Në dritën e Kur’anit dhe Sunetit

Muaji Ramazan

Shejh Dr. Ibrahim bin Amir Er-Ruhajlij (Allahu e ruajt)

www.al-rehaili.net

Çdo lavdërim dhe falënderim i përket Allahut. Salatet dhe selamet i dërgojmë për robin dhe të Dërguarin e tij, Muhamedin, për familjen dhe mbarë shokët e tij.

Më tej:

Së pari: Të njohurit me muajin:

Ramazani është muaji i nëntë arab. Emri i tij është marr nga er-remedu, që ka kuptimin e nxehtësisë së madhe. Janë disa mendime lidhur me emërtimin e Ramazanit me këtë emër:

– Është thënë se, kur arabët i bartën muajt nga gjuha e lashtë, i quajtën ata sipas stinëve në të cilat qëlluan. Kështu, ky muaj ra në ditët e nxehtësisë së madhe. (El-Muhassis, 2/405).

– Është quajtur me këtë emër për shkak të nxehtësisë brenda agjëruesit.

– Është quajtur asisoj për shkak se ai i djeg mëkatet. (El-Furu’ i, ibën Muflih, 3/3).

Së dyti: Veprat e ligjësuara gjatë tij:

Ky muaj është ndër muajt madhështorë dhe gjatë tij ligjësohen adhurime të shumta, si:

Agjërimi i tij, që njëkohësisht konsiderohet si njëri ndër obligimet dhe shtyllat e fesë islame. I Lartësuari thotë: Muaji Ramazan është ai, në të cilin ka zbritur Kurani, që është udhërrëfyes për njerëzit, plot me shenja të qarta për rrugën e drejtë dhe dallues (i së mirës nga e keqja). Pra, kushdo nga ju që dëshmon këtë muaj, le të agjërojë!” (El-Bekare, 185).

Dëshmi nga Suneti kemi hadithin e ibën Umerit (radijAllahu anhuma) i cili tha: “I Dërguari i Allahut (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem) ka thënë: “Islami qëndron mbi pesë (shtylla): dëshminë la ilahe il-lAllah dhe Muhamedun resulullah, kryerjen e namazit, dhënien e zekatit, haxhin dhe agjërimin e Ramazanit”. (Përcjellë nga Buhariu, 1/11 dhe Muslimi, 1/45).

Falja gjatë netëve të tij, siç aludojnë për këtë hadithet, ndër të cilat është hadithi i Ebu Hurejres (radijAllahu anhu), ku përmendet se i Dërguari i Allahut (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem) ka thënë: Ai që fal namazin e natës gjatë Ramazanit me besim dhe shpresë për shpërblim (nga Allahu), i falen gjynahet që ka bërë.” (Buhariu, 1/16 dhe Muslimi, 1/523).

Ndërkaq, në një hadith tjetër qëndron: “Kush falet pas imamit derisa ai të largohet, (atij njeriu) i shkruhet se është falë gjatë natës.” (Tirmidhiu, 3/160).

Esh-Sheukanij shënon: “Ky hadith aludon për vlerën e namazit të natës gjatë Ramazanit dhe për atë se ai është një sunet i fortë. Po ashtu, përmes tij është argumentuar se pëlqehet falja e namazit të teravive, ngaqë me namazin e përmendur në të kihen për qëllim teravitë.”

Neveviu thotë: “Të gjithë dijetarët e pëlqyen faljen e namazit gjatë netëve të Ramazanit, mirëpo patën mospajtime lidhur me atë se, a është më mirë falja e tyre vetë në shtëpi, apo së bashku me xhemat në xhami? Shafiu dhe pjesa dërrmuese e pasuesve të tij, pastaj Ebu Hanife, Ahmedi, disa nga Malikitë dhe të tjerë, thanë se, më mirë është të falen me xhemat, siç bëri Umeri (radijAllahu anhu) dhe sahabët e tjerë dhe vazhduan në këtë myslimanët sot e kësaj dite. Kjo ngaqë falja e tyre është prej riteve të dukshme dhe i ngjason namazit të Bajramit. Ndërkaq Et-Tahauij u zgjerua paksa tepër kur tha se: “Falja e teravive së bashku me xhemat është farz kifaje.” (Nejlul-Eutar, 3/62).

Itikafi, i cili ligjësohet gjatë këtij muaji, siç përcillet nga Aisha (radijAllahu anha) të ketë thënë: “Profeti (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem) hynte në itikaf në dhjetëditëshin e fundit të Ramazanit, derisa i erdhi vdekja. Pastaj kështu vepruan gratë e tij.” (Buhariu, 3/48 dhe Muslimi, 2/831). Itikafi gjatë këtyre ditëve është bërë për shkak të vlerës së tyre dhe kërkimit të natës së Kadrit.

Dorëdhënia, shpenzimi i pasurisë dhe bamirësia ndaj myslimanëve, duke e marr si shembull Profetin (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem), të cilit gjatë Ramazanit i shtohej bujaria e zemërgjerësia, kështu që ishte më dobiprurës sesa era mbarësuese. Bujaria e tij përfshinte të gjitha llojet e saj, si: dhënien e dijes dhe të pasurisë, pastaj sakrifikimin e vetes për hir të Allahut, duke shfaqur fenë e Tij, duke i udhëzuar njerëzit dhe duke u sjellë dobi atyre.

Nga ibën Abbasi (radijAllahu anhuma) përcillet të ketë thënë: “Pejgamberi (sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem) ishte njeriu më bujar e më dorëlirë, e kjo më së shumti i shfaqej në Ramazan.” (Buhariu, 1/8 dhe Muslimi, 4/1803).

Shpeshtimi i leximit të Kuranit, po ashtu, duke ndjekë shembullin e Profetit (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem), i cili i kushtonte vëmendje të madhe Kuranit gjatë Ramazanit dhe e mësonte atë së bashku me Xhibrilin për çdo natë. Në dy Sahih-ët shënohet thënia e ibën Abbasit: “Pejgamberi (sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem) ishte njeriu më bujar e më dorëlirë, e kjo më së shumti i shfaqej në Ramazan kur e takonte Xhibrili. Xhibrili e takonte atë në çdo natë të Ramazanit dhe së bashku e mësonin Kuranin. Pas kësaj, i Dërguari i Allahut ishte më dobiprurës sesa era mbarësuese.” (Buhariu, 1/8 dhe Muslimi, 4/1803).

Ky hadith dëshmon se pëlqehet leximi i Kuranit dhe mësimi i tij gjatë Ramazanit, dhe atë gjatë natës. Kjo ngaqë natën ndërpriten të gjitha angazhimet, forcohen ambiciet dhe zemra e gjuha bashkëpunojnë për meditimin rreth tij. Ashtu siç thotë i Lartësuari: “Natyrisht, adhurimi natën vepron më fuqishëm dhe fjala është më shprehëse.” (El-Muzzemmil, 6).

Selefët e shpeshtonin leximin e Kuranit gjatë këtij muaji, ku disa nga ta e përfundonin leximin e tij për tri net, disa për shtatë dhe disa për dhjetë. Katade gjithmonë e përfundonte leximin e tij për shtatë ditë, ndërkaq në Ramazan (e përfundonte) çdo të tretën natë. E, kur vinin dhjetë ditët e fundit të tij, ai e përfundonte leximin e Kuranit për çdo natë.

Tregohet se kur hynte Ramazani, Ez-Zuhrij thoshte: “Ky është muaj i leximit të Kuranit dhe i dhënies së ushqimit.”

Ibën Abdul-Hakem thotë: “Kur hynte Ramazani, Maliku i ndërpriste ligjëratat e hadithit dhe ndejat me dijetarë, dhe jepej pas leximit të Kuranit nga mus’hafi.”

AbduRrezzaku tha: “Kur hynte Ramazani, Sufjan Eth-Theuri i linte të gjitha adhurimet dhe jepej pas leximit të Kuranit.”

Profeti (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem) thotë: “Agjërimi dhe Kurani do të ndërmjetësojnë për robin Ditën e Gjykimit. Agjërimi thotë: ‘O Zot im! E kam penguar nga ushqimi, pirja dhe epshi, andaj më ndërmjetëso për të!’ Ndërsa Kurani thotë: ‘O Zot im! E kam penguar nga gjumi gjatë natës, andaj më ndërmjetëso për të!’. Pejgamberi (sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem) tha: “Dhe do të ndërmjetësojnë”. (Ahmedi në Musned, 11/199 dhe Hakimi në El-Mustedrek, 1/740).

Kërkimi i natës së Kadrit:

Kërkimi i kësaj nate madhështore dhe shpërblimit të madh që gjendet në të, siç tregoi Allahu për këtë në librin e Tij: “Ne e kemi zbritur (Kuranin) në Natën e Kadrit. E kush mund të ta shpjegojë ty se ç’është nata e Kadrit. Nata e Kadrit është më e mirë se njëmijë muaj.” (El-Kadr, 1-3)

Taberiu, pasi që përmendi mospajtimet e dijetarëve lidhur me atë se, çfarë kuptimi ka mirësia e natës së Kadrit karshi njëmijë muajve, tha: “Mendimi më i përafërt me këtë, sipas asaj që dukshëm aludon Kurani, është thënia se, veprimi gjatë natës së Kadrit është më i mirë sesa veprimi në njëmijë muaj të tjerë, në të cilët nuk është kjo natë. Ndërsa, sa u përket mendimeve tjera, ato janë pretendime boshe, për të cilat nuk aludon asnjë haber i përcjellë, as mendja dhe as që gjenden brenda Kuranit.” (Tefsir Et-Taberij, 24/533).

Ndër adhurimet që ligjësohen gjatë kësaj nate janë: namazi i natës, përkushtimi në kryerjen e veprave të mira gjatë saj, duke ia bashkangjitur kthimin tek Allahu me lutje, përgjërimin e Tij dhe kërkimin e të mirave të kësaj dhe botës tjetër. E në veçanti, bërja e lutjes, për të cilën na orientoi Profeti (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem), siç përmendet në hadithin e Aishes (radijAllahu anha), e cila thotë: “Thash: “O i Dërguar i Allahut, sikur ta dija se cila natë është nata e Kadrit, çfarë do të duhej të thosha gjatë saj?” Ai më tha: “Thuaj: “O Allah, vërtet që Ti je Falës dhe e do faljen, andaj më fal mua!” (Tirmidhiu, 5/534 dhe ibën Maxheh, 2/1265).

Disa dispozita lidhur me agjërimin e Ramazanit:

Ngrënia e syfyrit dhe pëlqimi i vonimit të tij:

Është e pëlqyeshme për agjëruesin të hajë syfyr, për shkak të fjalës së Profetit (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem): “Hani syfyr, sepse në të ka bereqet!(Buhariu, 3/29 dhe Muslimi, 2/770).

Po ashtu, përcillet prej tij (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem) të ketë thënë: “Dallimi mes agjërimit tonë dhe atij të ithtarëve të Librit është në ngrënien e syfyrit.” (Tirmidhiu, 3/80)

Syfyri nënkupton ngrënien dhe pirjen në pjesën e fundit të natës, me qëllim të agjërimit të ditës së nesërme.

Është më mirë që ai të shtyhet deri në pjesën e fundit të natës, për shkak të fjalës së të Dërguarit të Allahut (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem): “Ummeti im do jetë mirë, për aq kohë sa e shpejtojnë iftarin dhe e vonojnë syfyrin.” (Ahmedi në Musned, 35/241). Koha e syfyrit fillon nga gjysma e fundit e natës dhe mbaron me hyrjen e kohës së sabahut. Kjo për shkak të fjalëve të Zejd bin Thabit (radijAllahu anhu): “Hëngrëm syfyr me Profetin (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem), pastaj ai u ngrit të falte namazin.” (Zejdi u pyet): “Sa kishte ndërmjet ezanit dhe syfyrit?” Tha: “Aq sa lexohen pesëdhjetë ajete”. (Buhariu, 3/29 dhe Muslimi 2/771).

Shpejtimi i iftarit:

Nga Ebu Hurejre (radijAllahu anhu) përcillet se Profeti (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem) kishte thënë: “Feja Islame do të jetë triumfuese për aq kohë sa njerëzit (myslimanët) e shpejtojnë iftarin, sepse çifutët dhe të krishterët e vonojnë atë.” (Ebu Daudi, 2/305. Albani tha: hadithi është hasen).

Iftari është mirë të bëhet me hurma të njoma (rutab – ende të papjekura mirë), apo me hurma (temr – të pjekura), apo me ujë. Mirëpo më së miri është të bëhet me hurma të njoma, e nëse nuk gjenden, atëherë me hurma, e nëse edhe këto nuk janë në dispozicion, atëherë me ujë. Është e pëlqyeshme që numri i tyre të jetë tek: tri, pesë apo shtatë. Enes bin Maliku (radijAllahu anhu) tregon: “I Dërguari i Allahut para se të falej bënte iftar me rutab, e nëse nuk gjente, atëherë me temr, e nëse nuk gjente, atëherë i pinte disa gllënjka ujë.” (Ebu Daudi, 2/306 dhe Tirmidhiu, 3/70).

Së treti: Bidatet dhe veprat e shëmtuara të shpikura gjatë tij:

1. Leximi i Kuranit së bashku (me xhemat) nëpër xhamia. Kjo duke u mbledhur me qëllim të leximit të tij së bashku. Leximi në këtë formë është bidat i shpikur që nuk njihet nga suneti apo nga udhëzimi i selefëve. Mirëpo, kjo ndryshon nga tubimi i njerëzve rreth ndonjë hoxhe me qëllim të mësimit të Kuranit dhe përmirësimit të leximit të tij. Këtu njëri nga nxënësit lexon, pastaj hoxha ia përmirëson leximin; s’ka gjë të keqe në këtë, përkundrazi kjo është vepër e mirë dhe është prej mësimit të Kuranit.

2. Kremtimi i natës së Kadrit në natën e njëzeteshtatë të këtij muaji, duke e veçuar me faljen e namazit të njohur si namazi i Kadrit. Ky namaz i ka dy rekate, të cilat falen me xhemat pas taravive, pastaj në fund të natës falen njëqind rekate të plota. Prej dukurive të shpikura në këtë natë është ndezja e dritave dhe varja e tyre nëpër xhamia me qëllim të dallimit të kësaj nate. Ky është një bidat i shëmtuar për të cilin nuk aludon asnjë argument, mirëpo disa njerëz e bënë të mirë atë me mendjet e tyre.

Ajo çfarë ligjësohet gjatë kësaj nate është përkushtimi në kryerjen e veprave të mira, ku më e rëndësishmja ndër to është falja e namazit të natës. Për këtë arsye, Profeti (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem) e kërkonte natën e Kadrit në dhjetëditëshin e fundit dhe përpiqej gjatë tyre më shumë sesa netëve tjera. Nga Aisha (radijAllahu anha) përcillet të ketë thënë: “Kur hynin dhjetë ditët e fundit, i Dërguari i Allahut e kalonte tërë natën duke u falur e lutur, e zgjonte familjen e tij dhe përpiqej shumë në adhurim.” (Muslimi, 2/832).

Përktheu: Petrit Perçuku

  • Shpërndaje
Share on facebook
Share on telegram
Share on whatsapp
Share on twitter
Share on email

NA NDIQNI NË FACEBOOK

ABONOHU NË EMAIL

Pranoni postimet e reja në email duke u abonuar

POSTIMET E FUNDIT

RËNDËSIA E TEUHIDIT

MË TË KLIKUARAT

Arkiva