Rezultati i diturisë është vepra-3

NJERIU DO TË PËRGJIGJET SE ÇFARË KA VEPRUAR ME DITURINË
E TIJ?

Pejgamberi (salallahu alejhi ve selem) ka njoftuar se, në ditën e gjykimit njerëzit do të pyeten për diturinë që kanë pasur dhe se çfarë kanë vepruar me të? Sikur që është përmendur në hadithin e transmetuar nga Ebu Berzete el Eslemij, se Pejgamberi (salallahu alejhi ve selem) ka thënë: “Asnjë rob nuk do të lëvizë nga vendi ditën e gjykimit, derisa të pyetet për katër gjëra – në mesin e tyre përmendi – edhe për diturinë e tij se çfarë ka vepruar me të”.[1]

Lidhur me këtë, është transmetuar nga Ebu Derda të ketë thënë: “Kamë frikë se ditën e gjykimit do të më thërret Zoti im para të gjitha krijesave dhe të më thotë: “O Uvejmir! Çfarë ke vepruar me atë që ke mësuar?”.

Kjo është një gjendje trishtuese, sepse për çdo gjë që njeriu ka mësuar do të pyetet: çfarë ke vepruar me atë që ke mësuar? Sepse qëllimi i diturisë është vepra, dhe mu për këtë çdo njeri do të pyetet për diturinë që ka mësuar.

Është transmetuar nga një numër selefësh të kenë thënë: “Ah sikur të kisha shpëtuar nga dituria që kam, e të mos i mbetem borxh”. Nga kjo kuptohet frika e madhe që selefët kanë pasur ndaj Allahut, si dhe frika e tyre se a do të jenë të vlefshme dituria dhe veprat e tyre, siç thotë Hasen el Basriu: “Besimtari ka bashkuar mes veprave të mira dhe frikës, kurse munafiku ka bashkuar mes veprave të këqija dhe shpresës. Edhe kjo përkitet me thënien e Ibën Ebi Mulejkes, i cili thotë: “Kam arritur t’i takojë gjallë më tepër se tridhjetë sahabe, secili prej tyre kishte frikë nga nifaku”.[2]

Sahabeve Allahu u ka dhënë dy gjëra madhështore: mirësi dhe përsosmëri në vepra dhe ibadete dhe në të njëjtën kohë u ka dhënë frikë nga Allahu se nuk do t’u pranohen ato vepra, siç thotë Allahu i lartësuar: “Dhe që, kur japin atë që japin, zemrat e tyre i kanë plot frikë, ngaqë do të kthehen te Zoti i tyre” (Mu’minun/60). Nga Aisheja (radij Allahu anha) është transmetuar ta ketë pyetur Pejgamberin (salallahu alejhi ve selem) rreth këtij ajeti, duke i thënë: “A janë këta persona ata të cilët pinë alkool, bëjnë zina dhe vjedhin?” Ai është përgjigjur: “Jo, oj e bija e Siddikut! Por, ata janë të cilët agjërojnë, falin namazin, japin sadakë dhe prapë kanë frikë se nuk do t’u pranohen ato, janë ata të cilët nxitojnë për në punë të mira.”[3]

Allahu gjithashtu thotë: “Kur Ibrahimi dhe Ismaili ngritën themelet e Qabes, u lutën: “O Zoti ynë! Pranoje prej nesh (këtë vepër)!” (El Bekare/127) Ndërsa, kur Vuhejb ibën Vird ekishte lexuar këtë ajet, kishte qajtur dhe kishte thënë: “O i dashuri i Allahut! I ke ngritur themelet e shtëpisë së Allahut dhe prapë ke pasur frikë se nuk do të pranohet kjo vepër!”[4]

vijon…

Autor: Dr. Abdurrezak el Bedr

Përktheu: Jeton Bozhlani

__________________________________________________________

[1] Transmeton Tirmidhiu (2417), dhe thotë: “Hadithi është hasen – sahih.”

[2] Transmeton Buhariu pa sened, nën titull: “Frika e besimtarit mos i shkatërrohen veprat pa e ndjerë fare”.

[3] Transmeton Tirmidhiu: (3175).

[4] Transmeton Ibën Ebi Hatim në tefsirin e tj: (1/233), shih tefsirin e Ibën Kethirit: (1/253-254).

Shpërndaje artikullin
Madhësia e tekstit