnë sinqeritetin e njeriut, në rast provimi, në bazë të qëndrueshmërisë dhe guximit të zemrës së tij, ndërsa gënjeshtarin e njohin me të kundërtën e kësaj, dhe vetëm ai që nuk ka mendjeprehtësi nuk e di këtë. Dikush ishte pyetur për fjalët e një njeriu të përfolur, dhe ishte përgjigjur: “Pasha Allahun, nuk i kam kuptuar fjalët e tij, por vërejta se ato nuk ishin fjalë të gënjeshtarit (sepse ishte shumë i guximshëm). Begatia më e mirë me të cilën begatohet njeriu është fjala e qëndrushme”.

Njerëzit e fjalës së qëndrushme i shijojnë frutat e saj në kohën kur kanë nevojë më së tepërmi, në varret e tyre dhe në ditën e gjykimit, siq tregohet në sahihun e Muslimit nga Brau ibën Azib i cili transmeton nga Pejgamberi (salallahu alejhi ve selem) se ky ajet ka zbritur lidhur me dënimin e varrit.

Shkëputur nga libri: “El Emthalu fil Kur’ani”

Autor: Ibën Kajim el Xheuzije

Përktheu: J.B

————————————————————

[1]Transmeton Tirmidhiu dhe Ahmedi.

  • Shpërndaje
Share on facebook
Share on telegram
Share on whatsapp
Share on twitter
Share on email

NA NDIQNI NË FACEBOOK

ABONOHU NË EMAIL

Pranoni postimet e reja në email duke u abonuar

POSTIMET E FUNDIT

RËNDËSIA E TEUHIDIT

MË TË KLIKUARAT

Arkiva