Në dritën e Kur’anit dhe Sunetit

Shpjegimi i sures El-Uâki'a – pjesa e dytë

 

Shejh Muhamed bin Salih El-Uthejmin (Allahu e mëshiroftë)

www.ibnothaimeen.com

 

13. Shumica e tyre janë prej të lashtëve,

Është thënë se me këtë kihen për qëllim ummetet e kaluara.

14. ndërsa një pakicë prej brezave të mëvonshëm.

Domethënë: prej ummetit të Muhamedit (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem). Sipas kësaj thënieje, pakica e këtyre njerëzve në këtë ummet është duke marr në konsideratë numrin e madh të popujve të mëparshëm. Pra, nuk është fjala se, pjesëtarët e popujve të mëparshëm, të cilët do të hyjnë në Xhenet, duke marr parasysh secilin profet, janë më shumë se ata që do të hyjnë në të prej këtij ummeti. Po ashtu është thënë se, “të lashtët” janë të parët e këtij ummeti, domethënë: shumica e tyre janë prej të lashtëve të këtij ummeti, ndërsa një pakicë prej pjesëtarëve të mëvonshëm të tij. Ky është mendimi i saktë, madje është një gjë që patjetër duhet të thuhet, sepse Profeti (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem) thotë: “Vërtet, unë shpresoj që ju të jeni gjysma e banorëve të Xhenetit.” (Buhariu dhe Muslimi). Ndërsa, në një hadith tjetër lexojmë: “Banorët e Xhenetit janë njëqind e njëzet safe/shkallë, tetëdhjetë prej të cilave janë nga ky ummet.” (Ebu Nu’ajmi në El-Hilje, nr. 239 dhe Tirmidhiu, nr. 2546. Shejh Albani e ka vlerësuar si sahih në Sahih Xhami’is-Sagîr, nr. 2526). Andaj, duke u mbështetur në aludimin e këtyre haditheve, nuk është e saktë të thuhet se ata janë një pakicë nga ky ummet dhe shumë prej të parëve, por themi se, shumica e tyre janë prej të lashtëve të këtij ummeti, ndërsa një pakicë prej brezave të mëvonshëm të tij.

15. Ata do të qëndrojnë në divane të stolisura me ar e gurë të çmuar,

Divani shërben për t’u ulur apo për t’u shtrirë (për të fjetur) në të. Dijetarët kanë përmendur se ato do të jenë të endura (qëndisura) nga ari.

16. të mbështetur në to përballë njëri-tjetrit.

Pra, të mbështetur në to me duart dhe shpinat e tyre. Kështu, ata ndiejnë rehati në duar dhe në shpinë. “përballë njëri-tjetrit”, domethënë me fytyrë të kthyer njëri kundrejt tjetrit. Ky ajet tregon për gjerësinë e atij vendi, gjë që edhe është e tillë, ngaqë, nëse vendi është i ngushtë, njerëzit s’kanë mundësi të rrinë ballë për ballë. Xheneti është i gjerë sa qiejt dhe Toka. Kush mundet t’i del përtej një qielli të vetëm? Aq më tepër kur gjerësia e Xhenetit është sa shtatë qiejt, ndërkohë që qiejt janë njëri mbi tjetrin?! Sa herë që diçka është sipër diçkaje tjetër (e rrethon atë), atëherë rrethi i tij është më i gjerë. Andaj, kush mundet t’i përfshijë të gjitha këto, përveç Allahut të Lartësuar? Pra, ata do të jenë ballë për ballë, për shkak se vendet e tyre janë të gjera dhe për shkak të edukatës së përkryer, e cila nuk i lejon t’ia kthejnë shpinën njëri-tjetrit. Të gjithë janë të edukuar dhe me zemra të pastra. Allahu i Lartësuar thotë: “Ne do ta heqim urrejtjen nga zemrat e tyre; ata do të rrinë ulur si vëllezër përballë njëri-tjetrit në divane.” (El-Hixhr, 47). Për këtë arsye, Profeti (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem) ndaloi që myslimanët t’ia kthejnë shpinën njëri-tjetrit . (Buhariu dhe Muslimi). Kthimi i shpinës mund të jetë me zemër: kur secili e merr një drejtim të caktuar, dhe me trup, i cili nuk duhet të ekzistojë përveçse kur ka nevojë apo në raste të domosdoshme. Mirëpo, kurdo që mundësohet të ndenjurit përballë njëri-tjetrit, atëherë kjo është më e mirë. Kështu, kur dikush të flet me shpinë të kthyer, a është dëgjimi dhe dashuria jote për të e njëjtë si në rastin kur të flet me fytyrë nga ti? Kjo është një gjë që shihet dhe është e mirënjohur. Pra, banorët e Xhenetit qëndrojnë në divane të stolisura me ar, të mbështetur në to përballë njëri-tjetrit, dhe, duke qenë në këtë gjendje:

17. Do tu sillen rreth (për shërbim) djelmosha të pavdekshëm,

Domethënë janë krijuar për të qenë të përjetshëm. Ata janë djelmosha të rinj, që, kur i shikon, të duken si margaritarë të shpërndarë, për shkak të bukurisë, cilësive, numrit të madh dhe shpërndarjes së tyre nëpër mbretërinë e zotërinjve të tyre. Nëse këta djelmosha, kur i shikon, të duken si margaritarë të shpërndarë, atëherë, çfarë mendon për dukjen e zotërinjve të tyre? Pra, ata janë shumë më të bukur.

18. me kupa, ibrikë dhe gota me pije të kulluar, që rrjedh

Domethënë: me verë të kulluar që rrjedhë.

19. e prej së cilës nuk do t’u dhemb koka dhe nuk do t’u humbë mendja,

Ndryshe nga vera e kësaj bote, e cila shkakton dhimbje të kokës dhe dehje.

20. e me fruta të cilat do t’i zgjedhin vetë

Kjo fjali është e lidhur me fjalinë para saj: “me kupa, ibrikë…”. Do të thotë: djelmoshat do t’u sillen rreth me fruta të cilat do t’i zgjedhin vetë (banorët e Xhenetit), për shkak të pamjes, aromës dhe shijes së mirë që e kanë ato. Pra, këto fruta kanë pamje, aromë dhe shije të mirë, ngaqë Allahu thotë: “të cilat do t’i zgjedhin vetë”. Njeriu nuk e urren ndonjë gjë, veçse për shkak të shëmtisë së saj në pamje, apo në aromë, apo në shije. Ndërsa, frutat e Xhenetit janë me ngjyrë, madhësi, aromë dhe shije të mirë. SubhanAllah! Atyre u jepen fruta të ngjashme në ngjyrë, madhësi dhe aromë, mirëpo, shija e tyre është e ndryshme. Dhe kjo ia shton njeriut edhe më shumë gëzimin, lumturinë dhe besimin në fuqinë e Allahut të Madhërishëm.

21. dhe mish shpendësh që ua ka ënda.

Pra, këta djelmosha u sillen rreth (i shërbejnë) me mish shpendësh. Është përmendur mishi i shpendëve, ngaqë është prej mishrave më të këndshëm dhe më të shijshëm. Ku ushqehet ky zog? Ne nuk na takon të pyesim për këtë, ngaqë çështjet e fshehta (gajb) duhet t’i besojmë pa pyetur për to. Andaj themi: nëse këta zogj kanë nevojë të ushqehen, atëherë, sa i shumtë është ai ushqim i tyre, sepse janë në Xhenet. E, nëse s’kanë nevojë për t’u ushqyer, atëherë themi se Allahu është i Fuqishëm për çdo gjë.

22. Për ta ka edhe hyri symëdha,

Do të thotë: hyri të bardha me sy të bukur e të mëdhenj.

23. të ngjashme me margaritarët e ruajtur mirë,

Do të thotë të ngjashme me margaritarët që mbulohen, në mënyrë që të mos i prish dielli, apo ajri, apo pluhuri. Kështu, ata janë të pastër dhe llogariten prej më të mirëve.

24. si shpërblim për atë që kanë punuar.

Do të thotë si shpërblim për shkak të punëve që i kanë bërë dhe jo si kthim i asaj që kanë punuar. Sepse Profeti (sal-lAllahua alejhi ue sel-lem) thotë: “Askush nuk do të hyjë në Xhenet me punët e tij.” Thanë: “As ti, o i Dërguar i Allahut?” Ai tha: “As unë, përveç nëse Allahu më mbulon me mëshirën e Tij.” (Buhariu dhe Muslimi). Pra, kuptimi i ajetit është: si shpërblim për shkak të punëve që i kanë bërë dhe nuk është fjala për kthim, sepse, sikur Allahu i Lartësuar të dëshironte të përdorte këtë raport me ne, atëherë, një nimet i Tij do t’i mbulonte të gjitha punët tona. Allahu thotë: “Edhe nëse përpiqeni t’i numëroni dhuntitë e Allahut, nuk do të mund t’i numëroni dot.” (Ibrahim, 34). Andaj, ki vëmendjen!

25. Aty nuk do të dëgjojnë biseda të kota, as fjalë gjynahesh,

Pra, banorët e Xhenetit nuk dëgjojnë fjalë të padobishme dhe as fjalë që të bëjnë të mëkatosh. Kështu, Xheneti s’është vend i fjalëve boshe e të ulëta.

26. por vetëm fjalët “Paqe, paqe”!

Domethënë, aty dëgjojnë vetëm fjalë të mira, të cilat fusin lumturi e gëzim në mesin e banorëve të Xhenetit. Allahu na bëftë prej tyre!

Vijon…

Përktheu: Petrit Perçuku

 

 

  • Shpërndaje
Share on facebook
Share on telegram
Share on whatsapp
Share on skype
Share on email

NA NDIQNI NË FACEBOOK

ABONOHU NË EMAIL

Pranoni artikujt e rinj me email duke u abonuar

RËNDËSIA E TEUHIDIT

MË TË KLIKUARAT

Arkiva
Kategori