Njeriu e tregon veten në shtëpinë e tij

Aishja përcjell se i dërguari i Allahut ka thënë: “Më i miri nga ju është ai që është më i miri në shtëpinë e tij, dhe unë jam më i miri për familjen time.”[1]

Në një version tjetër thuhet: “Besimtarët me besim më të plotë janë ata me moral më të mirë, e më të zgjedhurit prej jush janë ata që kanë moral më të mirë me gratë e tyre.”[2]

Ky hadith është madhor dhe pak njerëz e dinë vlerën e tij. Përderisa gruaja është krijesë e dobët, atëherë patjetër që burri do të sprovohet me të. Ai që e ka në moral tiraninë dhe mendjemadhësinë ky ves do i shfaqet tek ata që ka nën pushtetin e tij, e ta dini se eprori më i keq është ai që tregon trimëri ndaj dikujt që ka mundësi ta mundë. Madje disa njerëz të ulët në moral dhe burrëri, të pamëshirshëm, e shfaqin këtë në marrëdhëniet e ndërsjella që kanë me të dobëtit. Mund të them se të tregosh epërsi ndaj të dobëtëve nuk është veçse metoda që përdorin njerëzit e dobët. Sepse sikur të ishin të fortë në moralin e tyre nuk do u ngurtësoheshin zemrat ndaj atyre që duhet të tregohet mëshirë. Cilido që e frenon veten ndaj këtyre njerëzve (të dobëtëve) shpejt do të tregohen vlerat e tij, e për këtë arsye Mubarekfuri në librin “Tuhfetul ehuedhi” (4/273) duke sqaruar termin e fundit të këtij hadithi, thotë: “Sepse ato (gratë) janë vendi ku duhet të tregohet mëshira për shkak të dobësisë së tyre.”

Disa njerëz e quajtën problematik vlerësimin e përmendur në këtë hadith. Për këtë arsye Sindi në “Hashijen” e tij thotë: ‘Ka mundësi që i cilësuari të gëzojë sukses nga ana e Allahut, për të praktikuar vepra të tjera të mira derisa të arrijë gradën e vlerave absolute, e për këtë Allahu e di më mirë’. Këto fjalë kuptohen nga sqarimi i përgjithshëm për vlerësimin, ndërsa për sqarimin e tij (vlerësimit) në detaje Sheukani në librin e tij “Nejlul Eutar” (6/360) ka thënë: “Në këtë hadith vihet re se njeriu me gradën e vlerësimit më të lartë dhe më i merituari i kësaj cilësie, është ai që është më i miri për familjen e tij. Kjo për shkak se familja e tij meriton buzëqeshjen, moralin e mirë, bamirësinë, afrimin e të mirave dhe frenimin e të këqijave. Nëse njeriu gëzon një gradë të tillë atëherë ai është njeriu më i mirë, në të kundërtën ai qëndron në anën e keqe. Shumë njerëz bien pre e këtij problemi, derisa sheh që kur një njeri takon familjen bëhet njeriu me moralin më të keq dhe më koprraci kundrejt tyre. Por kur takon dikë tjetër nga të huajt i zbutet natyra dhe moralet fillojnë t’i
shfaqen, duke u kthyer në dorëlëshuar që sjell të mira të shumta. Padyshim se kushdo që gëzon një gjendje të tillë, ai e ka të ndaluar suksesin dhe është i humbur nga rruga e drejtë, i lutemi Allahut të na ruaj.”

Jo pa qëllim i përmenda këtu fjalët e tij, sepse janë këshilla të shtrenjta drejtuar burrave dhe baballarëve të cilët kanë rënë viktima të shkujdesjes së këtij përkujtimi, për të cilin na ka tërhequr vërejtjen ai që nuk flet nga vetja. Me këto fjalë largohet një herë e mirë keqkuptimi i vlerësimit të përgjithshëm që përmendet në hadith.

Sa njerëz vëren se kur janë me shokun në punë tregohen fisnikë dhe të butë, ndërsa kur kthehet në shtëpi bëhet koprrac, i vrazhdë dhe i frikshëm, në një kohë kur njerëzit më primarë që meritojnë butësinë dhe bujarinë e tij janë familja e tij. Të afërmit janë më primarë që t’u bëhet mirë dhe e meritojnë më shumë se kushdo tjetër mëshirën dhe përkujdesjen tënde.

Familja meriton më shumë se kushdo tjetër durimin tënd, faljen e mangësive dhe zgjidhjen e gabimeve me urtësi dhe dinjitet, ashtu siç e përdor me të tjerët. Nëse problemi qëndronte siç thashë më parë, si mundet që njeriu më i mirë të jetë ai që tregohet më i mirë me familjen e tij, pra si mund të gëzojë vlerësimin absolut? U them se ekziston një sqarim që e zgjidh përfundimisht këtë problem në dashtë Allahu, dhe kjo vërtetohet si më poshtë: Realiteti i njeriut njihet në shtëpinë e tij më shumë se jashtë saj, e ky është një ligj i pandryshueshëm. Sekreti qëndron se ky njeri mundet që jashtë shtëpisë të shtiret me morale të mira dhe të tregojë durim, sepse qëndrimi i tij me njerëzit jashtë shtëpisë është për një kohë të shkurtër. Me njërin do të qëndrojë gjysmë ore, me një tjetër një orë, me të tretin më pak se kaq apo më shumë, e kështu me radhë. Megjithatë ai mundet të shtiret me të gjithë me moral fals dhe të luaj personazhin e dikujt tjetër, siç veprojnë disa aktorë apo punonjës të cilët shfaqin morale dhe hije të rëndë, duke lënë pas çdo të keqe dhe idiotësi. Por kur kthehen në shtëpi, nuk mund të qëndrojnë në këtë rol të huazuar gjatë gjithë jetës, sepse edhe durimi i tyre ka kufi. Prandaj i kthehen origjinës tek e cila nuk gjejnë vështirësi, siç kanë thënë: Natyra e mund shtirjen.

Duhet ditur se shtirjen e përkohshme ata mund ta luajnë njësoj siç bëjnë disa mëkatarë kur shkojnë të kërkojnë dorën e ndonjë vajze. Qëndrojnë me vajzën për një kohë, bashkëjetojnë me të ku çdonjëri i shfaq tjetrit të mirat dhe i fsheh të këqijat, dhe në momentin kur Allahu i bashkon në kurorë secili shfaqet në realitetin e tij. Shumica e të martuarve sipas kësaj metode perëndimore, të huaj dhe të largët nga metoda Islame, e ndërtojnë martesën mbi dredhira dhe mashtrime, e kjo është arsyeja që divorci është shumë i pranishëm mes tyre. Pra morali i vërtetë i një burri zbulohet në shtëpinë e tij. Atje zbulohet butësia dhe vrazhdësia e tij, bujaria dhe koprracia, dinjiteti dhe nxitimi i tij, si do të sillet me nënën dhe babain? Sa shumë është përhapur sot mosrespektimi i prindërve! E gjithë kjo sepse të jetuarit bashkë sjell njohjen e vërtetë, prandaj njihe veten në shtëpinë tënde dhe si tregon durim me fëmijët dhe me gruan? Si i përballon përgjegjësitë e shtëpisë? Vallë një njeri që nuk di të udhëheqë një shtëpi, a mundet të udhëheqë një popull? Ky ishte dhe sekreti i fjalës së Profetit:

“Më i miri nga ju është ai që është më i miri për familjen e tij.”

Realisht njerëzit kur janë jashtë shtëpive të tyre tregojnë mirësjellje me njëri-tjetrin, sepse të ndenjurit pak së bashku ndërton mes tyre një pengesë pas së cilës shfaqin respektin dhe nderimin. Por ndenjja e tepërt e shemb këtë pengesë, e kur ajo shembet njeriu shfaqet para shokut të tij edhe më shumë se më parë, e sa më shumë që bëhet i qartë aq më shumë i afrohet transparencës dhe realitetit të tij.

I ngjashëm me hadithin e këtij kapitulli është dhe hadithi që përcjell Abdullah bin Amri, se i dërguari i Allahut ka thënë:

“Shokët më të mirë në vlera tek Allahu janë ata që janë më të mirë për shokët e tyre, dhe fqinjët më të mirë në vlera tek Allahu janë ata që janë më të mirët për fqinjët e tyre.”[3]

Përderisa shokët dhe fqinjët janë të afërt si familja përsa i përket shoqërimit, miqësisë dhe njohjes së të fshehtave, atëherë edhe vlerësimi bëhet si rezultat i durimit që ata do tregojnë ndaj lëndimeve që mund të ndodhin mes tyre. Ta dini se ata nuk mund ta lavdërojnë vetëm nëse kanë parë tek ai morale dhe miqësi të mirë.

Atëherë i gjithë sekreti kthehet në faktin se njeriu nuk njihet në realitetin e tij vetëm pasi të shoqërohet, gjë të cilën askush nuk mund ta realizojë më mirë se familja, fqinjët dhe shoku i ngushtë i tij. Ka njerëz të turpshëm dhe të dobët në autoritet, të padurueshëm ndaj çdo lëndimi, jetojnë të distancuar nga shoqëria dhe njerëzit mendojnë se ai është i turpshëm, bujar, fjalëpakë që nuk e njeh përgojimin dhe nuk di t’i bëjë keq askujt. Por kur është në shtëpinë e tij me familjen dhe njerëzit që e njohin, ai është shumë i vrazhdë. Atë nuk e pengoi të shfaqë realitetin e tij vetëm se dobësia për t’u përballur me të huajt, dhe ajo që ia shton më shumë vrazhdësinë dhe që i rrit urrejtjen është largësia e tij nga njerëzit.

Njerëzit e tillë nuk njihen vetëm se në shtëpitë e tyre apo në rastet e provave, siç është udhëtimi i cili në shumicën e rasteve shfaq moralet e njerëzve, ose këmbimi i pasurisë tek i cili anojnë shpirtrat, apo fqinjësia siç e pohuam edhe më lart.

Kjo ishte dhe arsyeja që Harashetu bin el Hur përcolli duke thënë: “Një burrë dëshmoi tek Omeri me një dëshmi, dhe Omeri i tha: Unë nuk të njoh dhe nuk të dëmton fakti nëse unë nuk të njoh, prandaj sill dikë që të njeh. Një njeri aty tha: Unë e njoh. Omeri i tha: Si e njeh? Tha: E njoh si të drejtë dhe të mirë. Ai i tha: A është fqinji yt i afërt të cilin e sheh natën dhe ditën, kur del dhe kur hyn? Burri i tha: Jo. Omeri i tha: A të ka rënë të këmbesh me të dinarë apo dirhem, gjë e cila shfaq devotshmërinë e burrave? Ai tha: Jo. Omeri përsëri i tha: A të ka shoqëruar ndonjëherë në udhëtim dhe tek ai të jenë shfaqur moralet e mira? Ai tha: jo. Atëherë Omeri i tha: ti nuk e njeh atë. Më pas i tha njeriut: shko sill ndonjë që të njeh.”[4]

Vlera e këtij hadithi është madhore, dhe natyrën njerëzore për të cilën na tregon i dërguari i Allahut nuk mund ta gjejmë tek ata që studiojnë degët shoqërore apo kulturat botërore, sado që të ngrihen gradët e tyre akademike. Njerëzimi mund të kalojë një periudhë shumë të gjatë dhe shumë lloje provash për të arritur disa baza morale, e nëse arrijnë, përsëri do caktojnë baza morale që bien ndesh me natyrën njerëzore. Megjithatë i dërguari ynë i cili ishte analfabet, ua shkurton rrugën për gjetjen e së vërtetës në një fjali të vetme, siç është ky hadith nëse do të meditohej rreth tij. Kjo është një çështje tek e cila nuk mund të udhëzohet çdokush prej njerëzve përpos të dërguarit të Allahut, sepse fjala e tij është shpallje nga Allahu i Madhëruar e ky është një prej argumenteve që pohojnë vërtetësinë e profetësisë së tij.

__________________________________________

[1] Përcjell Tirmidhiu me nr. 3895, Ibn Maxhe me nr. 1977 nga Ibn Abasi. Këtë hadith e saktësoi Albani në “Vargu i haditheve të sakta” me nr. 285.

[2] Përcjell Tirmidhiu me nr. 1162 nga Ebu Hurejra, Ibn Maxhe me nr. 1978 nga Abdullah bin Amri. Këtë
hadith e saktësoi Albani në “Vargu i haditheve të sakta” me nr. 284.

[3] Përcjell Tirimidhiu me nr. 1944, dhe e saktësoi Albani në po këtë libër.

[4] Përcjell Ibn ebi Dunia në “Es samt” me nr. 603, Ukajli në “Ed duafa” (3/454), Bejhakiu (10/125) etj. Autori i librit “Subulus selam” (4/129) ka përmendur se Ibn Kethiri e ka konsideruar si ndodhi të mirë në “El irshad”. Gjithashtu si të mirë e ka konsideruar edhe Axhluni në librin “Keshful hafa” (1/549). Përsa ipërket ndërprerjes së senedit me të cilën studiuesi i librit “Es samt” e ka dobësuar, ajo nuk është prezente në transmetimet e tjera përveç se në atë të Ibn ebi Dunias, dhe vetëm Allahu jep sukses.

Shpërndaje artikullin
Madhësia e tekstit