Në dritën e Kur’anit dhe Sunetit

Përkujdesja ndaj moraleve

Njeriu në zanafillën e tij njihet si egoist (me kuptimin se çdo mirësi dëshiron ta ketë për vete). Shthurja e moraleve nis pikërisht nga kjo pikë, sepse çdo person dëshiron të veçohet dhe të shfrytëzojë atë që ai e quan mirësi. Më shumë se kaq, ai mund ta kërkojë për veten e tij edhe nëse nuk ka të drejta mbi të. Për këtë arsye, ky njeri ka shumë nevojë të këshillohet vazhdimisht me faktin se ai jeton edhe me njerëz të tjerë. E gjithë kjo në mënyrë që të dalin në dukje të drejtat që gëzojnë njerëzit e tjerë, të mos e mashtrojë pasioni ndaj vetes dhe të harrojë të drejtat e njerëzve të tjerë.

Sikur njerëzit të liheshin të lirë dhe pa moral, i cili shërben në përmirësimin e marrëdhënieve të ndërsjella, atëherë do të binin pre e asaj që quhet “ligji i pyllit”. Në lidhje me këtë, legjislacioni Islam ka arritur kulmin e karaktereve të mira. Ky legjislacion nuk e ka kufizuar këshillën në urdhërimin për të bërë mirë apo në ndalimin për t’u hyrë në hak të tjerëve. Përkundrazi, ky legjislacion na ka urdhëruar që të jemi të durueshëm edhe me atë që bën gabime. Allahu i Madhëruar në librin e Tij ka thënë:

“E kur dëgjojnë ndonjë marrëzi të pavlerë, ia kthejnë shpinën duke thënë: ne kemi veprat tona e ju keni veprat tuaja. Ju keni selam (paqe) nga ne, dhe neve nuk na duhen injorantët.”[2] Me një fjalë, ju nga ne keni paqe dhe nuk u kaplon ndonjë dëm, nga ne nuk u vjen (agresion) ashtu siç na erdhi nga ju.

Më e çuditshmja është se disa njerëz të suksesshëm e kalojnë këtë normë, duke iu bërë mirë disa njerëzve që atyre u bëjnë keq. Nuk ka dyshim se kjo është arritja më e lartë e një morali të mirë, e këtë mirësi e gëzon vetëm ai njeri që Allahu i Madhëruar i ka larguar epshin, egoizmin dhe hakmarrjen. Natyra e besimtarit është e prirur për qetësi dhe siguri, siç është shprehur Profeti (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) kur ka thënë: “A doni t’iu tregoj për besimtarin? Është ai tek i cili njerëzit sigurojnë pasuritë dhe shpirtrat e tyre.”[3]

Fjalët e hadithit të mësipërm Profeti (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) i tha në haxhin e lamtumirës, në hutben e tij të njohur, në të cilën përmblodhi bazat e kësaj feje, ku përqendrimi kryesor ishte tek moralet, tek nxitja për të drejtat e gruas dhe parandalimin e rreptë për pasurinë, nderin dhe gjakun e muslimanëve.

Gjithashtu, Profeti (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) ka thënë: “Musliman është ai person prej të cilit muslimanët janë të qetë nga gjuha dhe dora e tij.”[4]

Meditoni pak tek fjala e Profetit (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) “muslimani”, e cila ka ardhur e shquar. Si është e mundur që një musliman ta lëndojë vëllain e tij, duke qenë se e di pa mëdyshje se ai është vëllai i tij në fe?! Allahu i Lartësuar ka thënë:

“Me të vërtetë besimtarët janë vëllezër, prandaj pajtoni ndërmjet vëllezërve tuaj. Frikësojuni Allahut në mënyrë që të mëshiroheni.”[5]

Gjithashtu ka thënë:

“Frikësojuni Allahut dhe përmirësoni marrëdhëniet ndërmjet jush.”[6]

“Ata që lëndojnë besimtarët dhe besimtaret për çka ata nuk janë fajtorë, ata e kanë ngarkuar veten me një mëkat të madh.”[7]

Këto ajete na tërheqin vërejtjen që të mos i lëndojmë muslimanët, dhe nxisin për pajtim në mesin e tyre, siç ka nxitur Profeti (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) të mundohemi për t’i zgjidhur problemet e muslimanëve, t’u largojmë brengat dhe t’u mbulojmë gabimet që kanë. Për këtë, Profeti (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) ka thënë: “Muslimani është vëllai i muslimanit. Nuk i bën padrejtësi atij e as nuk e dorëzon tek të tjerët. Ai që i del krah një muslimani, Allahu do t’i dalë atij krah në ditën e gjykimit. Ai që i largon një brengë një muslimani, Allahu i Madhëruar do t’i largojë atij një brengë ditën e gjykimit. Kush i mbulon një të metë vëllait të tij musliman, Allahu do t’i mbulojë atij një të metë ditën e gjykimit.”[8]

Ajetet kuranore zbrisnin në Meke para se të shpërngulej Profeti (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) për në Medinen e legjislacionit, moralit dhe virtyteve. Atëherë këto ajete nxisnin për morale ashtu siç nxisnin edhe për gjëra të tjera që ishin udhëzim dhe dritë për njerëzit, si dhe duke treguar rëndësinë që gëzojnë këto morale në fenë tonë. Më shumë se kaq, këto ajete nxisin që gradën që gëzojnë këto morale në fe t’ua tregojmë edhe të tjerëve, në mënyrë që muslimanët të mos mbeten të paditur, e si rrjedhojë të humbasin harmoninë dhe lumturinë në këtë botë. Mjafton të dish se fjalët e para që dëgjoi Abdullah bin Selami para se të bëhej musliman, ditën që Profeti (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) emigroi nga Meka për në Medine, ishin fjalët për moralin. Abdullah bin Selami ka thënë: “Kur i dërguari i Allahut arriti në Medine, njerëzit u mblodhën dhe unë isha njëri prej tyre. Në momentin që e pashë, kuptova se fytyra e tij nuk i përngjante fytyrave të gënjeshtarëve. Gjëja e parë që dëgjova prej tij ishte: o ju njerëz, përhapni selamin, ushqeni njerëzit, mbani lidhjet farefisnore, faluni në kohën që njerëzit flenë në mënyrë që të hyni në xhenet me selam (paqe).”[9]

Duke qenë se morali përmbante këto vlera të larta, Profeti (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) gjithmonë kërkonte nga Allahu i Madhëruar ta pajiste me moralet më të mira. Imam Ahmedi transmeton nga Aishja, se kur lutej Profeti (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) thoshte: “O Zoti im, ashtu siç ma ke bërë krijimin tim të mirë, ashtu ma bëj dhe moralin tim të mirë.”[10] Gjithashtu është transmetuar se në lutjen hapëse të namazit, Profeti (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) kërkonte nga Allahu që ta udhëzonte drejt moraleve të mira, dhe ta largonte nga ato të këqijat.

Transmeton Muslimi nga Aliu (Allahu qoftë i kënaqur prej tij), se kur Profeti (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) ngrihej për në namaz, thoshte: “Fytyrën time e ktheva drejt Atij që krijoi qiejt dhe tokën, i Pastër është Ai, dhe unë nuk jam nga idhujtarët. Vërtet, namazi, kurbani, jeta dhe vdekja ime janë vetëm për Allahun, Zotin e botëve. Ai nuk ka ortak, me këtë jam urdhëruar dhe unë jam i pari i muslimanëve.” Më pas thoshte: “O Zot, Ti je Sunduesi, nuk ka të adhuruar me të drejtë përveç Teje. Ti je Zoti im dhe unë jam robi Yt, i kam bërë padrejtësi vetes dhe e pranoj gabimin tim. M’i fal gabimet sepse askush nuk i fal ato përveç Teje, më udhëzo drejt moraleve më të mira sepse askush nuk mund të udhëzojë drejt tyre përveç Teje. M’i largo moralet e këqija të cilat nuk mund t’i largojë askush tjetër përveç Teje!”[11] Pas kësaj transmetuesi shton se kur Profeti (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) hynte në namaz, menjëherë pas tekbirit fillestar thoshte këto fjalë “fytyrën time e ktheva…” derisa e mbyllte me fjalët: “dhe unë jam i pari i muslimanëve”.

Këtë lutje Profeti e praktikonte për ta edukuar Allahu dhe për ta udhëzuar drejt moraleve të mira, duke qenë se dihet kush ishte ai. Është ai për të cilin Allahu ka thënë: “Me të vërtetë ti posedon një moral të lartë.”[12]

Kjo është një dëshmi nga ana e Allahut të Madhëruar drejtuar Profetit, madje një dëshmi të tillë e kishin bërë edhe armiqtë e tij të cilët e thërrisnin: i sinqertë dhe besnik.

Kujdesi ndaj moraleve arriti kulmet kur edhe në shtratin e vdekjes Profeti mendonte për shërbëtorët e dobët, nga frika se mos nuk u jepeshin të drejtat, apo të liheshin mënjanë duke mos u kushtuar vëmendje në hallet që kishin, madje kjo ishte dhe porosia dhe testamenti i tij i përgjithshëm. Kjo për shkak se shërbëtorët nuk munden t’i kërkojnë gjërat dhe nevojat e tyre, madje ka raste që ndokush prej tyre ndërron jetë pa marrë të drejtën që i takon. Transmetohet se Enes bin Maliku ka thënë: “Porosia më përmbledhëse e Profetit në shtratin e vdekjes, ishte: Kini kujdes namazin dhe robërit që keni në posedim.”[13] Transmetohet nga Aliu (Allahu qoftë i kënaqur prej tij) se porosia e fundit e Profetit (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) ka qenë: “Kini kujdes namazin, kini kujdes namazin, dhe frikësojuni Allahut për robërit që posedoni.”[14]

Poshtërsia të cilën po e jetojmë ka të bëjë me disa njerëz me natyrë të egër, të cilëve u janë prishur moralet në një kohë kur ata njerëzit i shohin si myslimanë. Ata e dinë fare mirë se nga bazat e Islamit është përmirësimi i moraleve, siç e sqaruam më parë. Nëse të bie rasti të shohësh gjendjen e shumicës prej tyre në marrëdhëniet dhe moralet e tyre, do ngelesh i shtangur dhe i habitur, sepse ajo që do dëgjosh do të lëndojë dëgjimin. Por nëse Allahu do të mundësonte të shikoje fshehtësitë dhe realitetin e dredhive që ata i bëjnë njëri-tjetrit, sigurisht që do të habiteshe edhe më shumë. Shiko fjalët e pista që shprehin, apo dredhitë që bëjnë në tregti në mes të ditës.

Sa prej tyre poshtërojnë shërbëtorët dhe madje nuk ulen me ata që nuk i lidh ndonjë interes i kësaj bote?! Shikon se si ia kthejnë shpinën njëri-tjetrit, derisa nuk ekziston ditë ku dy persona bashkohen si ortakë në mallra të pavlera të kësaj bote, vetëm se pas një momenti ndahen, kundërshtohen dhe braktisin njëri-tjetrin. Më pas secili flet keq për tjetrin dhe nuk i ruajnë të drejtat që i takojnë vëllazërimit, siç është ruajtja e nderit të tij kur nuk është prezent. Është për t’u habitur se shkaku i mosmarrëveshjes është koprracia në një mall të rëndomtë të kësaj bote. Ajo që të habit më shumë është vështirësia që një tregtar të gjejë një njeri të besueshëm dhe të qetësohet tek ai, në mënyrë që t’i ruajë mallin dhe t’i bëjë punën ashtu si duhet, me qëllim që kur të kthehet në shtëpinë e tij, të kthehet i qetë dhe pa strese. Por ajo që ndodh është e kundërta, sepse fillon një mbikëqyrje dhe kërkim llogarie i rreptë ndërmjet dy ortakëve, e megjithatë, përsëri mund të ekzistojnë ndërmjet tyre dredhi të formave të ndryshme, të cilat i vënë në gjendje kritike edhe gjykatat të cilat nuk i zgjidhin dot problemet e kësaj natyre. E gjithë kjo nuk ndodh për ndonjë shkak, por vetëm si pasojë e dobësisë dhe ngurtësisë shpirtërore në momentin kur shfaqet sprova e pasurisë. Allahu i Madhëruar thotë: “Dhe pasurinë e doni së tepërmi.”[15]

Nga ana tjetër, akoma pa e martuar babai fisniken e tij (vajzën) me ndonjë shok apo të afërm të tij, pas një kohe shumë të shkurtër fillon përçarja, e më shumë se kaq kjo ngatërresë kaplon edhe familjet. Duhet ta dini se ata i përçau vetëm mosdurimi ndaj të drejtave që gëzon tjetri, i shto kësaj dhe dashurinë për veten dhe egoizmin.

Nëse ata do të praktikonin një hadith të vetëm të Profetit (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!), do distancoheshin nga kjo përçarje. Bëhet fjalë për hadithin: “Nuk beson ndonjëri nga ju derisa të dojë për vëllain e tij atë që do për vete.”[16]

Neglizhenca morale të cilën po përjeton populli musliman, me përjashtim të atyre që i ka mëshiruar Allahu, iu mvesh fesë së tyre, sepse njerëzit i konsiderojnë sjelljet e tyre sikur burojnë nga Islami, kështu që ata e dëmtojnë fenë pa e kuptuar.

————————————————————————-

1 Marrë nga libri “Këshilla të arta për morale të larta” botim i qendrës Imam Albani,

2 Suretu Kasas, 55.

3 Transmeton imam Ahmedi (6/21). Gjithashtu e ka saktësuar shejh Albani në “Vargu i haditheve të sakta”, me nr. 549.

4 Transmeton Buhariu nga Abdullah bin Amër, dhe Muslimi nga Xhabiri (Allahu qoftë i kënaqur prej tyre).

5 Suretu Huxhurat, 10.

6 Suretu Enfal, 1.

7 Suretu Ahzab, 58.

8 Transmeton Buhariu me nr. 2442, dhe Muslimi me nr. 2580.

9 Transmeton Tirmidhiu nr. 2485, Ibn Maxhe nr. 1334, dhe e ka saktësuar shejh Albani.

10 Transmeton imam Ahmedi (6/68) me sened të saktë.

11 Transmeton Muslimi.

12 Suretu Kalem, 4.

13 Transmeton Ibn Maxhe me nr. 2697, dhe Ebu Daudi me nr. 5156.

14 Saktësoi shejh Albani në librin e tij “Irua el galil” me nr.2178.

15 Suretu Fexhr, 20.

16 Mutefekun alejhi.

  • Shpërndaje
Share on facebook
Share on telegram
Share on whatsapp
Share on twitter
Share on email

NA NDIQNI NË FACEBOOK

ABONOHU NË EMAIL

Pranoni postimet e reja në email duke u abonuar

POSTIMET E FUNDIT

RËNDËSIA E TEUHIDIT

MË TË KLIKUARAT

Arkiva