Në dritën e Kur’anit dhe Sunetit

Shkaku i katërt: Dijetari është i vetëdijshëm për argumentin, por e kupton atë gabimisht

Marrë nga:

Mospajtimet në mesin e dijetarëve – Shkaqet e tyre dhe qëndrimi ynë ndaj tyre.

Shejh Muhamed Ibën Salih El Uthejmin

Do të sjellim këtu dy shembuj, njërin nga Kurani dhe tjetrin nga Sunneti.

Allahu thotë:

“Por, në qoftë se jeni të sëmurë (që mund t’iu dëmtojë uji) ose gjendeni në udhëtim, ose ndonjëri nga ju vjen pas kryerjes së nevojës natyrore, ose nëse keni pasur kontakt me bashkëshortet e nuk gjeni ujë, atëherë gjeni dhe të pastër dhe fshini fytyrat e duart me të.” [El-Maide (5):6]

 

Dijetarët nuk janë pajtuar rreth domethënies së fjalës “ لاَمَسْتُم “ – që do të thotë kontakt/prekje. Një grup i tyre e kuptuan si ‘prekje’ në kuptimin e saj të pakufizuar. Një grup tjetër thanë se është ai lloj i kontaktit i cili përfshin epsh, dhe një grup tjetër e patën mendimin se është fjala për marrëdhëniet seksuale, e ky mendim i fundit është i Ibën Abasit.

Nëse meditoni rreth ajetit, do ta shihni se qëndrimi i saktë është i atyre që thonë se për qëllim janë marrëdhëniet seksuale. Është kështu sepse Allahu ka përmendur (në ajetin paraprak) dy kategori të pastrimit me ujë, pastrimin e vogël (abdesin) dhe pastrimin e madh (guslin). I pari përmendet kur Ai thotë:

“…lani fytyrën dhe duart deri në bërryla, kurse kokën fshijeni me dorë të lagur; lani edhe këmbët deri në nyje.” [El-Maide (5):6]

Për kategorinë e dytë (guslin), Allahu thotë:

“Nëse jeni të papastër (si pasojë e marrëdhënieve bashkëshortore apo e derdhjes së farës), pastrohuni (duke u larë krejtësisht)!”

Përmendja e dy kategorive për pastrim me tejemum, do të ishte në harmoni me elokuencën dhe shpjegimin e Kuranit, andaj shprehja:

“…ose ndonjëri nga ju vjen pas kryerjes së nevojës natyrore…”

I referohet asaj që e bën të domosdoshëm pastrimin e vogël, dhe shprehja:

“…ose nëse keni pasur kontakt e nuk gjeni ujë…”

i referohet asaj që e bën të domosdoshëm pastrimin e madh. [1]

Nëse do ta shpjegonim fjalën ‘kontakt’ vetëm si ‘prekje’, pjesa tjetër e ajetit do t’i përmbante këto dy referenca në atë që e obligon pastrimin e vogël dhe nuk do të ishte e nevojshme për përmendjen e asaj që e obligon pastrimin e madh; kjo do të ishte në kundërshtim me elokuencën e Kuranit.

Prandaj, ata që e kanë kuptuar si ‘prekje’, kanë thënë: “Nëse burri e prek lëkurën e gruas, e prish abdesin”, ose “nëse ai e prek me epsh, e prish abdesin, e nëse e prek pa epsh, nuk e prish abdesin.”

Megjithatë, mendimi më i saktë është se nuk prishet abdesi në asnjërin nga rastet e mësipërme. Për më shumë, është transmetuar nga Pejgamberi (salAllahu alejhi ue selme) se ai e puthi njërën nga gratë e tij dhe pastaj shkoi të falej pa marrë abdes; kjo është transmetuar në shumë vende, dhe transmetimet e mbështesin njëri tjetrin.[2]

Ndërsa, shembulli për këtë kategori nga Suneti, është:

Kur i dërguari i Allahut (salAllahu alejhi ue selem) u kthye nga beteja e Ahzabit, dhe e hoqi parzmoren, Xhibrili i erdhi e i tha:

“Ne (engjëjt) ende nuk i kemi hequr armët tona, kështu që mësyjani Beni Kurejdhasë”.

I dërguari i Allahut i urdhëroi shokët e tij që ta linin betejën dhe u tha:

“Asnjë nga ju të mos e falë ikindinë përveç te Beni Kurejdhah”.[3]

Sahabët e kuptuan këtë urdhër në mënyra të ndryshme, disa menduan se i dërguari i Allahut kishte për qëllim t’i nxitonte ata që kur të vinte koha e ikindisë, atë tanimë të ishin te Beni Kurejdhah. Si rezultat, kur hyri koha e ikindisë, meqë ata ishin ende në rrugë, u falën dhe nuk e vonuan namazin jashtë kohës së tij. Sahabët e tjerë e kuptuan këtë urdhër se nuk duhej ta falnin ikindinë deri sa të arrinin te Beni Kurejdhah. Kështu, ata e vonuan namazin deri sa e arritën te Beni Kurejdhah, dhe kështu e falën ikindinë jashtë kohës së saj.[4]

Nuk ka dyshim se mendimi i saktë është i atyre që e falën ikindinë në kohën e vet. Është kështu, sepse tekstet që i bëjnë të obligueshme namazet në kohën e vet janë të qarta dhe vendimtare, ndërsa ky hadith është një tekst i paqartë. Metodologjia e shëndoshë dhe e saktë që zbatohet në këso rrethanash është që tekstin e dyshimtë e kthejmë në tekstin e qartë dhe vendimtar.

Përmbledhtas, një shkak për mospajtim është të kuptuarit e një argumenti në një mënyrë më ndryshe nga çfarë ka qenë për qëllim nga Allahu dhe i Dërguari i Tij (salAllahu alejhi ue selem).

Vazhdon inshaAllah…

Kontrolloi: Lulzim Perçuku


[1] Si pasojë, kjo do të ishte në pajtueshmëri, vetëm nëse do ta merrnim domethënien e kësaj fjale si marrëdhënie seksuale, meqë është sqarimi i vetëm që duket i shëndoshë këtu, e që e obligon guslin.
[2] Musnedi i Imam Ahmedit (6/210) dhe Ebu Davudit, Tirmidhiut, Ibën Maxhes dhe Nesaiut në përmbledhjet e tyre në Librin e Pastërtisë.
[3] Sahihul-Buhari [përkthimi ang.2/34] dhe Sahihul-Muslim [përkthimi ang. 3/967/nr.4374].
[4] Ky hadith është një argument bazik për të mos e qortuar muxhtehidin i cili gabon kur e jep gjykimin e tij. Megjithatë, kjo është e vërtetë vetëm kur plotësohen disa kushte, disa prej të cilave janë:
(i) Personi që ka bërë ixhtihad është i kualifikuar për të.
(ii) Çështja në të cilën ka gabuar është e hapur për ixhtihad.
(iii) Personi mundohet maksimalisht për të arritur te gjykimi i saktë. Kjo pikë nxirret nga domethënia origjinale e fjalës ‘ixhtihad’.
(iv) Personi ka ndonjë argument që e përdorë për ta arsyetuar pozicionin e tij.
Vetëm kur plotësohen këto kushte, aplikohet hadithi i Pejgamberit (salAllahu alejhi ue selem): “Nëse një gjykatës e jep një rregull me ixhtihad dhe ajo është e saktë, ai i merr dy shpërblime, dhe nëse ai bën ixhtihad dhe nuk ia qëllon, ai e merr një shpërblim” [Buhariu, Muslimi dhe të tjerë].
Me gjithë këtë në mendje, nuk është e saktë të përdoret hadithi i Beni Kurejdhasë, siç përdoret zakonisht, për ta arsyetuar gjendjen e njeriut në një çështje të caktuar. Kjo është një çështje shumë me rëndësi sa i përket temës së ‘mospajtimeve’ që përmenden nga një grup dijetarësh siç është Imam Shatabiu, Hatibi dhe Ibën Tejmije, Allahu i mëshiroftë të gjithë.
Ideja se për shkak të mospajtimeve në një çështje, p.sh. rreth ndalesës së një gjëje, atëherë ajo gjë bëhet e lejuar (nga ana e disa personave) – (kjo ide) kundërshtohet nga Suneti. Nëse e pranojmë këtë ide, atëherë do ta bënim të lejuar ribanë, martesat e paligjshme siç është mut’ah dhe disa pije të caktuara dehëse, meqë umeti nuk është pajtuar në këto çështje!
Allahu i ka urdhëruar ata që janë në mospajtim që t’i kthehen Librit të Tij dhe Sunetit të të Dërguarit të Tij (salAllahu alejhi ue selem). Kështu, ne e pranojmë ekzistimin e mospajtimeve dhe i marrim parasysh, por nuk i përdorim si argument, meqë në vete nuk janë argumente.
  • Shpërndaje
Share on facebook
Share on telegram
Share on whatsapp
Share on skype
Share on email

NA NDIQNI NË FACEBOOK

ABONOHU NË EMAIL

Pranoni artikujt e rinj me email duke u abonuar

RËNDËSIA E TEUHIDIT

MË TË KLIKUARAT

Arkiva
Kategori