Në dritën e Kur’anit dhe Sunetit

Thënie dhe tregime të selefëve për namazin e natës

Ta dish – Allahu të pastë nën kujdesin e Tij – se shumë nga dembelët dhe batallët, kur dëgjojnë sesi selefët e ndershëm faleshin natën, mendojnë se një gjë e tillë ishte ekstremizëm, rreptësi dhe ngarkim i shpirtit me diçka që s’mund të përballohet. Mirëpo, kjo është injorancë dhe lajthitje, sepse, pasi që vendosmëritë tona u dobësuan, pasi që përmallimi ynë për Xhenete u shua, pasi që frika jonë ndaj zjarrit u pakësua, ne u dhamë pas rehatisë, dembelisë, shkujdesjes e gjumit; u bëmë të atillë që, kur dëgjojmë ngjarjet e asketëve e të adhuruesve dhe përpjekjet e tyre të mëdha në adhurime, çuditemi e i shohim si të pamundshme. Por, s’është për t’u habitur me këtë gjendje tonë, sepse “çdo enë e hedh tutje atë që e ka përbrenda”. Kështu, pasi që zemrat e selefëve ishin të lidhura me Allahun dhe të gjitha ambiciet e tyre ishin të drejtuara nga shtëpia e përjetësisë, ata na i lanë pas ato krenari madhështore dhe ata shembuj të mrekullueshëm. Ndërkaq, ne, pasi që u dhamë pas dynjasë dhe bëmë gara për arritjen e kënaqësive të saj, na kaploi gjendja më e keqe. Andaj, o vëllai im i dashur, zgjohu nga kjo pakujdesi, sepse ikën ata adhurues të mëdhenj e murgj të natës, ndërkaq ne na mbetën shokët e përtacisë e të jastëkëve!!

Seid bin Musejjib (Allahu e mëshiroftë) thotë: “Vërtet njeriut që falet gjatë natës Allahu i jep dritë në fytyrë, në saje të cilës e do çdo mysliman. Kështu, kur atë e sheh ai që nuk e ka parë kurrë më herët, thotë: “Vërtet, unë e dua këtë njeri!”

Hasen El-Basriut (Allahu e mëshiroftë) iu tha: “Përse ata që falen shumë gjatë natës kanë fytyrat më të bukura?” Ai tha: “Sepse ata u vetmuan (në errësirë) me të Gjithëmëshirshmin, andaj Ai u dha nga drita e Tij.”

Zotëria i tabi’inëve, Seid bin Musejjibi (Allahu e mëshiroftë), për pesëdhjetë vite me radhë e fali sabahun me abdes të jacisë. Ai, po ashtu, agjëronte pandërprerë.

Shurejh bin Hani (Allahu e mëshiroftë) thoshte: “Njeriu s’ka humbur ndonjë gjë më të lehtë për të sesa një sy gjumë (të cilin e braktisë për t’u falur natën).”

Thabit El-Bunanij (Allahu e mëshiroftë) tha: “Adhuruesi kurrë nuk quhet adhurues, edhe nëse i ka të gjitha tiparet e mirësisë, përderisa nuk cilësohet me këto dy cilësi: me agjërim dhe me namaz, sepse këto janë nga mishi dhe gjaku i tij!”

Tavus bin Kejsan (Allahu e mëshiroftë) thoshte: “A ka njeri që falet gjatë natës me dhjetë ajete dhe kështu në mëngjes të zgjohet me njëqind apo më tepër sevape të shkruara?”

Sulejman bin Tarhan (Allahu e mëshiroftë) tha: “Kur ta mëshosh syrin të flejë, ai do të mësohet me një gjë të tillë. E kur ta mësosh të rrijë zgjuar, ai do të mësohet me pagjumësinë.”

Jezid bin Eban (Allahu e mëshiroftë) tha: “Në u zgjofsha natën e të kthehem përsëri në gjumë, Allahu kurrë mos më futtë gjumë në sytë e mi!”

Muhamed bin Munkedir (Allahu e mëshiroftë) tha: “E mundova veten dyzet vite (në kryerjen e adhurimeve), derisa mu bë ashtu si desha.”

Thabit El-Bunanij thoshte: “E mundova veten njëzet vite për t’u falur natën, pastaj ia ndjeva lezetin (namazit) për njëzet vite tjera.”

Tregohet për një njeri të mirë që falej natën derisa i bymeheshin këmbët, pastaj i godiste ato dhe thoshte: “O ti shpirt i prirë për të keq! Nuk je krijuar për asgjë tjetër veçse për adhurim.”

Kur AbdulAziz bin Ruvvadit (Allahu e mëshiroftë) i shtrohej shtrati për të fjetur, ai e vendoste dorën mbi të që ta ndjente, pastaj thoshte: “Sa i butë që je! Por shtrati i Xhenetit është më i butë se ti!” Pastaj ngrihej për t’u falur.

Fudajl bin Ijadi tha: “Nëse nuk mundesh të falesh gjatë natës dhe të agjërosh gjatë ditës, atëherë dije se je i privuar dhe i prangosur; të kanë prangosur mëkatet tua.”

Ma’meri tregon: “Sulejman Et-Temimij (Allahu e mëshiroftë) u fal afër meje pas namazit të jacisë dhe e dëgjova duke lexuar suren El-Mulk: “Qoftë i Lartësuar Ai, në Dorën e të Cilit është pushteti suprem dhe që është i Fuqishëm të bëjë çdo gjë”, derisa arriti tek ajeti: “Kur të shohin dënimin për së afërmi, fytyrat e atyre që mohuan do të zymtohen…” (El-Mulk, 27). Atëherë, filloi ta përsëriste atë, derisa doli i gjithë xhemati nga xhamia. Unë u nisa për në shtëpi dhe, kur u ktheva përsëri në xhami për të thirrur ezanin e sabahut, pashë Sulejman Et-Temimin në po atë vend që e kisha lënë mbrëmë. Ai qëndronte në këmbë duke e përsëritur të njëjtin ajet dhe as që e kishte tejkaluar atë.”

Gruaja e Mesruk bin Exhda’-it tregon: “Për Allahun! S’kishte natë e që Mesrukut të mos i ënjteshin pulpat në mëngjes, për shkak të qëndrimit të gjatë në namaz.” Ai (Allahu e mëshiroftë), kur falej gjatë dhe e kaplonte lodhja, e vazhdonte namazin ulur dhe nuk e ndërpriste atë. E, kur e përfundonte namazin, zvarritej deri tek shtrati, ashtu siç zvarritet deveja.

Mahled bin El-Husejn tregon: “Sa herë që më dilte gjumi natën dhe e shihja Ibrahim bin Ed’hemin (Allahu e mëshiroftë) duke e përmendur Allahun apo duke u falur, më kaplonte mërzi e madhe (për gjendjen time). Pastaj e ngushëlloja veten me këtë ajet: “Kjo është dhuntia e Allahut; Ai ia jep atë kujt të dojë.” (El-Xhumu’a, 4).

Ebu Hazim (Allahu e mëshiroftë) tha: “Kam takuar njerëz që kishin arritur deri në shkallën ku s’mund të shtohen më adhurimet.”

Sulejman Ed-Daranij tregon për veten e tij: “Ndodh që, gjatë pesë netëve rresht, të falem vetëm me një ajet të cilin e përsëris dhe kërkoj nga vetja ta zbatojë atë. Sikur Allahu i Lartësuar me begatitë e Tij të mos ma hiqte vëmendjen nga ai (ajet), tërë jetën nuk do ta tejkaloja atë. Ngaqë në secilin meditim që e bëj, më hapet një njohuri e re, ndërkohë që mrekullitë e Kuranit s’kanë të sosur.”

Kur Es-Serij Es-Sekatij (Allahu e mëshiroftë) falej gjatë natës, mundohej ta ndalte të qarët gjatë fillimit të saj. Ai vepronte kësisoj derisa s’mundej më ta ndalte, pastaj ia jepte të qarës dhe vajit të madh

Dikush e pyeti Ibrahim bin Ed’hemin: “S’po mundem të ngrihem për namaz të natës, andaj ma përshkruaj ilaçin?” Ai tha: “Mos i bëjë mëkat Atij gjatë ditës, ta mundëson të qëndrosh para Tij gjatë natës. Sepse qëndrimi yt para Tij gjatë natës është prej ndereve më të mëdha. Ndërkaq mëkatari nuk e meriton një nder të tillë.

Sufjan Eth – Theurij tha: “U pengova nga namazi i natës pesë muaj, për shkak të një mëkati që e bëra.”

Një njeri e pyeti Hasen El-Basriun: “O Ebu Seid! Unë jam shëndoshë e mirë gjatë natës, e përgatis ujin për abdes dhe kam dëshirë për t’u falur. Ç’është me mua që nuk më del gjumi?” Haseni iu përgjigj: “Të kanë lidhur mëkatet”

Dikush i tha Hasen El-Basriut: “Më ka lodhur namazi i natës.” Ai ia ktheu: “Të kanë lidhur mëkatet.”

Ibën Umeri tha: “Gjëja e parë që mangësohet nga adhurimi i njeriut është namazi i natës dhe ngritja e zërit gjatë tij.”

A’ta El-Hurasanij (Allahu e mëshiroftë) tha: “Kur njeriu falet gjatë natës, zgjohet në mëngjes i gëzuar dhe, për shkak të tij (namazit), gjen hare edhe në zemrën e tij. Ndërsa, kur nuk i del gjumi, zgjohet në mëngjes i pikëlluar e me shpirt të thyer, sikur t’i kishte humbur diçka, ndërkohë që ai ka humbur gjënë që më së shumti i bën dobi.”

Ma’kil bin Habibi (Allahu e mëshiroftë) i pa disa njerëz duke ngrënë së tepërmi dhe tha: “Më duket se këta nuk dëshirojnë të falen natën.”

Mis’ar bin Kidam (Allahu e mëshiroftë) thotë, duke paralajmëruar nga teprimi në ngrënie:

Urinë e dëbon çyreku dhe një grusht i mbushur me ujë të pijshëm.

Ushqimi i pakët është ndihmë për namazfalësin,

ndërsa teprimi në të e ndihmon gjumin.

Kur Alij bin Bekkarit (Allahu e mëshiroftë) i shtrohej shtrati, ai e prekte me dorë dhe thoshte: “Pasha Allahun je i mirë! Pasha Allahun je i freskët! Mirëpo, betohem në Allahun se nuk do të shtrihem sonte mbi ty.” Pastaj ngrihej e falej deri në mëngjes.

Fudajl bin Ijadi tregon: “Kam takuar njerëz që turpëroheshin nga Allahu të flinin gjatë në errësirën e natës. Kur ndonjërit prej tyre i dilte gjumi i drejtohej vetes duke thënë: “Kjo s’të takon ty. Ngrihu dhe merre hisen tënde të Ahiretit.”

Hisham Ed-Desteuaij (Allahu e mëshiroftë) tha: “Ka robër të Allahut që mundohen ta largojnë gjumin nga frika se mos po vdesin në të.”

Xha’fer bin Zejd (Allahu e mëshiroftë) tregon: “U nisëm për luftë në drejtim të Ke’bul-it, ndërkohë që në mesin e ushtrisë ishte edhe Sile bin Ejshem El-Adeuij (Allahu e mëshiroftë). Pas jacisë, ai u largua nga njerëzit dhe u shtri (kinse) për të fjetur. Kur tërë ushtrinë e zuri gjumi, ai e shfrytëzoi pakujdesinë e tyre dhe u ngrit e hyri në mesin e disa shkurreve me degë të dendura ndërkohë që unë vazhdimisht e përcillja. Ai mori abdes dhe filloi të falej. Gjersa ishte duke u falur, erdhi një luan tejet i madh dhe iu afrua. Nga ulërima që e lëshoi luani, mua më kapi lemeri e madhe dhe u ngjita në një dru që ishte aty afër. Ndërsa Sile-ja, pasha Allahun, as që e ktheu kokën drejt luanit dhe as që u frikësua nga ulërima e tij; sikur të mos ekzistonte fare. Pasi që ra në sexhde, luani iu afrua dhe thashë me vete: “Tani do ta shqyejë.” Mirëpo, luani filloi të sillej përreth tij dhe nuk i bëri asgjë të keqe. Pasi që Sile-ja e përfundoi namazin, u kthye nga luani dhe i tha: “Oj egërsirë, shko dhe lype riskun tënd diku tjetër!” Luani u largua duke lëshuar një ulërimë aq të madhe, saqë malet do të dridheshin prej saj. Sile-ja vazhdoi të falej dhe, kur u afrua koha e sabahut, u ul dhe filloi ta falënderonte Allahun me fjalë që kurrë si kisha dëgjuar më parë. Ai thoshte: “O Allah, kërkoj prej Teje të më mbrosh nga zjarri! Mos çifti im guxon të kërkojë prej Teje Xhenetin?!!” Pastaj, u kthye tek shtrati i tij, në mënyrë që ushtarët të mendonin se kishte bërë gjumë tërë natën. Kur erdhi mëngjesi, ai u ngrit sikur të kishte fjetur mbi ndonjë shtrat tejet komod (domethënë ishte shumë i freskët dhe aktiv). Ndërkaq unë u ktheva tek shtrati im duke qenë i kapluar nga dembelia dhe plogështia, aq sa veç Allahu e di.”

Tregohet se Amër bin Utbe bin Ferkad (Allahu e mëshiroftë) merrte pjesë në luftërat që i zhvillonin myslimanët e, kur vinte nata, fillonte të falej e t’i lutej Allahut dhe të qante para Tij. Bashkëluftëtarët e tij nuk e ngarkonin askënd të bënte roje, ngaqë ai, me namazin e tij gjatë tërë natës, e merrte përsipër një gjë të tillë. Një natë, derisa ishte duke u falur dhe ushtarët i kishte kapluar gjumi, papritmas u dëgjua një ulërimë e tmerrshme luani. Të gjithë ia mbathën, përveç Amr-it, i cili mbeti aty ku ishte, duke u falur; as nuk e ndërpreu namazin dhe as që i kushtoi vëmendje ulërimës. Kur luani u largua, ata u kthyen tek Amri dhe e pyetën: “A nuk u frikove nga luani gjersa ishe duke u falur?” Ai ua ktheu: “Turpërohem nga Allahu që t’i frikësohem dikujt tjetër përveç Atij.”

Umer bin AbdulAzizi (Allahu e mëshiroftë) tha: “Veprat më të mira janë ato për kryerjen e të cilave shpirtrat detyrohen.”

Ebu Xha’fer El-Bekkal tregon: “Shkova tek Ahmed bin Jahja (Allahu e mëshiroftë) dhe e gjeta duke qarë aq shumë, saqë gati s’mund ta zaptonte veten. “Më trego çfarë ke?” – i thash. Ai deshi të mos më tregonte, mirëpo unë nuk e lash rehat. Atëherë, më tha: “Më iku namazi i natës mbrëmë dhe kjo më ka ndodhur për shkak të ndonjë mëkati që kam bërë, andaj edhe jam ndëshkuar me një gjë të tillë. Pastaj filloi përsëri të qante. Mu dhimbs në shpirt dhe desha t’ia lehtësoja gjendjen, andaj i thashë: “Sa i çuditshëm që bëhesh! Nuk je i kënaqur me Allahun që të ka bërë të flesh e po qanë?!” Ai ma ktheu: “Lëri këto gjëra, o Ebu Xha’fer! Kjo më ka ndodhur për shkak të ndonjë mëkati që kam bërë.” Filloi të qante përsëri dhe s’mund ta ndalte vajin. Kur e pashë që assesi nuk po pranonte fjalët e mia, u largova prej tij dhe e lashë në atë gjendje.”

Ebu Galib tha: “Ibën Umeri vinte tek ne në Mekë dhe gjatë natës ngrihej për t’u falur. Një natë prej netësh, para sabahut, më tha: “O Ebu Galib! A nuk do falesh, qoftë dhe duke lexuar një të tretën e Kuranit?” “O Ebu AbduRrahman! Mëngjesi është afër, andaj si ta lexoj një të tretën e Kuranit?” Ai më tha: “Surja El-Ihlas është sa një treta e Kuranit.”

Ebu Is’hak Es-Sebi’ij (Allahu e mëshiroftë) thoshte: “O të rinj! Përvilni mëngët dhe përpiquni fort (në adhurime). Shfrytëzojeni fuqinë dhe rininë tuaj para se të plakeni, sepse të pakta janë ato net në të cilat nuk jam falur me njëmijë ajete.”

AbdulUahid bin Jezid për çdo natë e këshillonte familjen e tij duke u thënë: “Zgjohuni nga gjumi, sepse kjo botë nuk është vend për të fjetur! Së shpejti do t’ju hanë krimbat!”

Muhamed bin Jusuf tregon: “Sufjan Eth-Theurij (Allahu e mëshiroftë) na zgjonte nga gjumi natën dhe thoshte: “O të rinj! Ngrihuni dhe faluni sa jeni të rinj! Nëse sot nuk faleni, atëherë kur?!”

Një grua hyri tek bashkëshortja e imam Euzaiut (Allahu e mëshiroftë) dhe pa lagështi tek vendi ku Euzaiu falej natën. “Mos të pastë nëna!” – i tha ajo bashkëshortes së imamit -, “Qenke treguar e pakujdesshme ndaj ndonjërit prej fëmijëve dhe ai paska urinuar në vendin ku falet hoxha”. Gruaja e tij ia ktheu: “Mjerë për ty! Kjo ndodh çdo natë. Këto janë gjurmët e lotëve të hoxhës, kur ai bën sexhde.”

Ibrahim bin Shemmas tregon: “E shihja Imam Ahmedin (Allahu e mëshiroftë) duke e gjallëruar tërë natën (me adhurim), edhe pse ishte fëmijë.”

Ebu Jezid El-Muanna tregon: “Kur vinte mëngjesi, Sufjan Eth-Theurij i zgjaste këmbët dhe i mbështeste për muri (përpjetë) ndërkohë që kokën e kishte në tokë, në mënyrë që t’i kthehej gjaku në vend, për shkak të namazit të natës.”

Sheddad bin Eus (radijAllahu anhu), kur binte për të fjetur, rrotullohej në shtrat ashtu siç rrotullohet gruri që është duke u zier mbi zjarr, dhe thoshte: “O Allah! (Frika nga) Zjarri ma largoi gjumin!” Pastaj ngrihej e falej deri në mëngjes.

Ebu Muslim El-Haulanij (Allahu e mëshiroftë) falej gjatë natës dhe kur lodhej apo ndiente dembeli thoshte: “A mos mendojnë shokët e Muhamedit (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem) se na e kanë tejkaluar në të (namaz të natës). Pasha Allahun, do t’u bëj konkurrencë që të dinë se prapa tyre kanë lënë burra! Pastaj falej deri në mëngjes.

Amir bin Abdullah bin Kajs (Allahu e mëshiroftë), kur zgjohej natën për t’u falur, thoshte: “Sytë e mi nuk pranuan të shijonin gjumin pasi më ra ndërmend gjumi.”

Fudajl bin Ijadi tha: “Unë e pres natën që nga fillimi i saj dhe më tmerron gjatësia saj. Pastaj filloj të lexoj Kuran dhe në mëngjes e shoh se nuk jam ngopur me leximin e tij dhe me namaz.”

Kur Ebu Esh-Sha’tha-së i erdhi vdekja, ai nisi të qante. “Ç’të bëri të qashë?” – e pyetën të pranishmit. Ai tha: “Nuk jam ngopur me namaz të natës”.

Fudajl bin Ijadi tha: “Është thënë se prej moraleve të pejgamberëve dhe besimtarëve të zgjedhur, të mirë e me zemra të pastra, janë tri: butësia, kthimi tek Allahu dhe namazi i natës.”

Thabit El-Bunanij (Allahu e mëshiroftë) falej në këmbë, derisa lodhej. Kur lodhej, e vazhdonte namazin ulur.”

Es-Serij Es-Sekatij thoshte: “Kam vërejtur se dobitë vijnë gjatë errësirës së natës.”

Tregohet për një njeri të mirë se, kur vërente të rinjtë të mblidheshin rreth ushqimit, u thoshte: “Mos hani shumë, sepse pastaj do të pini shumë, e pastaj do të flini shumë dhe në fund do të humbni shumë.”

Hasen bin Salih (Allahu e mëshiroftë) tha: “Më vjen marre nga Allahu të shtrihem për të fjetur atëherë kur nuk kam gjumë, derisa gjumi të më mundë. E, nëse zgjohem nga gjumi dhe kthehem përsëri në të, atëherë Allahu kurrë mos ma mundësoftë të flejë!”

Tregohet se Sulejman Et-Temimij dhe djali i tij silleshin gjatë natës nëpër xhamia duke u falur herë në njërën e herë në tjetrën, derisa vinte mëngjesi.

Krejt në fund, vëllai im i dashur, falu qoftë edhe vetëm me një rekat. Profeti (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem) thotë: “Kush falet gjatë natës me dhjetë ajete, nuk shkruhet nga të pakujdesshmit. Kush falet me njëqind ajete, shkruhet prej të përulurve (bindurve). Kush falet me njëmijë ajete, shkruhet prej El-Mukanterun-ëve (ata që kanë shpërblim të madh sa një kintar).” Përcjellë nga Ebu Daudi. Shejh Albani e ka vlerësuar si të vërtetë.

Përktheu: Petrit Perçuku

  • Shpërndaje
Share on facebook
Share on telegram
Share on whatsapp
Share on twitter
Share on email

NA NDIQNI NË FACEBOOK

ABONOHU NË EMAIL

Pranoni postimet e reja në email duke u abonuar

POSTIMET E FUNDIT

RËNDËSIA E TEUHIDIT

MË TË KLIKUARAT

Arkiva