Rreth teravive

Rreth teravive

Ku t’i fali teravitë? Shumica e dijetarëve thonë se namazi i teravive duhet të falet me xhemat në xhami. Përveç nëse në xhami imami i fal shpejt dhe njeriu më i përqendruar është kur falet vetëm, atëherë falet në shtëpi, ose e gjen një xhami tjetër ku imami falet më ngadalë, kjo është më mirë.

Sa rekate, 8 apo 20? Më e mira është të falësh aq sa falet imami. Shumica e dijetarëve (xhumhuri) e kanë mendimin se është sunet që taravitë të falen me 20 rekate. Të thuash se nuk lejohet të shtohet më shumë, ky është mendim i dobët. Andaj, ti falu aq sa falet imami. Nëse ai i fal 8 apo 20, fali edhe ti aq. Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem tri net rresht është falur me sahabët (namaz nate në Ramazan) dhe kur e ka përfunduar, ata i kanë thënë: “Sikur të shtoje edhe disa rekate!” Ai salAllahu alejhi ue selem nuk u ka thënë: “Jo, nuk bën më shumë se tetë.” Por u ka thënë: “Kush falet me imamin derisa të përfundojë, i shkruhet sikur është falur tërë natën.” Andaj, sikur të ishte e ndaluar të falen më shumë se tetë rekate, Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem ua kishte sqaruar sahabëve aty për aty. Dijetarët e selefit të cilët kanë thënë se namazi i natës falet tetë rekate, nuk kanë thënë se nuk lejohet të shtohet më shumë se kaq. Tetë është më mirë, por nuk kanë thënë që gjithqysh duhet kufizim veç në tetë rekate. Nuk di të ketë pasur ndonjë prej dijetarëve të selefit që ka thënë se është bidat të shtohet mbi tetë rekate.

A t’i fali 8 rekate e të dal nga xhamia? Është gabim veprimi: falja e tetë rekateve në xhami dhe dalja prej saj, edhe pse imami vazhdon të falet (në 20 rekate). Personi duhet të falet me imamin derisa të kryejë. Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem ka thënë: “Kush falet me imamin derisa ta kryejë namazin, i shkruhet sikur është falur tërë natën.” Më e mira është të falësh sa falet imami.

Dy zgjidhje për nafile pas vitrit:

-Nuk ka të keqe nëse dikush i ka falur teravitë në xhami e pastaj të falë nafile në shtëpi nëse ka mundësi; edhe pasi e ka falur vitrin bën, mirëpo nuk e përsërit atë, edhe pse më e mira është që vitri të falet i fundit, porse në këtë rast nuk ka mundësi.

-Kur vjen koha e faljes së vitrit pas faljes së teravive në xhami, personi bën nijet për namaz nafile, jo për vitër, dhe kur imami jep selam, ai çohet dhe e fal edhe një rekat, duke bërë kështu katër rekatë. Pastaj në shtëpi falet sa të dojë dhe e fal edhe vitrin në fund.

 

Hoxhë Lulzim Perçuku.

Shpërndaje artikullin
Madhësia e tekstit