Në dritën e Kur’anit dhe Sunetit

Sexhdeja e harresës (Suxhudus-sehui)

Shejh Muhamed bin Salih El-Uthejmin (Allahu e mëshiroftë)

http://www.ibnothaimeen.com/all/books/article_16971.shtml

Suxhudus-sehui janë dy sexhde që njeriu i vepron në mënyrë që të përmirësojë gabimin e bërë gjatë namazit të tij për shkak të harresës.

Shkaqet e saj janë tri:

  1. Shtimi,

  2. Mangësia,

  3. Dyshimi.

Shtimi:

Nëse ai që falet, qëllimisht shton edhe një qëndrim në këmbë (kijam), apo ulje, apo ruku, apo sexhde, atëherë namazi i tij është i pavlefshëm. E nëse këtë e bën nga harresa dhe nuk i kujtohet veçse pas kryerjes së saj (shtesës), atëherë, gjëja e vetme që i obligohet është sexhdeja e harresës dhe namazi i tij është i saktë. E nëse i kujtohet gjersa është duke e bërë atë (shtesën), atëherë ai detyrohet të tërhiqet nga kryerja e saj dhe të bëjë sexhden e harresës, dhe namazi i tij është i saktë.

Shembull: Një njeri e fali drekën pesë rekate dhe shtesa e bërë nuk iu kujtua veçse gjatë teshehudit; në këtë rast ai e plotëson teshehudin, jep selam, bën sehui sexhde dhe prapë jep selam. E nëse nuk i kujtohet shtesa e bërë, veçse pas selamit, atëherë ai bën sehui sexhden dhe jep selam. E nëse i kujtohet shtesa duke qenë në rekatin e pestë, atëherë ai duhet të ulet menjëherë, të lexojë teshehudin, të jep selam, të bëj seuhi sexhden dhe prapë të jep selam.

Dëshmi për këtë është hadithi i Abdullah bin Mes’udit (radijAllahu anhu) i cili përmendi se, një ditë prej ditësh, Profeti (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem) e fali drekën pesë rekate. Të pranishmit thanë: “A mos janë shtuar rekatet e namazit?” Profeti tha: “Përse?”. Ata thanë: “I fale pesë rekate”. Atëherë Profeti (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem) i bëri dy sexhde, pas selamit. (Buhariu dhe Muslimi). Ndërsa në një version tjetër qëndron: “Ai i mblodhi këmbët, u kthye nga Kibla, i bëri dy sexhde dhe pastaj dha selam.” (Ebu Daudi, Tirmidhiu, Nesaiu dhe ibën Maxhe).

 

Dhënia e selamit para përfundimit të namazit:

Dhënia e selamit para përfundimit të namazit konsiderohet si shtesë në namaz. Nëse ndodh që namazliu qëllimisht të jep selam para përfundimit të namazit, atëherë namazi i tij është i pavlefshëm. E nëse këtë e bën nga harresa dhe nuk i kujtohet veçse pas një kohe të gjatë, atëherë ai duhet të përsërisë namazin. E nëse i kujtohet pas një kohe të shkurtër si 2-3 minuta, atëherë ai e plotëson namazin e tij, jep selam, bën sehui sexhde dhe prapë jep selam.

Dëshmi për këtë është hadithi i Ebu Hurejres (radijAllahu anhu) ku përmendet se, një ditë, Profeti (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem) ua fali drekën apo ikindinë dhe, pas dy rekateve, dha selam. Atëherë, ata që ngrihen menjëherë (ata që zakonisht kanë ndonjë punë të pakryer, sh.p.) dolën nga dyert e xhamisë duke thënë: “Qenka shkurtuar namazi”. Profeti (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem), që dukej sikur i zemëruar, u ngrit dhe shkoi e u mbështet tek një dru brenda xhamisë. Njëri nga të pranishmit tha: “O i Dërguar i Allahut, a harrove (gabove) apo është shkurtuat namazi?” Ai ia ktheu: “As nuk kam harruar dhe as nuk është shkurtuar”. Njeriu tha: “Atëherë, gjithsesi paske harruar.” Profeti (sal-lAlahu alejhi ue sel-lem) iu drejtua sahabëve të tjerë: “A është e vërtetë kjo që po thotë ky?”. “Po” – u përgjigjen ata. Atëherë Profeti (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem) u doli njerëzve përpara, i fali ato (rekate) që i kishin mbetur pa falur, dha selam, i bëri dy sexhde dhe prapë dha selam.” (Buhariu dhe Muslimi).

Nëse ndodhë që imami të jep selam para përfundimit të namazit, ndërkohë që në mesin e xhematit ka të atillë që u ka ikur një pjesë e namazit, pastaj atij (imamit) i kujtohet se ka ende për të falur dhe ngrihet për ta plotësuar namazin, atëherë ata që ishin duke u falur pas tij dhe të cilët ngrihen për ta plotësuar atë që u ka ikur nga namazi, janë të lirë të zgjedhin mes dy opsioneve:

a) Ose të vazhdojnë në plotësimin e asaj pjese që u ka ikur nga namazi dhe në fund të bëjnë sehui sexhde,

b) Ose t’i kthehen imamit dhe ta pasojnë atë; e në momentin kur ai jep selam, të ngrihen dhe të plotësojnë atë që u ka ikur nga namazi dhe të bëjnë sehui sexhde pas selamit. Kjo është më parësore dhe më e sigurt.

Mangësia:

1) Mangësia në ndonjërën prej shtyllave të namazit:

Nëse ai që falet nuk e merr tekbirin fillestar, qoftë qëllimisht apo nga harresa, atëherë ai nuk ka namaz, ngaqë namazi i tij nuk ka zënë vend (s’ka filluar). E nëse ajo (shtyllë) që e ka lënë të mangët nuk është tekbiri fillestar, atëherë, nëse e ka lënë qëllimisht, namazi i tij është i pavlefshëm. E nëse e ka lënë nga harresa dhe arrin tek vendi i saj, në rekatin e dytë (vijues), atëherë, rekati (i parë) në të cilin e ka lënë atë, anulohet, ndërkaq rekati vijues e zëvendëson atë (të parin). E nëse ende s’ka arritur tek vendi i asaj që e ka lënë të mangët, (pra s’ka arritur tek vendi i saj) në rekatin e dytë (vijues), ai duhet të kthehet tek shtylla e lënë, ta kryejë atë dhe gjithashtu ato që vijojnë pas saj. Në të dyja rastet, ai duhet të bëjë sehui sexhde pas selamit.

Shembull: Një njeri e harroi sexhden e dytë të rekatit të parë dhe një gjë e tillë iu kujtua duke qenë ulur mes dy sexhdeve, në rekatin e dytë. Atëherë, rekati i parë anulohet, ndërkaq ai vijues, ia zë vendin atij. Kështu, namazliu e konsideron atë si të parin dhe në bazë të tij e plotëson namazin, pastaj në fund, jep selam, bën sehui sexhde dhe prapë jep selam.

Shembull tjetër: Një njeri, në rekatin e parë, e harroi sexhden e dytë dhe uljen para saj, pastaj kjo iu kujtua pasi që u ngrit nga rukuja e rekatit të dytë. Në këtë rast, ai duhet të kthehet, të ulet dhe të bëjë sexhden. Pastaj e plotëson namazin e tij, jep selam, bën sehui sexhde dhe prapë jep selam.

2) Mangësia në obligime:

Nëse namazliu qëllimisht e lë ndonjë obligim të namazit, atëherë namazi i tij është i pavlefshëm. E nëse këtë e bën nga harresa dhe i kujtohet para se të tejkalojë vendin e tij (obligimit) që e ka në namaz, atëherë e kryen atë dhe s’detyrohet me asgjë tjetër. E nëse i kujtohet pasi që e ka tejkaluar vendin e tij dhe para se të arrijë tek shtylla që vijon pas tij (obligimit), atëherë ai e kryen atë (obligimin), e plotëson namazin e tij, jep selam, bën sehui sexhde dhe prapë jep selam. E nëse i kujtohet pasi që ka arritur tek shtylla vijuese, atëherë ai nuk i kthehet më (obligimit), mirëpo vazhdon në namazin e tij, jep selam, bën sehui sexhde dhe prapë jep selam.

Shembull: Një njeri u ngrit nga sexhdeja e dytë, në rekatin e dytë, për të vazhduar në rekatin e tretë dhe harroi të ulet në teshehudin e parë. Mirëpo, kjo i ra ndërmend para se të çohej. Në këtë rast, ai qëndron ulur, e lexon teshehudin, e plotëson namazin e tij deri në fund dhe s’detyrohet me asnjë gjë tjetër. E nëse i kujtohet pasi që është ngritur dhe para se të drejtohet plotësisht, atëherë ai kthehet e ulet dhe e lexon teshehudin. Pastaj e plotëson namazin e tij, jep selam, bën sehui sexhde dhe prapë jep selam. E nëse i kujtohet pasi që është ngritur plotësisht, atëherë teshehudi bie nga ai dhe (ai) nuk i kthehet më, mirëpo e plotëson namazin e tij dhe bën sehui sexhde, para se të jep selam.

Dëshmi për këtë është hadithi i Abdullah bin Buhajtes (radijAllahu anhu) ku përmendet se, një ditë prej ditësh, Profeti (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem) ua fali drekën dhe u çua menjëherë pas dy rekateve të para e nuk u ulë (domethënë në teshehudin e parë). Edhe njerëzit u ngritën së bashku me të. Kur Profeti e përfundoi namazin dhe të gjithë po e prisnin selamin e tij, ai mori tekbir, duke qenë ulur, i bëri dy sexhde para selamit dhe pastaj dha selam. (Buhariu dhe të tjerët).

Dyshimi:

Dyshimi është luhatja midis dy çështjeve (duke mos e ditur) se cila prej tyre ka ndodhur.

Gjatë adhurimeve, në tri gjendje nuk duhet të merret parasysh dyshimi:

  1. Nëse është vetëm iluzion joreal, sikur vesveset.

  2. Nëse i ndodh njeriut shpesh, saqë nuk kryen ndonjë adhurim pa pasur në të mëdyshje.

  3. Nëse dyshon pas kryerjes së adhurimit; në këtë rast ai nuk e përfillë atë, përderisa nuk është i bindur rreth realitetit të çështjes, dhe kështu vazhdon në bazë të bindjes që e ka.

Shembull: Një njeri e fali drekën dhe, pas namazit, ai dyshoi në numrin e rekateve të falura, se a ishin tri apo katër? Në këtë rast ai nuk e përfillë dyshimin, përveç nëse është plotësisht i bindur se i ka falur vetëm tri rekate. Atëherë ai e plotëson namazin e tij (d.m.th. e fal edhe një rekat), nëse nuk ka kaluar shumë kohë, jep selam, pastaj bën sehvi sexhde dhe prapë jep selam. E nëse nuk i kujtohet, veçse pas një kohe të gjatë, atëherë ai e përsëritë namazin.

Ndërsa në raste tjera, pos këtyre të triave, dyshimi duhet të merret parasysh.

Dyshimi në namaz i ka vetëm dy gjendje:

– Që njeriut t’i duket si më e përafërt njëra nga dy çështjet. Në këtë rast, ai vepron sipas asaj që i duket më me vend dhe në bazë të saj e vazhdon namazin e tij, pastaj jep selam, bën sehui sexhde dhe prapë jep selam.

Shembull: Një njeri gjersa ishte duke e falur drekën dyshoi në numrin e rekateve se, a është në rekatin e dytë apo në të tretin? Mirëpo, atij i duket si më e përafërt se është në rekatin e tretë. Në këtë rast, ai e konsideron atë rekat si të tretin, pastaj e fal edhe një rekat, jep selam, bën sehui sexhde dhe prapë jep selam.

Dëshmi për këtë është hadithi i Abdullah bin Mesu’dit (radijAllahu anhu) ku shënohet se, Profeti (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem) kishte thënë: “Kur ndokush nga ju të dyshojë gjatë namazit të tij, atëherë le të mundohet të gjejë atë që është e saktë dhe, në bazë të saj, le të vazhdojë namazin e tij. Pastaj le të jep selam dhe le t’i bëj dy sexhde.” (Buhariu dhe të tjerët; teksti është i Buhariut).

– Që njeriut të mos i duket si më e përafërt asnjëra nga dy çështjet. Në këtë rast ai vepron sipas bindjes që e ka, domethënë e merr atë që është më e paktë. Pastaj në bazë të saj e plotëson namazin e tij, bën sehui sexhde para selamit dhe pastaj jep selam.

Shembull: Një njeri duke e falur ikindinë, filloi të dyshonte në numrin e rekateve, se a është në rekatin e dytë apo në të tretin dhe assesi nuk i duket si më e përafërt njëra nga dy çështjet. Në këtë rast, ai e merr atë rekat si të dytin, ulet në teshehudin e parë dhe i fal edhe dy rekate. Krejt në fund, bën sehui sexhde dhe pastaj jep selam.

Dëshmi për këtë është hadithi i Ebu Se’id El-Hudriut (radijAllahu anhu), në të cilin Profeti (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem) thotë: “Kur dikush nga ju të dyshojë gjatë namazit të tij dhe nuk e di sa ka falur: tri apo katër rekate, atëherë le ta largojë dyshimin dhe le të vazhdojë në bazë të asaj që është i bindur, pastaj le t’i bëjë dy sexhde, para se të jep selam. Nëse ndodh që i ka falur pesë rekate, atëherë këto dy sexhde do t’ia bëjnë çift numrin e rekateve. E nëse i ka falur katër të plota, atëherë këto dy sexhde do ta poshtërojnë shejtanin.” (Muslimi).

Prej shembujve të dyshimit është edhe kur njeriu e gjenë imamin në ruku, pastaj e merr tekbirin fillestar duke qëndruar drejt dhe më tej bie në ruku. Në këtë rast, gjendja e tij është si vijon:

i. Të jetë plotësisht i bindur se e ka arritur imamin duke qenë ai në ruku, dhe para se ai (imami) të ngrihet prej saj. Në këtë rast, ai e ka arritur rekatin dhe nuk detyrohet me këndimin e el-fatihas.

ii. Të jetë plotësisht i bindur se imami është ngritur nga rukuja para se ai ta arrinte atë. Në këtë rast, rekati i ka ikur.

iii. Të dyshojë se a e ka arritur imamin në ruku dhe kështu të ketë arritur edhe rekatin, apo imami është ngritur nga rukuja para se ta arrinte atë, dhe si rezultat t’i ketë ikur rekati? Nëse i duket si më e përafërt njëra nga dy gjendjet, atëherë ai vepron sipas saj. Kështu, ai e plotëson namazin e tij në bazë të saj, jep selam, bën sehui sexhde dhe prapë jep selam. Përveç nëse nuk i ka ikur asgjë nga namazi; nëse është kështu atëherë ai s’ka nevojë të bëjë sehui sexhde. E nëse nuk i duket si më e përafërt asnjëra prej dy çështjeve, atëherë ai vazhdon në bazë të bindjes që e ka (e merr rekatin si të ikur) dhe sipas saj e plotëson namazin e tij. Kështu, ai bën sehui sexhde para selamit dhe pastaj jep selam.

Dobi:

Nëse njeriu dyshon gjatë namazit të tij dhe pastaj vepron sipas bindjes që e ka apo sipas asaj që i duket si më e përafërt, siç e shtjelluam më lartë, mirëpo më vonë i qartësohet se ajo që ishte duke e bërë gjatë namazit është në përputhje me realitetin dhe se, as nuk ka shtuar gjë në namazin e tij dhe as nuk ka lënë gjë të mangët, atëherë, sipas medh’hebit të mirënjohur, bie nga ai sehui sexhdeja, për shkak të heqjes së shkakut që e detyron bërjen e saj, e që është dyshimi.

Po ashtu është thënë: nuk bie nga ai sehui sexhdeja, në mënyrë që ta poshtërojë shejtanin, për shkak pasazhit të hadithit: “E nëse i ka falur katër të plota, atëherë këto dy sexhde do ta poshtërojnë shejtanin”, dhe për shkak se ai e ka kryer një pjesë të namazit duke qenë i dyshimtë në të. Ky është mendimi i saktë.

Shembull: Një njeri gjatë namazit dyshoi se, a është në rekatin e dytë apo në të tretin dhe asnjëra prej dy çështjeve nuk iu dukë si më me vend. Kështu, ai e mori rekatin si të ishte i dyti dhe në bazë të kësaj e plotësoi namazin e tij. Më vonë iu bë e qartë se, në të vërtetë, ai ishte rekati i dytë. Në këtë rast, sipas medh’hebit të mirënjohur, ai s’ka nevojë të bëj sehui sexhde. Mirëpo, mendimi i dytë, të cilin e saktësuam më lartë, thotë se ai duhet të bëjë sehui sexhde para selamit.

Sexhdeja e harresës për ata që janë duke u falur pas imamit:

Në qoftë se imami harron, atëherë ata që janë duke u falur pas tij duhet ta pasojnë atë në bërjen e sehui sexhdes. Kjo për shkak të fjalës së Profetit (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem): “Vërtet, imami është vendosur në mënyrë që të udhëhiqeni nga ai, andaj mos jini të ndryshëm prej tij” – deri tek fjalët – “kur ai të bie në sexhde, bini edhe ju!” (Buhariu dhe Muslimi nga Ebu Hurejre – radijAllahu anhu).

Xhemati duhet ta pasojnë imamin, pavarësisht se, a e bën ai sehui sexhden para selamit apo pas tij. Përveç nëse ndonjëri prej tyre është i tejkaluar, domethënë i ka ikur një pjesë nga namazi; në këtë rast, ai nuk e pason imamin në sehui sexhde, për shkak të pamundësisë për bërjen e një gjëje të tillë. Kjo ngase ai që është tejkaluar nga imami, s’ka mundësi të jep selam së bashku me të. Duke u mbështetur në këtë themi se, ai e plotëson pjesën që i ka ikur, jep selam, bën sehui sexhde dhe prapë jep selam.

Shembull: Një njeri futet në namaz (me xhemat) në rekatin e fundit, ndërkohë që imami duhet të bëjë sehui sexhde pas selamit. Në momentin kur imami jep selam, atëherë ky njeri le të çohet për të plotësuar pjesën që i ka ikur nga namazi, e të mos bëj sexhde së bashku me imamin. E, kur t’i plotësojë ato që i kanë ikur nga namazi dhe të jep selam, atëherë bën sehui sexhde, pas selamit. E nëse ai që falet pas imamit gabon, ndërkohë që nuk i ka ikur asgjë nga namazi, atëherë ai s’ka nevojë të bëj sehui sexhde. Kjo ngaqë sexhdeja e tij e detyron atë që të jetë i ndryshëm nga imami dhe të mos e pasojë atë. Dhe, sepse, sahabët (radijAllahu anhum) e lanë teshehudin e parë, atëherë kur Profeti (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem) e harroi atë, dhe u ngritën së bashku me të e nuk u ulën në teshehud. Këtë e bënë duke e pasur në konsideratë pasimin e imamit dhe të mos qenit të ndryshëm prej tij.

E nëse i ikë një pjesë e namazit dhe gabon duke u falur pas imamit apo gabon në ato që i plotëson pas tij, atëherë sexhdeja e harresës nuk bie nga ai. Pra, ai e bën sehui sexhden pasi që i plotëson ato që i kanë ikur nga namazi dhe atë para selamit apo pas tij, sipas shtjellimit të lartcekur.

Shembull: Një njeri gjersa ishte duke u falur pas imamit, harroi të thoshte në ruku: “subhane rabbijel-adhim”, ndërkohë që nuk i ka ikur asgjë nga namazi. Ky njeri s’ka nevojë të bëjë sehui sexhde. E nëse i ka ikur një apo më shumë rekate, ai duhet t’i plotësojë ato, pastaj të bëj sehui sexhde para selamit.

Shembull tjetër: Një njeri ishte duke e falur drekën me imam. Në momentin kur imami u ngrit për në rekatin e katërt, ai u ulë duke menduar se ky është rekati i fundit. Mirëpo, pasi që iu bë e ditur se imami është ngritur, ai u ngrit. Nëse këtij njeriu nuk i ka ikur asgjë nga namazi, ai nuk detyrohet të bëjë sehui sexhden. E nëse i ka ikur një apo më shumë rekate, ai i plotëson ato, jep selam, bën sehui sexhde dhe prapë jep selam. Ai duhet ta bëjë këtë sexhde për shkak të uljes të cilën e shtoi gjatë kohës kur imami u ngrit për në rekatin e katërt (…)

E lus Allahun që të na jap sukses, mua dhe vëllezërve tanë myslimanë, drejt kuptimit të Librit të Tij dhe sunetit të të Dërguarit (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem) dhe veprimit sipas tyre, qoftë haptas apo fshehtas, në akide, adhurime dhe në raportet me të tjerët! Po ashtu e lus Atë që të gjithë neve të na i përmirësojë përfundimet! Vërtet, Ai është Bujar dhe Fisnik.

Çdo lavdërim dhe falënderim qoftë për Allahun, Zotin e botëve. Salati dhe selami qofshin për Profetin tonë, Muhamedin, për familjen dhe mbarë shokët e tij!

 

Këto fjalë u shkruan nga lapsi i të varfrit dhe nevojtarit për Allahun e Lartësuar:

Muhamed bin Salih El-Uthejmin

Më 4/3/1400 H.

Përktheu: Petrit Perçuku

  • Shpërndaje
Share on facebook
Share on telegram
Share on whatsapp
Share on twitter
Share on email

NA NDIQNI NË FACEBOOK

ABONOHU NË EMAIL

Pranoni postimet e reja në email duke u abonuar

POSTIMET E FUNDIT

RËNDËSIA E TEUHIDIT

MË TË KLIKUARAT

Arkiva