Në dritën e Kur’anit dhe Sunetit

Lloji “tilewetun hukmijjeh” i leximit të Kuranit (1)

20706_389050717848316_1627949226_n

Ky lloj ka për qëllim: besimin e lajmeve të cilat Allahu na ka sjellë në Kuran, po ashtu ndjekjen e urdhrave të Allahut, gjykimeve e vendimeve të zbritura në Kuran, duke i vepruar urdhrat e Tij dhe duke u larguar prej ndalesave të Tij. Ky lloj është qëllimi parësor dhe më i madh për të cilin Allahu e ka zbritur Kuranin. Thotë Allahu: “Ky (Kuran) është një libër i bekuar, që Ne ta kemi zbritur ty (Muhamed), për të përsiatur mbi vargjet e tij dhe për t’u këshilluar me të mendarët.” Sad 29. Për këtë arsye shohim se selefi ka vepruar në këtë formë me Kuranin. Ata së pari e kanë besuar Kuranin, e kanë lexuar e mësuar dhe i kanë besuar lajmeve që kanë zbritur në të, pastaj kanë zbatuar dispozitat dhe vendimet e zbritura nga Allahu në të. Këtë zbatim të urdhrave të Allahut të zbritura në Kuran e kanë bërë me besim, me bindje të paluhatshme e të plotë ndaj lajmeve e urdhrave të zbritura në të. Andaj i kanë zbatuar këto urdhra duke pasur këtë besim e bindje. Ebu Abdurrahman es Sulemi rahimehullah (tabiin) ka thënë: “Na kanë treguar ata të cilët na e mësonin Kuranin, prej tyre: Uthman bin Affeen, Abdullah ibn Mesud dhe të tjerë, se kur i kanë mësuar dhjetë ajete përmendësh, nuk kanë dalë te mësimi i dhjetë ajeteve të tjera derisa i kanë kuptuar e mësuar mirë ato, ata kanë marrë gjithë dijen (që ka qenë në to) dhe pastaj kanë punuar me to. (Ata thanë) Kështu ne i kemi mësuar të gjitha së bashku: Kuranin, dijen dhe veprën.” Kjo ka qenë rruga e selefit.———–

Ky lloj i leximit të Kuranit është boshti rreth të cilit vërtitet lumturia, apo dhe mjerimi për disa. Ata që e lexojnë Kuranin me këtë lloj të leximit, do të arrijnë lumturinë e ata që ia kthejnë shpinën, do të kenë mjerim. Allahu thotë: “dhe (Zoti) tha: “Zbritni prej Xhenetit që të dy (Ademi dhe djalli)! Do të jeni armiq të njëri-tjetrit. Kur t’ju vijë udhëzim nga ana Ime, kush do ta pasojë udhëzimin Tim, as nuk do të humbë, as nuk do të bjerë në mjerim. Kushdo që i kthen shpinën Këshillës Sime, do të ketë jetë të mjeruar dhe Ne, në Ditën e Kiametit, do ta ringjallim të verbër. Ai do të thotë: “O Zoti im, përse më ringjalle të verbër, kur unë kisha shikuar më parë?” (Allahu) do t’i thotë: “Kështu të erdhën shenjat Tona dhe ti i harrove ato e po kështu sot do të jesh i harruar[1]. Kështu e ndëshkojmë Ne atë që e tepron (me gjynahe) dhe nuk beson shenjat e Zotit të tij; e dënimi në jetën tjetër, në të vërtetë, është më i ashpër dhe më i qëndrueshëm.” Ta he, 123-127. Allahu në këto ajete na sqaron shpërblimin ndaj atyre të cilët ndjekin udhëzimin e Tij të cilin e ka zbritur tek të Dërguarit e Tij. E shpallja më madhore dhe më me vlerë është Kurani Madhështor, që e ka zbritur te Muhamedi salAllahu alejhi ue selem. Po ashtu, na tregon se si do të jetë gjendja e atyre të cilët ia kthejnë shpinën, tregohen mospërfillës dhe moskokëçarës ndaj ajeteve. Ata që ndjekin udhëzimin e Allahut, as nuk do të humbasin rrugën (ata do të jenë të udhëzuar) e as nuk do t’i godasë mjerimi. Për ta, Allahu këtu mohon dy gjëra: humbjen dhe mjerimin, ata nuk do t’i godasë asnjëra nga këto gjëra. Ky mohim përfshin dhe të kundërtën e tij, pra ky mohim prej Allahut për ta (se nuk do të humbasin e as nuk do të jenë në mjerim) tregon se ata do të kenë udhëzim e lumturi të plotë, në këtë dunja dhe në ahiret, d.m.th. ata të cilët e lexojnë Kuranin me këtë lloj të leximit, që ndjekin udhëzimet e tij. Ndërsa, ata që ia kthejnë shpinën Kuranit, nuk veprojnë me të dhe tregohen mendjemëdhenj ndaj tij, do të kenë mjerim e humbje në këtë jetë dhe jetën tjetër, këta do të kenë jetë të vështirë, vazhdimisht sa janë në këtë jetë do të jenë në shqetësime, stres e brenga, ngase nuk e kanë besimin e saktë dhe nuk kanë as vepra të mira me të cilat Allahu është i kënaqur. Allahu thotë për të tillët: “Ata janë si bagëtitë, madje edhe më zi. Pikërisht këta janë të shkujdesurit.” Araf 179. Kjo është gjendja e tyre sa janë në këtë jetë. Po ashtu do të kenë gjendje të vështirë edhe në jetën e varrit, ende pa u ringjallur. Ka ardhur në hadithe të sakta ku tregohet se jobesimtarit varri do t’i ngushtohet aq shumë saqë brinjët do t’i futen në njëri-tjetrin, ai do të qëndrojë në këtë gjendje derisa të ringjallet. Ndërsa, në ahiret, siç u tregua në ajetet me lartë, do të ringjallen të verbër. Allahu thotë: Ai, që Allahu e udhëzon në rrugën e drejtë, është i udhëzuari; ndërsa për atë që Ai e çon në humbje, me siguri që nuk do të gjesh mbrojtës tjetër, përveç Atij. Ne do t’i tubojmë ata në Ditën e Kiametit, (përmbysë) me fytyrat përtokë, të verbër, shurdhë e memecë. Vendbanimi i tyre është Xhehenemi. Kurdo, që të zbehet zjarri, Ne do t’ia shtojmë flakën.” Isra 97. Allahu i ndëshkon në këtë mënyrë sepse janë treguar të verbër ndaj së vërtetës sa ishin në këtë botë, nuk kanë dëshiruar ta shohin të vërtetën. I ringjallë të shurdhër ngase nuk kanë dashur ta dëgjojnë të vërtetën. I ringjallë të memecë ngase nuk kanë dashur të flasin me këtë të vërtetë. Për këtë lloj të njerëzve Allahu thotë: “Ata thonë: “Ajo për të cilën ti na thërret, nuk i arrin zemrat tona, sepse ato janë të mbrojtura mirë (nuk depërton në to). Veshët tanë janë të shurdhër e midis nesh e teje ka perde (nuk e pranojmë). Prandaj ti vepro si të duash, se edhe ne kështu do të veprojmë”. Fussilet 5. Andaj, Allahu në të njëjtën mënyrë i ndëshkon në ahiret ashtu siç kanë vepruar në jetën e kësaj bote. Ashtu siç kanë dëshiruar të mbesin të humbur dhe e kanë lënë pas shpine fenë e Allahut, ashtu vepron Allahu me ta në ahiret, siç gjejmë në ajetet që përmendëm më lartë, ku kuptuam se secili nga ta do të thotë: “O Zoti im, përse më ringjalle të verbër, kur unë kisha shikuar më parë?” (Allahu) do t’i thotë: “Kështu të erdhën shenjat Tona dhe ti i harrove ato e po kështu sot do të jesh i harruar…” Ta he 125-126. E gjithë kjo ështëجَزَاۤءࣰ وِفَاقًا – …si shpërblim përkatës (të veprave të tyre të këqija)”. Nebe 26. Allahu thotë: “Kush bën një të mirë, do të ketë shpërblim më të mirë se ajo. Ndërsa ai që bën një të keqe, do të dënohet vetëm aq sa e meriton vepra e tij.” Kasas 84. Ky është ndëshkim përkatës, që u përshtatet atyre, për shkak të veprave të këqija që i kanë vepruar në këtë botë.

[1] Qëllimi është se Allahu e lë të ndëshkohet në zjarr të xhehenemit.

 

•┈ ┈• • ✦ • •┈ ┈•
Ndejat e Ramazanit.? Hoxhë Lulzim Perçuku.

  • Shpërndaje
Share on facebook
Share on telegram
Share on whatsapp
Share on twitter
Share on email

NA NDIQNI NË FACEBOOK

ABONOHU NË EMAIL

Pranoni postimet e reja në email duke u abonuar

POSTIMET E FUNDIT

RËNDËSIA E TEUHIDIT

MË TË KLIKUARAT

Arkiva