Në dritën e Kur’anit dhe Sunetit

Punonjësi duhet të cilësohet me dëlirësi e korrektësi dhe të mos merr ryshfet e dhurata

Shkëputur nga libri: “Kejfe jueddil-muvedh-dhaful-emanete” i shejhut të nderuar AbdulMuhsin El-Abbad (Allahu e ruajt)

Çdo punonjës e ka për detyrë që në rastin kur i ofrohet ryshfeti, edhe në qoftë se quhet dhuratë, të jetë i dëlirë, krenar, te ketë zemër të pasur dhe të jetë larg nga ngrënia e pasurisë së njerëzve padrejtësisht. Sepse, nëse ai ua merr njerëzve pasurinë pa asnjë të drejtë, atëherë konsiderohet ta ketë ngrënë atë padrejtësisht. Dhe ngrënia e pasurive padrejtësisht është prej shkaqeve të mospranimit të lutjes. Muslimi, në Sahih-un e tij (1015), transmeton nga Ebu Hurejre (radijAllahu anhu) të ketë thënë: “I Dërguari i Allahut (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem) ka thënë: “O ju njerëz, vërtet, Allahu është i Mirë dhe nuk pranon veçse të mirën. Dhe Allahu i ka urdhëruar besimtarët me atë që i ka urdhëruar të Dërguarit. Allahu ka thënë: “O besimtarë, hani nga të mirat (të lejuarat) që ju kemi dhënë dhe falënderojeni Allahun, nëse jeni që vetëm Atë e adhuroni “(El-Bekare, 172). Dhe ka thënë: “O ju të Dërguar, hani atë që është e lejuar dhe e mirë dhe bëni vepra të mira se Unë e di atë që ju veproni” (El-M’uminun, 51). Pastaj (Pejgamberi) përmendi një njeri flokëshprishur e të pluhurosur, të cilit i zgjatet udhëtimi dhe i zgjat duart drejt qiellit duke thënë: “O Zoti im, o Zoti im!”, ndërkohë që ushqimi i tij është haram, pirja e tij është haram, rrobat e tija janë haram dhe është ushqyer me haram”. Tha (më pastaj) Profeti (sal-laAll-lahu alejhi ue sel-lem): “E si ka mundësi t’i pranohet (lutja e tij)?!”

Prej qortimeve më të qarta ndaj ngrënies së pasurisë pa të drejtë, është ajo që Buhariu në Sahih-un e vet (7152) e përcjellë nga Xhundub bin Abdullahi, i cili thotë: “Gjëja e parë që i qelbet njeriut është barku i tij. Andaj, kush mundet të mos hajë, veçse gjë të lejuar, le ta bëj. Dhe kush mundet që, derdhja e ndonjë gjaku qoftë sa grushti i dorës, të mos bëhet pengesë për të nga hyrja në Xhenet, le ta bëj.” Gjithashtu, është edhe hadithi që Buahriu (2083) e përcjellë nga Ebu Hurejre (radijAllahu anhu) nga Profeti (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem): “Vërtet që do të vjen një kohë, ku njeriu nuk do e ketë gajle se me çfarë e fiton pasurinë e tij: me hallall apo me haram”. Tek ky lloj i njerëzve që nuk merakosen, por vetëm tubojnë pasuri, hallalli është çdo gjë që u vjen në dorë, ndërsa harami është ajo që ende nuk e kanë arritur. Ndërsa në Islam, hallalli është ajo që Allahu dhe i Dërguari i Tij (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem) e kanë bërë të lejueshme, ndërkaq harami është ajo që Allahu dhe i Dërguari i Tij e kanë ndaluar.

Në Sunetin e të Dërguarit (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem) kanë ardhur hadithe të cilat aludojnë në atë se, punëtorët dhe punonjësit e kanë të ndaluar të marrin ndonjë gjë, edhe nëse ajo quhet dhuratë. Prej këtyre haditheve është edhe hadithi i Ebu Humejd Es-Sa’idij (radijAllahu anhu), i cili thotë: “I Dërguari i Allahut (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem) e ngarkoi (punësoi) me mbledhjen dhe administrimin e zekatit, një burrë nga fisi El-Esed, i cili quhej ibën el-Lutbijjeh. Kur u kthye me zekat ai tha: “Kjo është për ju, ndërsa kjo është për mua, më është dhënë si dhuratë”. I Dërguari i Allahut (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem) u ngrit në minber dhe pasi që e falënderoi dhe lavdëroi Allahun tha: “Ç’është puna me dikë që e dërgoj (për mbledhjen e zekatit), dhe ai thotë: “Kjo është për ju, ndërsa kjo më është dhënë si dhuratë?!” Përse nuk ndenji në shtëpinë e babait të tij apo në shtëpinë e nënës së tij e të shihte nëse do të merrte dhuratë, apo jo?! Pasha Atë në Dorën e të Cilit është shpirti i Muhamedit!Askush nuk merr diç prej saj, veçse do të vjen në ditën e Kiametit duke e bartur në qafë atë (që ka marr si dhuratë): (qoftë ajo) deve duke bërtitur apo lopë duke pëllitur apo dele/dhi duke blegëruar. Pastaj i ngriti duart drejt qiellit, derisa e pamë bardhësinë e nënsqetullave të tij, dhe tha – dy herë -: “O Allah, a e kam përcjellë?” Transmetuar nga Buhariu (7174) dhe Muslimi (1832); teksti është i këtij të fundit. Gjithashtu në Sahih-un e Buhariut dhe të Muslimit transmetohet nga Ebu Hurejre (radijAllahu anhu) të ketë thënë (teksti është i Muslimit): “Një ditë prej ditësh, i Dërguari i Allahut (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem) u ngrit në mesin tonë dhe e përmendi el-gulul-in (përvetësimin në mënyrë të pandershme të presë së luftës) dhe e bëri të madhe (rrezikshme) atë dhe çështjen e saj. Pastaj tha: “Assesi të mos e gjejë dikë nga ju që vjen në ditën e Kiametit duke bartur mbi qafën e tij deve e cila bërtet, e (pastaj) të thotë: “O i Dërguar i Allahut, më ndihmo!” E unë do t’i them: “S’kam ç’të bëj; të kam kumtuar”. Assesi të mos e gjejë dikë nga ju që vjen në ditën e Kiametit duke bartur mbi qafën e tij kalë që hingëllin, e (pastaj) të thotë: “O i Dërguar i Allahut, më ndihmo!” E unë do t’i them: “S’kam ç’të bëj; të kam kumtuar”. Assesi të mos e gjejë dikë nga ju që vjen në ditën e Kiametit duke bartur mbi qafën e tij dele/dhi që blegëron, e (pastaj) të thotë: “O i Dërguar i Allahut, më ndihmo!” E unë do t’i them: “S’kam ç’të bëj; të kam kumtuar”. Assesi të mos e gjejë dikë nga ju që vjen në ditën e Kiametit duke bartur mbi qafën e tij shpirt që lëshon britmë, e (pastaj) të thotë: “O i Dërguar i Allahut, më ndihmo!” E unë do t’i them: “S’kam ç’të bëj; të kam kumtuar”. Assesi të mos e gjejë dikë nga ju që vjen në ditën e Kiametit duke bartur mbi qafën e tij rroba që lëshojnë zhurmë, e (pastaj) të thotë: “O i Dërguar i Allahut, më ndihmo!” E unë do t’i them: “S’kam ç’të bëj; të kam kumtuar”. Assesi të mos e gjejë dikë nga ju që vjen në ditën e Kiametit duke bartur mbi qafën e tij ari e argjend, e (pastaj) të thotë: “O i Dërguar i Allahut, më ndihmo!” E unë do t’i them: “S’kam ç’të bëj; të kam kumtuar”.

Ndërmjet këtyre haditheve (qortuese) është edhe hadithi i Ebu Humejd Es-Sa’idij (radijAllahu anhu), i cili tregon se i Dërguari i Allahut (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem) ka thënë: “Dhuratat që u jepen punëtorëve janë gulul (tradhti e fshehtë). Përcjellë nga Ahmedi (23601) dhe të tjerë. Shikoje vendimin mbi këtë hadith në veprën Irua’ el-Galil të Albanit (2622). Ky hadith ka kuptim të ngjashëm me hadithin e lartcekur të ibën El-Lutbijje.

Po ashtu edhe hadithi i A’dij bin U’mejre, i cili thotë: “E kam dëgjuar të Dërguarin e Allahut (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem) duke thënë: “Këdo prej jush që e ngarkojmë me ndonjë punë, pastaj ai fsheh nga ne qoftë edhe një gjilpërë apo diçka më të madhe, ajo do të jetë për të gulul (pasuri e përvetësuar tradhtisht) me të cilën do të vjen në ditën e Kiametit.” Përcjellë nga Muslimi (1833).

Gjithashtu edhe hadithi i Burejdes, i cili transmeton nga Profeti (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem) të ketë thënë: “Këdo që e ngarkojmë me ndonjë punë dhe karshi kësaj i japim diçka, atëherë çdo gjë që merr përtej saj është gulul”. Përcjellë nga Ebu Daudi me zinxhir të vërtetë. Albani këtë hadith e ka verifikuar si të vërtetë.

Në veprën Sifetu es-Safueh të ibën El-Xheuzij (1/277) gjegjësisht në biografinë e I’jad bin Ganm (radijAllahu anhu), që ishte caktuar nga Omeri (radijAllahu anhu) si udhëheqës i Hims-it, shënohet një tregim i gjatë, ku ai iu drejtohet disa të afërmve të vet duke u thënë: “Për Allahun! Do të ishte më e dashur për mua sikur të çahesha me sharrë, sesa të tradhtoja për një fils (monedhë e vogël) apo të tejkaloja kufijtë.”

 

Përktheu: Petrit Perçuku

  • Shpërndaje
Share on facebook
Share on telegram
Share on whatsapp
Share on twitter
Share on email

NA NDIQNI NË FACEBOOK

ABONOHU NË EMAIL

Pranoni postimet e reja në email duke u abonuar

POSTIMET E FUNDIT

RËNDËSIA E TEUHIDIT

MË TË KLIKUARAT

Arkiva