Në dritën e Kur’anit dhe Sunetit

Meditimi në cilësitë dhe veprat e Allahut

Medito në ligjërimin e Kuranit dhe do të shohësh një Mbret të Plotpushtetshëm, ku të gjitha lavdet i përkasin Atij, frerët e të gjitha çështjeve janë në duart e Tij; prej Tij burojnë dhe tek Ai kthehen. Ai qëndron mbi fronin e pushtetit të Tij, asgjë nuk i shpëton kontrollit të Tij në çdo skaj të mbretërisë së Tij. Ai di ç’përmbajnë zemrat e njerëzve, njeh të fshehtat e tyre dhe atë që është e zbuluar. I Vetëm në mbarëvajtjen e punëve të mbretërisë, dëgjon dhe shikon, diku jep dhe diku privon, shpërblen dhe ndëshkon, nderon dhe poshtëron, krijon dhe furnizon, jep jetë dhe vdekje, përcakton, gjykon dhe kontrollon të gjitha punët që vijnë prej Tij, të imëta apo të mëdha qofshin, dhe tek Ai përsëri ato kthehen; as edhe një grimcë nuk lëviz pa lejen e Tij, as edhe një gjethe që bie nuk mbetet mënjanë diturisë së Tij.

Shiko sesi Allahu lëvdon Veten e Tij, e madhëron dhe e falënderon, këshillon robërit e Tij, i udhëzon ata drejt lumturisë dhe kënaqësisë së tyre, i nxit në këtë drejtim dhe i paralajmëron për çdo të keqe që çon në shkatërrimin e tyre.

Allahu u tregon njerëzve sesi ta njohin Atë nëpërmjet emrave dhe cilësive të Tij, në mënyrë që Ai të bëhet i dashur tek ata nëpërmjet mirësive dhe begative të Tij.

Allahu u kujton njerëzve mirësitë e Tij, i urdhëron t’i përkushtohen asaj që plotëson mirësinë e Tij, u tërheq vërejtjen për ndëshkimin e Tij, u kujton atyre shpërblimin që ka përgatitur për ta nëse i binden, si dhe çfarë ka përgatitur si dënim nëse nuk i binden.

Allahu tregon se si ka vepruar më parë me miqtë dhe armiqtë e Tij, sikundërse nga ana tjetër tregon edhe përfundimin e secilës palë. Ai i lavdëron miqtë e Tij për cilësitë dhe veprat e mira që kanë bërë, ndërsa kritikon armiqtë e Tij për cilësitë dhe punët e këqija që kanë vepruar. Allahu jep shembuj të ndryshëm dhe paraqet argumente dhe fakte të larmishme. Ai i përgjigjet më së miri dyshimeve që ngrenë armiqtë e Tij, vërteton fjalët e të sinqertëve dhe përgënjeshtron fjalët e gënjeshtarëve, thotë të vërtetën dhe udhëzon në rrugën e drejtë, fton në Shtëpinë e Paqes (Xhenetin), përshkruan karakteristikat e kësaj Shtëpie dhe kënaqësitë e saj. Ai paralajmëron për Shtëpinë e Shkatërrimit (Xhehenemin) dhe përshkruan vuajtjet e saj dhe dhimbjet që ajo shkakton.

Allahu i kujton njerëzit për nevojën që ata kanë për Të, në çdo gjë, dhe varfërinë e tyre para Allahut dhe se ata nuk mund të jetojnë pa Të, qoftë edhe edhe një çast të vetëm. Ai tregon se s’ka aspak nevojë për asnjë nga krijesat e Tij dhe gjithçka që ekziston është krijesë e Tij. Atij i mjafton Vetvetja dhe cilitdo tjetër nuk i mjafton vetvetja, por ka nevojë për Allahun. Askush nuk mund të përfitojë diçka të mirë a më tepër, vetëm se me privilegjin dhe mëshirën e Tij, dhe askujt nuk i bie mbi kokë ndonjë e keqe, e vogël apo e madhe qoftë, vetëm se në bazë të drejtësisë dhe urtësisë së Tij.

Njeriu shikon në ligjërimin e Allahut qortimin që Ai i bën të dashurve të Tij në mënyrën më të butë dhe, sesi Ai u mbulon atyre të metat, u fal gjynahet dhe u pranon justifikimet, ndreq mangësitë e tyre, i mbron dhe i ruan ata, u jep fitoren, qëndron kujdestar për problemet e tyre, i shpëton nga çdo siklet dhe vështirësi – u realizon premtimin e Tij. Ai është Miku i tyre më i mirë, mik si Ai ata nuk kanë tjetër, Ai është Miku dhe Tutori i tyre i vërtetë, Ai u jep atyre fitore ndaj armiqve – sa mik dhe ndihmëtar i mirë është Allahu!

Kur zemrat shikojnë se në Kuran flitet për një Mbret të Madh, të Mëshirshëm, Bujar e të Bukur, që bën gjithë këto të mira, si mund të mos e duan Atë e të mos rendin për të qenë pranë Tij, që rrahjet e tyre të flasin për dashurinë ndaj Tij, që Allahu të jetë më i Dashuri për ta se çdo gjë tjetër, e kënaqësia e Tij të jetë më parësorja ndaj çdo kënaqësie tjetër?!

E si të mos këndojë zemra teksa e përmend Atë, e dashuria, malli dhe shoqëria me Allahun të jetë ushqimi, forca dhe kura e saj; e tillë që nëse do ta humbte të gjithë këtë, do të shkatërrohej dhe prishej e asgjë nuk do të fitonte më nga jeta e saj?![1]

_______________________________________

[1] Kjo temë është marrë nga libri ‘El Feuaid’, i autorit Iben Kajim el Xheuzije. Libri është botuar dhe shitet.

  • Shpërndaje
Share on facebook
Share on telegram
Share on whatsapp
Share on twitter
Share on email

NA NDIQNI NË FACEBOOK

ABONOHU NË EMAIL

Pranoni postimet e reja në email duke u abonuar

POSTIMET E FUNDIT

RËNDËSIA E TEUHIDIT

MË TË KLIKUARAT

Arkiva