Kush janë dijetarët? – 4

Shkëputur nga libri “Et-Tekfîr ue dauâbituhû” fq. 38-44

Autor: Dr. Muhamed bin Umer Bâzmûl, profesor në Universitetin Ummul-Kurâ në Mekë

Prej cilësive të dijetarëve është se ata janë të denjë për hulumtime/shqyrtime dhe kanë kuptim të thellë.

Allahu i Bekuar e i Lartësuar thotë: “Kur atyre u vjen ndonjë lajm i rëndësishëm që ka të bëjë me sigurinë ose frikën, ata e përhapin (pa e vërtetuar mirë). Por, në qoftë se këtë lajm do t’ia përcillnin (për shqyrtim) të Dërguarit dhe parisë, hulumtuesit do ta merrnin vesh prej tyre (se çfarë lajmi duhet përhapur e çfarë jo). Sikur të mos ishte mirësia e Allahut dhe mëshira e Tij, ju të gjithë do të ndiqnit djallin, përveç një numri të vogël.” (En-Nisâ, 83).

Ebu Hâtim Er-Râzij (Allahu e mëshiroftë) thotë: “Dija tek ne përbën atë që ka ardhur nga Allahu i Lartësuar: ajetet shfuqizuese të Kuranit dhe jo të shfuqizuara, pastaj hadithet e vërteta të përcjella nga i Dërguari i Allahut (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem), të cilat nuk hidhen poshtë (nga hadithe tjera), pastaj ato që janë përcjellë nga grumbulli i sahabëve, për të cilat ata kishin njëzëshmëri. E, kur ata (sahabët) të kenë mospajtime, nuk dilet jashtë tyre. E nëse kjo (nga sahabët) nuk dihet dhe nuk kuptohet, atëherë, dija merret nga tabi’inët.

E, nëse nuk gjendet tek ta, atëherë, prej imamëve të fesë, që ishin pasues të tyre, si: Ejjûb Es-Sihtijânij, Hammâd bin Zejd, Hammâd bin Seleme, Sufjâni, Mâliku, El-Euzâ’ij dhe El-Hasen bin Sâlih.

E, nëse nuk gjendet tek këta, atëherë merret prej çiftit të AbduRrahmân bin Mehdij, Abdullah bin El-Mubârek, Abdullah bin Idrîs, Jahjâ bin Âdem, ibën ‘Ujejne dhe Ueki’ bin Xherrâh.

Pas tyre vijnë: Muhamed bin Idrîs Esh-Shâfi’ij, Jezîd bin Hârûn, El-Humejdij, Ahmed bin Hanbel, Is’hâk bin Ibrâhîm El-Handhalij dhe Ebu ‘Ubejd El-Kâsim bin Sel-lâm.”

Ibën Kajjim El-Xheuzijje (Allahu e mëshiroftë), duke u ndërlidhur me fjalët e Ebu Hâtimit thotë: “Kjo është rruga e dijetarëve dhe imamëve të fesë, pra, konsiderimi i thënieve të këtyre (që u përmendën më lartë) karshi Kuranit, Sunetit dhe thënieve të sahabëve, si pozitën e tejemmumit. Tejemmmumi merret kur nuk ka ujë, ndërkaq, këta të mëvonshmit, pasuesit e verbër, e zgjodhën tejemmumin, edhe pse uji është në mesin e tyre dhe përdorimi i tij është shumë më i lehtë sesa ai (tejemmumi).”[1]

Nëse thuhet: “Edhe racionalistët hulumtojnë (rreth meseleve të fesë), andaj, si ka mundësi të jetë kjo cilësi e dijetarëve?!”

Përgjigjja: Hulumtimi (shqyrtimi) i mirëfilltë, që është cilësi e dijetarit, qëndron mbi baza të vendosura nga dijetarët dhe merret nga Kurani i Madhërishëm dhe nga Suneti i pastër, sipas kuptimit të selefëve të mirë (riduânullahi alejhim).

Ndërkaq, bazat e racionalistëve ndryshojnë nga kjo rrugë, si në pikëpamje, ashtu edhe në shqyrtim. Kështu, vendimet nga Kurani dhe suneti ata i nxjerrin duke u mbështetur në anën gjuhësore, ndërsa, disa të tjerë, duke mbështetur në anën gjuhësore dhe në mendjet e tyre. Ka edhe të tillë që këtë e bëjnë duke u mbështetur në indikatorë dhe shfaqje që vijnë nga zemra. Kështu mendojnë ata!!

Ka edhe asi që këtë e bëjnë duke u mbështetur vetëm në fikhun e Ehlul-Bejtit.

Mirëpo, tërë kjo është shqyrtim (hulumtim) sipas rrugës së gabuar.

Andaj, të denjët për shqyrtim të mirëfilltë janë dijetarët, dhe ai (shqyrtimi i mirëfilltë) është që nxirret nga Kurani dhe Suneti, sipas kuptimit të selefëve.

Pra, dijetarët janë ata që i shqyrtojnë ashtu si duhet gjërat kur të vijnë ngjarjet tronditëse dhe sprovat; ata e njohin fitnen kur ajo vije, ndërkaq, kur fitneja të largohet, atë e njeh secili.

Nga Zurejku nga Ebu Es-Sulejl përcillet të ketë thënë: “Shkova tek Sile bin Eshjem dhe i thash: “Më mëso prej asaj që Allahu të ka mësuar!” Ai ma ktheu: “Ti sot je sikur unë ditën kur shkova tek shokët e Profetit (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem) dhe u thash: “Më mësoni prej asaj që Allahu ju ka mësuar!” Ata më thanë: “Këshillo për Kuranin dhe këshilloji myslimanët, përkushtohu në lutjen drejtuar Allahut, aq sa ke mundësi dhe mos u bëj i vrarë i shkopit, i vrarë për filan familjen apo për filan familjen. Ki kujdes nga disa njerëz që thonë ne jemi besimtarë, por s’kanë të bëjnë asgjë me besimin; ata janë el-harûrijje (havarixhët).”

Zurejku thotë: “E kam dëgjuar Hasenin duke thënë: “Kur të vijë fitneja, atë e njeh çdo dijetar, ndërsa, kur të largohet, atë e njeh secili injorant.” [2]

Pra, këta janë dijetarët të cilëve duhet t’u kthehemi për t’i njohur këto gjëra dhe vendime, dhe, elhamdulilah, në vendin tonë (Arabinë Saudite) ata janë të shumtë. Në krye të tyre qëndron shkëlqesia e tij, myftiu, pastaj Komisioni i dijetarëve të mëdhenj, Komisioni i përhershëm për fetva, si dhe dijetarët e tjerë që janë të një rangu me këta, të cilët janë të njohur me dije dhe me pasim të Sunetit. Allahu i mëshiroftë ata që kanë vdekur dhe i ruajt, i udhëzoftë, i forcoftë dhe u dhëntë sukses të gjallëve. Amîn!

Fund

Përktheu: Petrit Perçuku


[1] I’lâm El-Muvek-ki’în (2/248).

[2] Përcjellë nga ibën Sa’d në Et-Tabekât (7/166), Buhariu në Et-Ta’rîh El-Kebîr (4/321) dhe Ebu Nu’ajm në El-Hilje (9/24).

Shpërndaje artikullin
Madhësia e tekstit