Morali i myslimanit- hoxhë Jeton Bozhlani (ligjëratë e transkriptuar)

Morali i myslimanit- hoxhë Jeton Bozhlani (ligjëratë e transkriptuar)

Morali i myslimanit
Hoxhë Jeton Bozhlani

Në këtë ligjëratë do të flasim disa fjalë rreth moralit të besimtarit, se si duhet të jetë ai i stolisur me moral duke pasur të Dërguarin salAllahu alejhi ue selem. Nuk ka dyshim se i Dërguari salAllahu alejhi ue selem është zotëria i njerëzimit, prijësi i të gjithë Pejgamberëve dhe vula e të gjithë atyre (Pejgamberëve). Allahu atë e dërgoi si njeriun me moralin më të mirë në sipërfaqen e tokës. Allahu thotë në Kuran: “…se ti je me virtyte madhore.” Kalem 4. Pastaj vetë Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem thotë: “Me të vërtetë se unë jam dërguar të përsosi moralet e mira.” Kjo tregon se nga detyrat e tij ishte përmirësimi i moralit të njerëzve, të besimtarëve. Po ashtu, thotë Aisha radijAllahu anha: “Me të vërtetë, morali i Pejgamberit salAllahu alejhi ue selem ka qenë Kurani.”
Çfarë nënkuptohet me moral?

Kuptimi i moralit në gjuhën shqipe, siç përdoret tek ne, është paksa i ngushtë. Njerëzit kur falsin për moralin, kanë mendimin “ruajtja e nderit”. Kur thuhet se një person është i pamoralshëm, kanë qëllimin “nuk e ruan nderin e vet dhe të tjerëve”. Mirëpo, në terminologjinë e fesë Islame fjala moral ka kuptim më të gjerë sesa kjo. Ajo përfshin të gjithë sjelljen e njeriut në raport me të tjerët.
Dijetarët islam moralin e kanë ndarë në dy grupe:
1. Morali ndaj Allahut.
2. Morali ndaj njerëzve.

Morali ndaj Allahut
Nuk ka dyshim se në vend të parë vije morali ndaj Krijuesit. Ky moral duhet të jetë në këtë formë:
-Të jesh i kënaqur dhe të pranosh urdhrat e Tij.
-Të largohesh ndaj ndalesave të Tij pa të ardhur rëndë.
-Të jesh i kënaqur me Caktimin e Tij, qoftë i mirë apo i hidhur për ty, ta pranosh atë; jo të kesh mendim të keq për Allahun.
-Të kryesh urdhrat e Allahut me përkushtim dhe të jesh i kënaqur që i ke kryer, Ai të sheh; jo t’i kryesh shkel e shko, me mendimin “ta heq qafe”. E të tjera.

Morali ndaj njerëzve
Ky moral duhet të jetë në këtë formë:
-Të mos i shqetësosh të tjerët as me gjuhë e as me gjymtyrë. Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem thotë: “Musliman i vërtetë është ai prej gjuhës dhe dorës së të cilit janë të qetë myslimanët e tjerë.”
-T’i presësh me buzëqeshje. Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem thotë: “T’i buzëqeshësh vëllait tënd është sadaka.” Ai gjithmonë u ka buzëqeshur njerëzve. Kur i është drejtuar dikujt me fjalë, është kthyer me krejt trupin e tij, jo siç veprojnë shumica sot që kur flet dikush, mjaftojnë me kthimin e kokës nga ai.
-T’i përshëndetësh kudo që i sheh.
-T’i vizitosh (e jo veç atëherë kur ke interes).
-T’u japësh dhuratë, sipas mundësive.
-Ta fshehësh/zmbrapsësh hidhërimin para besimtarëve, sepse në rast se shprehet mund të dëmtojë ndokënd nga moskontrollimi i vetes në këtë gjendje. Në rast zemërimi fshehe atë.
-T’i falësh të tjerët. Ai që bën durim ndaj tjerëve dhe ua fal fajet atyre, ka moralin më të mirë, sepse ai ka duruar ndaj sjelljes së tyre, e dihet se njerëzit nuk janë të njëjtë të gjithë në moral, disa janë më të vrazhdë, disa më të këqij, e disa më të mirë. Dhe të tjera.

Vlera e moralit
1. Transmetohet nga Enesi radijAllahu anhu se ka thënë: “I kam shërbyer Pejgamberit salAllahu alejhi ue selem dhjetë vite, dhe asnjëherë nuk më ka thënë “of”, asnjëherë nuk më ka thënë për një punë të pabërë “pse nuk e ke bërë?”
Shikoni se çfarë morali ka pasur ai salAllahu alejhi ue selem! Nuk duhet të jetë morali shkurtë dy e tre ditë dhe të ndryshosh pastaj në fjalë e sjellje. Dhjetë vite rresht Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem kishte një qëndrim, kurrë nuk i tha “pse nuk e punove këtë e atë?” Andaj, morali i besimtarit duhet të jetë sikur gjymtyrët të cilat nga të shkojë i ke me vete, në çdo rast dhe moment. Edhe moralin merre me vete nga të shkosh. Gjatë gjithë jetës tënde le të të shoqërojë morali i mirë. Duhet të stolisemi me moral të pandryshueshëm gjithmonë.

2. Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem thotë: “E mira më e mirë është morali i mirë.”
Faktikisht shumica e të mirave qenka te morali i mirë. Ai person i cili së pari e ka rregulluar moralin ndaj Allahut, rrjedhimisht do të pajiset me moral të mirë edhe ndaj njerëzve. E kur ai është pajisur me këto dy gjëra, pa dyshim se të gjitha të mirat janë tek ai.

3. Transmetohet se Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem nuk ka qenë i vrazhdë as nga natyra e tij e as kur janë sjell keq të tjerët me të. Pra, çdoherë ka qenë i butë, jo reagues. Sot vërejmë që kur disave u thuhet ndonjë fjalë, menjëherë presin momentin për t’a kthyer atë. Ai salAllahu alejhi ue selem nuk i ka rënduar të tjerët me fjalë, por as nuk e ka kthyer me të keq kur të tjerët e kanë rënduar. Dimë ngjarjen ku dy jahudi i kanë thënë atij salAllahu alejhi ue selem: “Essamu alejkum!”, që nënkupton: “Vdekja qoftë mbi ty!” Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem ua ka kthyer: “Ue alejkum (Edhe mbi juve!)!” dhe ka heshtur. Atëherë Aisha radijAllahu anha i ka sharë nga mosdurimi se çfarë i kanë thënë të Dërguarit salAllahu alejhi ue selem. Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem i drejtohet Aishes: “Mos u nxito, o Aishe!” Ajo ka menduar se Pejgamberi nuk i ka dëgjuar se çfarë i kanë thënë. I thotë: “A i dëgjove se çfarë thanë?” Thotë Pejgamberi: “Po i dëgjova dhe ua ktheva.” Ata i thanë “Vdekja qoftë mbi ty”, e Pejgamberi ua ktheu: “Edhe mbi juve”. Lutja e tyre nuk pranohet, ndërsa lutja e tij salAllahu alejhi ue selem pranohet. Ai pra nuk ua ka kthyer më tepër me fjalë dhe e ka qortuar Aishen, gruan e tij, që të mos e teprojë në fjalë pa marrë parasysh se a thanë fjalë të këqija. Bëhu i butë, mos u përpiq ta kthesh menjëherë fjalën apo veprimin. I Dërguari salAllahu alejhi ue selem gjithherë ka qenë i butë dhe kjo është prej kërkesave të kësaj feje. Thirrja që ua bën të tjerëve në Islam, kërkon të jesh i butë patjetër, qoftë vetvetiu, por edhe në sjelljet e njerëzve ndaj teje.

Bëhu pasqyrë e fesë së Allahut. Mos u bëj shkaktar që të injorohet feja e Tij. Rregulloje moralin tënd në mënyrë që njerëzit të të respektojnë dhe ta marrin fjalën. Bëhu i sinqertë dhe serioz në fenë e Allahut, mos e merr atë pjesërisht (për ta praktikuar), siç po ndodhin sot raste, ku shumë prej vëllezërve myslimanë prej fesë kanë marrë vetëm namazin; pasi e falin namazin dhe dalin nga xhamia, janë njerëz të tjerë, me të tjera sjellje. Kur takohen me një person që ka moral tjetër, i përshtaten moralit të tij, kur takohen me shokët e tyre që nuk falen, fillojnë të hyjnë në fjalorin e tyre. E këta persona po ndikojnë që feja e Allahut të injorohet. E po ashtu, pikërisht këta janë ata të cilët nënçmohen prej njerëzve. Ai që ka moralin e mirë dhe e mban fenë me seriozitet, ai është më i respektuari prej të tjerëve dhe për të thonë “Hallall i qoftë se ky e ka përnjëmend fenë, mirëpo disa që po e marrin fenë laraman nuk i dua.”
Ndoshta do të përgjigjesh para Allahut se pse ke qenë shkak për përqeshjen e fesë nga të tjerët. Kështu, e ke falur namazin e pastaj ke vazhduar në vende të dyshimta, aty ku nuk duhet, ke qëndruar me persona të dyshimtë, me femra të huaja me arsyetimin “E kam shoqe.” Nuk ke të drejtë të shprehesh kështu si mysliman i cili e fal namazin, që e vë kokën në sexhde, që e ke kuptuar Islamin. Çdo mysliman nga të shkojë e përfaqëson fenë e vet, Islamin. Nëse ti nuk pajisesh me parimet e kësaj feje, atëherë të tjerët do të thonë “Ky qenka Islami, kështu i mësuaka njerëzit?!”

4. Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem thotë: “Më i miri prej jush është ai që ka moralin më të mirë.”
Dije se ai që ka moralin më të keq, qenka më i keqi. Njeriu në shoqëri ka pozitë varësisht nga morali i tij.

5, Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem thotë: “Më i miri prej jush është ai që është më i miri me familjen e tij.” Në një tjetër hadith thotë: “Më i miri prej jush është ai që është më i miri me gruan e tij.” Ky hadith tregon se njerëzit që më së tepërmi e meritojnë sjelljen tënde të mirë janë gruaja, fëmijët, familja jote e ngushtë. Nëse me ta nuk ke moral të mirë, nuk të duhet me të tjerët, sepse me familjen tënde kalon shumicën e kohës. E kur në shumicën e kohës nuk je i mirë me ta, faktikisht i ke mërzitur dhe shqetësuar. Në hadith thotë: “Më i miri prej jush është ai që është më i miri me familjen e tij. Ndërsa unë jam më i miri me familjen time.” Nuk ka dyshim se Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem ishte më i miri e më i lavdëruari me familjen e tij në çdo aspekt.

Shpeshherë hasim në persona të cilët kanë sjellje të keqe në familje, ndërsa me të tjerët jashtë familjes përpiqen të kenë sjellje të mirë. Dhe njerëzit kanë fjalë të mira për ta. Por, ky nuk është moral i mirë. Morali i tij është i rremë dhe afatshkurtër. Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem ka dëshmuar: “Më i miri prej jush është ai që është më i miri me familjen e tij.” E nuk ka mundësi të jetë i mirë me të tjerët ai i cili nuk është i mirë me familjen e tij. Pra, ky hadith tregon se si duhet të jetë morali i plotë: së pari familja, pastaj fillo me të tjerët.

5. Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem është pyetur: “Cila vepër i shpie njerëzit në xhenet më së shumti?” dhe ka thënë: “Devotshmëria dhe morali i mirë.”

6. Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem thotë: “Morali i mirë është prej veprave që peshon më së rëndi në Peshore në Ditën e Gjykimit.”

E dimë shumë mirë se sipas akides së ehli sunetit, Ditën e Gjykimit është Peshorja në të cilën vendosen veprat e njeriut. Ajo ka dy anë. Në njërën anë vendosen veprat e mira, në anën tjetër veprat e këqija. Allahu thotë: “Sa i përket atij, veprat e (mira të) të cilit do të rëndojnë në peshore, ai do të ketë një jetë të kënaqur (në Xhenet). E sa i përket atij, veprat e (mira të) të cilit nuk do të rëndojnë në peshore, Ai do të ketë si strehim Humnerën (e Xhehenemit).” Kariah 6-9. E morali qenka prej atyre veprave të cilat e rëndojnë peshoren e veprave. Andaj pajisu me moral të mirë!

7. Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem thotë: “Me të vërtetë, besimtarët me besimin më të plotë janë ata që kanë moralin më të mirë.”

Ky hadith i madh tregon se morali i mirë është plotësim i besimit. Në të kundërt, ai me moral të keq ka besim të dobët, të mangët. Dije se morali qenka pjesë e besimit. Sa më i mangët morali, aq më i mangët besimi. Kthehu tek Allahu dhe përmirësoji veprat e tua, sepse jeta ikën shumë shpejt. Jemi dëshmitar se ka ardhur një prej shenjave të fundit të vogla të Kiametit, të cilën e ka përmendur Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem, siç ka thënë: “Afrohet koha”, ngushtohet koha, kalon shpejtë. Këtë shenjë ne jemi duke e përjetuar, e dimë sa shpejt po ik java e viti. Sa më shpejt që ikin javët e vitet, dije se ka ikur një pjesë nga jeta jote.

Shpërndaje:

Print Friendly and PDF
W3Schools

Mbyll Menyn